albaniana

Kolumne

Histori e shkurtër e vëllazërisë shqiptare

U prishën ilirët me vëllezërit romakë dhe sapo menduan se kësaj bote i erdh fundi, ja në brigjet e Istrit (Danubit) u dukën fiset gjysmë të egra sllave që vinin avec armes et bagages. Pasi pësimi është mësim shqiptarët kësaj here nuk e prenë dot pa e menduar tri herë. Mirëpo…

Histori e shkurtër e vëllazërisë shqiptare

Një filozof italian, njëfarë Xhanbatista Viko, thoshte se kur grekët erdhën në Ballkan, ata ikën nga represioni egjiptas dhe kërkuan strehim te një shtet më i fortë. Dmth. kanë kërkuar diçka në kajden e azilit. E ky shtet i uruar, doemos duhet të ketë qenë shteti i stërgjyshërve të shqiptarëve, pra i pellazgo-ilirëve. Megjithëse kishin ca doke e zakone të mira, ata kishin një të metë nga e cila as ne sot s’jemi çliruar dot. Vuanin nga vëllamania. Dhe kur grekët e kaluan Bosforin, këta turravrap e gazavaj i përqafuan e lotët u shkuan çurg nga gëzimi për vëllezërit për të cilët kurrë s’kishin dëgjuar më parë. Dhe këtu nis historia historikisht e dëshmuar e vëllaçkërisë shqiptare.

Grekët, shumica mendjeuliksa, sapo erdhën në vete nga vrapi, u shpallën luftë vëllazërore ilirëve dhe ua kollofitën një nga një qytetet si Tebën, Spartën, Mikenën, Athinën... Dhe jo vetëm kaq. Ua morën perënditë, mitet, këngët e tempujt dhe thanë se Athina është "zemra e Greqisë". Ilirët s’ua prishën qejfin vëllezërve të sapoardhur dhe u zbythën pak kah veriu.

Duke u shtyrë andej stërgjyshërit tanë morën thua e u ndeshën me romakët, të cilët ishin aq të egër sa të gjitha kafshët i quanin vetëm me fjalët "ujk". Poende, edhe martoheshin me ulkonja, prej së cilës edhe lindën Remi dhe Romuli, ilirët edhe atyre ua përcollën ca dije, se ishin filantropë dhe ua mësuan artet, shtrimin e rrugëve me kalldrëm, ndërtimin e portave harkore etj. Dhe së shpejti "vëllezërit romakë "ua bënë bërryl. Sepse ata e keqkuptuan Pirro Burrin, i cili ishte nisur në Romë me elefantë për të shfaqur një mori pikash të cirkut. Mirëpo, ata menduan se kishte ardhur ta pushtonte Romën. Ky gabim i Pirros bëri që të prishej vëllazëria e selitur me shekuj dhe Teuta mbretëreshë, nga pikëllimi i madh që nuk do të mund të shihte cirkun, bëri vetëvrasje.

U prishën ilirët me vëllezërit romakë dhe sapo menduan se kësaj bote i erdh fundi, ja në brigjet e Istrit (Danubit) u dukën fiset gjysmë të egra sllave që vinin avec armes et bagages. Pasi pësimi është mësim shqiptarët kësaj here nuk e prenë dot pa e menduar tri herë. Mirëpo shqiptarët e shkretë mendojnë aq ngadalë sa u duhen dyqind vjet për ta menduar tri herë të njëjtën gjë në variante të ndryshme. Kështu pas dyqind vjetësh i lejuan sllavët që ta kalonin Danubin. Dhe menjëherë ia pinë gjakun nga gishtat njëri-tjetrit dhe u bënë probatima. Por, për çudi, gjaku i shqiptarëve qe i ëmbël dhe sllavët menduan se mirë është të pinë edhe në sasi më të mëdha. Dhe vazhduan ta pinë e ta pinë, ndërsa shqiptarëve u jepnin nga një librezë të Kryqit të Kuq që të dëshmonin se ata e jepnin gjakun vullnetarisht. Kështu shqiptarët u bënë gjakdhënës të parë vullnetarë. Nga ky gjak sllavët u forcuan dhe u bënë jo vetëm mbretër, por edhe perandorë. Dhe Cari i vetëshpallur, Dushani, u bë car i serbëve, grekëve dhe arbanasëve, dhe shpalli bashkim-vëllazërimin mes tyre.

Shumë shpejt shqiptarët filluan të kuptonin se po mbeteshin mozomakeq, pa vëllezër, kur nga lindja u dukën koshadhet e para otomane, që, në pamje të parë, dukeshin si pleq që rrugëve shesin bileta të loto-totove. Vonë u pa se nuk çalon gomari nga veshët. Ata kishin qëlluar vëllezër shumë e të erdhën e ta bënë në Fushë Kosovë pordhë e piskamë. Për dy orë, sa zgjat një film, otomanët korrën fitoren e Pirros kundër koalicionit joparimor të ballkanasve. Dhe para se të vdiste Sulltan Murati i mallkoi serbët me mallkimin që sa të jetë jeta ta festojnë disfatën!

Sapo filloi mbarë vëllazëria turko-shqiptare doli njëfarë Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një deledash, as shqiptar i vërtetë, as turk tamam, ngaqë kishte një baba, Gjon-Jovan-Hamzanë, katolik-ortodoks-mysliman, dhe një sulltan baba-për-shpirt. Bekohej nga papa si atlet, ndërsa ishte bërë synet në Edrene!

Më pastaj Skënderbeu mendoi se bëri vëllezër venedikasit, por kur erdhi puna "stani-pani" ata jo vetëm që s’ia lanë këmbët e arushës në dorë, siç ia le vëllai-vëllait, por këmbët e një ariu të plagosur, siç ishte Perandoria Osmane në atë kohë. Kështu pas një çerek shekulli lufte, otomanët, një të tretën e shqiptarëve i hodhën në Itali, një të tretën i flakën në Jemen e Siberi dhe një të tretën që mbeti i bënë myslimanë. Kështu pesëqind vjet i kaluan vëllazërishte...

Kur erdhi shekulli i njëzetë secili vëlla duhej të kalonte në bukë të vet!

Por, ndarja e shqiptarëve i ka do spira. Tash duhej që shqiptarët të vraponin nëpër konferenca për të dëshmuar se janë, se ekzistojnë. Aq shumë ishin vëllazëruar me të tjerët sa nuk dalloheshin më nga ata. Por, fol shqiptari si e ëma e Zeqos në majë të thanës. Isa Boletini kur shkonte në konferenca s’dinte as vetë se sa revole kishte me vete. Sa ia merrnin njërën allti, ai nxirrte tjetrën. Demonstronte magjistarllëk. Kështu, derisa rojtarët e çarmatosnin në hyrje të pallateve ku mbaheshin konferencat, konferenca kryhej. Dhe sapo Fan Noli mendonte se ashtu siç përkthehet një libërth ashtu bëhet shteti, Ahmet Zogu tamam si zog bashkë me "vëllezërit serbë" ia mori pushtetin, që pas 15 vjetësh t’ua dorëzonte Shqipërinë si pulë të pjekur gangull "vëllezërve italianë". E këta pastaj ua dhanë "vëllezërve gjermanë"... Kështu kalonte Shqipëria nga vëllai te vëllai, derisa nuk erdhi në skenën historike një hoxhë.

Në të vërtetë Enver Hoxha nuk ishte hoxhë. Ai ëndërronte vëllazërimin e proletariatit botëror. Nisi me vëllezërit Jugosllavë por s’i eci. Sepse Vëllai i Madh tek ata zbuloi shiitët, gjegjësisht, revizionistët. Mirëpo si t’i bëhej hallit që shqiptarët pa vëllezër s’bënin dot. Se vëllai mishin ta ha, por eshtrat t’i ruan dhe i bën trofe. Nga kjo nevojë u vëllazëruan me rusët e t’u bënë rreth treqind milionë. Megjithatë treqind milionë ishin pak. Shqiptarët vendosën që numerikisht të jenë kombi më i madh në botë. Kështu flakën rusët tej e u vëllazëruan me kinezët. Obobo, ç’deshi zoti edhe bëri! T’u bënë shqiptarët brenda natës një miliard banorë me kryeqytet Tiranëpekingun. Kombi më i madh në botë, sepse kinezët ishin vetëm 996 - 7 milionë. Enver Hoxha kudo nëpër planet shfrynte kërcënimet e tij si Zeusi rrufetë, sepse kishte pas vetes një miliard shqiptarë me ndonjë kinez në thes. Por, as me kinezët nuk zgjati...

Vjetëve të fundit shqiptarët prisnin me padurim që të dalë nga burgu profeti i tyre, i mllefosur, i cili në burg gjatë gjithë atyre viteve ka bërë listën e mallkimeve më të urryera kundër "shkaut". Por, kur doli Adem Demaçi nga burgu, pa një pa dy, në fjalët e para tha: "vëllezërit serbë". Vëllezërit serbë se vëllezërit serbë. Fshij shqiptarët veshët. S’ka: "vëllezër serbë". Eu, Binak, eu! Dikush tha se me këtë Demaçi vetëm e konstaton faktin se ne, gjithë njerëzimi, kemi për prindër Adamin (Ademin) dhe Evën (Havën) dhe doemos, si gjithë insaninë, edhe serbët i kemi vëllezër. Por shqiptarët kanë filluar të dyshojnë se mos vallë këta janë nga vija e xhaxhit Kain? Ndërsa kryetari Rugova i ka vëllezër gjermanët. Para ca ditësh ai shkoi në Bundestagun gjerman. Por pa shall e me hall. Sepse gjermanët të pranojnë ose me shall, ose me hall. Dhe pasi sllavët dëshirojnë të krijojnë Federatën Sllave edhe Rugova dëshiron ta krijojë Federatën Ariane. Natyrisht kryetari Rugova kërkon që gjuhë zyrtare të jetë shqipja sepse ka më së shumti shkronja - 36, gati sa ideogramet kineze. Ndërsa Sali Berisha president, ka vëllezër amerikanët, sepse në çdo fjalim të tij thotë me entuziazëm "vëllezërit amerikanë". Edhe frizurën e ka "amerikançe". Edhe veshjen. Edhe buzëqeshjen. Por e tradhton të ecurit, sepse nuk dihet a ec apo vrapon. Dhe e tradhton të folurit, sepse nuk e dallon dot kur flet e kur bërtet.

Pra, shqiptarë, kudo qofshi, mos jau ndien! Flini zbathur! Sepse, siç e shihni, ne kemi lidhje në çdo anë. Kemi vëllezër e përmbi vëllezër, që ç’ke me të...

Doemos ata do të na e punojnë.

Rrofshin e qofshin vëllezërit!

(Revista “Forumi”, Prishtinë, 1993)

By Agim Morina