17 janari 1468 ishte ditë e diell. Dhe atë ditë bashkë me perëndimin e diellit qiellor, ndodhi edhe perëndimi i këtij dielli arbëror. Mbylli sytë përgjithmonë Kryezoti i Arbërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Njeriu simbol i lirisë, jo vetëm shqiptare, por i lirisë si gjakim dhe si synim gjithënjerëzor.
Kanë qenë me mija fëmijë shqiptarë që janë marrë me dhunë nga krahët e prindëve, për me u kthy në ushtarë, në makina vrasëse për synimet pushtuese të sulltanëve. Por, ja që një nga këta fëmijë e kuptoi se kishte një mision tjetër, e kuptoi se fati i tij ishte të kthehej në Kalorës të Lirisë. Dhe i tillë u bë: ndër më madhështorët Kalorës të Lirisë që ka njohë bota. Madhështia e tij vinte sa nga virtytet, po aq edhe nga veprat e shumta, qoftë ushtarake, qoftë politike.
Skënderbeu, me shumë meritë, radhitet ndër gjeneralët më gjenialë të të gjitha kohëve. Por, ndërsa shumë gjeneralët të tjerë të famshëm udhëhoqën fushata pushtuese me ushtri të mëdha, Skënderbeu radhitet ndër të rallët gjeneralë të lirisë, me një ushtri që kishte, më së shumti, rreth 15 mijë ushtarë, dhe korri fitore pas fitoresh, pa humbur asnjë betejë. Me taktikat e tij, aj ësht themelues i luftës guerile dhe për këtë arsye akademitë më të famshme ushtarake në botë edhe sot studiojnë mënyrat e tij të luftës.
Jeta dhe veprat e Skënderbeut paraqesin një nga ato shkëlqimet e rralla, gati të pabesueshme, të jetës së një njeriu. Bir i Gjon Kastriotit, një princi mesatar shqiptar nga Dibra, aj u mor si peng, bashkë me vëllezërit e tij, për shkak të rezistencës që kishte bë babai i tyre kundër otomanëve. Pas kthimit në mysliman dhe edukimit ushtarak në pallatet e Sulltan Muratit II, ai u shqu si me zotësinë e tij. Ësht shënu në histori dueli i tij me dy ushtarë të shquar persianë, me të cilët u mat, pasi ata provokuan dhe bënë thirrje që t’u dalë dikush përballë. Zotësia e tij e rrallë ra në sy menjëherë dhe për këtë arsye u quajt Iskander Bey – Zoti Aleksandër, ngaqë vinte prej andej prej nga vinte dhe Aleksandri i Madh. Kjo ësht arsyeja që edhe Skënderbeu, gjatë gjithë jetës së tij, në letra që u dërgonte princave dhe mbretëve të shumtë e quante veten edhe arbëror, edhe epirotas, edhe maqedonas.
Pas disa fushatave pushtuese për Sulltan Muratin II, Skënderbeu e kuptoi padrejtësinë e madhe që i ishte bë atij, babait, familjes dhe popullit të tij. Ishte fuqia që përcaktonte kush kujt do t’i nënshtrohej e do t'i shërbente. Ishte fuqia që i kishte sjellë sulltanët nga Azia në tokat arbërore. Pra, duhej të ishte fuqia ajo që do ta dëbonte sulltanin me ushtritë e tij. Duhet të theksohet fakti që gjatë kthimit të Skënderbeut në Krujë, aj u kthy në Atdhe edhe me 300 ushtarë të tjerë shqiptarë, ata më besnikët që lanë fushëbetejën e Nishit dhe u nisën për në Krujë, në Atdheun e tyre.
Më 28 nëntor 1443, pasi çliroi Krujën duke hy në kështjellë me një dekret të rremë sulltanor, ngriti mbi kullën kryesore flamurin me shkabën e zezë dykrenare shtri në fushë të kuqe, flamuri që do të bëhet flamur i përjetshëm dhe i shenjtë i gjithë shqiptarëve.
Skënderbeu udhëhoqi dhjeta beteja gjatë gjithë jetës së tij kundër të gjithë pushtuesve: otomanë e venedikas. Në këto beteja u plagos disa herë. Dhe mrekullia, që edhe sot i lë gojëhapur biografët e tij ësht se aj nuk e humbi kurrë asnjë betejë, as kundër otomanëve, as kundër venedikasve dhe princave të tjerë italianë edhe në vetë tokën italiane, ku shkoi me i ndihmu mikut të tij, Alfonsit V. Po, ësht e vërtetë që ushtria e tij, pësoi një humbje, atë të Beratit. Por kjo ndodhi pa praninë e tij aty.
Jeta e tij u mbulu me lavdi kur shumë ushtri perandorake, të udhëhequra edhe nga vetë Sulltan Murati II dhe, biri i tij, Mehmeti II Pushtuesi, u kthyen të thyer e të poshtëruar në pallatet e tyre pa pa mujtë me pushtu Krujën e me shkatërru rezistencën e popullit shqiptar me në krye Skënderbeun. Kjo bëri që lavdia e tij të pushtonte botën më shpejt se ushtritë perandorake otomane.
Për Skënderbeun janë shkru me mija poezi, romane, drama, biografi e studime, janë kompozu opera e simfoni, janë bë piktura e skulptura të panumërta. Kështu figura e Skënderbeut u kthy në thelbin e qenësisë sonë si komb. Flamuri i tij sot na përfaqëson politikisht në çdo kënd të botës, emri i tij na mbulon edhe sot me lavdi. Rrallë mund të gjendet një shembull i dytë në botë që paraqet një lidhje kaq të ngushtë të një çlirimtari, themeltari dhe pajtori të një populli, sikurse figura e Skënderbeut.
Në rrethana të vështira, aj arriti të bashkojë princat shqiptarë dhe të vihet në krye të ushtrisë arbërore në Besëlidhjen e Lezhës, 1444. Këtë e bëri me urtinë e tij të rrallë. Me zgjuarsinë e lindur ia doli të krijonte frymë mobilizuese te princat dhe mbretërit europianë. Me trimërinë e tij të pakundshoqe u bëri ballë ushtrive shumëfish më të mëdha otomane. Por, Skënderbeu, edhe në një kohë të tillë, ishte një ushtarak shpirtmadh, që dinte të falte kundërshtarët dhe armiqtë. Kur bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, Moisi Golemi, thuhet se e tradhtoi, sapo u pendu dhe erdhi e u gjunëzu para Skënderbeut, ky e fali dhe ia ktheu të gjitha privilegjet që i kishte gëzu më parë. Kur e tradhtoi i nipi, Hamzai, ia fali jetën, por nuk mundi ta mbante afër dhe kërkoi të largohej. Sa herë që pashallarët dhe ushtarët e sulltanit dorëzoheshin ai ua falte jetën. Aq i madh ishte humanizmi i Skënderbeut, sa Sulltan Mehmeti u detyru që t’u thoshte gjeneralëve të tij, që nëse do të ktheheshin të gjallë e me humbje nga betejat me Skënderbeun, aj vetë do t’i egzekutonte ata. Bëhej fjalë për sulltanin që në ditën që u bë sulltan kishte egzekutu të gjithë vëllezërit e tij, vetëm e vetëm që të mos i rrezikohej froni.
Pas betejash e përpjekjesh të mëdha, në një ditë të ftohtë janari, në vitin 1468, Gjergj Kastrioti Skënderbeu u sëmur. E kapën ca ethe. Duke qenë se e prisnin betejat, aj provoi për herë të fundit të ngjitej në kalë. Por nuk mundi. Kalorësi i pathyeshëm i Lirisë u desh t’i bindej fatit të jetës. Sipas disa supozimeve ishin ethet e malaries që ia morën jetën. Por, po ashtu, ka dyshime që mund të jetë helmu nga venedikasit, në bashkëpunim me otomanët. Egziston një dokument që tregon ofertën me shpërblim me ar të venedikasve, vite më parë, që i ofronin një personi për me helmu apo me vra Skënderbeun. Mirëpo, rrethanat e vdekjes së Skënderbeut ende nuk janë vërtetuar përfundimisht.
Fatosi shqiptar mbylli sytë në Lezhë i rrethuar nga bashkëluftëtarët e tij besnikë. Gjama pushtoi gjithë trojet arbërore. Trimat shqiptarë përgjakën fytyrat me grithje e rrahën gjokset me grushta, duke shprehë kështu dhembjen e madhe që i kishte mbulu dhe kobin e madh që po parandjenin se po vinte. Parandjenja e tyre doli e drejtë, sepse mbyllja e syve të Skënderbeut, mbylli për shekuj me radhë dritën e lirisë së kombit tonë. Thuhet se tirqit e burrave shqiptarë deri në atë kohë ishin të bardha. Për me mbajtë përherë të shënueme zinë për vdekjen e Kryezotit të Arbërisë tirqve iu shtuan gajtanët e zij. Kështu shqiptarët e kanë në gdhendur në kujtesë këtë ditë të zezë deri në amshim.
Ndërsa ne, këtë ditë, 553 më vonë, e përkujtojmë vdekjen e zulmëmadhit, Kryezotit të Arbërisë, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Caspar Hedio (1494-1552), është historian gjerman.
Foto: A.M. (Fotografitë janë marrë nga një përkthim në gjermanisht i veprës së Marin Barletit, i vitit 1583, botu në Frankfurt të Gjermanisë. Ilustrimet e librit janë ngjyrosë me dorë dhe paraqesin një botim të rrallë.)*

By Caspar Hedio
