Kurrë nuk doli ndonjë zot apo kapedan i krishterë, i cili të luftonte me aq fuqi trimërore dhe me aq fatbardhësi kundër ushtrive turke, sesa Gjergj Kastrioti. Dhe askush tjetër nuk doli aq dendur fitimtar në beteja, sesa ai. Për këtë, u quajt nga turqit Skënderbe. Babai i tij Gjoni, i cili zotëronte Shqipërinë dhe një pjesë të Maqedonisë, që ndodhet përkundrejt detit Adriatik, duke parë se nuk po i rezistonte dot më, gjithë asaj fuqie ushtarake fqinje turke, bëri paqe me Muratin me këto kushte: që t’i jepte të bijtë si pengje, ndërmjet të cilëve ndodhej dhe Gjergji, i cili ishte shumë i shquar për virtytin shpirtëror dhe për bukurinë trupore. Kështu ai u rrit i edukuar në pallatin mbretëror dhe mësoi me kujdes, jo vetëm gjuhën dhe kulturën osmane, zakonet sipas disiplinës së fesë myslimane, por përvetësoi tërësinë e rregullave në ushtrimin dhe përdorimin e të gjithë arsenalit të armëve të atij populli, në një nivel aq të lartë, sa duke qenë ende një djalosh, u emërua sanxhakbej, një ofiq i nderuar ky, që do të thotë udhëheqës i trupit kryesor të kalorisë.
Kështu erdhi duke i tërhequr përherë e më shumë vëmendjen e sulltan Muratit, i cili filloi t’a donte atë, sepse, shihte te ai pamjen e një princi me shenja reale të qarta, se një ditë do të arrinte të bëhej një udhëheqës i famshëm lufte. Por edhe ai, për t’i dhënë kënaqësi të veçantë Muratit, ditë për ditë e bëri zakon të zhvillonte lojëra në stërvitjen dyluftimi në kopshtet mbretërorë me moshatarët e tij, gjatë të cilave ai jepej me shumë shpirt dhe forcë dhe dilte fitimtar ndaj gjithë të tjerëve, madje edhe ndaj atyre që ishin në moshë edhe më të madhe se sa ai. Dhe kështu Murati, duke e pasur atë në preferencën e tij, pasi ai arriti të shfaqte, pra, para moshës ushtarake një fuqi të pamposhtur me shtatin e tij të lartë dhe një zgjuarsi të habitshme, e dërgoi atë në Azi, kundër mbretit të Cilicisë. Në atë luftë, nga bëmat që bëri dhe prej trimërisë së madhe që tregoi, mori edhe më shumë famë, sidomos kur në dyluftim trup me trup vrau një tartar që kishte mundur shumë vetë dhe ngacmonte (provokonte) të tjerët me krenari për fuqinë e tij; po ashtu, edhe kur, po me të tillë guxim, çpoi tejë e përtej me shtizë dhe shtriu përdhe gjeneralin e famshëm persian, i cili e kërkoi vetë dyluftimin me kalë, duke ardhur rrotull me kalorinë e tij dhe duke bërtitur, se donte të matej me një luftëtar si veten e tij.
Ndërkohë që ai rrezatonte në këtë mënyrë aftësitë e tij, famën ushtarake dhe kishte shumë hir në sytë e Muratit, i vdiq i ati, në një kohë kur, ushtritë osmane pushtonin pa skrupull qytetet dhe tokat e pricipatës të tij, gjë e cila e hidhëroi pa masë Skënderbeun, aq sa Murati duke e parë këtë gjë, i dha shpresë atij, se do t 'ia kthente principatën e të atit. Por ai nuk i besoi premtimeve dinake të atij barbari; dhe duke gjetur çastin e duhur, me zotësi dhe shkathtësi të jashtëzakonshme, arriti në Shqipëri dhe me letra të marra me pahir, mori qytezën dhe shtetin e të atit, ngriti në këmbë popujt e Shqipërisë dhe të Maqedonisë, që e njihnin si trashëgimtar legjitim të princit dhe, u quajt zot; dhe atje fitoi zemrën dhe aq shitmë dashamirësi nga njerëzit e atij vendi, të cilët u çliruan prej tij, e më pas, për vite me radhë dërrmoi dhe shkatërroi ushtritë, mbi të gjitha të Muratit dhe djalit të tij, Muhametit. Dhe në këto luftëra, Skënderbeu fitoi ato lavdi ushtarake të shkëlqyera; zmbrapsi sulltan Muratin, i cili hodhi në rrethimin e Krujës hordhi të panumërta dhe me një arsenal të jashtëzakonshëm artilerie, por nuk e pushtoi dot qytetin; madje u largua me turp dhe pak kohë më pas vdiq nga hidhërimi; gjithashtu Skënderbeu e fitoi betejën dhe zuri rob shtatë gjeneralë të famshëm turq të armatës së kalorsisë. Historinë e këtyre sukseseve dhe fitoreve të bujshme e shkroi në një vëllim të veçantë, Marini nga Shkodra, i cili e lartësoi Skënderbeun me oratorinë më të madhe në monografinë e tij, për brezat e ardhshëm.
Në anën tjetër, Gjergji bëri më pas armëpushim me Mehmetin. Ishte atëherë kur sulltani po përgatitej të bënte kërdinë në Greqi dhe kur Skënderbeu, kapedan i ushtrisë shqiptare po mendohej t’i vinte në ndihmë mbretit Ferdinand të Napolit, i cili me shumë vështirësi po përballonte ushtrinë e anzhuinëve. Thirrjes së mbretit për ndihme të shpejtë, Skënderbeu i u përgjigj menjëherë dhe me arritjen e tij në Pulje, fuqitë frënge u thyen dhe u mundën aq keq, sa mbreti e pohoi me gojën e vet, se vetëm nga trimëria e pashoqe e Gjergjit i erdhi shpëtimi. Gjatë kësaj kohe kishte mbaruar armëpushimi dhe Muhameti, pasi kishte vrarë perandorin e bizantinëve kur pati pushtuar Kostandinopolin, madje kish përmbysur edhe principatën e Trebizondit, edhe, pasi kish pushtuar mbretëritë e tyre, kish vrarë mbretin e Cilicisë, të Serbisë dhe të Bosnjës; por, njësoj si e kishte pësuar më parë i ati i tij Murati, edhe ky, si i ati, nuk ia doli dot t’a pushtonte Krujën, sepse Gjergji (Skënderbeu) me qëndresën e tij të fortë i prapsonte rrethonjësit duke i shkaktuar humbje të mëdha të njëpasnjëshme. Për këtë arsye Papa Piu nxiti mbretërit e krishterë të merrnin armët dhe shpalli luftën kundër Muhametit, duke gjykuar se nuk mund të gjendej një gjeneral (kapedan) në krye më i mirë se sa Gjergji, për t’i prerë hovin dhe për t’i mundur barbarët. I shtytur po nga ajo bindje e thellë, vendosi t 'a bënte atë edhe mbret, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Maqedonisë.
Por vendimi i tij nuk arriti të vihej në jetë. sepse Papës i erdhi papritur vdekja në Ankonë. Papa i ri, Pali II, nuk iu kushtua aspak angazhimit të luftës, sadoqë Skënderbeu përmes vështirësive të mëdha mbërriti me urgjencë në Romë, për t’i mbushur mendjen atij me gojën e vet, që të mos e humbiste kohën me çështje të vogla. Shkoi atje, për t’i kujtuar edhe kolegjit të Kardinalëve rrezikun, që i kërcënohej qenies së të gjithëve (të krishterëve) nga ambicia e shfrenuar dhe e pakufi e Barbarëvet, së cilës nuk i bëhej dot ballë pa përpjekjen e përbashkët të të gjithë Europës: por ai gjeti atje (në Romë), ngathtësinë e njerëzve të paregjur për beteja të mëdha.
Kështu, pasi e gjeti veten të braktisur nga shpresa për një marrëveshje të përbashkët, nuk gjeti mundësinë të bënte ndonjë veprim tjetër të denjë për formatin e tij. Dhe në këtë gjendje, ndërsa ndodhej i kthyer në Lezhë në lumin Drin duke konsultuar çështje lufte me qeveritarin (proveditorin) venedikas, e goditën për vdekje një palë ethe të forta. Dhe ndërsa ethet po bëheshin çdo ditë e më të forta dhe ai ndjehej çdo ditë e më i dobësuar, posa e kuptoi se ora e kobshme po afrohej, i a la kujdesit të Senatit të Venedikut të birin, Gjonin, i cili ishte ende në moshë të vogël, bashkë me ushtrinë dhe gjithë ç kishte nga pasuria. Dhe pas pak kohe iku nga kjo jetë, në vitin e gjashtëdhjetë e tretë të moshës së tij dhe të zotit tonë 1467.
Sipas gjykimit tim, Gjergji kurrë nuk ia kaloi kush prej burrave të kohës, as për nga fuqia trupore, as nga vlerat shpirtërore dhe as për fitoret ushtarake. Kishte përherë në këmbë pranë vetes më se dy mijë burra të zgjedhur, por edhe kur i duhej të shtonte numrin e tyre, fuqia e tij ushtarake nuk arrinte më tepër se 6.000 kalorës dhe 3.000 këmbësorë të lehtë me përvojë. Ai pohonte, se fitoret nuk përgatiten me numër të madh, por me ushtarë të sprovuar dhe tepër zgjedhur. Atyre ua mbante mënd emrat secilit, ua dinte trimëritë dhe ata e kishin për nder të madh të pinin verë nga kupa e tij. Ishte i dashur dhe zemërgjerë: me këto veti u a fitonte zemrën dhe ua ndizte shpirtin.
Kur printe rrugën i armatosur kishte një pamje madhështore, kaq të madhe e kishte fuqinë e syve dhe aq të ëmbël fjalën e gojës, saqë u a fuste zjarrin ushtarëve për çdo ndërmarrje sado e rrezikshme të ishte, duke i bërë kështu jo vetëm luftëtarë të aftë, por edhe trima të tërbuar, që t 'a përbuznin armikun e mbrapshtë. Kishte pastaj një shtat të lartë dhe të ngjeshur gjithë muskuj, me gjymtyrë të forta, me hundë të dalluar të kthyer bukur si të shqiponjës: fytyra e gjallë e një heroi të madh!
Dhe atë paraqitje të bukur trupore e kemi parë edhe te princërit e familjes së tij, të cilët kanë zënë vend në Pulje, sikurse mund të shihet nga krahasimi i karakterit të portretit të tij (në pikturë) që gjendet në muzeum, sidomos me stërnipin e tij Ferdinandin, markezin e Sant Angelo al Gargano, i cili ra në betejën e Pavisë, i vrarë nga dora e mbretit. Tregojnë bujarët dhe të afërmit e tij - siç e kanë lëne të shkruar edhe historianët - se Gjergji kurrë nuk iu shmang betejave, kurrë nuk u thye, kurrë nuk pati frikë, kurrë nuk u plagos, përveç se një herë fare lehtë nga një shigjetë në këmbë; vrau me dorën e tij më se dy mijë armiq, shumica barbarë, në beteja të ndryshme, nga një herë vetëm me një të qëlluar; se në luftë e kishte zakon t’i vriste armiqtë një nga një, edhe, duke përdorur edhe me fuqi edhe me mjeshtëri një shpatë (kordhë) të madhe dhe të rëndë, i ndante më dysh gjer në kërthizë, shpeshherë u copëtonte shpatullën apo krahët. Këto kërdi të pamëshirshme të goditurash dhe tmerrin që shkaktonin këto plagë mizore, i kallëzonin armiqtë që ktheheshin të gjallë në Kostandinopojë dhe të gjithë habites hin. Vetë Muhameti shfaqi dëshirën t 'a shihte atë shpatë të famshme, të përdorur nga ajo dorë e fuqishme me forcë e rreptësi të pazakonshme. Dhe Gjergji ia dhuroi atë menjëherë duke ia dërguar deri në Konstandinopojë: ata që e panë, thoshin se ajo ishte bërë me një lëndë aq të fortë, sa që çdo gjë, qoftë edhe çdo armaturë trupore prej hekuri, bëhej copë e thërrime nga goditjet e saj! Jehona e famës së trimërisë së jashtëzakonshme të Heroit ishte përhapur kaq shumë sa që, pas vdekjes së tij, turqit, pasi e pushtuan pothuajse të gjithë Shqipërinë, kërkuan varrin e Skënderbeut, në Lezhë, edhe, plot admirim, e nderuan me ndjenjë të madhe fetare.
Edhe si njerëz supersticiozë i nxorën nga varri eshtrat e atij fatosi të madh dhe i morën me vete me adhurim, pasi secili besonte, se do të ishte i pathyeshëm dhe i sigurt në luftë, nëse do të shkonte në betejë duke varur në qafë të mbështjellë në flori ose argjend qoftë dhe një copëz nga eshtrat e shenjta apo reliket e këtij Kapedani të pathyeshëm.
Nga FAERNI
Brenda varrit tënd Gjergj përmbyllet Disfata e turqve dhe mbrojtja e Epirit dhe eshtrat e tua pa diskutimNë shumë vende janë përhapur dhe shpërndarë Gjymtyrët që duhej të pushonin të mbyllura Dhe të mos dëgjonin më fyerje të armikut, Nga lavdia e ndritur e emrit tënd Në një mijë pjesë qenë thyer dhe ngatërruar Pasi duke lënë këtë botë me jetën tënde Trupi yt nga armiqtë e tu U nda për të marrë vlerë.Dhe virtyti që fton t’u ofrohet varrim Të tjerëve, ty t’u mohua dhe ajo pastaj Me të njëjtët të dha famë dhe nder.
Pauli lovii, Elogia virorum bellica virtute illustrium Basileae, 1575. lib. III. 144-147; Skënderbeu dhe luftat shqiptare-otomane në shek. 15, vëll. X, Tiranë, 2018.
By Paulus Iovius
