albaniana

Kujtese

Ali Rrahmani

(15 korrik 1941, Gjakovë – 14 nëntor 1996, Londër)

ChatGPT Image Jun 1, 2026, 06_20_13 PM
  • Where are you from?
  • I'm from Prizren.
  • No, no. You can't be... You are not from prison!

Dhe profesori, tue i fërku duert e buta, qeshi ambëlsisht. Qesha edhe unë me përpjekjen teme prej magari me u ba ma anglez se anglezi.

Këto ishin fjalitë e para në orën e parë të anglishtes me profesorin Ali Rrahmani. Unë tue provu me tingëllu sa ma anglez, edhe emnin e Prizrenit e pata shqiptu si 'Prizrën' e jo 'Prizren'. Dhe aj e ktheu këtë në një shaka të mirë.

Mirëpo, me profesorin tem ishim taku edhe ma heret, pa e dijtë, në një libër, në veprën e James Joyceit, "Portreti i artistit në rini". Aj kishte qenë përkthyes. Kur e pata lexu për herë të parë, diku në vitin 1983, nuk ia kisha vu mendjen fare se kush e kishte përkthy.

Mbas disa vjetësh, tue shfletu prap veprën e Joyceit e pata pa zbulu se pikërisht profesori jem kishte qenë përkthyes. Ishte befasi e kandshme. Me përkthy e me botu Joycein në vitin 1976 ka qenë një ngjarje për skenën kulturore të Kosovës. Profesori jem, pa pompë e pa zhurmë, kishte sjellë një margaritar të letërsisë. Pikërisht për këtë arsye emni i tij në kulturën shqipe ka me mbetë i paharruem. Ishte vepra e parë e njënit prej shkrimtarëve ma të mëdhaj të të gjitha kohëve që po vinte në kopshtin e kulturës shqiptare.

Sot, që asht përvjetori i vdekjes së Ali Rrahmanit, më duhet me përkujtu jo vetëm një profesor të dashun, fjalambël e modest por edhe një ndriçues të rrallë kulturor. Natyrisht, ky asht një përvjetor modest. Pa shum zhurmë. Pa pompë. Ashtu qysh ishte aj vetë.

(Pjesë nga përkthimi i veprës 'Portreti i artistit në rini', 'Rilindja', Prishtinë, 1976.)

"Pranë gardhit me dërrasa të kanalit, ndeshi burrin e veremosur me fytyrën si prej kukulle dhe kapelën pa strehë, që vinte drejt tij nëpër pjerrësinë e urës, me çape të vogla, mbërthyer mirë në pallton e tij bojë çokollate dhe me çadrën e mbledhur që e mbante një apo dy pëllëmbë larg vetes, si ndonjë shkop të shenjtë. Duhet të jetë ora njëmbëdhjetë, mendoi Stivëni dhe vështroi nga punishtja e qumështit për të parë sahatin. Qe pesë pa pesë minuta, por tek u mënjanua, dëgjoi një sahat që nuk dukej, diku, pranë tij, që rrahu shpejt e me saktësi, njëmbëdhjetë herë. Qeshi kur e dëgjoi, se e bëri të mendonte për Mekkanin, dhe madje e përfytyroi atë, një figurë shulake, me xhaketë gjuetie e kilota dhe mjekrën si të dhisë, që rrinte mes erës në qoshen e Hoplinsit dhe i thoshte:

  • Dedalus, ti je një qenie antishoqërore, i mbyllur në vetvete. Unë nuk jam i tillë. Jam demokrat dhe do të përpiqem e punoj për çlirimin shoqëror dhe barazinë midis të gjitha klasave e sekseve, në Shtetet e Bashkuara të Europës të së ardhmes.

Njëmbëdhjetë! Pra ai, ishte vonë për atë leksion. Ç’ditë ishte? Ndali para një gazetashitësi që të lexonte titullin e një gazete. E enjte. Dhjetë deri në njëmbëdhjetë - anglisht; njëmbëdhjetë deri në dymbëdhjetë - frëngjisht; dymbëdhjetë deri në një - fizikë. Imagjinoi mësimin e anglishtes dhe ndjeu, edhe pse aq larg, shqetësim e pazotësi. Vështroi kokat e shokëve të klasës, përkulur me bindje, teksa shkruanin mbi fletoret e tyre ato që qenë të porositur të shkruanin, përcaktimet e emrave, përcaktimet dhe shembujt thelbësorë, apo data lindjesh e vdekjesh, vepra kryesore dhe vlerësimet pozitive apo negative të kritikës. Koka e Stivënit nuk përkulej, sepse mendimet e tij endeshin jashtë, dhe kur ai vështronte rreth e rrotull klasës së vogël me studentë, apo tej dritares, përgjatë kopshteve të shkreta me gjelbërim, sulmohej kurdoherë prej një duhme të rëndë kalbësire, si lagështirë bodrumi. Edhe një kokë tjetër, veç mu përpara tij, në bankat e para, qe ngritur përpjetë përmbi shokët, si koka e një prifti që lutej pa përvuajtje në tabernakël, për besimtarët e mjerë rrotull tij. Si ndodhte, që kur mendonte për Krenlin, kurrë nuk i dilte përpara syve, imazhi i plotë i trupit të atij djali, por vetëm koka dhe fytyra e tij? Edhe tani, në sfond të perdes gri të mëngjesit, e pa atë përpara vetes si fantazma e një ëndrre, fytyrën e një koke të ashpër, si maskë vdekjeje, kurorëzuar te vetullat me flokët e tij të zes, të kreshpëruar si nga një kurorë e hekuri. Qe një fytyrë me një verdhësi asketi, me hojza të gjera të hundës, hijezuar nën sytë dhe përgjatë nofullave, e ngjashme me fytyrën e një prifti, nga buzët pa gjak e me një buzëqeshje të zbehtë. Dhe Stivëni, duke sjellë ndërmend përnjëherësh se si i kishte rrëfyer Krenlit për të gjitha ato potere, trazime e dëshirime në shpirtin e tij, ditë pas dite e natë pas nate dhe, se si miku i tij, i përgjigjej vetëm me një të dëgjuar në heshtje, që gati t’i kishte thënë vetes, se ajo qe fytyra e një prifti fajtor që dëgjonte rrëfimet e atyre që nuk kishte forcë t’i çlironte nga faji, por atëherë ai ndjente edhe në kujtesë, vështrimin e syve të errët si prej gruaje, të shokut të tij.

Përmjet këtij vegimi, sikur iu hap një hyrje në shpellën e errët e të çuditshme të mendimeve, por sakaq u mënjanua prej saj, duke ndjerë se nuk ishte ende ora të hynte aty brenda. Por helmarina e topitjes së mikut të tij dukej sikur shpërndante në ajrin rretherrotull, një aromë të lehtë, vdekjeprurëse dhe ai e pa veten duke hedhur një sy nga një fjalë në një tjetër, në të majtë apo të djathtë, me një habi të ftohtë, për atë se si ato, aq heshturazi, zbrazeshin nga kuptimi i çastit, deri sa çdo tabelë dyqani, ia lidhte mendjen si fjalët e një magjie dhe shpirtit të tij i vinte të futej në dhe duke rënkuar si një plak teksa ai ecte në një udhë midis pirgjeve të gjuhës së vdekur. Vetëdija e gjuhës i qe dobësuar në mendjen e tij dhe rridhte në vetë fjalët që nisnin të bashkoheshin e ndaheshin me një ritëm tekanjoz:

Dredhka angullin në për mur,

Angullin e kacavirret nëpër mur;

Dredhkë e verdhë nëpër mur;

Dredhka, dredhka, përmbi mur.

Ç’janë këto pallavra? Zot i Plotfuqishëm! Kush ka dëgjuar për dredhkën në mur? Dredhka e verdhë; bukuri fare. Fildish i verdhë, gjithashtu. Po për dredhkën e fildishtë?

Tani fjala vetetiu në trurin e tij, më e dëlirë dhe më e shndritshme se ndonjë fildish sharruar nga çatallët e laracuar të elefantëve. 'Ivory, ivoire, avorio, ebur'. Një nga shëmbujt e porë që ai kishte mësuar në latinisht, ishte: 'India mittit ebur'; dhe ai kujtoi fytyrën e mprehtë prej veriori të rektorit që i kishte mësuar të shpjegonte Metamorfozat e Ovidit me një anglishte oborri e cila tingëllonte tepër e çuditshme, kur bëhej fjalë për derrat e për ciflat e poçeve të thyera dhe për llokmat e proshutës. Nga një libër i vjetëruar, shkruar prej një prifti portugez, ai pati mësuar se sa pak dinte nga ligjet e vjershërimit latin."

Ali RRAHMANI

(15 korrik 1941, Gjakovë – 14 nëntor 1996, Londër)

Shkollën fillore e kreu në Gjakovë. Të mesmen dhe Normalen në Prishtinë. Ka diplomu në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Angleze në Universitetin e Prishtinës. Magjistraturën e ka kry në Universitetin e Zagrebit.

Ka punu si profesor i gjuhës dhe letërsisë angleze pranë Akademisë së Arteve në Prishtinë dhe në Fakultetin Filozofik të UP-së.

Njihet edhe si përkthyes i filmave dhe emisioneve dokumentare në kuadër të RTP-së. Gjithashtu asht përkthyes i veprës së shkrimtarit të njohun irlandez, James Joycei, “Portreti i artistit në rini”, Rilindja, Prishtinë, 1976, ribotim 1982.

Në vitet e ‘60 dhe ‘70 Ali Rrahmani njihet edhe si kangëtar i kangës popullore shqiptare. Kishte me dhjeta këngë të regjistruara në Radio Prishtinë.

Pas një sëmundjeje të gjatë dhe të randë, ndërroi jetë në Londër më 14 nëntor të vitit 1996, ku edhe asht vorrosë me dëshirën e tij.

By Agim Morina