albaniana

Perkthime

“Ferri”, e para kantikë e Komedís Hyjnore në gjuhën shqipe (1)

Martin CAMAJ Jemi krejt të kënaqun t’u paraqesim lexuesëve tonë pjesën e parë të Komedís Hyjnore në gjuhën shqipe, përkthye nga Pashko Gjeçi. Vëllimi fillon me nji hymje «Figura viganore e Dantes» të shkrim­tarit Llazar Siliqit, i cili nënshkruhet dhe redaktuer i veprës së…

Martin CAMAJ

Jemi krejt të kënaqun t’u paraqesim lexuesëve tonë pjesën e parë të Komedís Hyjnore në gjuhën shqipe, përkthye nga Pashko Gjeçi. Vëllimi fillon me nji hymje («Figura viganore e Dantes») të shkrim­tarit Llazar Siliqit, i cili nënshkruhet dhe redaktuer i veprës së për­kthyeme. Se gjuha jonë âsht e dêjë dhe aq e pjekun sa të flasin në tê xhenít ma të mëdhaja botnore e artit të fjalës âsht vërtetue me kohë; mundi i Gjeçit prandej nuk âsht kurrgja tjetër veç se kunorimi i lau­rueshëm i të gjitha përpjekjeve e sukseseve të deritashme në kët drej­tim. Breznija jonë duhet të jetë krenare sepse megjithë vështirsít e vuejtjet që randojnë në kët shekull të pamëshirshëm mbi botën shqip­tare, po vepron gjallnisht me mirëdalje në lamin e kulturës së kombit. Ky përparim i yni nuk âsht e vërtetë se po kushtëzohet nga rrethana ekonomike të shkëlqyeshme, në çka jemi shum larg nga tjerët, por ma tepër nga zhdërvjelltësija e shqiptarëve intelektualë gjithkund, ku këta po gjinden, të cilët tue kuptue momentin e rrolin që duhet të losin, po plotsojnë detyrën e vet shpesh herë në heshtje dhe skam. Këto fjalë na i bjen në gojë vepra e Gjeçit.

Për shqipnimin e Dantes nuk mjaftonte njohja e asaj lande gjuhë­sore, që shënon kuptimin e gjasendeve ma konkrete të nji jete së thje­shtë, por për ma tepër lypsej që përkthyesi të zotnonte mirë krejt skajet e shprehjet abstrakte në gjuhën shqipe nga degët e filozofís, kulturës fetare, drejtësís, astronomís, gjeologjís etj., mbasi Komedija Hyjnore përmbledh përvojën e dijes të breznive të panjehuna ç’prej përjudhave të përftyrimeve mitike deri ke Treqindi. Nga ana tjetër dihet se deri përftyrimet mitike të vjetra, të thjeshta në vetvehte, kapërthehen e shëndrrohen nga Danti nëpërmjet t’alegorís e mistikës mesjetare, tue ia randue edhe ma tepër barrën çdo përkthyesi. Âsht fare e qartë se nji punë e tillë njizetvjeçare ka vû në sprovim dhe vullnetin e duresën e shqipnuesit. Në nji përkthim kësodore nuk mjaf­ton gjetja e shprehjes dhe e fjalës së përshtatëshme, ky âsht pak a shum nji veprim teknik, por vështirsija vjen mandej, dhe pikrisht në gdhendjen e trajtës pa cenue masën metrike t’origjinalit, rrimën e strofën jo të lehtë të tercinës danteske, tue pasë gjithmonë parasyshë dhe harmonín e tonit që ndrron pandá prej përshkrimit fëtyrash e gjendjesh së ndryshme, në të cilat feksohet përherë kuptimi alegorik, për të dalë vrap në djalogje apo kuvende arsyetimesh theorike. Këtu shija e talenti shartohen në nji me zotsín filologjike e apin nji fryt të pjekun.

Edhe na për ta shijue si duhet kët vepër madhështore duhet të bâj­më nji përpjekje që të vêhemi sadopak në rrugën e rrahun nga shqip­nuesi për të kundrue vështirsít e paraqitjes së tij në gjuhën shqipe.

Vepra e Dantes as përpara nuk ishte e panjoftun në Shqipní; shum nga intelektualët e kanë lexue e studjue n’origjinal dhe para plot tridhetë vjetësh E.Koliqi përkthente pjesët ma të zgjedhuna nga Vita Nova (Jeta e Re) dhe Komedija Hyjnore (2). Theksojmë qyshë në fillim se si Koliqi ashtu Gjeçi u apin vargjeve t’origjinalit veshjen e vërtetë e shijen e gjuhës shqipe ashtu si bante dhe Noli me tragjedit e Shakespear-it(3) e tjerë përkthyes, të cilët, tue qenë edhe ata vetë shkrimtarë, ndihmuen zhvillimin e gjuhës letrare. Qe, nji shembull nga kanga e V, ku Pali e Françeska, të thirrun nga Danti, avytën së bashkut:

Koliqi:

Si morën me u afrue kah ana e jonë

u lshova ‘i zâ: «O shpirtna të ngashruem,

eni e na flitni, n’qoftë se gjâ s’i u thonë».

Porsi pullumba nga dëshiri t’ftuem

ajrin e çajn’ ka’ e âmbela fole,

me fluturim të prém e me krah’ t’çuem,

ashtu rradhën e Didos lanë e né

na u avitën tue ardhun npër ajr t’ zi:

kaq qe e fort’ thirrja shì prej zemres lé.

Gjeçi:

Kur n’anën tonë me hov i solli era,

u lshova zâ; «O shpirtna të ngashruem,

n’mos u pengofshin, eni ktu nji hera».

Porsi pullumba prej dëshirës ftuem, ­

që krahëhapun prejnë ajrinë pa u ndalë

drejt s’ambelës folé, të përmalluem,

njashtu çetën, ku âsht Dido, zemërvalë,

lanë e flutruen drejt nesh n’at ajr të zi,

kaq e fortë qe thirrja, që me shpirt m’kish dalë.

(Si tosto come il vento a noi li piega

mossi la voce: «O anime affannate,

venite a noi parlar, s’altri nol niega».

Quali colombe dal disio chiamate,

con l’ali alzate e ferme al dolce nido

vengon per l’aere dal voler portate;

cotali uscir dalla schiera ov’e Dido

a noi venendo per l’aere maligno,

si forte fu l’affettuoso grido).

(vv. 19-87)

Kemi përshtypjen se Gjeçi aty ku origjinali përkon me frymën e shqipes i përmbahet fare besnik tekstit, nësa mëndyrnave të të shprehjeve idiomatike të gjuhës së Dantes u a gjen gadi përherë lirisht kuptimin përgjegjës shqip në thanjet që mund të ndigjohen në gojën e shqiptarit në të folunit e përditshëm:

Ja, këto fjalë, me shkronja të zeza, vetë

i pashë të shkrueme mbi një portë, me drojë

pëshprita: «Pris, a e sheh ç’më paska gjetë».

(Queste parole di color oscuro

vid’io scritte al sommo d’una porta:

per ch’io: «Maestro, ii senso lor m’e duro»).

(III, 10-12)

Kët mënyrë përkthimi e gjejmë shpesh ndër djalogje:

«O ti, që po i bje territ me hapa të t’shpejtë; ­

më tha, - hajt njihmë, nëse i zoti je

(«O tu, che se’ per questo inferno tratto ­–

mi disse, - riconoscimi, se sai).

(VI, 40-41)

Nënvizojmë shprehjen shqipe me të cilën i jepet zemër dikuj:

Mësuesin unë e gjeta tue më pritë

sipër kurrizit të asaj shkërbé,

Më tha: «Mos të lëshojë zemra me u koritë.

(Trova’ il duca mia ch’era salito

già sulla groppa del fiero animale,

e disse: «Or sie forte e ardito!)

(XVII, 79-81)

Mundimet që djemnit u apin shpirtnave të dënuem përcjellën me fjalë të përshtatuna:

Fjalët pa i krye, një dreq atij balosh

t’ia mshoi kërbaç e i briti me tërbim:

«Ik! këtu nuk shitën femna, he kodosh!».

(Cosi parlando il percosse un demonio

della sua scuriade, e disse: «Via,

ruffian! qui nun son femine da conio!»)

(XVIII, 64-65)

Në kangën e XIX Nikolla i III papë, i cili qëndron kryepingul në nji gropë zjarmi, i flet Dantit për Bonifacin e VIII, që mbas vdekjes do të të bijë me krye n’at hurdhë tue e shty parardhsin e vet mâ thellë:

Porse kjo flakë që kambët m’djeg si rrfé

me krye teposhtë ngulun kështu për dreq,

shputat atij ma pak ka për t’ia nxé.

Mbas tij do vijë një ma i luejtun meç,

Barí i pa-kanû nga prendon dielli,

që mbrendë do t’na mbyll si mos ma keq.

(Ma piu è ‘l tempo già i pie’ mi cossi

e ch’io son stato cosi sottosopra,

ch’el non sarà piantato coi piè rossi:

ché depo lui verra di piu laid’opra

di ver ponente un pasta sanza legge,

tal che convien che lui a me ricopra).

(XIX, 79-84)

Kështu dhe ndër rasa tjera, kur Gjeçi merr liri të largohet nga skema e rendit sintaktik t’italishtes mesjetare, përkthimi del i përsosun tue i mbetë dhe mendimi besnik origjinalit. Bijmë fjalët përfunduese të Kentuarit në Rrethin e gjashtë, ku vuejnë dhunuesit kundra t’a­fërmit:

Drejtësija hyjnore atje therë

Atilën, që pat qenë kërbaç për botë,

e Pirr e Sekst; dhe pa pushue një herë

në gjak të vluem do derdhin lot të kotë

ai Rinier Paci dhe Rinier Korneti,

që rrugë nuk lanë pa pre. «E atëbotë

vaut prap i ra e sy më sy na treti.

(La divina giustizia di qua punge

quell’ Attila che fu flagello in terra

e Pirro e Sesto; ed in eterno munge

le lagrime, che col bollor diserra,

a Rinier da Corneto, a Rinier Pazzo,

che fecer alle strade tanta guerra ».

Poi si rivolse, e ripassossi ‘l guazzo.

(XII, 133-139)

Në Rrethin e pestë Dante has nji anmik të vetin të vjetër i mbi­quejtun Argjenti, të cilit i flet randë. Virgjili e miraton mënyrën e ashpër të Poetit dhe e uron:

Pastaj në qafë m’i hodhi ato duer:

«O shpirt krenar, - më tha tue më puthë në ballë –

e lumja ajo, që të mbajti në krahnuer!

(Lo collo poi con le braccia mi cinse;

baciommi il volto, e disse: «Alma sdegnosa,

benedetta colei che in te s’incinse!).

(VIII, 43-45)

I apin shije përkthimit dhe shprehje të tilla:

Sa bani rrush e kumblla vneshtë e pyllë

(che disperse... la vigna e la gran fronda)

(XXIX, 31)

Si ai që kurrnjiherë nuk bjen n’hulli

e tash e parë i vijnë mendime tjerë

(E qual quei che disvuol ciò che volle

e novi pensier cangia proposta,)

Nuk mungon as terminologjija kanunore:

«Ti që je strukë, - prisi m’u suell ksodore ­-

mbas atij shkambi të urës e s’ban za,

eja te unë, se kemi besë e ndore!».

(E ‘l duca mio a me: «O tu che siedi

tra li scheggion del ponte quatto quatto,

sicuramente omai a me tu riedi»).

(XXI, 88-90)

Në përkthimin e klasikëve nji ndër vështirsít ma në shêj âsht pa­tjetër çashtja e epiteteve të shumtë, me të cilat shqipja - tue përjashtue mbiemnat me përmbajtje fetare - ishte shum e vorfën. Disa shkrim­tarë mes dy luftave të kalueme, kryesisht Shantoja dhe Koliqi, dha­në shkas që të plotsohej kjo tytsí. Nga kjo kohë, ndër sa neologjizma tjerë, kemi pëshertij (sospiro), magjistar (incantevole), i mrekulltë (meraviglioso) etj. Në trajtimin e këtyne skajeve si dhe ma tepër tue u dhanë disa fjalëve të njoftuna nji kuptim abstrakt (p.sh. djegë-a = marak), ata nuk ndoqen parime të caktueme filologjike, por u drej­tuen ma tepër mbas shijes së tyne estetike. Me çka mund të gjykoj, Gjeçi rrallë herë e merr nisjativën e ndoj noviteti, por kërkon me dri­të e pishë mbiemna e fjalë që s’paku disa herë janë dukë ndër letra shqipe. Edhe kur vendoset për nji gja të tillë, shtin në punë përngji­tjen e dy fjalëve bashkë, si zemër-bujari, mëshirplote:

m’u gjegj zemër-bujari, si i ka hije,

«ty të ka zanun friga me pahir;

(rispuose del magnanimo quell’ombra:

«L’anima tua è di viltate offesa;

(II, 44-45)

Kët vend N. Sapegno e shpjegon kështu: «magnanimo, si contrap­pone alla ciltate del verso 45, e cioe alla pusillanimità di Dante». Pran­dej këtu duhej t’u thonte zemër-trimi, disi e kundërt e «frika» në vargun ma poshtë:

«Sa mëshirplote që m’u gjet n’këtë ditë.

(«O pietosa colei che mi soccorse!).

(II, 133)

E ai: «Aq perdeshkurtë e të këqij

ishin gjithë këta shpirtna më të gjallë,

(Ed elli a me: «Tutti fuor guerci

si della mente in la vita primaia,)

(VII, 40-41)

Krahaso dhe shpirtmizorë (feroci) (IX, 45), si dhe mënyrën adverbiale veshë-hapë (attento) etj. Bijmë prap disa shembuj ku dy emna të përngjitun zanë vendin e nji mbiemni: qeta ftyrë-nxime = masna­da (XV, 41); gjuhë të ndryshme, t’folme-tmer gjithkah gjëmonin (di­verse lingue, orribili favelle) (III. 25).

Në kangën e parë, aty ku’ Danti ndesh Panterën e larmë, kemi nji sajim tjetër:

Gjeçi:

guxim e shpresë në shpirt më kish përtritun

By Martin CAMAJ