Justin RROTA
“Ditët e mbrame të Turqís në Shkodrë, ose Rrëthimi i qytetit 1912-1913, nga kujtimet e një të ngujuemi, 1963” (botu me 2010)
E shtune, 28 dhetuer 1912.
Mungesët e ushqimit vîjn tue u shtue
Ka mbërrijtë puna e ushqimit ke s’ve’ma; për ditë e ma zi! Gjithçkahja pikë e gjak, edhe nuk gjindet me u blé. Por, edhe me u gjetë, mungon parja. Mandej, kuj me i u sjellë sod, që të gjithë janë bâ një, i madh e i vogël, i pasun e i papasun, tregtár e lypës? Për fund i siellen për ndihmë edhe qeverís; por edhe kjo e ka punën ngusht për vete e s’ka çka i ban kuj!
Në gjithkëtê ngushticë Hasan Rizaja u bje punëvet për shkurt. U ka çue fjalë atyne ma pasanikëvet të qytetit, se u duhen 10.000 lira turkut, huá! Ka çue e i ka thirrë të gjithë kryetarët e lagjevet (myftarët), myslimanë e të krishtenë. Të parën fjalë këtyne u a ngarkoi barrën, të bâjshin një listë, ashtu mendësh së veta. D.m.th. tue i a vû secilit me pague, tue fillue prej ma të kapunvet e deri n’ata që janë në gjendje t’apin për këtê hua diçka; por jo ma pak se 10 lira.
Simbas kësaj liste së vume në letër, të gjithë janë të dëtyruem me pague. Lypen me doemos, që 2.000 lira turkut të paguhen nga elementi kristjan; ato 8.000 tjerat e listës do t"i japin myslimanët. Atë natën e parë nuk u duk aspak Myftia, kryetár fetár i myslimanëvet. Nuk u pá në mbledhje, për mos me marrë mbi vete mënínë e popullit të vet, tue u vû me lá atyne, çka madje secili i a pritonte. Merret vesht, se nuk donte me pasë, mërzí e të çame krejet.
Ne e nesret mbrama prap u bâ mbledhja. Rishtas i çuenë fjalë Myftís, të dukej me doemos; por ai i qiti fjalën policit, se nuk kishte si me ardhë, mbasi ishte i sëmundë. N’ato fjalë të myftís Hasan Rizaja i çoi këtij në derë Drejtorin e spitalit ushtarak, përcjellë nga një kompaní bashibuzukësh, të cilët, punën ma të parën, i rrethuenë shtëpín Myftís, ndërsa kryemjeku i vojt n’odë, për me i bâ një vizitë shëndetsore. I sëmundti ishte... shëndosh si molla. Tue folë e tue qeshë, u ul poshtë edhe i duel para doktorit.
Pa u bâ fjalë aspak, gjithnjë buzën në gaz, u nis me shkue, i përcjellun prej sish, fill kahë zyrja e gjyqit ushtarak; Bashibuzukët ndërkaq, të gjithë me bajoneta ngrehë. Mbaroi mbledhja; edhe komandanti i kompanís e pyeti eprorin e vet, n’a ishte i lirë Myftia me u kthye në shtëpí.
- Po po; sa për sonte - i a ban Hasan Rizaja - mundet me shkue.
Mandej, mbasi i a lëshoi një sý listës së liravet, për t’u pague, dha urdhën, që t’i çohej fjalë secilit Zotní, të vinte vetë e ta binte në zyren e bashkís së qytetit sasín e të hollavet, që ishte shenjue me lá.
Për fund shtoi edhe këtê: “Listen e emnavet t’atyne që s’kanë ndëgjue me pague ma falni mue! Dij vetë, mandej, si i a bâj”!
U a ka shtie tregtarëvet të Shkodrës, ndërkaq, të dyja kambët në një këpucë. Prandej, mund të thuhet me sigurí, se të gjithë, pa fjalë e urtisht, kanë me shkue për të dorëzue huán e kërkueme njashtu si t’u a kênë caktue. Kush âshtë burrë sod me i bâ fjalë urdhënit të Kryekomandantit të luftës?
By Justin RROTA
