albaniana

Ese

Elita shqiptare - detyra dhe përgjegjësija e sajë

Tani vjen pyetja: A kemi një Elitë ne? Më pëlqen përgjegjija pohimiste, se ashtu i do njeriut shpirti. Por, duke e kapërxyer këtë trap, themi: Duhet të kemi, me qënë se është një nga konditat kryesore të jetës. Dhe atëhere vjen vetiu: Si do t'a formojmë?

Elita shqiptare  - detyra dhe përgjegjësija e sajë

ELITË thuhen njerës të zgjedhur, po të zgjedhur vetëm, jo prej dokujt. Më mirë t’u themi të çquar, me një cilësi që na duket mê e madhe, më e bukur, më e dobishme se e të tjerëvet. Persona të tillë tërheqin respekt, kanë një influencë morale që na detyron të dëgjojmë opinionin e tyre, dhe t’u bindemi, me bindje morale, vullnetare. Ata imponohen shpirtërisht, bëhen udhëheqës se janë si një fener, si një yll, si një dritë që na rrëfen udhën. Nër ata gjejmë një thesar dëshirash dhe aspiratash dhe ideal i dhe prierit e tyre na duken sikur janë t’onat. Nër ata kthejmë sytë kur kemi nevojë, dhe kërkojmë ndihmë. Po edhe s’kemi nevojë kurdoherë të zgjatim duartë dhe të ngremë vështrimin drejt tyre — ata imponohen vetë, na janë pranë: fryma dhe afshi i tyre na prin, na ngroh, na tregon shtegun, pa e ndjerë ne, pa e parë. Ay veprim formon fuqinë tënë, bën rrojtjen e vërtetë tënë. Elita jo vetëm përfaqëson pjesën mê të vlefshme të një kombi, po është udhëheqës i shoqërisë për ide, për gjykim, për estetikë, për jetë kolektive dhe tendenca historike, për besim dhe filosofi.

Tani vjen pyetja: A kemi një Elitë ne? Më pëlqen përgjegjija pohimiste, se ashtu i do njeriut shpirti. Por, duke e kapërxyer këtë trap, themi: Duhet të kemi, me qënë se është një nga konditat kryesore të jetës. Dhe atëhere vjen vetiu: Si do t'a formojmë?

Më parë të kujtohet kushti themelor: Ata njerës nukë formohen kur na pëlqen neve; as i krijojmë dot; as e kemi në dorë që të lindin. Behenë vetiu: i bën Fati, Zoti, Natyra. Dhe bëhenë vetë, me një durim të gjatë, ose më mirë akoma, në qoftë se gjenija, naltësi e jashtëzakonëshme e intelegjencës është një dhuratë që vjen së sipërmi, puna e vetë njeriut, vullneti i tij i pa reshtur, munt që t’i japë atë që fati já ka kursyer.

Kur s’e kemi në dorën tënë Fatin, atëhere na mbetet vetëm mjeti i dytë, atë i cili mvarret nesh, dependón nga intelegjenca dhe karakteri ynë. Edhe të dy këmbët mbi të cilat ngrehet Elita s’janë veç se inteligjenca dhe karakteri, kjo e fundit më parë akoma se tjatra; e para thrhet të jetë në shërbim të së dytës, si një ndihmëse, një skllave e bindur: me këto kondita munt të fitojë Elita atë autoritet moral, intelektual dhe shoqnor.

Mos më thotë kush në vesh, mos t’i shkojë kujt mëndsh se “Qeverija” o “Ministrija” po të dojë munt të krijojë dhe të mbryjë një Elitë për vëndin tënë. Kjo do t’ishte sikur të vërë kush buallin përpara qerres. A suponojmë se ata që jan’ në ofiqet zyrtarë formojnë vetë klasën epërore të pajosur me gjithë virtutet dhe cilësit e ëndëruar, që kështu të frymëzojnë të tjerë dhe të formojnë bataljonë dishepujsh? Kjo do t’ishte një send ideal. Por, të qe kështu atëhere s’do të kishim nevojë të lodhemi. Të ishte e mundur që me një urdhër, me një dekret të krijohësh merita, zotësija, vlefta dhe inteligjenca, atëhere do të ishim njerëzit mê të lumturit e dheut. Nukë do të detyrohëshim të mejtohemi, të kemi brengë, të ndjejmë mungesën e një gjëje të nevojshme nga e cila po thua se dependón gjithë rrojtja jonë, nga çdo kënd, nga çdo pikëpamje që t’a shikojmë.

Mê parë gjithash a e kemi besimin e fortë se, merita, vlefta janë sende të brëndëshëm, të shpirtit, dhe jo shkëlqime të jashtmë? A jemi vërtet të bindur — dhe duhet me doemos të jemi! se vlefta është intrensike dhe jo ekstrensike, se kujdes i kujtdo duhet të jetë për të qënë, dhe jo për t’u-dukur? Vetëm ky besim, ky konviksion, e bën njerinë të punojë me seriozitet, të njohë detyrën dhe përgjegjësin e tij, të kuptojë se ka një barrë mbi supat, një peshë të madhe për të bartur. Dhe kjo vleft e vërtetë e bën njerinë të jetë modest, lark demagogjisë. Elita s’ka të bëjë me pozitat zyrtare, dhe shkallat e larta. As ka nevojë për fuqi materiale. Forca e saj është krejt morale, me besimin që frymëzón ke opinioni i të tjervet vlefta e tyre shpirtnore. Jo fjalët, po sielljet karakteri, integriteti i tyre bëjnë ata superioritet të padukshim.

Duke mejtuar udhën e gjatë bërë prej popujvet fatbardhë në fushën e gjërë të përparimit dhe të lumtërisë, nukë mundim të mos ndjejmë thellë në zëmrë një melankoli dhe të kuptojmë mê mir’ akoma përgjegjësinë tënë. Studimi dhe meditimi duhet t’i japë njeriut çelset e virtutit dhe të karakterit. I lumturi që gjen një shkëndijë drite, duhet t’a konsiderojë vetëhen e tij jo si viktim, po si misionar, jo i hedhur në këtë lëmë për të vuajtur, por i lindur për të mbushur një detyrë.

Ay që me djersën e tij, me durimin e vazhduarshim të tij ka fituarë një shkallë në dijëni e në moral, ay s’ka dyshim se duhet t’a shohë të lumtur vetëhen. Ndërgjegja e një vlefte së vërtetë a nuk është shpërblimi mê i math që munt të ketë? Ku munt të mbijnë hithrat e ankimit a të dishprimit, kur çdo agim i bje dritën e kënaqësisë shpirtnore! Duke u-larguar nga lotet dhe klithjet e viktimit, misionari gjen fuqinë për detyrën e tij: duron, punon.

Vini re si punohet. A harojmë se, edhe më e vogla e aftësisë, e zotësisë, lyp një studim, një lodhje, një vuajtje, një punim të gjatë? A nuk’ e dimë seç asgjë në botë s’fitohet pa e merituar, pa e blerë me djersën dhe me rënkimin tënë të përditshim? Në qoftë se jemi bindur se asgjë s’na zbret qiellit e gatitur dhe e gatuar, atëhere dëshprimi s’gjen vënt ke ne, po kënaqësija dhe qetësija. Dhe ky gëzim s’ka kufi.

(...)

A munt të pyesë kush: Me ç’shpresë? — Atëhere duhet të kthiellojmë marrëdhënijet ndërmjet punës dhe shpresës? Cila vjen më parë? Cila ndjell tjatrën? Cila kurorëzon shoqen? Do të jetë, besoni, gjë e vështirë të provohet se „puna" si një detyr’ e doemosshme s’ka nevojë për shprese? Do të dojë kaqë mundim të kuptojë njeriu se, të punuarët sjell shpresën, me qënë se përçjekja është një ligj i pashkelshëm? Mos presë kush që „shpresa" të sjellë detyrën e punimit: Jo, shpresa është poezija, luleja e përpjekjes, bija e kësaj, lindur vetëm prej saj.

Me qënë se jeta dhe sigurija e secilit është lidhur me fatin e gjith atyreve që, së bashku, formojnë kombin, do ië na donte shpirti që çdo kush, të sakrifikoje pêsë minuta në njëzet e katrorë, dhe të hetojë nga thellësi e vetëhes’ së tij çë shërbim ka bërë për shoqërinë, dhe çë të mirë munt t’i bëjë kësaj shoqërije që e quajmë komb. Do t’ish një ushtrim shpirtnor me rezultat të math, për neve, dhe për t’afërmit t’anë. „Elita” a nukë duhet që të ketë për qëllim të parë përmirësimin e vetëhes saj, fitimin e virtutit, të karakterit dhe të diturisë? Misionari a nukë duhet të ketë çdo minutë para sysh shëmbëllën dhe jetën të shënjtit që ka zgjedhur për model, dhe a nukë përpiqet t’i afrohet modelit me durim, respekt dhe disiplinë?

A ësht’ e mundur që njeriu, kjo krijesë që i thotë vetëhes me mënt dhe e mençme, të rrojë një jetë shtazore, e hequr zvarrë prej rrethanash materiale, prej dorës së verbrë të ngjarjevet, pa ndjerë, pa manifestuar asnjë reaksion, asnjë sforcim, pa mprojtur vetëhen? A ësht’ e mundur të rrojë njeriu, të themi mê mirë të rrojmë ne, pa parë, pa vështruar, pa mejtuar, pa gjykuar, pa punuar?

Ata që ngrihen makar dy gisht mbi nivelin ordinar duhet të kuptojnë përgjegjësin’ e tyre.

[nëntor 1936]

By Lumo SKENDO