albaniana

Poezi

Arnaut Osmani

Lum për tý, o i Lumi Zot, Ça ká bâ Arnaut Osmani Dymbdhetë shokë i ká bashkue, N’bjeshkë të nalta trimi ká dalë. Dymbdhetë Agët shkjét i a kan xânë Jau kan shtî burgagijt n’kâmbë N’burg nandë vjet i paskan lânë Shka ká qitë krajli e i ki’ pvetë : – I cili jush sarajet m’i…

Lum për tý, o i Lumi Zot,

Ça ká bâ Arnaut Osmani !

Dymbdhetë shokë i ká bashkue,

N’bjeshkë të nalta trimi ká dalë.

Dymbdhetë Agët shkjét i a kan xânë

Jau kan shtî burgagijt n’kâmbë

N’burg nandë vjet i paskan lânë

Shka ká qitë krajli e i ki’ pvetë :

– I cili jush sarajet m’i dojtë ?

Atëherë foli Sokole Halili :

– Un n’at çetë, Krajl, vetë s’jo kênë,

Qýsh ká folë ai Osman Aga i rí :

– Pásh nji Zot, kraji, qi t’ká dhânë

Kurrkand n’qafë ti mos me marrë,

Vetë sarajet t’i kam djegë,

Vetë un kullat t’i kam shêmbë

Edhe lândët un t’i kam pré.

Kqyr ça tha krajle kapitani :

– Mirë se kullat ti m’i dogje.

Gjanë e mallin ku m’a çove ?

– Tânë n’Jutbinë, krajl, t’a kam çue,

– Mirë se mallin ti m’a more

Babë e nânë ti ç’m’i bâne ?

– Tha, n’Jutbinë të dy i kam çue,

N’dorë t’tallallit i kam qitë,

Kurr ‘i grosh s’kam mujtë me i shitë ;

Çajren vedit për ta s’dijta

N’zyft e n’pezhkve, krajl, t’i ljeva,

Nuri, krajl, un të dy i dogja,

Si zanát qi luftat e ká’ pasë.

Ç’kish’ qitë krajli e kish’ thânë :

– Shum hejdí, Agaj, due me u bâ

Thellë në burg un due ne u shtî,

Dritë as diell mos t’shofë me sy ;

Jau ka shtî burgagijt n’kâmbë

Sall gjashtë vjet tek kênkan bâ

Edhe mbushen dymbdhetë dit e net

Flet Osmani me shokë të vet :

– I madhi Zot, shokë, u vraftë,

Mot tuj shkue e forca tuj u lshue,

Tuj u plakë e mendja tue u lanë,

Tuj u plakë e mnera tue u hî

Si s’m’a msuet mue nji kopilí,

Si të dalim prej ktij burgut të zí.

Sá mirë shokët Osmanit i kan thânë :

– Se shkon moti, forca s’na ká lshue,

Se jém plakë mendja s’na ká lânē,

Se jém plakë mnera s’na ká hî,

Por s’po ká kush nesh bân ndoi kopilí ;

Provë të mdhá krajli ká me bá,

N’qafë vedin kanë me e marrë.

Bé n’Zotin Arnauti ká bâ :

– N’shtatë furra t’kuquna me m’shtî

Qerpiku i synit nji herë s’ká me m’u dridhë

Por a di shka, more shokët e mij,

Po provoj sonte m’u shtire,

Kesh se deka mue m’ká ardhë

Se ishalla n’dhé mue gjallë po m’shtinë

Sá t’vijë koha për mjesnatë,

Merrni brimën tuj piskatë.

Kúr t’vijë koha nëpër dritë,

Merrni brimën tue bërtitë,

Nisni brimë e nisni gjâmë,

Qi me e ndie krajli n’saraj.

Kâmbet Arnauti m’i ká shtrî,

M’i ká mbledhë ai duerët mbi parzēm,

M’u kan mbledhë shokët për rreth tij

Po rreshtohen tanë për ’i rresht

Kan marrë brimë edhe piskamë,

Kan nisë gjâmën tuj gjâmue

Mjeri û për tŷ, vllau i em o vllá !

Kúr kan lshue gjamën e tretë

I ndien krajli n’odë të vet,

I ndien krajli e po pëvetë :

–  C’kini ju, more rob të tretun,

A ju ka rá malli i shpís

A ju ka rá malli i robnís

A u ra n’mend për babë e nânë,

A u rá n’mend për motër e vllá,

A u rá n’mend për Shnjergja t’bardhë,

A jau ká mërzitë balta deri n’gjú,

A jau ká mërzitë mjekrra për pá u rrue,

A jau kan mërzitë kmishat për pá u ndrrue,

A jau ká merzitë drita per pá dalë !

Ça kan thânë agët e ngujuem :

– Asnji asosh, kraj, nuk âsht,

Por nji shoq né na ká dekë,

E s’po dijmë ku me e shti n’dhé

Se hapsanen po na e qelbson.

Besë s’e xên krajli, se ká dekë ;

Por m’a thrret çikën e vet

Çilcat n’dorë çikës i a ká dhânë,

Edhe t’vogël te i ká thânë :

– Ulu ‘i herë te ai burg i zí

Edhe kqyr se ça ká ndodhë.

Ká marrë çilcat çika, n’derë ká shkue,

Dý herë çile edhe e ká zhdrŷ ;

Kúr ká nisë n’at burg me hi,

Arnautin m’a shef shtrî ;

Bash jaran m’a kish pasë at djalë,

Para krajlit çika ká dalë,

Ka qitë krajlit e i ká thânë :

Kurrnja asqil ndër agaj nuk janë,

Vig m’a k’in trimin Osman,

Vig m’a ki’n Osman ngẹn e rí,

A m’a fal qi n’dhé t’a shtî,

Se n’m’a dhaç n’dhé me e mblue,

Si t’më thuejsh kam me t’ndigjue.

Aspak besë krajli s’e ká xânë,

Njiqind vetë n’derë t’burgut i ká çue,

Dhetë mâ t’fortit mbrendë n’burg i ká shtî.

Krejt i dekun Arnauti ishte gjá

Jashtë e qitën, krajli m’a ká pá.

Por sá kopil krajli ishte kânë

Ká nisë provë e provë po bân :

– I ká mbledhë nândë gjarpij shullânit

N’gjyks gjarpîjt trimit i a ká vû,

Se sá fort gjarpnat e kan qokatë,

Se sá gjallë ish kanë, për gjallë s’a ndie.

– I ká ndezë dy zjarma t’mdhaj,

E ndërmjet Osmanin m’a shtjen ;

Para e mbrapa lkura m’i pelset

Gjallë ish’ kanë, për t’gjallë s’â ndie.

Aspak besë krajli s’ki’ xânë,

– M’i ká marrë njizet maje gozhdash,

Për nën thoj féll i a ká shtî,

Der qi gjaku m’i ká dalë,

Gjallë ish’ kanë, për t’gjallë s’â ndie.

As hiç krajli besë s’kish’ xâni,

Se i pá besë fort ish kânë.

Po don krajli edhe ‘i provë me e bâ :

M’i ká zgjedhë tridhetë çika t’mira,

Mirë po i veshë e mirë po i mbathë,

Te kryet t’deknit i a ká que

Për rreth t’deknit bashkë po kcejnë,

Për rreth t’deknit po lodrojnë,

Për rreth t’deknit mirë po kndojnë ;

Çika e krajlit tu kryet i ká qillue,

Mirë Osmani e ká hetue

Me njên’ sy m’a ká shikjue,

Buzën’ gaz m’i u ká bâ,

Mirë po i qeshë njâna anë mustakut ;

Çika e krajlit âsht kujtue,

Përmbi ftyrë rubën ká lshue.

Ç’kan qitë shoqet e i kan thânë :

– Pasha at Zot qi na ká dhânë,

Njetash qeshi Osman Aga i rí,

– Zoti u vraftë çika u ká thânë,

Se ky djalë ‘i herë ká dekë,

Krejt gjynahet Zoti i a ká falë,

Shpirti n’gaz, shoqe, i ká dalë.

Ça i ká thânë çika babës s’ vet :

– Pash at Zot, Krajl, qi t’ká dhânë,

Po gjynah tý si s’âsht tue t’ardhë,

Për t’dekun njerin me e mundue

E gjith farë provësh n’tê me i provue,

Paj ká dekë e ká mbarue ;

Era e keqe ktij â tuj ardhë,

Se tash trí dit ká ndejë mbi tokë,

A thue t’deknit, krajl, po i tutesh

Hiqja prângat prej kâmbet

Edhe duerët me i a shpengue !

As hiç krajli s’ká besue,

Ma ká thirrë balozin me shpatë,

Ndër sy t’tij Osmanin e ká lirue,

I a ká hjekë bylegit prej kâmbësh

I a ká hjekë prangat prej duerësh,

Përmbi krye shpatën i a ká lshue,

Sá mirë Osmani shpatën e ka hetue,

Fluturim në kâmbë asht çue

Shpatën n’dorë ai po m’a merr,

Si i tërbuen balozin e pret ;

Kurrkúj n’mend s’po i bjen me qindrue

Gjith kujtojnë se i dekni u ngjalle,

Mnerë e madhe t’gjithve u ká hî,

Të tânë dekun i ká bâ,

Synin krajlit i a verboi,

Krahin krajlit i a shkurtoi,

Rra’sh me tokë kullat i rrenoi ;

Dymbdhetë Agët trimi i pshtoi,

Tridhet çikat po i bashkon,

N’at Jutbinë t’tâna po i çon,

Tridhet djelm po m’i marton,

Çikën e krajlit për vedi e ndalon,

Bân denam e bân dyzen,

Darsēm bân nândë ditë net.

Se atje (une) nuk jam kânë,

Si kam ndie e si m’kan thânē,

Se kto janë prralla prej motit.

Ndihmën paçim na prej Zotit !

By Popullore