Në fjalimin e tij të thatë, plot flluska e lojë fjalësh, në Ohër, në takimin e radhës me përfaqësues të pesë shteteve të Ballkanit Perëndimor, Edi Rama dëshmoi edhe një herë mungesën e orientimit, jo vetëm në rrafshin e interesave kombëtare shqiptare, por edhe të orientimit në kohë e në hapësirë.
Që nga zanafilla e “Ballkanit të Hapur” Rama i mëshon një fakti krejtësisht të panevojshëm, përsërit deri në rraskapitje se shqiptarët e Kosovës u dashka me harru “të shkuarën”. “E shkuara”, vërtet tregon për diçka që ka ndodhë dje, por nuk heq mundësinë që kjo të mund të ndodhë prap sot apo nesër. Këtu merr kuptim ajo thënia se kush e harron të shkuarën, ajo i përsëritet. Natyrisht, këtë frazë, “të harrojmë të kaluarën” është Vucici që ia ka thënë Ramës, sepse Rama nuk ka ndonjë “të kaluar” për me harru, as të mirë, as të keqe, pos bojërave dhe furçave të pikturave të dështuara që i kanë mbetë nëpër bodrume. Ndërsa Vucici, gjithsesi, ka një të kaluar klerofashiste, që kishte dashë ta harronte, jo se e vret ndërgjegjja, jo se nuk krenohet me këtë të shkuar, por ngaqë kjo do t’i kishte dhënë mundësi me bë krime të reja edhe më të mëdha. E shkuara e tij sot është pengesë për të realizu “të shkuara” të reja, dmth. krime të reja kundër shqiptarëve, boshnjakëve, kroatëve apo kujtdo tjetër që i del si pengesë e projektit të Serbisë së Madhe. Mirëpo, ngaqë e kaluara nuk zhduket, atij i është dashë të gjejë ndonjë trupeshk, si çifti i Ramës, që ia del të harrojë edhe atë se çfarë ka ngrënë dje. Edhe më keq se kaq, e ka gjetë një palaço që po të përpiqet të bindë një komb të tërë, që ka pësu gjenocid nga politikat e Vucicit, të harrojë të “shkuarën” gjenocidale të Serbisë.
Natyrisht, askush në botë nuk do të kishte qenë më e lumtur se Kosova, nëse do të kishte pasur mundësi që të harronte të kaluarën. Çështja është që e kaluara nuk po e harron Kosovën, sepse ka mbi 12 mijë varre të freskëta të luftës së fundit dhe qinda mija varre të tjera shkaktu nga gjenocidet serbiane për më shumë se një shekull nëpër territorin e ish-Jugosllavisë. Ka 1184 fëmijë të masakruar. Ka mbi 200 masakra masive. Ka njëzet mijë gra të dhunuara. Ka një mijë persona të rrëmbyer nga ushtria kriminale serbe, që nuk dihet se ku gjenden as sot. Ka 150 mijë shtëpi të djegura. Ka një popull të traumatizuar nga tmerret, që u dëbuan nga shtëpitë për me realizu planin e spastrimit etnik, planin gjenocidal serb kundër shqiptarëve. Dhe shumica e kriminelëve serbë, shkaktarë të këtyre krimeve, shetiten të lirë nëpër Serbinë e Vucicit. Pse jo? Kryetari i Serbisë, “zjarrfikësi” i Ramës, Vucici, vendos nëpër rrugët e Beogradit tabela me emrin e gjeneralit gjenocidal, Ratko Mladicit, makinës vrasëse që për tri ditë ekzekutoi tetë mijë boshnjakë në midis të Europës, pak pa u mbyllë shekulli XX. Pse Vucici të mos mendojë se mund të vazhdojë të bëjë krime nëse, përveç qarqeve ndërkombëtare që mbyllin herë njërin sy e herë të dy sytë, gjendet edhe një kryeministër shqiptar që mbyll të dy sytë, edhe veshët, edhe gojën? Dhe frazën e vetme që di të papagallosë ësht: “të harrojmë të shkuarën”.
Me harru “të shkuarën”, për ne, shqiptarët e Kosovës, është me harru Ukshin Hotin, bashkë me mija njerëz të tjerë krejtësisht të pafajshëm, që politika kriminale serbe - ku aktor shumë i rëndësishëm ishte Aleksandar Vucici – i mban peng ose i ka vra e trupin ua ka fshehë në ndonjë fushë qitjeje ushtarake, ose në ndonjë kamion të hedhur në ndonjë lumë, ose i ka djegë në ndonjë furrnaltë të Serbisë. Ne nuk mundemi me harru “të shkuarën”, sepse sa herë shqiptohet fjala “Serbi”, para nesh shfaqet një varrezë e madhe me më të dashurit tanë nën dheun e saj të zi, në lumejtë e saj, në furrnaltat e saj. Serbia është kthy në varrezë të madhe shqiptare dhe ne nuk mundemi me harru varrezën tonë. As nuk mundemi me harru njërin nga varrmihësit më të zellshëm të kësaj varreze, Aleksandar Vucicin, një kriminel kapadai i papenduar. Për fat të keq, jo vetëm i papenduar, por që vazhdon të kërcënojë haptas shqiptarët e boshnjakët edhe sot, vazhdon të mohojë vullnetin e shumicës së popullit të Kosovës, edhe pas njohjes së pavarësisë së saj nga më shumë se njëqind shtete të botës, vazhdon ta quajë Republikën e Kosovës me emrin e saj klerofashist “Kosovo i Metohija”. Pse të mos e bëjë këtë Vucici, ku ka përkrah vetes një trulesh si Edi Rama që ia mban ison?
NGATËRRIMI I ZJARRVËNËSIT ME ZJARRFIKËSIN
Aq larg shkoi me zellin prej sherrbudallai Edi Rama sa zjarrvënësin më të zellshëm, më kriminal pas Luftës së Dytë Botërore ta marrë për zjarrfikës.
Me ia dalë ndonjë fqinj kriminel e m’ia dhunu nënën, motrën, gruan apo bijën Edi Ramës në Tiranë dhe me pasë dalë pas dy ditësh po ky maniak me i thënë Edi Ramës “le të harrojmë të kaluarën”, çfarë do t’i thoshte Edi Rama? Do të pajtohej me këtë, duke pasë nënën e vdekur përdhunisht apo të bijën çmendur prej dhunimesh prej një radhe vëllezërish fqinjë? A do ta bënte këtë Edi Rama, nëse ky kriminel, për më tepër, do të krekosej me bëmat e tij nëpër lagje dhe nuk do të kërkonte as falje? A do ta merrte këtë komshi për zjarrfikës apo dado të fëmijëve të tij? A do ta ftonte në dasëm? A do t’ia shtrinte dorën dhe a do t’i kujtohej fraza “le ta harrojmë të kaluarën”?
Po me ia pasë rrëmby vëllain po këta komshinj kriminelë e m’ia zhdukë pa gjurmë, çfarë do të bënte Edi Rama? Do të kërkonte nga këta kriminelë t’ia ruanin shtëpinë se mos po ia djeg zjarri? Do ta harronte “të shkuarën”? Janë mend këto? Lum aj që i ka e mjerë aj që nuk i ka.
Kush nuk do të ishte i lumtur t’i harronte mizoritë, krimet, ato akte prej bishash të ushtrisë dhe policisë klerofashiste serbe? Por, si të harrohen këto krime, kur Edi Rama ia shtrin dorën kriminelit që i ka shkaktu këto krime? Vucici nuk e ka ndërru as emrin, as nuk ka bërë operacion plastik që të mos e njohim atë fytyrë prej krimineli, as nuk e ka ndërru ideologjinë, as nuk është pendu, as nuk ka ndryshu asnjë nga synimet e tij klerofashiste, as nuk ka kërku e as nuk e ka mendjen me kërku falje. Aj ka mbetë po ai: Goebelsi i Ballkanit, shërbëtori dhe instrumenti i makinës vrasëse të Hitlerit të Ballkanit, Slobodan Milosevicit. Madhëruesi i kriminelit Ratko Mladici. Ka ndryshu vetëm një fakt: shefi i tij, kryekrimineli Milosevici, ka vdekur dhe vendin e tij e ka zënë Vucici. Ky është ndryshimi i vetëm i zjarrvënësit, që Edi Rama don me na e paraqitë si zjarrfikës.
Po të mos qëllonte Kosova ndërmjet, zjarri i zjarrvënësit Aleksandar Vucic do të kishte mbërrijtë edhe në shtëpinë e vetë Edi Ramës në Tiranë apo në Durrës, por këtë fakt është fort vështirë m’ia sqaru një piktori të dështuem dhe një politikani matrapaz, që shtëpitë e djegura nga politika e po këtij Vucici në Drenicë e gjetiu nuk i përjeton si djegie të shtëpisë së tij.
POROSITË E NDRYSHME TË FRAZAVE TË NJËJTA I QARTËSON HISTORIA
Pse nuk mundemi me heqë dorë nga historia, qysh po na porosit Edi Rama.
Frazën e Vucicit se “do të ruajë Kosovën”, e ka përdorë edhe Ibrahim Rugova, edhe Hashim Thaçi, edhe Albin Kurti. Që të gjithë kanë thënë e thonë se duhet ta rujmë Kosovën. Por, se çfarë porosi bart kjo në gojët e tyne mund të na e qartësojë vetëm historia. Kur e thonë këtë politikanët shqiptarë, Rugova, Thaçi apo Kurti, ata e mendojnë një Kosovë të lirë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët, duke përfshirë këtu edhe serbët. Kur e thotë këtë Vucici, ai e mendon për një Kosovë pa shqiptarë, të robëruar, tokëdjegur e të ndërtuar mbi kufomat e shqiptarëve. Prandaj, për ta kuptuar plotësisht e qartësisht se çfarë mendohet me këtë frazë, na vjen në ndihmë historia. Aj që e harron këtë, barazon Rugovën, Thaçin e Kurtin, të tre viktima të klerofashizmit serb, me Vucicin, propaganduesin dhe përkrahësin e kriminelëve që kanë kry gjenocid. Gabim më të madh se kaq nuk mund të bëjë asnjë njeri me mend në krye.
SHKARJET GJUHËSORE SI TREGUES TË SHKARJEVE MENDORE
Edi Rama: “Vetëm duke lënë pas të shkuarën dhe duke shtuar bashkëpunimin ne do të mbërrijmë tek paqja përfundimtare mes Kosovës dhe Shqipërisë”
Vetëm një presion i tmerrshëm në tru e bën njeriun të bëjë gafe të tilla logjike, rrëshqitje të tilla mendore, ngaqë thellë në qenien e tij as vetë Rama nuk e merr me mend se është duke thënë fjalët që po i nxjerr nga goja. Ky njeri ka një hall të madh. Nuk mund të imagjohet dot që nga goja e Vucicit të dalin fjalë si ““Vetëm duke lënë pas të shkuarën dhe duke shtuar bashkëpunimin ne do të mbërrijmë tek paqja përfundimtare mes Republikës Sërpskas dhe Serbisë”. Nga goja e tij dalin fjalë si ato që i ka thënë në Kroaci, gjatë invazionit të Serbisë atje: “Ne do ta krijojmë Serbinë e Madhe!”, apo fjalët që i tha në Kuvendin e Serbisë gjatë invazionit në Bosnjë dhe Hercegovinë: “Nëse vritet një serb, ne do të vrasim njëqind myslimanë!” Apo fjalët që i tha para disa dite, gjatë betimit për kryetar të Serbisë: “...do ta ruaj Kosovën dhe Metohinë si pjesë përbërëse të Serbisë”. Kjo është fytyra e vërtetë e klerofashistit Aleksandar Vucici dhe kjo është gjuha e tij e mirëfilltë, pa shkarje, pa rrëshqitje e tij.
Këto shkarje gjuhësore, gjithsesi, i shpjegon më së miri Sigmund Freudi, që thotë se këto vijnë nga neurozat që një person përpiqet t’i fshehë, ngaqë e mundojnë vazhdimisht e ky përpiqet t’i fshehë. Duke mos qenë në gjendje t’u japë zgjidhje, sepse janë kundër vullnetit të tij, me gjithë përpjekjet e pasuksesshme që t’i ndalë, atëherë ato shfaqen të tilla: si shkarje gjuhësore, që shënojnë shkallën e parë të shfaqjes së neurozës.
SI TË HARROJMË TË SHKUARËN?
Hajde, pra, le të vijmë te kjo përgjigje e tepër e vështirë për shqiptarët e Kosovës: “Si të harrojnë të shkuarën?” Edi Rama zuri në gojë bombat atomike që u hodhën mbi qytetet e Japonisë. Por, ky krahasim nuk gjend askund pikëtakime me raportin mes Kosovës e Serbisë. Japonia ishte ajo që sulmoi ShBA-në pa asnjë shkak. Kur ajo u mund, u kërku dorëzimi i saj. Ajo nuk pranoi të dorëzohej. Kjo ishte arsyeja që iu hodhën dy bomba atomike. Pas kësaj Japonia nënshkroi dorëzimin dhe pranoi kushtet e denacifikimit të saj. Japonia nuk vazhdoi asnjë nga politikat e shkuara, dënoi të gjithë kriminelët e luftës, bile edhe rojtarët e kampeve e burgjeve. Pra “e shkuara” naciste, shoviniste, agresore e Japonisë mori fund përgjithmonë. Japonia pranoi kushtet e rënda të dorëzimit me paralajmërimin “Ne nuk do t’i devijomë këto [kushte]. Nuk ka alternativa. Nuk nuk do të zvarritim”:
-
Japonia të harrojë përgjithmonë autoritetin dhe ndikimin e atyre që kanë mashtruar dhe kanë kequdhëzuar popullin e Japonisë në ndërmarrjen për pushtimin e botës.
-
okupimin e pikave të territorit të Japonisë të përcaktuar nga aleatët
-
sovraniteti i Japonisë në ishujt Honshū, Hokkaidō, Kyūshū, Shikoku dhe ishuj të tjerë të vegjël do të përcaktohen nga aleatët. [Japonia do të rrudhej në kufijtë e para vitit 1894 dhe do t’i hiqeshin Korea dhe Tajvani] dhe prej të gjitha territoreve të pushtuara
-
forcat ushtarake të Japonisë do të demilitarizoheshin, ushtarakëve do t’u lejohej të ktheheshin në shtëpitë e tyre (...)
-
aleatët nuk kishin si qëllim robërimin e japonezëve si race as shkatërrimin si komb, por zbatim të drejtësisë te të gjithë kriminelët e luftës, duke përfshi edhe ata që kanë kry mizori ndaj të burgosurve tanë;
Në anën tjetër deklarata theksonte se:
- qeveria japoneze ka me heqë të gjitha pengesat për ringjalljen dhe forcimin e tendencave demokratike mes popullit japonez.
Asnjë, ama bash asnjë nga këto kushte që i janë kërku Serbisëa ajo jo vetëm që nuk i ka pranu, por as nuk jep shenja që ka me i pranu. Serbia e Vucicit, jo vetëm që nuk i dënon kriminelët, por edhe i nalton ata. Atë e bën jo gjithkushi, por vetë Vucici, me dorë të vet.
E vërteta e dhembshme ësht që edhe përkujtimi i “së shkuarës” së Vucicit dhe Serbisë klerofashiste nga shqiptarët, boshnjakët e kroatët, nuk po bëhet si kërcënim apo provokim ndaj Serbisë, por si kërkesë që të ketë një pajtim të njëmendët, natyrisht, duke mos i mbulu e mos i harru krimet asnjëherë. Prandaj, drejtimi i gishtit të Edi Ramës kah shqiptarët e Kosovës si jobashkëpunues, si inatçorë, duke ua tregu karrigen e zbrazët të Ballkanit të Hapur ësht një çoroditje e pashembullt jo e një shqiptari, por e një njeriu që e ka humbë çdo ndjesi të njerëzillëkut.
By Agim Morina