albaniana

Poezi

Gjeto Basho Muji

Martesa

Të lumt na për t’Madhin Zot,

Qi s’jem kênë e Zoti na ká falë !

Dritë ká dalë e dielli ká bâ.

Ça ká bâ Gjeto Bashe Muji ?

Se n’krajlí Muji paska dalë,

Edhe ‘i nuse e paska zânë,

Zânë e paska t’bín e krajlit.

Kúr â dredhë Muji n’Jutbinë,

I ká mbledhë treqind darsmorë :

Veshë me ár, shpatat florî,

Shgjetë e mzdrak krejt n’ari ngrî,

Të tânë gjogat pullalí,

Të tânë ishin agë të rí,

Posë nji plakut qi u ká prî,

Aj âsht Disdar Osman Aga.

"Po ndigjoni, o krushq darsmorë,

– Ká qitë Muji u ka thânë –

"Kúr të delni n’maje t’bjeshkës,

"Aty janë trí mrize t’mdhá !

"Njaty rueni se lodroni !

"Njaty kangën mos e kndoni !

"Kini mêt e mos pushoni !

"Se aty janë trí zâna t’idhta,

"Tu’ mrizue ndoshta qillojnë,

"Tu’ u flladitë ndoshta qillojnë,

"Me kalue shndosh nuk u lshojnë !

Paska dalë e bardha dritë,

Atllarët krushqit i shilojnë,

Kan nisë kângën p’e këndojnë,

Kan nisë kualt e po i lodrojnë,

Tuj këndue e tuj lodrue

Kan mârrë rrugën për krajlí,

Kúr kan dalë n’at maje Bjeshket,

Aty kangën e kan ndalë,

Kualt për doret i kan marrë,

As-kërkund vend nuk kan xânë :

As ndër gurra uj me pí,

As ndër mrize me pushue,

Por te miku fill po shkojnë.

Sá mirë krajli qi’i ká pritë !

Gjithsá muj’n me ngrânë me pí,

Valle e kângë deri n’mjesnatë,

Kúr ká kthye prap drita e bardhë

Mirë janë mbathë, mirë janë shtërngue,

Me gjith nuse janë fillue,

Janë fillue me kthye n’Jutbinë ;

Kërkund kângën nuk p’e ndalin,

Kërkund vallen nuk p’e ndajnë,

Dersá kapën tu mrizet e mdhá,

Aty plaku u paska folë :

"Pa ndigjoni, krushq darsmorë!

"Un shum herë krushk qi jam kânë,

"Me gji’ nuse ksajt kém rá,

"Ktyne mrizeve kém pushue,

"Gjithmonë gjogat i kém lodrue,

"Nën kto hije kém këndue,

"Ndër kto gurra jém freskue,

"E kurrgjâ nu’ na ká gjetë!"

T’gjith p’r’i herë kan zdrypë prej gjogash;

Kurrnji gjurmë përtej s’e bâjnë,

Janë shkepë mrizeve e pushojnë,

Kan nisë kângën e po këndojnë,

Kan nisë lodrën e po lodrojnë,

Kan nisë gurrat e po i turbullojnë,

M’mezdrak shêjet mirë po i rrxojnë.

Të lumt na për t’madhin Zot!

Kan krisë majet gjithkun për rreth’;

Ká fishkllue fryma ndër aha,

Pak ká ngiatë, fort shum s’ká ngiatë,

Qe kan dalë tri zâna t’idhuna,

T’i kan ndeshun dhâmbët për dhâmbë,

T’tria qesin zjarm për gojet,

Fíll kahë mrizet janë drejtue,

I bajnë krushqt si gurët e bjeshkës,

I bajnë gjogat si cûjt e rrahit,

Vetem nusja qi ká pshtue :

E ki’n kapë zânat për doret,

Fill te shpella e paskan çue:

N’kâmë me ndêjë kurr me pushue ;

Po u gatue e u merr ujë.

Njat-herë ndië Gjeto Bashe Muji :

Sá keq Mujit i ká rá !

E i ká hypě gjogut ne shpinë,

E ká marrë bjeshkën përpjetë,

Nder livadhe kur ká dalë

Tridhetë krushq t’ngrît i ká gjetë :

Tridhetë agët ishin bâ gúr

Me gjith gjoga shpërdá ashtit.

Sá fort Muja âsht ngushtue !

Gati mêç Muja ká dalë !

Aspak gjokun s’e ká ndale :

Jeremít a bjeshkës i ká mârrë

Jau lypë kronin zânave,

Jau lypë mrizet zânavet;

Kurkund m’to nu’ muejt m’u ndeshë.

Kúr ká hî féll m’ashtë të bjeshkës,

Kurkû drita mos me u pá,

Kurkû dielli mos me rá,

Aty gjê nji gurrë me uj,

Ujë t’kulluet si lodja e synit :

 nalë Muji me pushue,

Edhe gjogut m’i ká zdrypë.

Po e kundron ashtën per rreth :

Kurkund rrugë pertej nuk ká

Permbi ashtë ish shkam i gjallë,

Per nân-ashta të tânë rrëgallë.

Mërthye ahat degë me degë

Rrezes s’diellit shtek s’i lân,

Ká qitë Muji e ka thânë :

"Logu i zanave ktû do t’jét !"

Gjokut ashtën i a ká dhanë,

Për buzë kronit po rri pshtetë :

Zânat pret kúr t’vîn për uj.

Tri dit plot kúr kan kalue,

Me ‘i bulír nji grue po vjen :

A bindë Muji me vet-vedi:

"Zot, kjo grue ç’asht në Jeremî?"

"Mirë se t’gjêjë!" Mujit i thotë –

"Mirë se vjen, – Muji i përgjegjë –

"Ç’do me e bâ, nuse, kta uj?"

Muji nusen p’e pevetë.

"As vetë, djalë, nuk dij ka’ e çoj:

"Kan ardhë krushqit veç me m’mârrë,

"M’nji lamth t’bukur kúr kém dalë,

"Trí zâna t’idhta aty ki’n ndollë.

"A se ndeshem m’trevezë t’tyne,

"A se gjûmin agët ja xueren,

"Zoti e di, – un gjâ nuk dij,

"Veç kan krisë mâjet e bjeshkve,

"Ka fishkllue frima n’per ashtë,

"E jan dalë trí zâna t’idhta

"Agët ndër hije i kan hukatë.

"Gjogat ashtit i kan hukatë,

"Të tanë gur p’r‘i herë janë bâ,

"Mue te ba’ ni i vet m’kan çue,

"Me gatue e me u mûshë uj !" –

"Ç’ burrë ké dashtë, bí-o, me marrë ?

"N’êmen burrit si i kan thanë ?" –

"Jam da babet, jam dá nanet,

"Jam da motret, jam dá vllaut,

"Për me marrë nji burrë kreshnik,

"M’ êmën i thonë Gjeto Bashe Muji!"

Aspak Muji nuk po qeshë !

"Po me e pá a thue e njef ?"

Nusen prap Muji p’e pvetë.

"Un nuk kam e mjera si me e njoftë,

"Se me sy kurr s’e kam pá,

"Por si ç’kam ndie tuj kuvendë,

"Krejt po m’duke Gjeto Bashe Muji !"

Sá t’madhe Muji paska qeshë !

"Paj njaj vetë, moj nuse jam,

"Se mjaft mirë besa m’ké njoftë.

"Por për n’kjosh ti grue fisit,

"Për nji fjalë a po m’ndigjon ?"

"Pasha Zotin qi rri mbi hânë e diell,

"Pasha t’Lumin qi sundon tokë e qiell,

"E herë vrânë e herë kthiëll,

"Gjith si t’m’thuesh, Mujë, t’kam ndigjue,

"Bash me e dijt se kryet m’shkurtohet !"

At-herë Muji e paska msue :

"Kúr t’shkojsh mbrâma në konak,

"Ké me qitë e me i pvetë zânat :

" – Pashi mrizet kû mrizoni,

" – At forcë ju kah m’a kini ? –"

– Forcen mue e a m’a kallxojnë? –

Mujin nusja p’e pëvetë.

Sá mirë Muja po i përgjegjë :

"Ké me bâ ti si t’ ‘soj vetë.

"Tash po merr dielli mbas mâjesh,

"Tash po bjè hâna ndër aha,

"Tash po mblidhen si për natë

"N’ dritë të hânës me ngrâně te gurra.

"Kúr t’aviten zânat n’tryez,

"Ti n’at bukë mos me u avitë,

"At-herë zân’vet ké m’ju dhimët,

"Kurr pá tý bukë s’kan me ngrânë.

"Qat-herë n’dijsh për me u kuvêndë

"T’kan kallxue kû e kan forcën!

"Pásh ket buk ! – zânve ké m’u thânë –

"Pashi mâjet, kû veroni,

"Pashi mrizet, ku pushoni,

”Pashi gurrat, kû flladit’ i !

"Tash sá dit qi jam me jú,

"Forcën t’uej pse s’m’a kallzoni ?

"N’muejsh me pshtue pa t’ngafisë zânat,

"Kurrkahë béve s’kan si u pshtojnë !

"E tu kroni Mujin nesër e gjê !"

Nusja muer ashtën e féll,

Muji duel ndër Lugje t’verdha.

Fill te zanat nusja a vojtë.

"Kû u vonove kshtû ?" – po e pvesin, –

"Gjeta gurrat turbullue !"

Nusja zânave po u pergjegjë.

Ki’n shtrue buken e po hán :

Ki’n shtrue pijen e po pín ;

Nusja aspak n’trevesë s’po ulet :

Po u siëll uj e po u then buk.

Zana e vogël p’e pëvetë:

"Kûnë, ça ke qi s’po ha buk ?

"A mos jé e ligë e s’don ?"

"S’kam si há, morí o mira e vogël !

"Se ata buk nuk âsht për mue,

"Forcën tuej pá m’a kallxue !

"Por nji bé jam tue jau lshue ;

"Un robinë, ju zana malit,

"Sá herë t’dueni guër me m’bâ:

"Pashi majet, kû valloni,

"Pashi mrizet kû pushoni,

"Pashi gurrat, ku uj pini,

"Me m’kallxue forcën ku e kini ?"

Fluturim janë çue në kamë

Nuse zezën me e ngrafisun.

Ish kênë çue zana mâ e vogla

Shpejt ndërmjet u paska hî :

"Zoti të vrafët, moj zâna e madhe !

"Se na nuses po i kallxojmë!

"Po kjo né shka mund t’na bajnë ?

"Pa ndigio, moj e bija e njerit !

– I â sjellë nuses e po i thotë –

"Se na i kemi trí dhí t’egra.

"I kan brinat prej dukatit,

"Ata rrîn ndër Lugje t’verdha,

"Kurkush n’dorë, nu’ mund i shtje,

"Se me dalë kush me na i xaně

"Grimë forcejet ne s’na jet !

Njatë-herë nusja bukë ká ngranë.

Ká nisë drita me dá terrin,

Nusja niset me rá n’ krue,

E tu kroni Mujin e ká gjetë.

T’madhe Muja e paska qeshë :

"A thue pshtove pa t’ngafisë ?"

"Pshtue kam, pse pshtoj s’kam pasë !

"Kot me to veç m’ké përplasë,

"Se nuk ké kurrshka me u bâ !

"Se ata m’ than : "kém trí dhí t’egra.

"I kan brinat prej dukatit,

"Madhojnë bashkë ndër Lugje t’verdha,

"Askush n’dorë s’mundet me i shtî ;

"Se me dalë kush qi me i xanë gjalle,

"T’taně forceja u maron !

A sjellë Muja e po i thotë :

"Prap te zanat ké me shkue,

"Edhè hiq vesht mos me u bâ,

"Shndosh e mirë Muji t’ka xjerrë,

"Me gjith agë qi m’kan shtangue !"

Po i hypë Muja gjokut m’shpinë,

Fíll n’Jutbinë Muji ká shkue,

N’treg t’Jutbinës kúr ka rá,

I a ká dhanë zânin Krahinës:

"Kushdo t’jésh gjah’tar në treg,

"Merr langoj e mledh zagarë,

"Të tanë mrama i’ shpí me m’ardhë,

"Do t’u nap me harë, me pí

"Për gjahë neser duem me hî !,

Shpejt janë mbledhë treqin gjah’tarë,

Me shtatëqind e mâ zagarë,

Me treqind e mâ langoj,

Derën Mujit i a kan msy.

T’mirë konakun jau kâ bâ.

Ká nisë drita për me dá,

Ka qitë Muji e u ká thânë :

"Pa ndigioni ju gjahëtarë !

"Gjallë me dorë dhít do t’i xamë!

"Mos gabo kush m’to me gjue,

"Se po bât e m’i varruet,

"Kurrnja shndosh nuk kthen n’Jutbinë!"

Muji para na u ká prî,

N’Lugje t’verdha paskan dalë.

Rrethojnë lugjet gjith për rreth,

Muji vetë mbrendë paska hî

Me treqind e må zagarë,

Me langoj e me gjah’tarë,

Shokët për rreth pritat kan xânë.

I kan bue trí dit e net ;

Mas trí ditsh e mas trí netsh

Gjallë me dorë i paskan xanë.

E n’Jutbinë me to ká rá,

N’burgje t’veta i ka ndrye ;

T’gjithve Muji dhantí u ka dhanë.

Forca zanat i ka lanë:

Ndiellin dhít e nuk i gjejnë,

Fort po i lypin lugjeve,

Fort po u thrrasin qetave,

Kurkund zânin s’po jau ndiejn.

Ka qitë njana e paska thanë :

"Dhít dikush né na i ka xanë !" –

"Pa ndigjo, moj zana e shkamit !,

– Po i thotë nusja zanës ma t’madhe –

"Falë me shndet Muji t’ka çue :

"Per qat nuse qi m

’ké marrë,

"P’r ata krushq qi m’keni ndalë,

"Dhít e egra mos me i kërkue,

"Jau ka ndalë Muji për peng !"

Kur kan ndî zanat kto fjalë,

Kan marrë rrugen për Jutbinë,

Fiell n’derë t’Mujit paskan shkue :

"Pa a ti Mujë, né dhít na i xûne ?"

"Po ûn vetë dhít jau ko’ xanë !

"Mbrenda burgut lidhë jau kam !"

Ça i ka thânë Mujit zâna e shkamit ?

"Ndore teje ! Gjeto Bashe Muji !

"Do na preve n’votër t’ânde,

"Do kto gjâ né na i ke lshue,

"Se pa to s’kém ku me u mbytë !

"Po t’i bâjmë krushqt si i ké pasë,

"Po jau napim gjogat n’dorë,

"Po t’a bijmë nusen n’koçí !..."

Jau kputë Muji fjalën n’gojë :

"P’r ata krushq, qi ju po thoni,

"Kërku’ ngusht vedin s’e dij,

"As s’jam ngusht për nji baxhí.

"Se gjâj nuse për gji’ vend !

"Por ket gjâ nu’ muj me e lshue,

"Se kso gjaje kurr s’ko xânë !"

Kan nisë vajin e po vajtojnë,

Kan nisë gjamën e po gjamojnë

Me ju dhimët gurit e drûnit ;

Aspak Muji s’po ngushtohet !

A shkepë shoqesh zâna e vogël,

Tuj i shî lott me flokë të ballit

Dorën Mujit t’i a ká marrë,

Bes’n e Zotit i a ká dhânë :

"Gjith-ku t’késh nuse me marrë,

"Gjith-ku t’késh baloz me pré,

"Gjith-sá herë t’delsh me çetue,

"Gjith-sa t’doni n’ at log me lodrue,

"Gjith-sa t’doni n’ at log me këndue,

"Gjith sa t’doni shêjin me e gjue,

"Ndalnju gurrave me u freskue,

"Ndalnju mrizeve me pushue,

"Bes’n e Zotit jom tuj t’dhanë,

"Kurrkuj gjâ nuk kém me i thânë !"

Mujin fort e ká ngushtue :

Asht mendue, fort s’â mendue,

Fjal’n e mbrame e paska folë :

"Zâna jini e zâna kjoshi !

"Besa besë, e fjala fjalë,

"Dhít e egra u kjoshin falë !

– "Xirjau dhít, Halil, prej burgut !" –

Muji djalit i ka thânë

Dhít prej burgut kur janë dalë,

Sa shpejt zânat ftyrë kan ndrrue!

I kan pá e s’i kan pá,

Janë bâ hije e dalë në bjeshkë.

Kúr kan dalë ndër Lugje t’verdha,

Njerzt prej gurit po i kërkojnë ;

Kualt prej cungut po i kërkojnë ;

I bâjnë krushqit si janë kênë,

Jau kthejnë gjokat si i k’in pasë,

Jau v’ndojnë nusen m’nji koçí,

Vetë u prîjnë e i çojnë n’Jutbinë.

Kúr kan mrrijtë në fushë t’Jutbinës.

Kan nisë vashat kângën-o,

Kan nisë krushqit vallen-ó

Kan kërsitun majet-ó,

Kah kndojnë zânat shkam e m’shkam :

"Zâna jemi zâna kjoshim !

"Besa besë, e fjala fjalë,

"Agë e nuse t’kjoshin falë !"

Zâna e madhe kndon në mal.

Zâna e vogël kndon në shkam

Dorë për dorë me zân’n e dytë :

"Zâna jemi e zâna kjoshim !

"Besa besë e fjala fjalë,

"Grueja grue e zâna zânë,

"Zâna diell e grueja hânë :

"Mjerë kush besë grues i ká xânë !"

By Popullore