albaniana

Artikuj

Burrëria si mishërim i tipareve më pozitive të personalitetit të shqiptarit

Përveç nderit, besës, mikpritjes, që e dallojnë shqiptarin, një tipar tjetër karakteristik i burrërisë shqiptare është urtia. Në përkufizimet që i janë dhënë asaj prej studiuesve vendas e të huaj, përmendet dendur urtia si një përbërës i qenësishëm, rëndësor i saj. Koliqi…

ChatGPT Image Jun 1, 2026, 04_15_00 PM

Janë të shumta virtytet morale dhe veçoritë psikologjike që karakterizojnë personalitetin e shqiptarit. Virtyte të tilla si burrëria, nderi, besa mikpritja, dashuria e pakufishme për lirinë dhe vendin e të parëve, ndjenja e mosnënshtrimit ndaj të huajit, armikut, krenaria kombëtare, etj., përbëjnë botën e pasur shpirtërore origjinale të popullit tonë, që zë në psikologjinë e njerëzimit një vend krejt të veçantë, të dallueshëm e të lashtë, ashtu siç e zë gjuha shqipe në morinë e gjuhëve indoevropiane.

Duke shqyrtuar ndërtesën psikologjike të popullit tonë si dhe përbërësit e veçantë të kësaj ndërtese në hullitë e disiplinës së sotme psikologjike e etnopsikologjike, dalin në pah karakteristikat e saj dalluese si origjinaliteti, vlera e lartë humane dhe lashtësia e saj arketipale.

Për mendimin tim, dy janë kategoritë më themelore e më të përgjithshme psiko-morale të personalitetit shqiptar: burrëria dhe nderi, hapësira konceptuese e të cilave ndërthuret. Në një rend të dytë, vijnë kategoritë e besës dhe të mikpritjes dhe në një plan të tretë, kategoritë e vlerave të tjera morale që përmendëm më lart dhe të tjera që nuk i përmendëm.

Burrëria dhe nderi janë kategoritë më themelore, në rrafshin shkencor të psikologjisë sonë etnike, sepse ato përfaqësojnë, së bashku dhe secila veç e veç, tërësi tiparesh psikologjike pozitive, në të cilat është mishëruar personaliteti i popullit tonë. Sipas logjikës formale, hapësira kuptimore e brendisë së këtyre dy kategorive mund të paraqitej në një skemë me dy rrathë ekscentrikë, që ndërpritën duke pasur të përbashkët një pjesë të sipërfaqës së tyre.

Për ta bërë të qartë sa thamë, duhet t’i sillemi përmbajtjes që i jep psikologjia hapësirës kuptimore të personalitetit, për të cilin janë dhënë përkufizime nga më të ndryshmet. Më së shumti, personaliteti trajtohet si një organizëm tërësor, në zhvillim e ndryshim të përhershëm, i veçorive fizike, mendore, morale dhe sociale të individit, ashtu siç e shfaq ai veten në marrëdhënie me të tjerët në jetën shoqërore. Në një vështrim më analitik, ai përfshin impulset, zakonet, interesat, komplekset, ndjenjat, idealet, opinionet, bindjet, që manifestohen në marrëdhëniet e tij me mjedisin shoqëror.

Siç shihet, në këto këndvështrime, personaliteti i njeriut është një ndërthurje psikologjike nga bota e njohjes, e ndjenjave dhe e asaj volitive, pa lënë mbanesh edhe cilësi fizike. Në një konceptim më “popullor”, personaliteti na jepet si tërësi veçorish psikologjike të sjelljes e të veprimtarisë së njeriut, të cilat e dallojnë atë nga të tjerët. Pra, ata përbërës psikologjikë që e dallojnë atë si individ dhe e bëjnë anëtar të vetëdijshëm të shoqërisë.

Personaliteti përfshin tipare pozitive dhe negative. Bile, për Jungun - themelues i psikologjisë analitike – që u mor gjerësisht më strukturat e personalitetit, personaliteti përfshin edhe elemente të pavetëdijes, që ai e dallon si pavetëdije individuale e kolektive. Ndërsa për biheviorizmin, që e redukton gjithë psikologjinë njerëzore në sjellje, personaliteti është një tërësi qëndrimesh që formohen gjatë jetës.

Është për t’u theksuar që në truallin konkret të psikolojisë sonë etnike, burrëria e nderi, këto dy kategori themelore të personalitetit shqiptar, megjithëse na shfaqen si koncepte të përbëra, të ndërlikuara dhe shumëplanëshe, ato përfshijnë vetëm tipare pozitive të personalitetit.

Janë dhënë përkufizime të ndryshme për burrërinë nga studiues të ndryshëm. Gjeçovi, në Kanunin e Lekë Dukagjinit, të kodifikuem prej tij, nuk na jep drejtpërdrejt, por në mënyrë të tërthortë, qenësinë kuptimore të personalitetit të shqiptarit kanunor. (Në përgjithësi, Gjeçovi nuk jep përkufizime as për kategori të tjera etnopsikologjike). Ai na e bën të qartë atë që na intereson më tepër ne në këtë trajtësë që po parashtrojmë, faktin që kategoria e burrërisë është një kategori psikologjike dhe jo juridike. Në kodifikimin e tij, flet për “kanu detyret e burrnijet që i kanë pasë malet tona që se mbahet mend” 1), ku del qartë dallimi mes “kanunit të detyrës”, që i takon fushës gjyqësore juridike dhe “kanunit të burrnisë” që i përket fushës shpirtërore psikologjike. Në një rast tjetër, në K. L D. flitet për “detyrë e burrni”, duke kuptuar me termin e parë detyrimin ligjor dhe me të dytin detyrën shpirtërore (“Me çue gjind për besë asht kanu; me dhanë besë asht detyrë e burrni”). 2).

Për dukurinë e humbjes së burrërisë, në K. L. D. përdoren termat shnjerëzim dhe shburrnim (“Kanuja ja njet vulën e shnjerëzimit brez mbas brezi mje në shtatë faqe” 3). dhe “Je i lirë me mbajtë burrnin tande, je i lirë me u shburrnue” 4). (Është fjala kur ndonjëri nuk mban një premtimin që i ka dhanë dikuj). Si e tillë, burrëria është koncept etnopsikologjik kategorik; ajo nuk ka të bëjë me drejtësinë, nuk ka të bëjë me procedurat kanunore të saj: pengjet, gjyqet e dënimet, vetëm me dënimin moral: zhburrërinë, korinë. Në Kanuni e Skënderbeut, të kodifikuem nga Dom Frano Illia, thuhet: “ndeshkimi i paburrnisë asht vetëm faqja e zezë, që asht ma e keqe se vdekja...” 5).

Simbas Illisë, “Burrni asht me kenë i qëndrueshëm në të mirë. Asht fisniki, kreshniki, zemërgjanësi, dordhani, atdhetari deri në heroizëm, paprekshmeni në të drejtën e të mirën” 6). Me fjalë të tjera, burrëria është një sintezë e virtyteve të larta morale të shqiptarit. Shënojmë se në këtë përkufizim, Illija ka lënë jashtë nderin, besën, mikpritjen, tipare morale themelore kategorike për personalitetin tonë. Më tej, ai na ka dhënë një tjetër përkufizim, tashmë në vështrim psikologjik: “Burrnia asht karakteri i vendosun. Karakteri i vendosun ‘thyhem nuk përkulem’, përkulem vetëm para së vërtetës, së drejtës, së mirës” 7). Kemi këtu virtytin e madhërishëm të vendosmërisë shqiptare të shprehur më së miri.

Më poshtë, Illia ka shtuar: “Ndershmeni e burrni përkryejnë njena-tjetrën e besa është shprehja e tyre në veprim e në jetë”  , duke vënë kështu në lidhje plotësuese kategoritë e nderit dhe të burrërisë; ndërsa besën, si një virtyt që i përket dy kategorive të mësipërme dhe që, në pikëpamje të logjikës formale, ka marrëdhënie ndërvartësie me ato dy kategori, e ka pëcaktuar “si shprehje e tyre në veprim e në jetë”. Besa i përket burrërisë e po ashtu edhe nderit, mbasi simbas kanunësisë shpirtërore shqiptare, ai që nuk mban fjalën e dhënë, pra then besën, koritet, duke humbur nderin dhe shnjerëzohet, duke humbur burrërinë. Siç shihet, nga sa çekëm, Illija, ka dhënë përcaktime letrare e jo burimore, zakonore. Për të na e dhënë sa më të plotë kuptimin e asaj çka shqiptari i Kanunit quan burrëri, ai ka ardhur duke plotësuar veten, me anën e komenteve të ndryshme.

Përveç nderit, besës, mikpritjes, që e dallojnë shqiptarin, një tipar tjetër karakteristik i burrërisë shqiptare është urtia. Në përkufizimet që i janë dhënë asaj prej studiuesve vendas e të huaj, përmendet dendur urtia si një përbërës i qenësishëm, rëndësor i saj. Koliqi, një njohës i thellë dhe studiues sistematik i mendësisë dhe psikologjisë etnike të maleve, na ka dhënë përkufizimin shkencërisht më të plotin. Për të, burrëria është “urti dhe dinjitet njerëzor” dhe më tej: “me këtë term, në gjuhën shqipe kuptohet ndërthurja e dhuntive që duhet ta dallojnë shqiptarin: guximi i matur, ndjenja e shkëlqyeshme e nderit, pa shfaqje të sedrës së sëmurë, plotësimi i detyrimeve të mikpritjes, shpirtmadhësia.” 9).

Për Illinë, urtia është pothuajse sinonim i burrërisë: “Urtia në gojë të Kanunit asht nji virtyt që përmbledh në vetvete cilësitë më të bukura njerëzore të burrit shqiptar si maturi, dije, drejtësi, ndershmeni.” 10).

Është për t’u theksuar këtu që populli ynë nocionet i urtë, urti, urtësi, i ka lidhur gjithnjë jo vetëm me sjelljen, me të qenët i butë, i shtruar, i qetë a i bindur, po edhe me të qenët i ditur, i rrahur në përvojën e jetës: plak i urtë, flet me urti. Edhe si verb, urtësohem do të thotë fitoj dije të thella e të gjera nga përvoja e gjatë e jetës, e njoh mirë jetën, piqem. Një përdorim i tillë i kësaj fjale është i lashtë. Ai është dëshmuar në folklor dhe tek autorët e vjetër. Ndoshta është më i vjetër se mendojmë ne. Shkencëtarët Stjuart Man dhe Z. Majani me këtë fjalë kanë lidhur emrin e perëndeshës ilire të diturisë Uridia; gjë që dëshmon, nga ana tjetër, që ilirët e kanë ngritur diturinë deri në kult, e kanë hyjnizuar atë. 11).

Veç sa thamë, burrëria, për mendësinë e lashtë kanunore, përfshin jo vetëm veçori të botës ndjenjësore, njohëse e volitive, por edhe veçori fizike, gjë që e bën të plotë konceptin e sotëm për personalitetin, në kuptimin më të gjerë të fjalës.

Në një nga episodet e para të eposit tonë legjendar, Muji, kryekreshniku i eposit tonë, kur qe fare i ri tregoi një kujdes të veçantë për të vegjëlit e Zanës dhe ajo e shpërbleu, duke e vënë të zgjedhë para alternativave:

“A don forcë, Mujo, me qindrue?

A don luftë, Mujo, me luftue?

A don gja, Mujo, a don mall?

A don dije, Mujo, a don gjuhë?”

Në rrethanat në të cilat vendi kërcënohej nga sulmet e shkjaut dhe i kapërthyer me ngatërresa brenda bashkësisë dhe, simbas predispozicionit shpirtëror shqiptar, Muji kërkon forcë. Zana e kon me tamel gjiri, në ndonjë variant me lëng lulesh dhe nga ky çast çobani i dobët e i humbur kthehet në një vigan kreshnik – ngre shkëmbinj një mijë okësh në sup, trand dheun dhe dridh majat e bjeshkëve, kur shkon a kur vikat.

Këtej del që populli ynë ka vlerësuar forcën fizike si tipar i burrërisë; por gjithnjë në rend të dytë në krahasim me urtinë, gjë që është pasqyruar aq mirë në një mori fjalësh të urta: “Mend e forcë i duhen burrit, mendja prin, forca grin” 12). Proverba të bukur na tregojnë marrëdhënien mes këtyre dy tipareve të burrërisë: “I urti e mund të fortin” ose “E mirë është fuqia, po ca më e mirë është urtia”. Në një proverb tjetër janë dhënë tre përbërës të rëndësishëm të fizionomisë psikologjike të popullit: “Palla për nderin e mendja për pallën”. Mendja drejton forcën për të ruajtur e mbrojtur nderin. Duhet thënë që këtu kemi të bëjmë edhe me një koncept psiko-filozofik, me atë të unitetit të harmonishëm të personalitetit të njeriut, të bukurisë shpirtërore, morale, me bukurinë fizike, mbasi forca presupozon një konstrukt të lidhur hijshëm.

Proverbiale janë vargjet e Fishtës, në të cilat poeti termin burrëri e ka përdor si sinonim të trimërisë, një tjetër tipar i rëndësihëm i personalitetit tonë etnik.

“Por i urti kurr nuk ngutet

prej burrnis e jo prej tutet”.

Në pikëpamje semantike, emërtimi i kategorisë së burrërisë është i lidhur me fjalën burrë, që në kuptimin e parë të saj do të thotë njeri mashkull në moshë të pjekur, por në kuptimin e dytë etnopsikologjik përfshin në vete cilësitë e virtytet e larta morale e fizike, që kemi përmendur më lart; ndërsa termi burrëri, si emër kolektiv, përdoret në kuptimin e mashkujve në moshën e pjekur, por si emër abstrakt përfshin cilësitë psiko-morale e fizike të forcës, trimërisë, besës, fisnikërisë, bujarisë etj., cilësi që përfaqësojnë personalitetin e shqiptarit.

Gjithsesi, edhe pse koncepti i burrërisë shqiptare është semantikisht i lidhur me fjalën burrë, burrëria i atribuohet edhe femrave, grave e vajzave të rritura të pajisura me vlerat e larta morale që kemi përmendur më lart, që në gjuhën e Kanunit quhen burrnesha. Në Kanunin e Skënderbeut, thuhet: “Grueja me karakter burrnor quhet burrneshë” 13).

Në gjuhët e huaja, mungon një fjalë e saktë që të përkthejë të plotë konceptin e burrërisë shqptare, siç ndodh për fjalët besë, nder, gjakmarrje, mikpritje e ndonjë tjetër, që nuk kanë korrespondentet e tyre në gjuhë të huaja, sepse janë terma të veçantë që përfaqësojnë institucionet e kanunësisë shpirtërore shqiptare. P. sh. në anglisht për emrin burrëri përdoren fjalët manhood dhe virility. E para përfshin cilësi të tilla si të qenët i fortë, i guximshëm dhe veçanërisht potencial në pikëpamje seksuale; ndërsa e dyta përdoret për të treguar cilësinë tipike të një mashkulli të fortë, të guximshëm e plot me energji, në kuptimin e tërheqjes po në pikëpamje seksuale. Dhe në një kuptim të dytë, thjesht potenca seksuale.14). Në italisht: virilità: “term që përcakton moshën e njeriut të rritur, mes pubertitetit dhe pleqërisë, veçanërisht duke iu referuar zhvillimit të plotë të arritur nga ana seksuale, tipike për mashkullin. Figurativisht, të qenët i fortë” 15). Për të dhënë, në njëfarë mënyre, kuptimin shqiptar të burrërisë, në italisht përdoret sintagma comportamento virile (sjellje burrërore), ndërsa për një grua, donna d’animo virile, ad literam, grua me shpirt burri. 16).

Është folur në studimet folklorike që gruaja në poezinë popullore ka qenë më me fat – e nderuar, e vlerësuar, e repektuar – ndërsa në jetën praktike nuk ka ndodhur kështu, por e kundërta. Ismail Kadare ka shkruar: “Në poezinë popullore, femra ka një shkallë respekti, lirie, aktiviteti, zhvillimi që nuk e ka pasur në jetë. Duket sikur atë që nuk ia dha dot në jetë bijave të tij populli, me një shpirtmadhësi të paanë, ua jep në këngë” 17).

Një shqyrtim më i hollësishëm, në hullinë e këtij studimi, të çon në sqarimin e plotë e të saktë të këtij problemi. Komentet a konkluzionet e tilla kanë rrjedhur nga fakti që ajo, gruaja, nga e drejta zakonore, pra në pikëpamjen juridike, lidhur me strukturën shoqërore të familjes patriarkale, është trajtuar si një element social pa të drejta; ndërsa në pikëpamje të “së drejtës shpirtërore”, i është bërë vlerësimi i merituar. Dhe poezia është e tëra në truallin shpirtëror.

Cordignano, duke folë për vlerën morale e shoqërore të gruas në psikologjinë e ligjin shqiptar të malevve tona, ka thënë: “Gruaja përballë së drejtës nuk ka një personalitet të vetin dhe konsiderohet qenie, interesat materiale a ekonomike të së cilës i rregullon familja...; por është e qartë që shpirti i racës nuk ka lejuar ta bëjë skllave, të lindur për kënaqësitë e mashkullit. Jo,...gruaja shqiptare ruan gjithmonë në fund një dinjitet të vetin që spikat mirë,... ajo ka në familje, si motër, si grua dhe si nënë një mision e një vend të rendit të parë.”18.

Referencat

  1. “Kanuni i Lekë Dukagjinit. The Code of Lekë Dukagjini”, Gjonlekaj Publishing Company, N. Y. 1989, f.33, nye i 24-t.
  2. Idem, f. 165, & 855.
  3. Idem, f. 125 & 589.
  4. Idem, f. 115, & 518.
  5. “Kanuni i Skanderbegut”, mbledhë e kodifikue nga Dom Frano Illia, Editrice La Rosa, Milot 1933, f. 209 &3358
  6. Idem, f. 208 & 3350
  7. Idem, f. 209, & 3357.
  8. Idem, f. 208 & 3350.
  9. “Shejzat”, nr. 3-4 / 1962, f. 137.
  10. “Kanuni i Skanderbegut”, f. 121 & 1763.
  11. Nelson Çabej “Nga historia e zhvillimit të shkencës shqiptare”, Tiranë, 1980, f. 35.
  12. Proverbat e përdorur këtu janë marrë nga botimi i Akademisë së Shkencave të RPSSH, “Fjalë të urta të popullit shqiptar”, përgatitur nga Jorgo Panajoti dhe Agron Xhagolli”, Tiranë 1983.
  13. “Kanuni i Skanderbegut”, f. 209 & 3359.
  14. Longman “Dictionary of Contemporary English, Third Edition, 1950.
  15. “Dizionario Garzanti della Lingua Italiana”, VII Edizione, 1969, Milano
  16. “Fjalor italisht – shqip”, hartuar nga Ferdinand Leka dhe Zef Simoni, shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë 1986
  17. Ismail Kadare “Autobiografi e popullit në vargje” në “Vepra letrare 12, shtëpia botuese “Naim Frashëri” 1981, f. 70.
  18. P. Fulvio Cordignano S. I. “L’ Albania a traverso l’opera e gli scritti di un grande Missionario Italiano di P. Domenico Pasi S. I. (1847-1914), volume I, Roma 1933. p. 108.

Shënim: nuk është shkruar këtu për tipare të tilla morale të burrërisë si nderi, besa, mikpritja, etj. , sepse ato trajtohen në shkrime të veçanta. Veç kësaj, edhe vetë lënda për “Burrërinë...” është dhënë e shkurtuar.

Analiza dhe hipoteza origjinale për strukturën etike të së drejtës zakonore të popullit tone *

By Anton Çefa