Janë mbledhë tridhetë Kapidana,
Kan fillue pijen e po pijnë,
Vênë të kuqe e rakí të bardhë ;
Vêna e kuqe në faqe u ká dalë,
E rakija n’kuvend i ka qitë.
Po flasin tridhetë Kapidanat
E prozhmojnë Hyso Radoicën :
– Zoti të vraftë, Hyso Radoica !
Me u martue, Hyso, pse s’martohesh !
Se mocët tý të gjith janë martue
E ti ala nusen s’e ké marrë.
A të dhimbet paret me i lá ?
A të dhimbet darzma m’e bâ ? –
Atëherë foli Hyso Radoica :
– Qi as s’më dhimben paret me i lá,
Po nuk due çfardo nusje me marrë,
Edhe kndej Jutbinës nuse nuk marr ;
Ndo i marr nusen Arnaut Osmanit,
Ndo me tybe martesën e bâj. –
Atëherë folen tridhetë Kapidana :
– Zoti të vraftë, Hyso Radoica,
Se fjalë të madhe ké folë,
Se barrë të madhe vetit i ké vû,
Se para tejet të tânë na jém mundue
E në Jutbinë s’kemi mujtë m’u martue.
Hajde, nusen po e xâmë se e merr,
Kurrnji ditë djalit s’mund t’ia mbajsh,
Se njizetekatër vjeç djali âsht,
E tash trí herë në bejleg ká dalë,
Bejlegxhít tash trí herë i pret,
E tridhetë vjeç, ti Hyso, jé bâ,
Kurrnji herë në bejleg s’ké dalë. –
Atëherë foli Hyso Radoica :
– Po më ndigjoni, tridhetë Kapidana,
Tash â dimën, prendvera po vjen,
E të mbushet mali me gjeth,
E të mbushet fusha me bár e lule,
E në livad vrâçin t’a lshoj,
Disá dit në livad due m’e lânė,
Ditë prej ditve të çohem e t’a xâ,
E t’a shiloj vrâçin e t’a shtërngoj,
E në shpinë vrâçit due me i hypë,
Due me rá fíll në Jutbinë ;
Po ju api besën e Zotit :
Ndo i marr nusen Arnaut Osmanit,
Ndo në Jutbinë kryet due me lânë. –
Prej kuvendit atëherë janë çue.
Po shkon dimni, prendvera po vjen,
E u mbush mali me gjeth,
E u mbush fusha me bár e me lule.
Atëherë ç’bân Hyso Radoica ?
Në livad vrâçin po e lshon,
Disa dit në livad e ka lânë.
Nji ditë prej ditve â çue e e ká xânë,
E shiloi vrâçin e e shtërngoi
E në shpinë vrâçit i ká hypë,
E ká marrë bjeshkën përpjetë.
Trupon bjeshkët e mbrapa po i lên,
E ká dalë në fushë te Jutbinës,
E për t’gjatë fushën po e trupon,
E, vojte tu çezmja e Jutbinës,
Tridhetë çika tu çezmja na i gjet.
– Mirë se u gjêj, mori tridhetë çika ! –
– Mirë se vjen, more djalë jabanxhí ! –
– Amanet, çika, po u pves :
Ku e ka kullën Arnaut Osmani,
Se probatin djalin e kam ?
E kah dit ne ket dhé nuk jam kênë ;
Kulla rishto shum kênkan punue.
Probatinit kullën i a kam harrue !
Atëherë i kallxojnë tridhetë more çikat ;
Fort kollaj kullën me e njoftë :
– Njajo qi âsht në buzë të lumit
E gjith rreth baçen e ká,
Kqyr, sa bukur baçja i â lulue. –
Amanet, çika, po u pves :
– Cila â nusja e Arnaut Osmanit,
Se kam marak nusen me i a njoftë ! –
Tridhetë çikat djalit po i kallxojnë
Fort kollaj nusen me e njoftë :
– Nja qi â ma e mira ktu ndër né,
Edhe kurrnji herë me gojë nuk po flet,
As s’i çon syt me kqyrë. –
Njatëherë foli Hyso Radoica :
– Ku jé, ti, nusja e probatinit,
Sá me turr rrugën e kam marrë,
Prej rrugës rreshk më ka hipë,
Me m’dhånë uj, nuse, me pí.
– Nuk do nusja uj me i dhânë.
Tridhetë çikat nuses po i bërtasin :
– Ore nuse, Zoti të vraftë,
Se ky âsht nji djalë jabanxhí,
Na ktij djalit uj mos me i dhânë
Të tânë Jutbinën po e korisim. –
Atëherë nusja çikat po i ndigjon,
‘I mashtrapë me uj e ká mbushë.
E shtrîn dorën ujin me i a dhânë.
Atëherë ç’bâni Hyso Radoica ?
Mbas grushtit dorën po i a qet,
E përpjetë prej vedit po e ngrehë,
Vithe vraçit mbas vedi po e vên,
Me nji rryp për vedi po e shtërngon.
Ka marrë brimën nusja po bërtet,
Tridhetë çika poteren e qesin,
T’tâně Jutbina në poterë â lshue.
Kúr ká ndie Arnaut Osmani,
Pa kál diku kí’ qillue,
Edhe në kâmbë në poterë â lshue,
E ka marrë bjeshkën përpjetë,
E ká dalë më nji maje në bjeshkë,
Vend ka xânē, â ulë me ndêjë,
E ka xjerrë at sercili turbín,
E për sy mirë e ka ujdisë,
E m’a kqyrë rrugën e krajlís,
E kurrkund Hysin nuk e shef.
Shum marak djali â bâ,
Qi s’mujti Hysin për me e xânë ;
Sá me turr bjeshkën qi e ki’ pa marrë,
I i’te çue nji gulshim i rândë,
Për gojë gjaku ishte çpí,
E t’tânë e lau dushkun me gjak :
E na muer nji dushk të gjânë,
E me gjak dushkun e ka shkrue,
Edhe në gjûj djali ká rá
Duvá të madhe Zotit i ka bâ.
– Çoje, Zot, nji erë e nji pshtjellsë
E t’a çojë ket dushk përpjetë,
Në divane krajlit t’i bijë
E t’a marrë krajli e t’a këndojë,
E për mejdan Hyson do t’m’a çojë. –
E çon Zoti nji erë e nji pshtjellsë,
E çon at dushk përpjetë,
E në divanhane krajlit i bjen.
Ndêjë në karrigë krajli ishte kênë,
E pá at dushk shkrue me gjak,
E prej serit në dorë e ka marrë
E ka marrë dushkun e e këndon,
Shum shndet Arnauti po m’i çon :
– Ti qi jé krajli në krajlí,
Me m’a thirrë at Hyso Radoicën,
Se mue nusen sot m’a ká vjedhë,
E jam tuj pritë për n’mejdan në bjeshkë. –
Krajli Hyson çoi e e thirri,
Edhe t’madhe Hysit i briti :
– Zoti të vraftë, Hyso Radoica,
Se t’kam kallxue, se nusen s’i’me e marrë,
Kurrnji ditë djalit s’mund t’i mbajsh,
Se ti nusen sot i a ké vjedhë,
E â tuj t’pritë për n’mejdan në bjeshkë.
Atëherë ç’bâni Hyso Radoica ?
‘I letër shpejt e ká shkrue,
Njaj shkaut në dorë i a ká dhanë,
E po i a çon Arnaut Osmanit.
Kúr ká dalë shkau në bjeshkë,
Po m’a shef ky Arnaut Osmanin.
Edhe shkaut atëherë i bërtet :
– Çka kerkon, ti shkjá, ktu në bjeshke ? –
– Un kërkoj Arnaut Osmanin,
Kam nji letër djalit me i a dhânë. –
– Hajde, thotë, se un vetë po jam. –
Edhe letrën shkaut i a ka marrë.
Ka marrë letrën e po e këndon,
Shum selam n’at letër po i çon :
– Ti qi jé Arnaut Osmani,
Jé tuj m’pritë për mejdan në bjeshkë ;
Por për mejdan sot gadi nuk jam,
E me pritë për deri ditën e dielle.
Ditën e dielle në mejdan kam me ardhë,
Me gjith nuse në bjeshkë kam me dalë :
Njêni shoin qi të presin,
Ai tjetri nusen ká me e marrë,
E për nuse marak mos u bân ! –
Besën e Zotit në letër po i a çon,
Qi n’vend t’motërs nusen t’a due.
Shum në qéf djali â bâ,
Edhe vetë me vedi paska thânë,
Qi njitesh nusen ktu me e pasë,
Hiç mâ n’qef nuk jam.
Dorën n’xhep e shtjen,
Nji bakshish shkaut po i a ep.
Dredhet djali, ne Jutbinë po bjen,
Vijnë e e shofin shokë, miq e jarana,
E për nuse kryet i a shndoshin
E ket punë kurrkúj s’i a kallxon.
Kúr erdh dita e dielle,
Tânë kujdos heret nadje â çue,
Veshë e mbathë e armët i ká njeshë,
E shiloi gjogun e lidhi në dyrek,
E në kullë djali ká hipë,
Odë për odë kullën e shetitë
E me kullë mirë â hallashtisë
E për mbrapa derën e ka mshilë :
– Hallall kjoshi, kullat e mija ! –
E në shpinë gjogut i ká hipë ;
Nalt në bjeshkë me gjogun ká dalë.
Kúr ká dalë n’maje të bjeshkës,
Aty n’livade kurrkand s’ká gjetë,
Ká xânë vend, gjogut i â ulë,
Ká marrë turbín e po kqyrë,
Kur e shef at Hyso Radoicën,
I ki’ hipë vrâçit në shpinë,
E ki’ vû nusen n’atkinë,
Nj’a‘i copë larg nuses po i rri.
Vetë me vedi djali po kuvendë,
Qi kênka trim shkau e besnik,
Se me kênë ndo’ i cub o ndo’ i magjyp,
Mbasi vjen në mejdan me m’dalë,
M’inadi t’êm nuses ngjat i rri :
Por kênka trim e besnik.
Pak ndêj, shum nuk vonoi,
I a mrrini Hyso Radoica.
– Mirë se t’gjej, o Arnaut Osmani ! –
– Mirë se vjen, ti Hyso Radoica !
Ulu vrâçit, Hyso Radoica,
Se mërzitshëm ké ardhë. –
Atëherë foli Hyso Radoica :
– Nuk kam ardhë me tý me ndêjê ;
Por çou, djalë, në mejdan me m’dalë,
Edhe burrë sot me sy ké me pá,
Sot t’a njofish Hyso Radoicën ! –
Atëherë briti Arnaut Osmani :
– Deshta pak me t’lânë me pushue,
Pse kúr të vijë puna për mejdan,
Djalë me sy sot ké me pá,
E sot t’a njofsh Arnaut Osmanin. –
 que, gjogut e i ká hipë.
Me mizdrakë kan nisë e luftojnë,
E batall mizdrakët i kan bâ.
E të dy shpatat i kan xjerrë,
Me shpata kan nisë e po priten,
Të tânë janë pré e në gjak janë mblue,
E batall shpatat i kan bâ,
E prej atllarvet në tokë janë ulë,
Gjyks për giyks trimat janë kapë,
E shum livadit janë sjellë,
Bytyn lavër livadin e bânë
Me çizme trimat tuj rmue ;
Por gjaku të dy trimat i ká mblue,
Gjaku syt të dyve jau ki’ xânë ;
Por mâ fort Hyso Radoicën :
Të dy syt gjaku i a ki’ xânë
E hiç me sy s’mundet me pá.
Atëherë foli Hyso Radoica :
– Po ndigjo, Arnaut Osmani :
Të dy syt gjaku m’i ká xânë,
Hiç me sy s’mundem me pá,
Po shoqishoin me kuvend po e lshojmë,
Edhe nusja uj do të na bijnë.
E faqesh të dy po lahena,
Njikta gjak syve t’a hjekim,
E në mejdan prap po çohena. –
Shoqishoin atëherë e kan lshue
Nusja uj u ká prû,
E të dy faqesh janë lá,
Gjakun syve e kan hjekë,
Gjú për gjû janë ulë e po rrinë,
Kan fillue pijen e po pijnë,
Tuj pí në kuvend kan rá ;
Foli Hyso Radoica :
– Pásh nji Zot, Arnaut Osmani,
Due me t’pvetë e me m’kallzue,
Fisin t’ând, djalë, kah m’a ké ?
E kúr jé nisë në mejdan me m’dalë,
A m’ké lânë rob në shpí ?
A m’ke lanë ndo ‘i shoq në vllazní ? –
Atëherë foli Arnaut Osmani :
– Fisin t’êm, djalë, po t’a kallxoj,
Se prej Zaharës vetë jam,
Un jam kênë i grues së vejë,
Zenjine nâna â kênë,
Gjysën e shehrit të veten e ká pasë ;
Kúr Muji në Zaharë ká rá,
Luftë të madhe Muji ká bâ,
Edhe të tânë shehrin e dogj,
E n’oborr të Kishës Muji më ká gjetë.
Ne bukurí Muji m’ká lakmue,
Para vedit në shalë më ká marrë,
E n’ Jutbind Muji më ká çue,
Më ká rritë e më ká silitë,
Dér qi jam bâ i zoti i vedit,
Më ká blé arë e livade,
E kullën Muji m’a punoi,
E ket nuse Muji m’a ká marrë,
E tânë Jutbina m’ká dashtë e hatrue,
E ndër darzma gjithkund me kan thirrë,
E n’krye t’vendit m’kan sajdisë:
Se kúr jam nisë n’mejdan me t’dalë,
Asnji rob n’ shpí s’kam lânë,
Se s’kam lânë rob në shpí,
As s’kam kurrnji shoq në vllazní ;
Por me kullë jam hallashtisë,
E përmbrapa derën e kam mshilë,
E kam ardhë në mejdan me t’dalë. –
Edhe foli atëherë Arnaut Osmani :
– Edhe tý, Hyso, po të pves :
Fisin t’ând, tí, kah m’a ké ?
Edhe kur je nisë në mejdan me m’dalë,
A ké lânë rob në shpí ?
A ké lânë ndo’i shoq në vllazní ? –
Hysit lott atëherë i kan pshtue.
– Fisin t’êm po t’a kallxoj,
Se prej Zaharës vetë po jam,
Jam kênë i asaj grues së vejë,
Zenjine nâna â kênë,
E gjysën e shehrit të vetin e ká pasë ;
Por Muji në Zaharë kúr rá,
Luftë të madhe Muji bâni,
Edhe të tânë shehrin Muji e dogj,
Vilán e vogël rob m’a muer,
Nâna borxh krajlit i hîni,
Edhe s’pat paret me i a dhânë,
Për borxh krajli atëherë më ká marrë,
Më ká rritë, më ká silitë,
Dér qi jam bâ i zoti i vedit,
M’i ka falë arë e livade,
Edhe kullën krajli m’a punoi.
Në kuvend me krajla atëherë rásh,
E m’prozhmuen tridhetë kapidana :
– Pse rrin, ti Hyso, pa u martue ? –
Edhe un bé u bâna tridhetë kapidanave,
Qi ktej Jutbinës nuse nuk marr ;
Por, ndo i marr nusen Ornaut Osmanit,
Ndo n’Jutbinë kryet due me e lânë ;
Se nám për tý pata ndie,
Nám për tý edhe për nusen t’ânde,
E kysmet prej Zotit kênka kênë,
Na sot vllá me u bashkue. –
T’dyve lott u paskan pshtue,
Shoqishojnë ngrykë e kan marrë,
E hysmet nusja u bân,
E për kunat Hysin po m’a don.
Atëherë foli Hyso Radoica :
– Si t’i a bâjmë në Zaharë me rá !
Duem me shkue nânën m’e kërkue,335
E në kjoftë gjallë me veti m’e marrë,
Në pasēt dekë, vorrin me i a prekë. –
Ka folë Arnaut Osmani :
– Qi rishto shehri â’ pûnue,
Un i vogël atëherë kam dalë
E kurrgjâ ndër mend s’më bjen. –
Prap po flot Hyso Radoica :
– Un nândë vjeç atëherë jam kênë
Sado shehri rishto âsht punue,
Un s’harroj sokakun e Kishës,
Po duem me shkue nânën m’e kerkue. –
Atëherë trimat n’kambë janë çue,
U kan hypë atllarve n’shpinë,
E kan vû nusen n’atkinë,
E n’Zaharë të tre kan rá.
Për të gjatë shehrit po i bijnë
E kan marrë sokakun e Kishës.
Kúr kan vojtë n’qoshe t’nji sokakut,
M’a kan gjetë nji plakë fukará,
Atllarët t’dy i kan ndalë.
– Mirë se të gjêjmë, o e ngrata plakë !
– Mirë se vîjni – djelmve u ka thâně.
– Amanet, o e ngrata plakë,
Duem me t’pvetë nji fjalë me na kallxue :
A jé kênë ndo ‘i herë zenjine ?
Të madhe plaka atëherë ka fshâ :
– Un jam kênë fort zenjine,
Gjysën e shehrit t’êmën e kam pasë,
E dy djelm Zoti m’i ká falë.
Kúr Muji në Zaharë pat rá,
Luftë të madhe Muji pat bâ,
Edhe të tanë shehrin e dogj ;
Djalin e vogël rob m’a muer,
E borxh krajlit i hîna,
Nuk pata paret me i a lá,
Djalin e madh për borxh m’a pat marrë –
– Djelmt t’ú na, nânë, jena. –
Plakëz malli atëherë i â que,
Edhè lott përfaqe i kan pshtue,
Prej mallit e prej marakut
E ká kapë nji gulshim i rândë
Edhè m’at vend ká plasë.
Kan marrë djelmt e në dhé e kan shtî,
E me nânën janë hallashtisë,
U kan hypë atllarve n’shpinë,
Të tre bashkë kan rá n’Jutbinë ;
T’tânë Jutbinën n’zijafet kan thirrë
Për shyqyr qi vllaznit u bashkuen.
By Popullore