albaniana

Shoqeri

Fjaluer shqip-italisht

Hulumtime gjuhësore Karl Gurakuqi : «Dizionario albanese-italiano e Fjaluer shqip-italisht». Për ket Fjaluer, për të cilin m’âsht mbushë mendja se mund të dalë mâ i pasuni i të gjith atyne qi janë botue deri sot, revista «Shêjzat» ká folë në nja dy shtylla në numrin 2-3 të…

ChatGPT Image Jun 1, 2026, 05_59_03 PM

Karl Gurakuqi : «Dizionario albanese-italiano e Fjaluer shqip-italisht». Për ket Fjaluer, për të cilin m’âsht mbushë mendja se mund të dalë mâ i pasuni i të gjith atyne qi janë botue deri sot, revista «Shêjzat» ká folë në nja dy shtylla në numrin 2-3 të vjetit 1957, faqe 92, tue i lajmue lexuesit se përpiluesi ishte në mbarim të punës dhe se për së shpejti do të botohej. Prej asaj kohe kanë kalue gjashtë vjetë tue pritë qi të gjindeshin mjetet për të sendërtue ketë ndërmarrje kaq të dobishme për gjuhësín shqipe. Gjatë këtyne vjetve skedat e Fjalorit janë shtue, janë përmirsue, shum prej tyne janë rishkrue, shembujt për spjegimin e fjalvet janë shumue dhe aty-këtu âsht prekë edhè metoda e punimit.

Sot kemi gëzimin të lajmojmë se puna u krye. Na pëlqen të vêmë në dijení publikun shqiptár me anën e faqevet të revistës «Shêjzat» për metodën qi âsht ndjekë në përpilimin e tij. Skedari gjindet n’arkivin e Institutit të Shqipes pranë Fakultetit të Letravet n’Universitetin e Palermës, ku e ká selín e vet Qendra Ndërkombtare për Studimet Shqiptare, në dispozicjon të t’interesuemvet.

Puna e jonë, si mund të shifet në 50.000 e sá skedat, ku mâ të plota e ku mâ të zbrazta, ká qênë shtrue, trajtue, përpunue me nji zéll të mundimshëm, me nji durim të madh, por sidomos me nji dashuní dhe vetëdije se me tê do t’i jipshim nji ndihmesë të çmueshme, mbrenda kufîjvet të mundësís, gjuhësís shqipe dhe përparimit t’Atdheut nepërmjet shugurimit të pasunís shpirtnore të tij qi âsht gjuha.

Qysh në rinín t’onë, e për të qênë mâ të përpikët, thomi se qysh prej vjetit 1932 i patëm qênë vû punës së mbledhjes së visarit gjuhësuer shqiptár prej gojës së popullit dhe prej letërsís së vjetër, por edhè prej asaj së rés. Kemi lexue fletore, revista, libra dhe çdo botim, të mirë apo të dobët, për të nxjerrë sish atê qi na nevojitej për qellimin t’onë. Kudo qi na ká qitë puna, zyrtare apo private, nuk kemi lânë rasë pá shfrytzue, në verí e në jug, në qytet e në katund, në rrugë e në shkollë, tue pyetë qytetarë e katundarë, të mëdhaj e të vogjël, grá e burra, aq sá me na cilsue maniakë, me nji déll marrije. Në ketë ndërmarrje shumvjeçare më ká shtŷ e më ká dhánë guxim dhe udhëzim mâ së pari At Pashk Bardhi e mâ vonë Matì Logoreci, mësuesi i em i fëminís dhe bashkëpuntori i em i pjekunís. Ishim gjithnji të pajisun me fletore e me lapsa për të marre shemmet e nevojshme, qi na hyjshin në punë. Bota tallej me né kúr ndër kafe krye në krye nuk bajshim tjetër veçsè me i kumtue njêni tjetrit ndonji fjalë të rrallë të ndigjueme nga ndonji plakë në treg apo nga ndonji nxánés në bankat e shkolles. Edhè kúr miku i em Logoreci në frorin e vjetit 1941 u shtrî në shtrat, i shtërnguem nga sëmundja qi e çoi në vorr, shkojshem në shtëpí dhe i aty çdo ditë, për ndonji orë, e vijojshim bisedimin t’onë gjuhësuer.

Nji provë të kësaj mbledhjeje fjalësh patëm fillue t’a botojmë në revistën «lllyria» të Tiranës (1932 dhe 1936). Përmbledhja e tánë rrokë vetëm aso fjalësh qi nuk gjinden në fjalorët e tjerë apo qi janë të dhânuna gabimisht. Spjegimet e fjalvet i kemi pasë dhânë vetëm shqip, pcr, aty ku e lypte puna, për lehtësí kuptimi e për mos me i lânë rrugë. dyshirnit, kemi pasë shenue përkatset germanisht, italisht asè edhè latinisht. «lllyria» e pushoi botimin e vet mbas 52 numrash, kështu qi u pushue edhè vijimi i botimit të «Fjalorthit». Përmbledhja e jonë pat qênë shfrytzue nga At Fulvio Cordignano për përpilimin e Fjalorit «Dizionario Albanese-Italiano» (Ulrico Hoepli, Milano 1934), sikursè mund të vrehet në faqet e tij, ku për çdo fjalë të marrun prej nesh vihen siglat G. Gr. Gur. Edhè Nikollë Gazulli e ká pasë në dorë ket materjal t’onin dhe e ká pasë krahasue me fjalët e rralla të mbledhuna prej tij në verí të Shqipnís, të cilat në vjetin 1941 Ministrija e Arsimit, nën drejtimin e Ernest Koliqit, i a botoi nën titullin «Fjalorth i Rí», tue e rendue në serín e botimevet folkloristike «Visaret e Kombit» (Vëllimi XI). Patëm qitë mendimin të bâjshim nji botim të dytë, tue përfshî mbrendë materjalin t’onë dhe atê qi i ndiemi Don Nikollë kishtê pasë përgatitë si shtesë të Fjalorit të vet.

Sikursè patëm thânë në numrin 11-12 të «Shêjzavet» (vjeti 1962, faqe 382-383) përmbledhja e jonë, të cilën e patëm sjellë me vete nga Shqipnija, qe themeli i Fjalorit shqip-germanisht, qi në ngarkesë t’Akademís së Dijtunivet në Vjenë, patëm përpilue në bashkëpunim të ngushtë me Ndue Palucën, edhè ky mbledhës i kujdesshëm i visarevet të kombit.

Nji fjaluer i plotë shqip-italisht kërkohej nga shum anë; n’epistolarin t’onë ruejmë shum letra miqsh dhe dashamirësh të çâshtjevet shqiptare qi na shtŷjnë të ndërmarrim përpilimin dhe botimin e njij fjalori të tillë. Arsyeja kryesore âsht pse atà fjalorë të botuem deri djè nuk gjinden mâ në treg, por edhè pse atyne u kishte kalue koha, prandej lipsej të zâvendsoheshin me nji tjetër mâ të përkryem. Mungesa e tij çdo ditë prekej me dorë nga studentët universitarë qi çdo vjet punojnë theza shqipjeje n’universitetet italjane. Sá për të bâ ndonji emën, duem të thomi se má të parët qi na dhanë zêmër të vijojshim në punën e nisun qenë profesorët Koliqi e Valentini e pastaj shum profugê shqiptarë n’Europë e n’Amerikë.

Kriteri qi na ká udhëzue ká qênë përpara çdogjâje qellimi kryesuer i çdo fjalori, d.m.th. udhëheqja e sigurtë dhe e saktë e gjuhës, zhdukja e dyshimevet në spjegimin e fjalvet, skjarimi i kuptìmevet t’errta e të vështira, radhitja sá mâ e plotë e materjalit leksikuer.

Fjalori i ynë përfshînë fjalë nga të gjitha krahinat e Shqipnís, porsè âsht punue në themel të së folmes veriore. Arsyet qi na kanë shtŷ për të zgjedhë djalektin e veriut janë:

  1. pse letërsija e jonë fillon e vijon për nji kohë të gjatë me shkrimet e auktorvet veriorë, me Buzukun, Budin, Bardhin e Bogdanin, dokumentat e parë të gjuhës;
  2. pse e folmja gege âsht mâ e përhapuna, tue qênë se rrokë pjesën mâ të madhe të krahinavet të Shqipnís së sotme politike, jo vetëm, porsè kapërcen kufijt politikë, në krahinën e hapët të Kosovës e të Metohís, në ngastrat e Macedonís, ku jetojnë gjithaq Shqiptarë sá janë në krejt shtetin e sotëm shqiptár. Kosova sot âsht tue dhánë prova të njij gjallnije e zhvillimi të gjuhës, qi mund të krahasohet pá frigë gabimi me atê të Shqipnís; atjè kemi shkrimtarë të dorës së parë, gjuhëtarë dhe gazetarë; atjè botohen fletore dhe revista në nji sasí të madhe; atjè gjinden shkolla të çdo tipi, fillore, të mesme e të nalta;
  3. gegnishtja âsht përdorë nga auktorë të përmendun në çdo fushë gjuhësore me në krye poetin kombtár Gjergj Fishtën, të cilit deri sot nuk i a ká dalë asnji tjetër. Do të mjaftojshin veprat e tija poetike për të parapëlqye djalektin e vériut;
  4. pse në vjetët e kaluem ky djalekt pat qênë zgjedhë për të trajtue gjuhën letrare;
  5. Komisija letrare e Shkodrës në vjetin 1917, në të cilën bâjshin pjesë auktoritetet mâ të nalta gjuhësore toskë edhè gegë, ndër të cilët edhè vetë Aleksandër Xhuvani, pat vendosë njijzâni qi për gjuhë zyrtare të mirrej e folmja e Elbasanit servatis servandis; në ket drejtim u botuen tekstet shkollore dhe vepra të tjera, qi nuk e kanë humbë as sot vleftën. Komisija Letrare pat përcaktue edhè rregullat e orthografís, të cilat janë në zbatim edhè sot e kësaj dite;
  6. nuk duhet harrue edhè se kryeqyteti gjindet në Gegní, ku janë shkrî të folmet e ndryshme në nji gjuhë qi pak nga pak âsht tue zânë vendin e njij gjuhe së përbashkët.

Ndryshimet ndërmjet dŷ djalekteve kryesore, atij të veriut dhe atij të jugut, thomi se janë mâ tepër fonetike, prandej nuk ká qênë aq e vështirë për né qi të radhitshim në Fjalorin t’onë krejt materjalin gjuhësuer, pá i shkaktue dûm as njênit as tjetrit.

Sikursè u tha. Fjalori i ynë rrokë 50.000 fjalë përveç varjantevet dhe sinonimevet. Kemi rreshtue edhè fjalët mitologjike popullore, historike dhe gjeografike; gjithashtu kemi shtî mbrendë skâjet botanike e zoologjike, tue i përcjellë me përkatsen shkencore latine

Kemi regjistrue edhè emnat e veçantë të vetjevet me të gjitha varjantet, pse edhè këta interesojnë studimin e gjuhës, sidomos nga shkáku i shkurtimevet qi kanë pësue rrotull motevet. E kemi bâ ketë punë për të vetmen arsye pse manija e kohës së fundit për t’i zâvendsue me fjalë të hueja ká shkaktue harrimin e mospërdorimin e atyne të vendit.

Kemi përjashtue nga Fjalori të gjitha fjalët e hueja qi nuk janë në përdorim populluer; jemi kufîzue vetëm n’ato, qi për arsye shkollore dhe administrative kanë hŷ e s’kemi shka t’u bâimë. N’anën tjetër nuk kemi përjashtue fjalët turke, pse këto kanë qênë përdorë nga shkrimtarët t’onë të Rilindjes dhe nga vetë populli. Por këto fjalë janë tue u zhdukë dhe janë tue u zâvendsue me shqipet, apo me neologjizmat. të krijueme nga gjuhëtarët asè edhè nga komisjonet e posaçme letrare të themelueme ad hoc nga ministrija e arsimit; në nji mënyrë të dukshme kanë ndihmue në ketë punë shkrimtarët e ndërgjegjshëm qi janë ruejtë të mos përdorin fjalë nga gjuhë të tjera aty ku kemi t’onat. Mjeti mâ i dobishëm për t’u shpëtue fjalvet të hueja, për t’i shporrë këto, âsht qi të regjistrohen, por tue u vû pranë përka sen shqipe, aty ku âsht e mundun. Këso dore kemi veprue na në pérpilimin e Fjalorit t’onë, tue shenue ndër kllapa përkatsen shqipe.

Për të mnjanue çdo pasigurí shqiptimi, fjalët i kemi theksue me shêjet qi janë pranue në gjuhën t’onë. Theksat janë trí: hundori (') qi shenon shqiptimin hundak të zânorevet (zâ, hî, hû, flêj, me shkrî, me vû, me hâ, etj.); theksi i mprehtë ( ') qi shenon gjatsín e zânorevet (shtëpí, rrufé, shkjá, bé); theksi i rândë (’) për të shenue kumbimin e zânit qi rreh mbí rrokjen e fjalës mâ tepër se në nji tjetër (persè, kursè, gjithsesì).

Shqipja âsht e pasun me varjante krahinore; shum herë për të shprehë nji gjâsend kemi dŷ, trí apo edhè mâ shum fjalë gadi të njinjishme me shum pak ndryshim ndërmjet tyne. Qellimi i ynë, sikursè u pá, ká qênë të rreshtojmë krejt materjalin e gjuhës, prandej pranë çdo fjale kemi shtue, aty ku e kërkonte puna, nji asè mâ shum varjante, shum a pak të përdoruna, por me siglën (v. = vedi = shif) e shpiejmë lexuesin te trajta qi âsht má e përgjithësueme, në daç në gjuhën e shkrueme, në daç edhè në të folunën.

Shqipja ká nji sasí të madhe fjalësh t’urta dhe mënyrësh të të thânuni. Shum prej këtyne kanë qênë mbledhë dhe botue a në libra apo në revista; meritimin mâ të madh e ká «Leka» dhe «Hylli i Dritës». Edhè na vetë kemi nji shumicë sosh qi presin botimin. Pjesën mâ të madhe e kemi shtî në Fjaluer për t’ilustrue fjalët e radhituna, për të dhânë mënyrën e përdorimit të tyne.

Çdo fjalë ká pranë kundrashenimin e kategorís gramatikore me të cilën shkon, kështu qi për çdo fjalë âsht dhânë trajta e pacaktueme dhe e caktueme e njejsit dhe e shumsit, tue shenue për secilën gjinín. Foljet janë dhânë në mënyrën paskajore; për foljet e parregullshme kemi radhitë kohët në të cilat vrehet parregullsija.

(...)

Kjo âsht në pak fjalë e shkurtazi sistema qi kemi ndjekë në hartimin e Fjalorit. Mâ hollësisht do të flasim në paraqitjen e tij kúr të vîhet në shtyp.

«Shêjzat», 1963

By Karl Gurakuqi