albaniana

Artikuj

Kanuni i Lekë Dukagjinit nuk është kanun i turpit

Së pari, dua të them se Kanuni shqiptar është unik dhe nuk është i kopjuar nga Kanune të tjerë. Ai nuk gjykohet dot me mendjet e sotme, sepse ka të bëjë me zanafillën e njerëzimit (3000-3500 vjet më parë) kur njerëzit jetonin të organizuar në fise. Së dyti, në Kosovë dhe në…

Kanuni i Lekë Dukagjinit nuk është kanun i turpit

*Të studiosh Kanunin do të thotë të studiosh historinë e popullit shqiptar qysh nga zanafilla në periudhën e fiseve deri në ditët tona me të mirat dhe të metat. Kanuni ka qenë boshti, “kushtetuta” e parë shqiptare që me ligjet e veta bëri që populli shqiptar të mos asimilohet, të ruajë identitetin, gjuhën, tokën dhe fisin si njësi fillestare administrative. *

Ndoshta nuk do të isha marrë fare me këtë “polemikë” që nuk ia vlen barra qiranë, sepse e di mirë se ç’ka qenë Kanuni për Shqiptarët, nëse diku nuk do të kisha gjetur në faqet e internetit një farë Kadri Sherifi, që shkruante se Kanuni i Lekë Dukagjinit është Kanuni i Turpit për shqiptarët dhe më tej vazhdon:  “...Nga një sondazh ku shtrohet pyetja se a e bartin me vete kosovarët mentalitetin e gjakmarrjes në vendet ku imigrojnë, del se ata që u identifikuan me kanunin dhe e lavdëruan, e bënë e këtë gjë, sepse nuk e kishin lexuar. Asnjë nga ata që e lexuan nuk u identifikua më me të. Në të kundërtën, të gjithë e ndien veten të TURPËRUAR”. Pra, nga kjo ide e turpit e kemi zgjedhur këtë titull, Kanuni i turpit”. Libri është fare i shkurtër dhe ka tre intervista. Në tërësinë e vet intervistat mbështeten kryesisht në nenet mbi trajtimin e gruas dhe gjakmarrjen, si ligje barbare që e turpërojnë shqiptarin. Për rëndësinë, që ka studimi i historisë në përgjithësi po jap një thënie të* CICERONIT Marco Tullio (106-43 p.k) Orator, prozator, politikan, filozof romak: “Nescire qui quam sis açiderit, id est semper esse puerum. (Të mos njohësh ato që kanë ndodhur para se të lindje ti, është si të mbetesh gjithë jetën kalama).*

Lidhur me titullin që i ka dhënë zoti Sherifi si “Kanun i turpit,” i kujtojmë se në parathënien e Kanunit të Lekë Dukagjinit të kodifikuar në vitin 1933, nga At Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta shkruante:* “Jo vetëm kundërshtarët e komit, por edhe shumë do pedanta vendas e muhaxhirë të shtetit shqyptar, Kanunin e mbajnë ligje barbarë e popullsinë ku kanuni pat vlerë juridike për njerëz të egjër...... Ligjet e Kanunit të Lekë Dukagjinit përkojnë me ato të Romës, Bizantit, të Kanunit doksuer të teutonëve, të sllavëve, hindianëve, që nuk hyjnë në rrethin e ligjeve barbare.Përfundimi është i qartë: Nuk ka sesi ndryshe nga gjithë popujt e botës vetëm Kanuni ynë të jetë ligj barbar.”*

Në Kanunin shqiptar gruaja blihej, nuk kishte asnjë të drejtë trashëgimie, madje bashkë me pajën i jepej një fishek, me të cilin burri e vriste në rast tradhëtije dhe sjellje të keqe ndaj mikut. Mirpo në ligjet e gjermanëve të vjetër ndëshkimi ishte më i tmershëm për të njëjtin faj. Gruaja digjej mbi pleh e gjallë ose lidhej nga këmbët në bishtat e dy kuajve që e ndanin më dysh. Për faje të tjera në Kanunin e gjermanëve të vjetër përdorej tortura për njerëzit, gjë që në Kanunin shqiptar, pra tortura nuk ekziston.

Por ka edhe më te libri i Kadriut. Për fjalën Besa thuhet se ka kuptimin “Tërbim” ose “I tërbuar,” Në një shtëpi kosovari në Kanada që mbante Kanunin, Marie Nika, psikologe e diplomuar, me doktoraturë në antropologji, kur i tha të lexonte nenin 19 (28 në Botimin e tretë) për trajtimin e gruas, kosovari pasi e lexoi e mori librin e Kanunit dhe e hodhi në plehra, me neveri, duke theksuar se ky është një sharlatanizëm i neveritshëm dhe nuk ka vend në shtëpinë time. Po aty theksohet se Kanuni i Lekë Dukagjinit është i huazuar apo i ngjashëm me Kanunin afgan të fiseve Pashtun, që zbatohet edhe sot etj, etj. Kush është i interesuar mund ta ndjekë intervistën në Internet duke kërkuar: Kadri Sherifi. Kanuni i turpit.

Së pari, dua të them se Kanuni shqiptar është unik dhe nuk është i kopjuar nga Kanune të tjerë. Ai nuk gjykohet dot me mendjet e sotme, sepse ka të bëjë me zanafillën e njerëzimit (3000-3500 vjet më parë) kur njerëzit jetonin të organizuar në fise. Së dyti, në Kosovë dhe në Shqipëri njerëzit gjykohen në bazë të Kodeve civilë e penalë e jo me Kanun. Ende ruhen nga persona të veçantë disa zakone dhe ka raste kur keqtrajtohet gruaja, ndodh gjakmarja ose ngujimi i fëmijëve në rast vrasjeje. Po këto dukuri janë të rralla dhe zbatuesit e Kanunit dënohen me ligj. Por a është Kanuni si mëton Kadri Sherifi, me të intervistuarit për t’u zhdukur, hedhur në plehra se është i neveritshëm, se është turp ta mbash në shtëpi, është turpi i shqiptarëve etj etj? Në hulumtimet e albanologëve vendas dhe të huaj` Kanuni i Maleve, por edhe ai i Labërisë, vlerësohen për lashtësinë dhe vlerat e tyre të padiskutueshme, dhe sidomos për ruajtjen e identitetit të shqiptarëve. Në themel të tij Kanuni ka pasur tri fjalë: Besë, Tokë, Gjuhë. Më vonë me ndryshimet shoqërore të kushteve ekonomike, politike dhe lindjen e fesë thelbi i kanunit kaloi në fjalët: Besë, Fe, Atdhe. Në shumë krahina ku turku nuk mundi të hy është qeverisur sipas kanuneve përkatës. Mbas shpalljes së Pavarësisë Kanuni mori karakteristikat e zakonit, traditës, duke u zëvendësuar gradualisht me ligjet e qeverive shqiptare

Po citoj pa koment një pjesë të parathënies së Kanunit të Lekë Dukagjinit, botimi III, 2022, nga një mendjendritur, At Bernardin Palaj (1849-1946) vdekur në burgjet e komunizmit*. *Më 5 nëntor 2016, në sheshin pranë Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër, ai u pranua si shenjtor nga Vatikani.

“... E po kjo se qysh në kohën e Iliro-Trakvet e deri në ditët tona kjo rraca jonë shqiptare qindroi e pashueme në këtë breg të Adriatikut, do t’u njihet njatyne fiseve që qysh në Hot deri në Sul të Janinës, që prej Dibre e në Labëri ngujue ndër bjeshkët ma të thepisuna, vendet e tyre i bënë qytetza të pamërrijëshme prej anmikut; kështu gjakun ujë s’e banë, gjuhën e doket e trashigueme kurrë s’e harruen brez pas brezi tue e mbajtë të gjallë ne të kerthnesët, trashgimin ma të çmueshmin që tata ia la djalit, për djalë aty te shtrati i dekës: Besë e fe e gjuhë kurrë mos me i lëshue.... Mjafton me i lëshue një sy folklorës popullore të Shqipnisë për me njoftë personalitetin e kombit tonë e botëkuptimin e tij sipas Kanunit. Kush nuk i njef këto visare ai nuk e kupton as nuk e çmon shqiptarin pse nuk e njeh: aq më pak ka me dijtë me e eduku në kjoftë edukator si shqiptar, tue ia ruejtë personalitetin e dalluar si kombë ndër kombet e tjera Ariane të kontinentit të vjetër të Europës.”

By Gëzim Zilja