albaniana

Gjuhesi

Kongresi i drejtshkrimit

Bahri BECI I A. Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe Kanë kaluar 30 vjet nga Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Dhe tridhjetvjetori i një Kongresi, që është vlerësuar si “kuvend i madh shkencor”, për ne është një rast për reflektime e analiza të vërteta…

Bahri BECI

I

A. Kongresi i drejtshkrimit  të gjuhës shqipe

Kanë kaluar 30 vjet nga Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Dhe tridhjetvjetori i një Kongresi, që është vlerësuar si “kuvend i madh shkencor”, për ne është një rast për reflektime e analiza të vërteta shkencore, pa paragjykime a shtrembërime të asnjë natyre.

Kushtet në të cilat u mblodh KDGJSH

Kongresi i drejtshkrimit që është vlerësuar nga përfaqësuesit e gjuhësisë zyrtare si “një fitore e vijës marksiste të PPSH për zgjidhjen e problemit të gjuhës sonë letrare kombëtare”1 i zhvilloi punimet në nëntor të viti 1972. Në atë kohë “Në Shqipëri nuk ekzistonte shteti ligjor. PPSH ishte e vetmja  forcë politike në pushtet....; makina shtetërore ishte e burokratizuar dhe ushtronte dhunë e represion. Ajo ngjallte kudo psikozën e frikës... Politika e luftës së klasave... i shërbente diktatorit dhe klanit të tij për të luftuar dhe për të zhdukur gjithë kundërshtarët e vet e të regjimit »; ... njerëzit dënoheshin edhe « për shprehjen e një mendim fare të rëndomtë...”2.

“1972-shi ishte koha e vendosjes së plotë të bazave të socializmit, të ateizmit dhe të realizmit socialist në Shqipëri, ishte koha e pushtetit absolut i cili kërkonte kudo njësimin...3.

Sipas përfaqësuesve të gjuhësis zyrtare « miratimi i njëzëshëm (?!) i Rezolutës së Kongresit...ishte fryt i rrahjes së gjërë e të lirë ( ?!) të mendimit shkencor.... » etj. 4

“ Vendimet e tij (KDGJSH) e Rezoluta e miratuar njëzëri dhe e nënshkruar nga delegatët, insistonin ata, janë kurorëzim i shkëlqyer i përpjekjeve të parreshtura për vite me radhë të studiuesve e lëvëruesve të gjuhës shqipe... “5,

Dhe ne kemi të drejtë të pyesim se si ishte e mundur që në një Kongres shkencor, me një pjesëmarrje shumë të gjërë, miratimi i Rezolutës të ishte i njëzëshëm, sidomos, po të kemi parasysh që në Rezolutë ka pohime që lidhen me zhvillimin e gjuhës së shkruar, me politikën gjuhësore dhe me planifikimin gjuhësor. Kurse të tjerë kanë shtruar me të drejtë pyetjen se si shpjegohet „që kurdoherë, deri në vitet 50 e tani pas vitit 1990 ka pasur debate mbi ekzistencën e dy varianteve letrare në gjuhën shqipe, ndërsa pikërisht në kohën e kësaj arritjeje të madhe, më 1972 gjithçka u arrit pa debat? „6

Dhe asnjë nga përfaqësuesit  e gjuhësisë zyrtare deri më sot nuk i ka dhënë përgjigje kësaj pyetje. Përse?

Rreth të ashtuquajturit “njësim” i gjuhës letrare

Sipas atyre që thuhen në Rezolutën e KDGJSH, Kongresi konstatoi se « Shqipja letrare e kohës sonë ka hyrë tashmë në fazën më të lartë të zhvillimit të saj, në fazën e kristalizimit të plotë e përfundimtar », se « Ajo funksionon si një gjuhë letrare e përbashkët dhe e njësuar në të gjitha sferat e veprimtarisë shoqërore...»7

Në fjalën e mbylljes u tha se « u sanksionua njësimi i gjuhës letrare kombëtare »8.

Po sipas atyre që thuhen në Rezolutën e Kongresit, shëndërrimet e thella historike ekonomio-shoqërore i kanë dhënë shtytje zhvillimit të gjuhës letrare, zhvillimi i lartë gjuhës letrare e ka bërë të domosdoshëm drejtshkrimin e njësuar.

Mirpo, po në atë faqe të Rezolutës është shkruar e kundërta se « Përhapja dhe zbatimi i një drejtshkrimi të njësuar  në të gjitha sferat e veprimit të fjalës së shkruar ka ndihmuar për përvetësimin e ngulitjen e normave të gjuhës letrare »9

Në qoftëse deri më1967, pohohej shprehimisht se toskërishtja letrare është gjuhë letrare shqipe, në periudhën pas viti 1967, kjo fshihej dhe flitej për toskërishten letrare si për “shqipe të njësuar”. 10 Po kështu, edhe në Rezolutën e Kongresit të drejtshkrimit, flitet për “gjuhë letrare të njësuar”.11

Fjala “njësimi” është thelbi i çështjes shkruan A. Klosi. Sipas tij, Kongresi i Drejtshkrimit nuk arriti kurrfarë njësimi, sepse nuk mund të njësohen fenomene kaq të ndryshme si rotacizmi, mungesa e infinitit, hundorësia etj. me të kundërtat e tyre. Kongresi thjesht standardizoi një variant letrar, duke marrë disa elemente minimale të gegërishtes, psh. në fjalëformim, për ta pasuruar variantin e kodifikuar jugor a për ta justifikuar zhdukjen e variantit letrar verior12.

Duke bërë vlerësimin e asaj që është quajtur “gjuhë letrare shqipe e njësuar”, A. Pipa ka shkruar se “i ashtuquajturi njësim në këtë rrafsh (në rrafshin strukturor B. B) âsht një mashtrim. Reforma e GjNjSh e lên të pandryshueme fonologjinë e dialektit toskë, që karakterizohet nga rrotacizmi, indiferenca ndaj hundorësisë dhe gjatësisë së zanoreve, vokalizmi me ë dhe theksi fundor në huazimet nga turqishtja... Nga ana tjetër, morfologjia tradicionale e toskënishtes letrare nuk është prekë asgjâkund... ”duke shtuar që “Praktika e huazimit të elementëve gramatikorë nga një dialekt i shqipes në një tjetër âsht nji punë e dyshimtë... ”13

E vërteta është se KDGJSH shpalli toskërishten letrare gjuhë letrare kombëtare ose gjuhë letrare të njësuar ose më mirë gjuhë standarde. Themi shpalli, sepse në Kongres nuk u diskutua, as edhe formalisht, për gjuhën letrare. Në asnjë kumtesë nuk trajtohet problemi i formimit të gjuhë « së njësuar » letrare ose i bazës dialektore të gjuhës « së njësuar » letrare. Dhe nuk kishte sesi të diskutohej. Së pari, referati zyrtar, që përfaqësonte mendimin zyrtar, pra, në thelb, qëndrimin e deriatëhershëm të politikës gjuhësore zyrtare ndaj problemit të gjuhës letrare, nuk linte asnjë hapësirë për diskutim ose më mirë i mbyllte rrugën e diskutimeve a polemikave për këtë problem; së dyti me kalimin më 1967, nga drejtshkrimi dyvariantsh i vitit 1956, në një drejtshkrim njëvariantsh mbi bazën e toskërishtes letrare, pa ndonjë marrëveshje shoqërore, vendosja e toskërishtes letrare në bazë të gjuhës standarde shqipe ishte bërë fakt dhe për këtë nuk mund të diskutohej. Kongresit problemi i bazës dialektore të gjuhës letrare ju ofrua si i zgjidhur, pra, jo si problem për dikutim, prandaj, atij Kongresi, nuk i mbetej tjetër, veçse ta shpallte atë që tani më ishte zgjidhur pa marrëveshje, po që duhej e mund të ishte rezultat i një marrëveshjeje shoqërore14.

«Kongresi i Drejtshkrimit përcaktoi normat e gjuhës zyrtare shqipe, të ngritur mbi variantin letrar toskë. Kjo është e vërteta e thjeshtë».15 Edhe në Referatin zyrtar, të mbajtur me rastin e 25 vjetorit të KDGJSH më 1998, është  pranuar se, për të kaluar në një normë të njësuar, të vetme, duhej zgjedhur ose hëna ose hana, ose kam punuar, për të punuar, i punuar ose  kam punue, për me punue, i punuem ; ose mësues ose mësonjës16, që përbëjnë dallimet kryesore ndërmjet dy dialekteve të shqipes, gegërishtes dhe toskërisht. Pra, për të kaluar në një «  normë të njësuar » duhej zgjedhur ose gegërishtja letrare ose toskërishtja letrare, po zgjedhja kishte kohë që ishte bërë dhe dihet se si dhe nga kush, mbetej vetëm  të shpallej dhe Kongresi e shpalli toskërishten letrare shqipe standarde. Kjo ishte e gjitha.

„ ...Rruga e formimit të gjuhës sonë letrare kombëtare nuk është aspak “sui generis” ka shkruar M. Çeliku. Në bazë të saj është vënë varianti letrar tosk, kryesisht në sistemin fonetik e gramatikor; ndërsa në sistemin leksikor i është lënë fushë ndërfutjeje, por jo më tepër, edhe pasurisë leksikore gege, kur dihet se dallimet themelore midis dy dialekteve lidhen kryesisht me tipare fonologjike - morfologjike. Deri më tani ky pohim është kundërshtuar me forcë dhe me çdo kusht, duke bërë përpjekje ...për të provuar rrugën e veçantë të formimit të gjuhës sonë letrare kombëtare. Ky konceptim teorik i rrugës shqiptare, gjoja origjinale, të formimit të gjuhës letrare kombëtare, solli dy dëme të mëdha në praktikë: euforinë e kodifikimit: duhet të kodifikohej çdo element dhe në një kohë rekord; së dyti, kodifikimi i drejtshkrimit pothuaj u barazua me kristalizimin e gjuhës letrare kombëtare, duke injoruar evoluimin dhe konvergimin e gjuhës së folur dhe procesi u quajt i mbyllur“17.

Po kështu I. Ajeti, që në asnjë rast nuk ka vënë në dyshim shpjegimet e Kostallarit,  ka pranuar se « në bazë të saj (gjuhës letrare shqipe ose më mirë shqipes standarde BB) është vënë dilekti i toskërishtes letrare... »18. Madje ai është përpjekur ta arsyetoj zgjidhjen e zbatuar19.

Pra, në vijim të politikës gjuhësore të ndjekur nga partia-shtet, pjesëmarrësve të Kongresit nuk u dha mundësia që të bënin së paku, dallimin « Gjuha standarde » dhe « gjuhë e letërsisë artistike »20.  Si rezultat i këtij qëndrimi, në Shqipëri, deri më 1992, shkrimtarët nuk kishin të drejtë të zgjidhnin, pra, mohohej e drejta e zgjedhjes estetike. Dhe cila do të ishte e keqja, në qoftë se standardizimi i shqipes do të bëhej mbi bazën e toskërishtes letrare dhe shkrimtarët do të liheshin të lirë të kultivonin variantin ose nënvariantin që dëshironin? Që më 1952 E. Çabej kërkonte të bëhej dallimi ndërmjet shqipes standarde dhe gjuhës së letërsisë artistike. „S’e kam fjalën për një gjuhë letrare të vetme, sepse shkrimtarët mund të vazhdojnë të shkruajnë në dialektin e tyre, po është puna për një gjuhë n’administratë, nëpër tekste shkollore, e tjerë”, pohonte E. Çabej. „Unë, vazhdonte ai,  nga ana e literaturës nuk shoh ndonjë fatkeqësi në faktin që shqiptarët nuk e shkruajnë të gjithë gjuhën e tyre në një trajtë, po në dy forma dialektore të ndryshme...“ 21

«Çdo kultivim është i mirë...,ka theksuar R. Ismajli. Kultivimi i çdo lloji të shprehjes është ecje përpara, është ndihmë për standardin...  »22. « Gjuha standarde dhe gjuha letrare (në kuptimin gjuhë e letërsisë artistike BB) janë dy gjëra të  ndryshme. Në letërsi lejohet çdo lloj kombinimi, çdo lloj shprehje, sepse kjo shpreh zgjedhjen estetike të shkrimtarit. Në përdorimet e tjera nuk është çështja për zgjedhje estetike, por çështje kryesore është komunikimi relativisht i rrafshuar dhe i kuptueshëm për sa më shumë shtresa dhe sa më shumë njerëz.... »23.

Edhe I. Kadaresë, i cili, siç dihet, ka qenë shumë i ndjeshëm ndaj këtij problemi, po në të njëjtën kohë aspak indiferent ndaj politikës gjuhësore të ndjekur nga partia-shtet dhe ndaj asaj që ai e ka quajtur “liria e krijimit”, kurse ne “e drejta për gjuhën” ka shkruar : “Që çdo shkrimtar ka të drejtë të përdorë gjuhën, dialektin, madje nëndialektin që dëshiron, kjo hyn në lirinë e krijimit, dhe askush nuk mund t’i ndërhyjë ”, “Që në institucionet shtetërore, në shtyp, TV, sistemin shkollor e tjerë shteti bën të detyrueshëm gjuhën e njësuar kjo gjithashtu nuk vihet në dyshim”, “Që ky njësim nuk prek asnjë fije traditën letrare e cila në jetë të jetëve do të lexohet e studiohet ashtu siç është shkruar, as për këtë nuk ka kurrfarë mëdyshje”.24 Besoj se është e qartë. Për Kadarenë, pra, është krejt normale që, krahas shqipes standarde, e cila është e detyrueshme për institucionet shtetërore, të funksionojnë në letërsinë artistike edhe variante dialektore, madje edhe nëndialektore.

Rreth të ashtuquajturit “drejtshkrim i njësuar”

Në Rezolutën e Kongresit, pasi insistohej që  « Shqipja letrare e kohës sonë ka hyrë tashmë në fazën më të lartë të zhvillimit të saj, në fazën e kristalizimit të plotë e përfundimtar » shtohej që «  ...Kjo shkallë e lartë zhvillimi kërkon edhe përcaktimin e normave drejtshkrimore sa më të plota, sa më të njësuara dhe të qëndrueshme ».25

Formalisht kërkohej që « Rregullat e drejtshkrimit të mbështeten sa më gjërë në trajtat e përbashkëta të gjuhës kombëtare shqipe », ose « Kur në shqiptimin letrar do të kishte variante normative, drejtshkrimi do të mbështetej tek ajo trajtë që ishte më e përgjithshme dhe që pajtohej me prirjen e zhvillimit të sistemit fonetik të gjuhës letrare »26.

Po në të vërtetë çfarë u bë ?  “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, Projekt”, Tiranë, 1967 që në të vërtetë ishin rregullat e drejtshkrimit të toskërishtes letrare,  KDGJSH i shpalli si drejtshkrim « i njësuar » i gjuhës shqipe, në kuptimin jo të asaj që kërkonte E.Çabej « afrimin sa më të madh të dy dialekteve në shkrim », ose Konferenca e Ortografisë e vitit 1953, « që të shpihet më tutje procesi i njëzimit të ortografisë, duke ndjekur rrugën e afrimit të dialekteve të folmeve »27, po të asaj që ishte bërë çështje themelore e politikës gjuhësore të shtetit monist « afirmimit të toskërishtes letrare dhe mënjanimit a përjashtimit të gegërishtes letrare të shkruar ».

Të dhënat e historisë së  standardizimit të shqipes flasin fare qartë për këtë të vërtetë që vazhdon të mohohet edhe sot e gjithë ditën nga përfaqësues të gjuhësisë zyrtare të periudhës së pasluftës.

Siç dihet, deri në vitin 1944 funksiononin rregullat drejtshkrimit të hartuara nga Komisia Letrare shqipe e Shkodrës (« Parime e rregulla mbi orthografin e gjuhës së shkrueme » të aprovuara më 29 janar 1917)28, që përfaqësonin një drejtshkrim « të njësuar » (njëvariantsh) mbi bazën « e dialektit të Elbasanit me disa ndryshime », pra, të  gegërishtes letrare29. A. Kostallari ka pranuar që « Vendimet e Komisisë Letrare i afruan mjaft të dy variantet letrare në shkrim dhe, pasi u miratuan nga Kongresi Arësimor i Lushnjes, më 1920, u bënë baza e drejtshkrimit të shqipes në vitet 20-40 të shekullit tonë »30

Pas 1944 kalohet në një drejtshkrim « jo të njësuar », pra, në një drejtshkrim me dy variante (dyvariantësh), gegërishte letrare e toskërishte letrare, duke i dhënë përparësi toskërishtes letrare31. Pra, në të vëretë, u mënjanua varianti « i njësuar » (njëvariantësh) i drejtshkrimit mbi bazën e gegërishtes dhe u preferua të kalohej në një  drejtshkrim dyvariantësh, ku variant i parë ishte toskërishtja letrare32. Edhe A. Kostallari ka pranuar se deri më 1967 « vazhdoi të rëndonte trysnia e dy varianteve letrare, që kërkonin dy drejtshkrime »33. Me 1967 u botuan « Rregullat e drejtshkrimit të shqipes (Projekt) ». Në këtë botim  u mënjanua nga drejtshkrimi dyvariantsh i gjuhës shqipe, varianti gege i drejtshkrimit, dhe u kalua përsëri në një drejtshkrim njëvariantsh, po kësaj radhe tërësisht mbi bazën e toskërishtes letrare. Pra, më 1967 varianti i drejtshkrmit të toskërishtes letrare u shpall si dretshkrim “i njësuar“ i gjuhës letrare. Pa asnjë vendim u hodhën poshtë vendimet e marra për këtë çështje deri më 1944. Pra, siç shkruan M. Çeliku, pesë vjet para Kongresit « u botua dhe u zbatua me urdhër » 34 drejtshkrimi i toskërishtes letrare i vitit 1967(« Rregullat e drejtshkrimit të shqipes (Projekt) » ) si drejtshkrim « i njësuar ». Pra, pa u thënë shprehimisht,  në vitin 1967 rregullat e drejtshkrimit të toskërishtes letrare u shpallën si rregullat e drejtshkrimit të njësuar të shqipes. Dhe ky kalim nuk ka, me sa dimë ne, prapa firmen e ndonjë institucioni kombëtar të autorizuar nga intelegjenca shqiptare. Dhe ne kemi të drejtë të pyesim se përse.35 Pra, është vërtetë e çuditshme që edhe sot e gjithëditën ne nuk e dimë se kush e ka « meritën » për realizimin e kësaj « kthese » a « hapi cilësor » përpara.36

Po lejohemi të kthehemi pak prapa dhe ta krahasojmë këtë qëndrim me atë të  Komisisë Letrare në Shkodër më 1917.

Në « Parime e rregulla mbi orthografin e gjuhës shqipe të shkrueme » të botuara më 1918 thuhej shprehimisht që « Si themel i orthografis do te mirret djalekti Elbasanit me disa ndryshime »37, kurse në Rezolutën e Kongresit të drejtshkrimit nuk thuhet asnjë fjalë për bazën dialektore të drejtshkrimit, madje mbulohet e vërteta me pohime të tilla si  « ...Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe vendosi : 1. Rregullat e drejtshkrimit të mbështeten sa më shumë në trajtat e përbashkëta të gjuhës kombëtare » që asnjeri nuk e ka të qartë se çfarë duhet kuptuar me këtë. Kur trajtat janë të përbashkëta, vetkuptohet që ato do të jenë edhe format normative drejtshkrimore, pra, nuk shtrohet problemi i zgjedhjes ndërmjet dy alternativave. Problemi shtrohet për rastet, kur në gjuhën shqipe do të kishte variante. Për këto raste, që përbëjnë edhe thelbin e problemit, është shkruar se « kur në shqiptimin letrar ka variante normative, (drejtshkrimi BB) do të mbështet tek ajo trajtë që është më e përgjithshme dhe që pajtohet me prirjen e zhvillimit të sistemit fonetik të gjuhës letrare »38, po se çfarë përfaqëson kjo prirje drejt sistemit fonetik të gjuhës letrare nuk thuhet asgjë shprehimisht, po besoj se vetkuptohet se është fjala për sistemin fonetik të toskërishtes letrare, pra, mbulohet e vërteta, dmth, marrja për bazë e toskërishtes.

KDGJSH për historinë e formimin e shqipes standarde

Në rezolutën e KD, pasi pranohet, ndër të tjera, që « themelet e gjuhës letrare janë hedhur që në kohën e Rilindjes », shtohet se « ato që i kanë dhënë një shtysë të fuqishme e të pandërprerë njësimit të gjuhës letrare kombëtare shqipe, janë zhvillimi i hovshëm e cilësor i kulturës, i letërsisë dhe i shkencës mbi bazën e shndërrimeve të thella historike ekonomiko-shoqërore që janë kryer në Shqipërinë socialiste nën udhëheqjen e Partisë së Punës e që kanë sjellë ndryshime të thella edhe në vetëdijën gjuhësore të popullit tonë ».  « Masat e gjëra popullore, vazhdon  Rezoluta, në kundërshtim me pikëpamjet e ngushta lokaliste, kanë luftuar për një gjuhë letrare të njësuar dhe kanë përkrahur me dashuri çdo përpjekje që i ka shërbyer këtij qëllimi » 39.

Duke folur për shpjegimet e përfaqësuesve të gjuhësisë zyrtare për rrugën e formimit të gjuhës letrare kombëtare, M. Çeliku ka shkruar „Një nga tezat themelore të gjuhësisë shqiptare, ku politizimi është shfaqur më dukshëm, është teza e formimit të gjuhës letrare kombëtare. Motivimi teorik që i është bërë mënyrës së formimit të gjuhës letrare kombëtare, ka qenë gjithashtu tërësisht dhe në mënyrë të ndërgjegjshme një motivim i politizuar ». 40« Nga dy variante letrare, që të dyja kandidate për t’u ngritur në standard, shkruan M. Çeliku, udhëheqja partiake shtetërore parapëlqeu dhe mbështeti variantin letrar jugor, toskërishten letrare, duke i dhënë kësaj statusin e standardit. Nuk ka dyshim, në përzgjedhje në këtë rast mbizotëroi subjektivizmi, sepse toskërishtja ishte varianti që përdorte udhëheqja më e lartë e partisë dhe e shtetit ».41

Sipas R. Qoses “Zgjedhja e toskërishtes për themel të gjuhës së njësuar letrare është vendim para së gjithash politik, i marrë duke u pasur parasysh vullneti i klasës politike në pushtet”.42

“Në thelb, historikisht, shumë dialekte ose variante janë ngritur në nivelin e gjuhës shtetërore në bazë dhune: principata ose monarku më i fuqishëm kanë vendosur edhe për gjuhën e shtetit. Një gjë e ngjashme ndodhi edhe në Shqipëri shkruan A. Klosi43.

Edhe studiuesja me e mirë e historisë së formimit të shqipes standarde, amerikanja J. Bajron, ka shkruar “Kjo zgjedhje ndodhi për shkak të faktorit politik: shumica e njerëzve që sollën fitoren e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare në Shqipëri vinte nga jugu, dhe dokumentet e Çlirimit kombëtar qenë shkruar kryesisht toskërisht. Kur prijësit e Lëvizjes erdhën në pushtet, ata imponuan dialektin e tyre në vend të normës kombëtare...“.44

Edhe studiuesja franceze O. Daniel, ndër të tjera, ka shkruar se “Gjuha shqipe ka pësuar ndërhyrjen e shtetit totalitar siç ishte Shqipëria gjatë periudhës së pushtetit stalinist. Duke u frymëzuar nga politika staliniste, politikanët shqiptarë, duke dashur të modelojnë një shtet homogjen nën flamurin e komunizmit, ... imponuan mbi gjithë territorin “gjuhën e njësuar”, që në fakt, nuk ishte rezultat i afrimit të dy dialekteve të shqipes... Kodifikimi i gjuhës që u imponua ligjërisht më 1972, nuk doli nga një proces natyral; ai qe provokuar në mënyrë të beftë nga instancat drejtuese të shtetit që dëshironin të ndërtonin legjitimitetin e tyre dhe të fusnin ideologjinë përmes gjuhës... ”45.

B. Probleme të realitetit të sotëm gjuhësor dhe të politikës së sotme gjuhësore Statusi i sotëm i gjuhës shqipe

Vitet e fundit kanë qënë vite të zhvillimeve të vrullshme për popullin shqiptar, me pasoja edhe për zhvillimet gjuhësore, sidomos për statusin e gjuhës shqipe. Nuk duam të futemi në hollësira, po zhvillimet e fundi në Kosovë e Maqedoni kanë sjellur një status të ri të shqipes në këto anë. Në Kosovë, në qoftëse deri para dy vitesh, shqipja  gëzonte statusin e gjuhës zyrtare së bashku me serbo-kroatishten, sot ajo funksionon si gjuhë zyrtare e Kosovës. Si rezultat e këtij statusi të ri ajo ndodhet në raporte shumë më pak intensive me serbo-kroatishten. Veç kësaj, që këtej e tutje,  brezi i ri i Kosovës nuk është i detyruar ta mësoj serbokroatishten në shkollë ose edhe ta përdorë për nevoja të komunikimit me institucionet, kështu që gjuha shqipe në trevat e Kosovës është çliruar nga presioni i serbo-kroatishtes. Kjo e ka vënë shqipen e folur dhe të shkruar në Kosovë në një situatë të re që kërkon shqyrtime e vlerësime të reja.

Po kështu në Maqedoni gjuha shqipe, nga gjuhë zyrtare krahinore, ka fituar statusin e gjuhës zyrtare bashkë me maqedonishten. Kjo situat e re krijon, sigurisht, kushte të reja më të favorshme për kultivimin  e shqipes në këto vise dhe kërkon politika dhe praktika adekuate me situatën e re të krijuar.

Në Mal të Zi gjuha shqipe vazhdon të mos gëzojë statusin e gjuhës zyrtare, megjithatë ajo mësohet në shkollë dhe përdoret në botimet e veprimtaritë e tjera lokale. Po kështu edhe në Serbinë jugore.

Më problematik është statusi i shqipes në viset shqiptare të Greqisë  veriperëndimore si edhe tek arbreshët e Italisë e të Greqisë.  Një problem gjuhësor me vete paraqet nga kjo pikëpamje edhe emigracioni i ri shqiptar. Gjithësesi kemi të bëjmë me një problematikë që kërkon shtjellime më të gjëra, po që nuk guxon të mos përfillet, kur është fjala për ta çuar përpara procesin e formimit gjuhësor të shqiptarëve kudo që janë.

Probleme të funksionimit të shqipes standarde në etapën e sotme 

Është një gjë e ditur që në momentin që pranohet një gjuhë  standarde mbi bazën e një dialekti, ajo vetvetiu fiton një status të ri, që, gjithësesi, e vë atë në raporte të reja me ish-varianteve letrare dialektore dhe dialektet. Pra, shqipja e sotme standarde, pas tridhjetë vite funksionimi, ka fituar tiparet e një gjuhe mbidialektore e cila, për arsye edhe të zhvillimeve të reja historike e demografike ndodhet nën ndikimin e varianteve të tjera të shqipes. Gjithësesi, për shumë arsye, përfshirë edhe statusin historikisht të pabarabartë të shqipes në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni,  nuk mund të vihet sot për sot shenja e barazimit lidhur me situatën e përgjithshme, po edhe lidhur me funksionimin e shqipes standarde në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni. Aq më pak mund të heqen paralele me situatën e shqipes në përgjithësi dhe funksionimin e shqipes standarde në Mal të zi, në Serbinë jugore  e Greqinë veriperëndimore ose në diasporën shqiptare.

Në  Shqipëri, Kosovë e Maqedoni shqipja standarde, duke qenë gjuhë zyrtare, funksionon si mjet komunikimi i detyrueshëm në institucionet shtetërore, në shtyp, në botimet, në radio televizion dhe  në tërë sistemin shkollor e tjerë. Në Mal të zi, në Serbinë jugore, ajo mësohet në shkollë dhe përdoret në botimet e veprimtaritë e tjera lokale. Kurse në Greqinë veriperëndimore, ajo, as nuk mësohet në shkollë, as përdoret në botimet ose në veprimtaritë e tjera lokale. Në diasporën shqiptare ajo përdoret në botimet, po krahas saj përdoret edhe një variant i shkruar i gjuhës së folur në vend. Kështu për shembull arbëreshët e Italisë, paralelisht me shqipen standarde, përdorin në botime arbërishten letrare me specifikat përkatëse rajonale e deri individuale.

Një dukuri e re që është vënë re pas zhvillimeve demokratike në Shqipëri dhe, pjesërisht, edhe në Kosovë, ësht kultivimi nga disa autorë i letërsisë artistike në gegishten letrare. Duhen studime për të përcaktuar shkallën e përdorimit të gegërishtes letrare këto dhjetë vitet e fundit. Ky është një realitet i ri gjuhësor i bërë i mundur vetëm tani në vitet e zhvillimeve demokratike. Ky zhvillim është vlerësuar nga disa si një rezik për shqipen standarde, kurse nga disa të tjerë si shprehje e larmisë dhe pluralizmit46.

Një realitet tjetër gjuhësor, që vjen nga e kaluara, po që është gjithësesi i lidhur edhe me zhvillimet e sotme gjuhësore, është edhe prania e një literature të gjërë të shkruar në toskërishten letrare dhe në gegërishte letrare deri në vitin 1972, kur toskërishtja letrare u shpall shqipe standarde dhe kur kultivimi i gegërishtes letrare praktikisht u ndalua.

Kjo është pak a shumë situata e shqipes së shkruar në Shqipëri, po me pak dallime edhe në Kosovë, edhe Maqedoni. Është një problematikë tjetër shumë aktuale, analiza e aspektit strukturor të varianteve të shqipes të përdorura në gjuhën e folur dhe të shkruar, përfshirë këtu edhe shqipen standarde. Shkalla dhe mënyra e funksionimit sidomos e Shqipes standarde të shkruar përbën sot një nga shqetësimet më të mëdha të opinionit publik e shkencor. Pra, në kushtet e sotme, kur shqipja standarde funksionon si mjet themelor komunikimi në marrëdhëniet shtetërore, në shkollë dhe në shtyp, nuk është shqetësuese në se një shkrimtar shkruan në gegërishten letrare, shqetësuese  sot është se si shkruhet në shqipen standarde e pse jo,  edhe në gegërishten letrare. Pra, ne mendojmë se, kushdo që shkruan në gjuhën shqipe, përfshirë edhe ata që shkruajnë në variantin letrar geg, duhet të respektojnë normat përkatëse. Gjithësesi, kryesore në etapën e sotme është  shkalla e zbatimit të normës si edhe kërkesa për gjetjen dhe përdorimin e mjeteve gjuhësore efikase e të goditura në përputhje me veçoritë e stileve të shqipes standarde dhe të rregjistrave të saj themelor. Shqipja standarde e shkruar, po edhe e folur,  duhet çliruar nga frazat stereotipe, nga konstruktet e sforcuara që nuk janë pajtim me natyrën e shqipes, duhet gjallëruar e pasuruar më shumë ajo, duhet përfituar më shumë nga tërësia e pasurisë gjuhësore shqipe në të gjitha varietet e saj, po, sigurisht, pa rënë në vulgarizime që e dëmtojnë shqipen standarde. Shkenca duhet të ndihmojë në evidentimin e propogandimin e çdo gjëje të goditur e të arrirë në këtë fushë përmes analizash e sintezash shkencore. Shqipja standarde e folur është privilegjë i një elite shqiptare që është e vendosur kryesisht nëpër qytet kryesore të vendit dhe që ka një formimi të përgjithshëm e një formim gjuhësor të veçantë. Përqindja e atyre që përdorin shqipen standarde të folur është ende e vogël dhe lidhet me shumë faktorë, si shkalla e arsimimit, origjina e folësit, vendbanimi, kontaktet gjuhësore etj.

Për shkaqe që dihen, në botën shqiptare janë të shumtë folësit që ruajnë lidhjet me dialektin dhe që e kanë të vështirë ose të pamundur të kalojnë në kodin e shqipes standarde qoftë edhe në situata të veçanta. Duke lënë më një anë këtë kategori folësish që përbën ndoshta shumicën e folësve të gjuhës shqipe, folësit që synojnë standardin edhe në rastin më të mirë e kanë të vështirë të ndryshojnë bazën artikulative të formuar në ambjentin familjar dhe të flasin në standard. Pra, përjashtuar një numër të caktuar folësish me origjinë jugore, kryesisht të kryeqytetit si edhe, të disa të tjerëve, po me origjinë jugore, po që, formimin e tyre gjuhësor e kanë bërë jasht ambientit krahinor, që e flasin shqipen standarde, të tjerët, kush më pak e kush më shumë, ruajnë veçoritë e së folmes së krahinës. Sigurisht që problemet më të mëdha lidhur me funksionimin e shqipes standarde janë në trevat veriore të territorit shqiptar, ku dallimet me shqipen standarde janë më të mëdha dhe ku ndikimi i dialektit vazhdon të jetë i fuqishëm. Problemet që dalin për folësit e shqipes standarde në këto teritore janë të shumta dhe kërkojnë hulumtime të posaçme. Ne kemi përshtypjen që, si rezultat i ndikimit të dialekteve, në folësit e shqipes standarde vihet re një prirje për krijimin e varianteve regjionale të shqipes standarde çka përbën një problematikë më vete studimore...

...

Shënime

1 E. Lafe, në Fjalor enciklopedik shqiptar, Tiranë, 1985, f. 150.

2 Historia e popullit shqiptar, Tiranë, 1994, 230-231.

3 A. Klosi, Pasuria e gjuhës një nga pasuritë e pakta të Kombit, « Aleanca », Tiranë, 1 shtator 1995, f. 12.

4 A. Kostallari, Fjala e mbulljes së Kongresit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe nga prof. AndrolliKostallari, Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, I, Tiranë, 1973, f. 223-224...

5 Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, I, Tiranë, 1973, f. 20-21.

6 A. Klosi, Pasuria e gjuhës -një nga pasuritë e pakta të kombit, « Aleanca », Tiranë, 1 shtator 1995, f. 12.

7 Rezolutë e Kongresit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, I, Tiranë, 1973, f. 185

8 A. Kostallari, Fjala e mbylljes së Kongresit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe nga prof. AndrolliKostallari, Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, I, Tiranë, 1973, f. 221..

9 Rezolutë e Kongresit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, I, Tiranë, 1973, f. 185.

10 Rezolutë e Kongresit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, I, Tiranë, 1973, f. 185.

11 Rezolutë e Kongresit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, I, Tiranë, 1973, f. 192-193.

12 A. Klosi, Pasuria e gjuhës një nga pasuritë e pakta të Kombit, « Aleanca », Tiranë, 1 shtator 1995, 12.

13 A. Pipa, Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste (Pjesë nga libri The politics of Language in Socialist Albania, New York, 1989), botuar në Albanica, 1992, 3-4,  f.  38.

14Dhe pas gjithë këtyre të deklarosh se «politika gjuhësore e Partisë së Punës dhe e pushtetit popullor për ndërtimin e një gjuhe letrare është nisur, jo nga pozitat e një dialekti a të një krahine... » dhe se «ajo ka përkrahur të përbashkëtën, kombëtaren, populloren» (A.Kostallari: Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë, Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë, Tiranë, 1988, 38; botuar edhe në « Studime filologjike », 4, Tiranë, 1984, f. 29), do të thoshte të shtrembëroje të vërtetën. Këto pohime hidhen posht si të pabazuara nga ato që ka shkruar Dh. Shuteriqi kohë para tij : “duke influencuar në mënyrë të vetëdijshme mbi shtypin, radion, shkollën e përkthimet në radhë të parë, mos jemi duke gabuar, mos po imponojmë dialektin e jugut artificialisht si bazë të. gjuhës sonë letrare të vetme”. Dhe pergjigja që i jepte kësaj pyetjeje ishte se “Ndikimi që kemi ushtruar e duhet të ushtrojmë mbi kryerjen e procesit të njësimit të gjuhës sonë të shkruar në bazë të dialektit jugor më duket një ndikim i drejtë e i dëshirueshëm” ‘(Shuteriqi , Diskutim në Sesionin e parë shkencor të Institutit të shkencave për vitin 1952, Buletin i Institutit të shkencave, SShSh,  janar-mars, 1, Tiranë, f.  55, 57. Mbi gjuhën letrare kombëtre shqipe, Buletin për Shkencat Shoqërore, 4, Tiranë, f. 14-39.)

15 A. Klosi, Pasuria e gjuhës një nga pasuritë e pakta të Kombit, « Aleanca », Tiranë, 1 shtator 1995, f. 12.

16I. Ajeti-E. Lafe, Njëzet e pesë vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit (Vlerësime dhe vështrime në të ardhmen), Studime filologjik, Tiranë, 1998, 162, f. 7.

17 M. Çeliku, Çështje të shqipes standarde, Tiranë, 2001, f. 10. Në vazhdim ai shkruan : “Gjuha jonë letrare mbështetet dukshëm në një variant letrar mbidialektor ».  Besoj se ka dashur të thotë « variant letrar mbidialektor tosk », përndryshe do të kishim të bënim me dy pohime kontradiktore.

18 I. Ajeti, Gazeta shqiptare, 12 shtator 1995. Ajo që të bën përshtypje është se edhe  në referatin kryesor edhe në dokumentet bazë të Kongresit në asnjë rast nuk pohohet kjo e vërtetë (standardizimi i toskërishtes letrare, i realizuar në praktikë më 1967 përmes « Rregullave të drejtshkrimit të shqipes, Projekt »), po flitet për « gjuhë letrare të njësuar », për « normë kombëtare të kristalizuar », për  « njësim të drejtshkrimit » të gjuhës shqipe etj.( Rezolutë e Kongresit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, I, Tiranë, 1973, f. 183.)

Dhe  të gjitha këto paraqiten  « si rrjedhim ligjësor i këtij procesi dhe si çfaqje e fazës së fundit të kristalizimit të normës letrare », duke shtuar « që njësimi i drejtshkrimit parakupton dhe vulos njësimin strukturor të gjuhës letrare të përbashkët për gjithë popullin » A. Kostallari, Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, I, Tiranë, 1973, f. 53.

19I. Ajeti përpiqet ta shpjegojë ndërrimin e bazës dialektore të shqipes zyrtare ose letrare menjëherë pas Luftës me “epërsinë e toskërishtes letrare” (I. Ajeti, Vepra, 2, Prishtinë, 1988, f.299),  po ky shpjegim bie në kundërshtim me të dhënat që disponohen lidhur me rrugën që u ndoq konkretisht për ndryshimin e bazës dialektore të gjuhës letrare pas vitit 1944. Është e vërtetë ajo që shkruan Ajeti se “nga pikëpamja thjesht gjuhësore s’ka dialekt të një gjuhe që mos mund të merret e të vihet në bazë të gjuhës letrare, të gjuhës së shkrimit të një populli”, pra, nuk janë faktorët e mbrëndshëm gjuhësorë që përcaktojnë bazën dialektore të gjuhës letrare. E kjo vlen edhe për shqipen. Kështu që, pohimet që vijojnë të I. Ajetit se “ai dialekt që mendohet se i plotëson kërkesat e duhura në fonetikë e në morfologji do t’i ketë sa më të drejta e të përgjithësuara; të gëzojë një lloj privilegji a epërsie ndaj të tjerave të asaj gjuhe...” dhe se “një e folme e tillë ndër toskët është ligjërimi i Përmetit me rrethin e tij; ajo e folme toske - do të thoshim, është një toskërishte që i afrohet gjuhës letrare shqipe për mrekulli, bile, me trajta fonetike dhe morfologjike më të drejta e të sakta se ç’është gjuha e vëllezërve Naim e Sami Frashëri... Po të kishte pasur gegërishtja një dialekt të tillë të pastër e të pasur (si ligjërimi i Përmetit me rrethina B. B), do t’i konkuronte toskërishtes dhe shumëkush në Kongresin e Drejtshkrimit të 1972-ës, do të lëkundej për toskërishten apo gegërishten” (I. Ajeti, Vepra, 2, Prishtinë, 1988, f. 280). Po këto  hidhen poshtë po nga autori, kur shton “po të përjashtohej, natyrisht faktori jashtëgjuhësor, faktori shoqëror a politik” për të cilin thotë se është “faktori ndër vendimtarët në punën e zgjedhjes së gjuhës letrare” (I. Ajeti, Vepra, 2, Prishtinë, 1988, f. 280). R. Qosja, lidhur me këtë problem, ndër të tjera, ka shkruar se “Ne nuk mund të themi se toskërishtja është marrë për themel të gjuhës së njësuar letrare për shkak se është dialekti që më së pakti dallon prej dialekteve të tjera! Toskërishtja dallon prej gegërishtes po aq sa gegërishtja prej toskërishtes, kurse prej shumicës së të folmeve të tjera të shqipes më shumë se gegërishtja” (R. Qosja, Gjuha e njësuar letrare-Njëzetekatër vjet të gjuhës së njësuar letrare, Gjurmime albanologjike, Seria e shkencave filologjike, 26, Prishtinë, 1996, f.59.

20R. Ismajli po edhe të tjerë e kan theksuar me forcë se askush nuk guxon t’i heq të drejtën shkrimtarit të shkruaj në variantin që preferon  « Ka shkruar edhe Anton Pashku gegërisht dhe askush nuk e ka zhvlerësuar. Romani “Oh” është edhe gegërisht. Martin Camaj gjithashtu ka shkruar gegërisht, edhe në vitet -90. Dhe, askush nuk e zhvlerëson as mbivlerëson për këtë punë Martin Camajn. Në letërsi nuk ka probleme të tilla. Në kulturat e mëdha, për shembull, në Itali ka një valë të tërë njerëzish që duan të shkruajnënë dialekt. Ajo është një çështje tjetër.  Autori zgjedh. Ajo është zgjedhje estetike.... » (R. Ismajli, Java 3 tetor 2002, f 20.)

21Buletin për Shkencat Shoqërore, Tiranë, 1952, VI, 119

22“Të mendosh që tëkrijosh tash një gjuhë standarde gege, për mendimin tim, është një kthim prapa...Por, assesi nuk mendoj se standardi duhet të mbetet vetëm ashtu si është, por duhet të përpiqemi që duke e kultivuar, duke e ngritur në një rrafsh më të lartë standardin, ta zgjerojmë atë. Dhe, nuk ngrihet standardi në një rrafsh më të lartë pa u zgjeruar. Zgjerimi nuk bëhet me një politikë rigjide, dirigjiste, por bëhet me një politikë gjuhësore liberale » (R. Ismajli, Java 3 tetor 2002, f 20.)

23R. Ismajli, Java, 3 tetor 2002, f 20

24I. Kadare, Në tempull hyhet me dashuri, jome sopatë në dorë, Aleanca, Tiranë, 17 Nëntor 1995, f. 9.

25Rezolutë e Kongresit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, I, Tiranë, 1973, f. 185. Këtu është e nevojshme të theksojmë se Kongresi i drejtshkrimit ka meritën se vijoi dhe çoi  më tutje punën e nisur për kodifikimin e drejtshkrimit të toskërishtes letrare, përmes ridiskutimit të « Rregullave të  drejtshkrimit të shqipes, Projekt, 1976 ». Pra, në fakt Kongresit iu shtrua për diskutim një drejtshkrim i toskërishtes letrare që ishte një variant i rishikuar dhe i përmirësuar i variantit letrar tosk të rregullave të drejtshkrimit të botuara për herë të parë në vitin 1948 (ortografi e gjuhës shqipe në dy variante), po të rishikuara në vitin 1956.  Pra, ky ishte drejtshkrimi për të cilin u diskutua dhe u morën vendime për përmirësimin e tij të mëtejshëm. Duke gjykuar nga ato që shkruhen në Rezolutën e Kongresit lidhur me këtë problem, të krijohet pershtypja se po diskutohej për një drejtshkrim që ishte rezultat i një « marrëveshje » dhe që në zgjidhjen e problemeve do të merrej parasysh, shtrirja e tyre në « gjuhën kombëtare shqipe ». E e vërteta ishte se problemet po zgjidheshin e do të zgjidheshin në pajtim me bazën dialektore toske të sistemit fonetik e morfologjik të  shqipes standarde.

26 Rezolutë e Kongresit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, I, Tiranë, 1973, f. 187

27 M. Domi, Parimet dhe kriteret e ortografisë, cituar sipas J. Kastratit në Buletin Shkencor i Institutit duvjeçar të Shkodrës, 1970, 9, f. 104-105. Edhe A. Kostallari , duke ju referuar fjalës së mbajtur nga A. Xhuvani për detyrat në fushën e studimeve gjuhësore më 1947 (shih Buletin i Institutit të Studimeve, Tiranë, 1947, 1) formalisht pranonte se në fazën e parë të pasluftës (1944-1956) vija themelore për zgjidhjen teorike e praktike të problemit të drejtshkrimit ishte « struktura fonetike e shqipes (pra jo e toskërishtes BB), përdorimi më i përhapur i trajtave morfologjike (pra shtrirja e dukurive morfologjike në mbarë gjuhën shqipe BB) dhe afrimi i dy dialekteve ( pra jo vënie e toskërishtja letrare në bazë të zgjidhjes së problemit BB) (A. Kostallari, Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj, Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, I, Tiranë, 1973, f. 104-105, referat i mbajtur në nëntor të vitit 1972).

28 Në Posta e Shqipnis, nr. 95, 3 nëntor 1917 dhe  në Laimet e Komisis Letrare Shqipe në Shkodër, V. I, nr. 1, Kallënduer, 1918, f. 2-13.

29 Për ne është e paqartë ajo që ka shkruar A. Kostallari se “Komisia sanksionoi dy drejtshkrime, si shprehës të dy varianteve letrare » duke shtuar se « Detyra për të krijuar një gjuhë letrare të njësuar e një drejtshkrim të vetëm i mbeti epokës sonë (kupto epokës së socializmit BB) ». (A. Kostallari, Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj, Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, I, Tiranë, 1973, f. 104, referat i mbajtur në nëntor të vitit 1972).

30 A. Kostallari, Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj, Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, I, Tiranë, 1973, f. 103, referat i mbajtur në nëntor të vitit 1972).

31Shih Rregullat e ortografisë së gjuhës shqipe, Tiranë, 1948; Ortografia e gjuhës shqipe, Tiranë, 1951; Ortografia e gjuhës shqipe, Tiranë, 1956.

32 «Kjo ortografi (ortografia e vitit 1951 BB) u paraqit si një ortografi e dy varianteve letrare dialektore në rrugën e afrimit”, shkruan A. Kostollari, duke lënë të kuptohet që deri në vitin 1951 funksiononin dy variante letrare dialektore dhe se ortografia e gjuhës shqipe i vitit 1951 ishte ortografi e varianteve letrare dialektore. (A. Kostallari, Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj, Tiranë, 1973, f. 105, referat i mbajtur në KDGJSH në nëntor të vitit 1972.

33 A. Kostallari, Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj, Tiranë, 1973, f106 (referat i mbajtur në KDGJSH në nëntor të vitit 1972).

34 M. Çeliku, Çështje të shqipes standarde, Tiranë, 2001, f. 102, shënimi 2.

35 A. Kostallari përpiqet ta përligj këtë kalim duke shkruar « Kështu, faza e parë e shpuri shumë më tej njësimin e drejtshkrimit në krahasim me paraçlirimin, por problemin në tërësinë e tij nuk e zgjidhi. Mbi të vazhdoi të rëndonte trysnia e dy varianteve letrare, që kërkonin dy drejtshkrime. Shkëputja nga kjo ide e nga kjo gjendje nuk ishte e lehtë. Ajo u bë dalëngadalë gjatë fazës së dytë nën ndikimin e dy faktorëve. Së pari, vetë gjuha letrare, me ritmet e saj të pashembëllta, i përcaktoi aty nga fundi i viteve 50 dhe në vitet 60 shumë më qartë prirjet themelore të zhvillimit të saj. Së dyti, gjuhësia jonë, duke përvetësuar gjerësisht metodologjinë marksiste, depërtoi gjithnjë më thellë në njohjen e strukturës së shqipes së sotme e të histoi risë së saj: disa nga problemet-nyje të gjuhës së sotme shqipe, u bënë objekt analizash të hollësishme munografike, duke pasur si bosht qendror gjuhën letrare e normat e saj, filloi mbledlhja ballësore e sistematike e leksikut e e frazeologjisë së shqipes së shkruar e të folur dhe studimi i rrugëve të pasurimit të tij, u krye hulumtimi i parë e i përgjithshëm i ndarjes dialektore të shqipes e i veçorive të të folmeve të ndryshme, filloi përpunimi e njësimi i terminologjisë tekniko-shkencore në fushat kryesore, u bënë studime të reja etimologjike, krahas studimeve në fushën e fonetikës historike, filloi edhe studimi eksperimental i veçorive të strukturës fonetike-fonologjike të gjuhës së sotme. Këto përpjekje shkencore çelën shpeshherë rrugë të reja: u rishikuan një varg tezash e konceptesh jo të drejta, të kapërcyera nga vetë koha; në luftë me një varg pikëpamjesh të ngushta e skeptike, që buronin nga një metodologji jo e saktë, u krijua një kuptim i drejtë i gjuhës letrare kombëtare e i normës letrare dhe u bënë përgiithësime e vlerësime të reja shkencore rreth procesit të formimit të shqipes letrare kombëtare. Të giitha këto, në kushtet kur procesi i gjuhës letrare hyri gjerësisht në fazën e kristalizimit tërësor, dhanë mundësi edhe në fushën e drejtshkrimit të bëhej një hap cilësor përpara - të vendosej një drejtshkrim i vetëm për një formë të vetme të gjuhës letrare. Ky hap ishin  «Rregullat e drejtshkrimit të shqipes” që u botuan si projekt në shkurt të vitit 1967 » (A. Kostallari, Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj, Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, I, Tiranë, 1973, f. 106-107, referat i mbajtur në nëntor të vitit 1972) , po pa na thënë në asnjë rast se kush vendosi të kalohej në një drejtshkrim mbi bazën vetëm të toskërishtes letrare. Që drejtshkrimi i vitit 1967 ishte drejtshkrimi i toskërishtes letrare vërtetohet nga krahasimi i tij me drejtshkrimin e vitit 1956. Pra, parimet e shpallura deri atëherë u lënë më një anë dhe në mënyrë arbitrare më 1967, pra 5 vjet para KDGJSH, u shpall drejtshkrimi i toskërishte letrare si drejtshkrim i njësuar i gjuhës shqipe. Kjo është e gjithë e vërteta mbi të ashtuquajturin « hap cilësor » të bërë gjoja më 1967 në fushën e drejtshkrimit.

36 Sipas A. Kostallarit « E. Hoxhës i bie merita për « udhëzimet dhe porositë e njëpasnjëshme » që i kishte dhënë ai gjuhësisë shqiptare « që të ndihmojë » me studimet e saj për të zgjidhur « problemin e madh të normëzimit të gjuhës letrare shqipe »   E. Hoxha, Vepra, 23, Tiranë, 1962,  f. 547-548.

37 « Parime e rregulla mbi ortografin’ e gjuhës së shkrueme shqipe », Laimet e Komisis Letrare Shqipe në Shkodër, Shkodër, 1918, f. 11.

38 Rezolutë e Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, Tiranë, 1973, f. 187.

39 Rezolutë e K ongresit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, I, Tiranë, 1973, f. 183.

40  M. Çeliku, Çështje të shqipes standarde, Tiranë, 2001, f. 9.

41 M. Çeliku, Çështje të shqipes standarde, Tiranë, 2001, f. 29.  Po aty ai rithekson « Toskërishtja letrare u ngrit në standard me ndërhyrje nga lart me rrugë administrative në rrethana politike shoqërore të caktuara » (po aty,  f. 30).

Pra, faktorët jashtëgjuhësorë kanë përcaktuar vendosjen e toskërishtes letrare në bazë të gjuhës së sotme letrare. Përpjekjet e Çelikut  (po aty f. 29-30) për ta përligjur a justifikuar ndërhyrjen nga lart me « argumentime  gjuhësore », janë të papërligjura. Ato mund të shërbejnë, siç e kemi thë në një rast tjetër,  vetëm për të shpjeguar se përse u kurorzua me sukses një dukuri që kishte në thelb veprimin administrativ të shtetit monist (shih B. Beci , Gjuha letrare shqipe dhe baza e saj dialektore, Seminari XVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Tiranë, 1995, f. 204) dhe aspak për të krijuar përshtypjen se shteti monist u nis nga arsye gjuhësore në politikën e tij gjuhësore.

42 R. Qosja, Gjuha e njësuar letrare-Njëzetekatër vjet të gjuhës së njësuar letrare, Gjurmime albanologjike, SShSh, 26, Prishtinë, 1996, f. 59. Ajeti, duke polemizuar me këtë formulim të Qoses ka shkruar: “po pse në kohën e sundimit të diktatorit Ahmet Zogu nuk u zgjidh gjuha letrare shqipe. Ç’është e drejta, në kohën e tij favorizohej me të madhe gegërishtja...” (Ajeti, Vepra 2, Prishtinë, 1988, f.282). Ne mendoj se gjatë asaj periudhe, pasi ishte aprovuar që në bazë të shqipes letrare të ishte gegërishtja e Shqipërisë së Mesme, nuk u insistua nga shtetit për planifikimin e mëtejshëm gjuhësor të gegërishtes, kurse pas ardhjes në pushtet të komunistëve, jo vetëm që shteti monist përmbysi bazën dialektore të gjuhës zyrtare, duke vendosur toskërishten letrare, por punoi me shumë intensitet edhe për kodifikimin e saj. Pra, pas ndërhyrjes nga lart për të hequr gegërishten letrare dhe për të vënë në bazë të gjuhës zyrtare toskërishten letrare, u morën masa të menjëhershme edhe për planifikimin dhe zgjerimin e funksioneve të saj, duke u bërë edhe investimet e nevojshme, gjë që ishte e mundur në kushtet e një shteti diktatorial a totalitar që i kishte përqëndruar të gjitha pushtetet në duart e një partie e cila nuk pranonte asnjë opozitë të organizuar, në kushtet e një shteti diktatorial në të cilën pushteti politik kishte marrë me forcë tërësinë e aktiviteteve shoqërore. Përpjekja e Ajetit për të hedhur poshtë pikëpamjen e Qoses dhe për të argumentuar se problemi i bazës dialektore të gjuhës së sotme letrare “është vepër e marrëveshjes së gjuhëtarëve, shkrimtarëve, mësuesve dhe përfaqësuesve të tjerë të viseve të ndryshme që kanë marrë pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit të gjuhës shqipe më 1972 ” (Ajeti, Vepra 2, Prishtinë, 1988, f. 282) nuk merr parasysh të dhënat konkrete të historisë së formimit të shqipes letrare, të cilat nuk lënë kurrfarë dyshimi që “zgjedhja e toskërishtes për themel të gjuhës së njësuar letrare ishte, ashtu siç shkruante Qosja, vendim para së gjithash politik, i marrë duke u pasur parasysh vullneti i klasës politike në pushtet ”.

43 A. Klosi, Pasuria e gjuhës një nga pasuritë e pakta të Kombit, « Aleanca », Tiranë, 1 shtator 1995, f. 12.

44 Byron (1976), 29-30

45 O. Daniel, Langue et Pouvoir, EDISUD, Paris, 1998, f.97 .

  1. Shih më gjerësisht B. Beci, Probleme të politikës gjuhësore dhe të planifikimit gjuhësor në Shqipëri, Pejë, 2000,

By Bahri BECI