Ishte kênë njajo grueja e vejë,
Nji jetim Zoti i a kish’ lânë,
Emën t’bukur nâna i kish’ njitë,
Për emën i thojshin Ali Bajraktari.
Me gazep nâna e kishte rritë :
E kish’ rritë me lypë të dyrvet,
E kish’ veshë me floqe mbledhë ndër ferra.
Dymbdhetë vjeç djali ishte bâ,
Gjâ e máll Zoti i kishte dhânë,
Nji nuse t’bukur nâna i a fejon,
Për tri javë orokun i a kish’ dá.
Kúr ishin mbushë plot tri javë,
Ká çue nâna krushqit e nusen i a kish’ marrë :
Kurrkund shoqja nuses s’i kish’ dalë !
Por nji gabim djali e kish’ bâ :
Për tri vjet jashtë deret nuk kish’ dalë.
Nana e vet ká qitë e i ká thânë :
– Ç’se t’martova, bír, të burgtova,
Kurr ndër shokë, ti bír, nuk shkove,
As te dajat, bír, nuk dole,
Miqt e babës ti i harrove. —
I biri nanës ká qitë e i ká thânë :
– Lêne zânin, nânë, Zoti t’vraftë !
Sherret t’ueja, nânë, të tâna janë,
Se tepër t’rí nusen m’a ké marrë,
E n’kufî shpín un e kam,
E sarajin vetëm un me e lânë,
Drue sarajin shkjau ká me m’a djegë,
Edhe nusen ká me m’a grabitë,
E n’rrugë t’madhe t’mjerin ká me m’qitë.
Besën e Zotit në daç me m’a dhânë,
Qi kurrkúj derën nuk i a çilë,
Për pá ardhë Alija, yt bír,
Due me dalë miqt due me i shetitë. –
Besën e Zotit nâna i a ká dhânë,
Qi : – Kurrkúj derën nuk i a çili,
Për pá ardhë Alija êm bír. –
Ishte veshë Alija, ishte mbathë,
Në shpinë gjogut i kish’ rá,
E ish’ nisë rrugën e e kish’ marrë
Ishte kthye sarajin e e kish’ kqyrë,
Ká fillue sarajin e m’a nêmë :
Tý saraj – thotë – hajri mos t’u pát,
Me qyskí krajli të rrenoftë,
Qeremijat në krajlní t’i çoftë !
Ishte nisë djali, rrugës ka shkue ;
Nelt në bjeshkë kúr ká dalë,
Ka ndeshë nji mrize nji krue,
Ká xânë vend Alija me pushue,
Uj në gurrë âsht ulë a ká pí,
Uji prej boret në zemër i ká rá,
Gjumi i rândë tu gurra a ká marrë.
Në bjeshkë krajli tuj gjue ishte kênë,
Sa mirë Alín e kish’ pá,
Ç’ka qitë maxharvet o u ká thânë :
– Kqyrnie turkun tu gurra ká ardhë,
Aspak beh né nuk âsht tuj na bâ.
Ka ardhë koha turkun rob me e xânë,
Ka ardhë koha nusen me i a marrë. –
Përpjetë bjeshkës maxhart kishin dalë,
Kâmbësh e duerësh Alín fjetun e ki’n lidhë,
Thellë në burg Alín e ki’n shtî,
Për gjithmonë burgun i a ki’n pré.
Kqyr çka bani krajli për me bâ :
Të tânë popullin aty e ka mbledhë,
E nji djalë si Alín e ka gjetë,
I a ká pré petkat si t’Alís,
I a ká dhânë gjog e shpatë të tijat,
E ç’ka qitë djalit e i ka thânë :
– Se në mujsh nusen me i a marrë,
Për gjithmonë zenjin kam me t’bâ. –
Ishte nisë djali e kishte shkue,
Në derë nânës s’Alís i ká trokllue.
– Ulu, nânë, – thotë – derën me m’i a cilë,
Se ká ardhë Alija, yt bír.
Lumja nana t’madhe ká britë :
– Ulu, nuse, derën, thotë, me e çilë,
Se ká ardhë Alija, êm bír. –
Bí sojnike nusja kish’ qillue,
Në pinxhere kryet e ká qitë
Sa mirë shkján e ká pá,
Bé në Zotin nânës i kish’ bâ :
– Djali i yt, burri i êm nuk âsht ;
Por po âsht shkjau i biri i shkinës,
Qi ká ardhë mue me m’grabitë. –
Atëherë nusja shkjaut i ká thânë :
– Ik andej, shkjau, i biri i shkinës,
Se nuk jé Alija i ynë ;
Por jé shkjau, i biri i shkinës,
Qi ké ardhë mue me m’grabitë,
Se mâ t’trashë zânin m’a ké,
Mâ i zbërdhuktë gjogu tek âsht. –
Prap ç’ka qitë shkjau e i ká thânë :
– Ulu, nuse, derën me m’a çilë,
Se uji i borës zânin m’a ká çartë.
Gjethi i ahit gjogun e ka zbardhë,
Se në bâsha un mbrendë me hî
Copë me grimë un tý kam me t’grî. –
Tuta nusen pak e kish’ marrë,
Ç’ká qitë djalit prep a i ká thânë :
– Po dal n’beden t’sarajit,
Po e shprazi pushkën habertare
Të marrin vesht Jutbinë e krahinë.
Ata ktu kan me ardhë,
Atëherë derën kam me t’a çilë. –
Prep ç’ká qitë djali e i ka thanë :
– Sá herë jashtë un qi kam me dalë,
Nuk kan vakt agajt ktu me ardhë.
T’tânë Jutbina jashtë tek ká dalë,
T’tânë me né janë tuj qeshë,
Kah s’i a çilni derën djalit t’vetëm. –
Atëherë nusja ishte trathtue,
Ishte ulë derën e e kish’ çilë,
N’vrap për shkallë nelt ká hipë,
Per mbas saj shkjau âsht njitë,
Në çardak nusen e ka xânë,
Jú ! kushtrim ! – nusja ká bërtitë.
Mera e madhe shkjaut i ká hî,
Dorën mbas grushti nuses i a ká kapë,
Ishte dredhë pá nuse e ka ikë.
Fíll te krajli shkjau ka dalë,
Bé në Zotin shkjau i ká bâ,
Qi dorën n’dorë i a kam pasë kapë :
Por kushtrim ! nusja ka britë,
Mera e madhe më ká hî,
M’âsht dhânë ika e kam ikë ;
Bé në Zotin prap krajlit i ká bâ :
– Ç’se kam lé, mâ t’bukur nuk kam pá. –
Atëherë krajli ç’kà qitë e i kà thânë :
– Aspak marak, djalë, mos u bân :
Dalë-kadalë e jona ka me kênë.
Atëherë krajli nji letër e shkruen,
Fíll n’dorë t’nuses i a ká que,
Ç’ká qitë n’letër e po i shkruen :
Ti qi je nusja e Alís,
Merre ‘i burrë ku të duesh vetë,
Se Alín në burg e ké,
E për gjithmonë burgun i a kam pré. –
Letra nuses në dorë i ka rà,
T’tânë me lot e mjera e ká kjá.
Nâna e vet ka qitë e e ká pvetë :
– Ajo letër nuse, Zot, çdo t’jetë ?!
Shum letra, nuse, ti ké marrë,
Por asnji me lot nuk a ké kjá. –
Atëherë nusja nânës i ka thânë :
– Po thonë, se Alín na kan xânë,
Edhè n’burg e kan shtî,
Për gjithmonë burgun i a kan pré ;
Por tri vjet, nânë, un due me e pritë,
Trí vjet, nânë, me letra due me e lypë,
Si në mujsha kudo të gjallë me e gjetë,
Me tý, nânë, kam me dekë ;
Si n’mos mujsha me e gjetë për tri vjet,
Atëherë nji burrë tash e zgiedh. –
Trí vjet rresht me letra e ká lypë,
Kurr xheváp nusja nuk kish’ marrë ;
Atëherë nusja âsht fejue,
Fejue e ká Sokol Halili.
Por prep nusja nji letër e ká shkrue,
Ç’ká qitë n’letër e i ká thanë :
– Si në kjosh, Ali, kund gjallë,
Sa mâ parë xhevap mue me m’dhânë
Se gjithmonë me nânën kam me t’ndêjë,
Se un nji burrë e kam xânë,
Para tri javve krushqit vijnë me m’marrë. –
Ajo letër Alís në dorë i ká rá.
Ká fillue letrën e e ká kndue,
Sá t’madhe Alija ká britë,
Sá tjegullat krajlit i janë dridhë.
Atëherë krajli ka qitë e ka pvetë :
– Ç’ké, Ali, kaq t’madhe si bërtet ?
A t’ká mërzitë mjekra për pá u rrue,
A balta deri n’gjû,
A kmishat pá i ndrrue ? –
Ç’ká qitë Alija e i ká thânë :
– Asnji asosh, krajl, nuk janë.
S’m’a ká mërzitë mjekrra pá u rrue,
S’m’a ká mërzitë balta der n’gjû,
S’m’a ká mërzitë vesha pá u ndrrue ;
Por kam pasë lânë nânën baxhí,
E kam lânë vetun në shpí.
Mora vesht, se nâna më ká dekë,
S’ká kush nânën m’a shtje n’dhé,
Zogj e sorra nânën kan me m’a ngranë.
Në daç besë mue me m’xânë,
Njimend qefíl s’kam ku me t’marrë,
Por nji qefíl po t’a nap të madh :
Se po t’nap Zotin, qi m’ká dhânë,
Qi sot gjashtë ditë ktu prep kam me kânë. –
Aspak krajli besë nuk i ká xânë.
E bija e krajlit babës i ká thânë :
– Për Alín qefíl jam vetë,
T’tânë gazepet un kam me i hjekë,
N’kjoftë se Alija sot gjashtë dit nuk vjen. –
Atëherë krajli e ká lshue.
Për shpí Alija âsht fillue.
Kúr te shpija Alija ká shkue,
Ká ndeshë n’bylykbashe Mujin.
– Mirë se të gjêj, i thotë, burri daí ! –
– Mirë se vjen, lypsi fukará ! –
Ká qitë Muji e m’a pvetë :
– Për kah shkon, ti lyps, a prej kah vjen ?
Qet Alija Mujit e i ka thânë :
– Fill prej burgut sot kam dalë. –
– Po a din gjá mue me m’kuvende,
Për Ali Bajraktarin ?
Tesh trí vjet krajli na e ká xânë. –
Atëherë Alija ka qitë e i ká thânë :
– N’nji burg me Alín kam ndêjë,
Në burg Alija ka dekë,
Për pinxhere eshtnit i a kam tretë,
Se pat nisë hapsanen me m’a qelbë ;
Por nji fjalë Alija amanet m’a ká lânë,
Vetëm nuses me ia thânë. –
Lott për faqe Mujit po i bijnë,
E ká shti dorën në xhep,
I a ka falë njiqind orum të verdhë,
Për shpírt t’Alís ро i a nep.
Prep Muji i ká thânë :
– Tridhetë dada nusen janë tu’ e veshë,
Si në bashin derën mos me e çilë,
T’madhe – Mujo –, ké me thirrë.
Kúr n’oborr Alija ká vojtë,
Kishte ndeshë n’Sokol-e Halilin :
– Mirë se të gjej, burri daí ! –
– Mirë se vjen, lypsi fukará ! –
Ká fillue Halili e e pvetë :
– Për kah shkon, ti lyps, a prej kah vjen ?
Atëherë Alija i ká thânë :
– Prej krajinijet jam tue ardhë,
Sot prej burgut un kam dalë. –
– A din gjâ, lyps, me na kuvendë
Për Ali Bajraktarin ?
Tesh trí vjet krajli na e ká xânë. –
– Bashkë n’nji burg me Alín kam kânë,
Alija n’burg ká dekë,
Për pinxhere eshtnit i a kam tretë,
Se pat nisë hapsanen me m’a qelbë. –
Lott për faqe Halilit i bijnë,
E e ká shtî dorën në xhep,
I a ká falë pêsdhetë orum të verdhë,
Për shpírt t’Alís ро i a nep,
N’derë t’çardakut kur ká hî,
Na ká ndeshë nânën baxhí.
– Mirë se t’gjej, mori baxhí ! –
– Mirë se vjen, lypsi fukará ! –
Atëherë nâna ká nisë e e ká pvetë :
– Për kah shkon, ti lyps, a prej kah vjen ? –
Fíll prej krajlit jam tue erdhë,
Sot prej burgut un kam dalë. –
– Pásh Zotin, lyps, qi të ká dhânë,
A din gjâ mue me m’kuvnedë
Për Ali Bajraktarin, djalin t’êm ? –
– Ti, mori baxhí, kjosh vetë,
Se Alija në burg t’ká dekë,
Për pinxhere eshnit i a kam tretë,
Se pat nisë hapsanen me m’a qelbë. –
Lott për faqe nânës po i bijnë,
E e ká shti dorën në xhep
I a ka falë paret pá njehë,
Për shpírt t’birit po i a nep.
Në derë t’odës Alija ká shkue,
Derën e odës dadat s’i a kin çilë.
Sá t’madhe Alija ká thirrë.
Atëherë Muji nelt ka hipë,
Tridhetë dadat jashtë i ká qitë,
Mbrendë Alín e ká shti.
Atëherë nusja ká qitë e e ká pvetë :
– Për kah shkon, ti lyps, a prej kah vjen ?
– Fíll prej krajlnijet jam tue ardhë,
E tesh prej burgut un kam dalë. –
– Po a din gjâ, ti, mue me m’kuvendë
Për Ali Bajraktarin, burrin t’êm ?
Qe tash trí vjet rob krajli e ká xânë. –
– Bashkë n’nji burg me tê kam ndêjë,
Edhe Alija n’burg ka dekë,
Për pinxhere eshtnit i a kam tretë. –
Lott për faqe nuses po m’i bijnë.
Nji shêj n’báll Alija e kish’
Flokët e mdhaj shêjin i a ki’n xânė ;
Përpjetë flokvet u ká dhânë.
Sá mirë nusja shêjin i a ká pá,
Edhe nusja atëherë ish kujtue,
N’hamanxhik e ká çue.
Âsht lá Alija e ndrrue,
Për kapanxhjet me nuse janë ulë,
Në shpinë gjogut t’Mujit i kan hipë,
E janë nisë të dy me ikë,
Halili atëherë i ká pá,
Ka qitë Mujit e i ká thânë :
– Ky s’kje lypsi fukará,
Por kênka kênë shkjau i biri i shkinës.
Mirë për nuse dert s’po kam,
Gjogun tând kû kém me e marrë ? –
Atëherë Muji Halilit i ká thânë :
– Largou, more budalla i marrë,
Se i zoti gjân e vet m’duket se ká marrë. –
Në shpinë t’mazit t’Halilit Muji ka hipë,
Vrap mazit i ká dhânë,
Nalt në bjeshkë Muji e ká xânë.
Atëherë Alija i ká thânë :
– Pasha Zotin, Mujo, qi m’ká dhânë,
Gjân t’ême un kam marrë. –
Atëherë Muji prep i ká thânë :
– Na dy darsma, Ali, duem me bâ:
Nji për nuse qi ké márrë,
E tjetrën pse po e dijmë se jé gjallë.
Gjashtë dit darsëm kan bâ.
Kúr janë mbushë plot gjashtë dit,
Alija nuses i ká thânë :
– Prap n’krajlí m’duhet me dalë,
Pse besën e Zotit krajlit i a kam dhânë,
Sot gjashtë dit aty prep me kânë :
Aspak besë krajli s’më ká xânë,
E bija e krajlit qefíl m’âsht bâ.
Atëherë krajli m’ká lânë me ardhë,
E s’mundi në rrênë çikën me e lânë,
Me e dijtë se mâ n’Jutbinë s’kam me ardhë. –
Në shpinë gjogut i ká rá,
Në krajlní Alija prep ká dalë ;
Tevabija përpara i ká dalë,
Due gjogun Alís me i a marrë.
Se kujtojnë, se mysafir âsht.
Atëherë Alija ká thânë :
– Mysafir un nuk jam ;
Diftoni krajlit, se kam ardhë.
Atëherë krajli në derë ká dalë
E Alín aty e ká pá,
Ka qitë Alís e i ká thânë :
– Hajt, Alí, t’kjoftë rruga e mbarë !
Se besnik ti kênke kânë, –
E në shpi Alija prep ká dalë.
By Popullore