Historia e nuseve plaka
Kasëm TREBESHINA
Kapitulli i Parë
Një zhurmë e madhe për të mbuluar një turp
Kufoma e Ismail Kadaresë po kalon në disa shtete të Europës e përcjellë me tamtamet e disa pushtetarëve shqiptarë zelltarë të realizimit socialist dhe e mbështetur me të hollat e nxjerra nga lëkurat e shqiptarëve më të varfër. Megjithatë edhe një zhurmë kaq e madhe edhe mali i ngritur me të holla duket nuk po mjaftojnë për të mbuluar turpet dhe krimet e Kadaresë!... Dhe ka shumë të ngjarë që për një gjë të tillë të ishin të vetëdijshëm që në fillim zyrtarët e lartë komunistë, vetë Kadareja dhe disa francezë që besojnë akoma se, po ta mbajnë gojën hapur, mund t’iu bjenë dardhat e pjekura drejt dhe në gurmaz!...
Por si nisi gurguleja?!...
Duket Kadarenë e thirrën andej lart nga Komiteti Qëndror dhe ai nisi të shkruante disa artikuj që më vonë do ta klasifikonin si disident!... Puna herë-herë dukej sikur shkonte mirë, por kishte edhe raste që dyshimet për punën e tij mahiseshin aq shumë, sa mund të vidhisej e gjithë ngrehina kadareane si të mos kishte qënë kurrë!
Atëherë ai vendosi të vepronte ndryshe!...
E gjeti atë kuturisje vetë, apo ia shtinë në vesh të tjerë, kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe! Puna është se që nga gjysma e dytë e vitit 1990 Kadareja filloi të shkruante hapur, në Shqipëri dhe në Kosovë, kundër të burgosurve politikë të periudhës hoxhiane. Që një gjë e atillë ndodhi në Shqipëri nuk çudit as edhe hunjët e gardhit, por që ajo të ndodhte në Kosovë nuk kishte ndonjë arsye për të qënë dhe nuk mund të kuptohet as edhe tashi... Ose më mirë, tashi mund të shpjegohet me logjikën e klaneve që prodhon klima dhe mikroklima shqiptare.
Kosovarit që kërkon të verifikojë një gjë të tillë do t’i rekomandoja të lexonte gazetën “Rilindja” 6 dhjetor 1993, për takimin me Ismail Kadarenë në Bernë. Kurse shqiptarin nga Shqipëria e Konferencës së Londrës do ta ftoja të lexonte “Ftesë në studio” të Ismail Kadaresë të botuar dhe të përcjellë me zhurmë.
Për francezin e urtë rruga do të ishte akoma më e shkurtër: atij do t’i mjaftonte të lexonte “Nëndorin” e janarit 1990.
Kuptohet, në Muzeun e Falsiteteve Shqiptare duhej të hynte edhe disidenca tipike shqiptare që profesorë të ndryshëm do ta shpjegonin me ‘ambivalencë’, me ‘hiatus’, me ‘eterodosi’, me kamaleonizëm heroik... Dhe të gjitha këto, për studonjësit e mësipërm, kishin sjellë atë demokraci që kishte lindur në zyrat e Ministrisë së Punëve të Brëndëshme të periudhës hoxhiane.
E çuditëshme, zotrinj!... Hedhin një cinxami në peshoren e madhe dhe pastaj bërrtasin, ulërijnë gjer në kupë të qiellit për t’iu mbushur mëndjen të tjerëve se peshorja lëvizi!... Dhe kur binden se njerëzit largohen me mosbesim dhe qesëndi, e shtyjnë kufomën e qelbur tutje tëhu nëpër disa vende të Europës duke i hedhur parfume nga më të ndryshmet!...
Kur adhuronjësit e Kadaresë gjejnë me se të merren dhe mundohen të nxjerrin ndonjë përfitim për veten e ture, politikanët e parëndësishëm këtu edhe atje mundohen ta vendosin herë pas here në vitrinat e partive të tyre atë që ka mbetur nga kufoma e këngëtarit hoxhian duke u kujdesur që ta mbyllin shumë mirë... Dhe njeriu i thjeshtë nuk arrin të kuptojë pse bëhen të gjitha këto përpjekje të mëdha kur loja e ndyrë nuk vlen as parfumet që paguan populli shqiptar që era e qelbur të mos ndihet në Europë. Aty këtu dëgjon ndonjë shkrimtar që, për të shetitur me tren gratis përmes kontinentit tonë, thotë pa asnjë mëdyshje se erën e qelbur të Kadaresë e pëlqejnë shumë në Europë!...
Gjer në çfarë pike mund të jetë e vërtetë kjo?
Kapitulli i Dytë
Përrallat me Luftën e Trojës
Një njeri që aty më parë sillej rreth oborrit të Enver Hoxhës dhe nganjëherë hynte në të për të kënduar ndonjë këngë të lehtë regjistruar në vëllimet hoxhiane, e ka krahasuar luftën e Kosovës me luftën e Trojës!...
Domosdo!... Atij i duhet krahasimi për të ndihmuar çështjen e mikut të tij që po qelbet mbi tokë!...
Sikur ky menestrel komunist ta bënte një gjë të tillë me ndërgjegje të plotë, nuk do të duhej të merreshin me të!... Mirëpo, duke pasur bindjen se akoma vuan e digjet nga kujtimet e dashurisë së parë, ka të ngjarë se duhet t’i thuhet të mos e kërkojë krahasimin me Luftën e Trojës!... Do të ishte më mirë për të sikur të kujtohej se Europa e tanishme është aq e paaftë dhe e lodhur sa ishte edhe Greqija e Lashtë pas Luftërave të Peleponezit!... Se sot në botë ka vetëm një Superfuqi gjithnjë në rritje dhe kjo Superfuqi mund të krahasohet vetëm me Romën e Lashtë pas Luftës së Dytë Punike!...
Menestreli komunist dhe të gjithë shokët e tij duhet të heqin dorë nga prrofkat politike dhe nga përsheshi politiko- letrar me Luftëra Trojash e tjerë e tjera!... Më mirë le të kujtojnë përrallën e La Fontenit për bretkosën që donte të bëhej sa kau duke pirë ujë!... Në vënd që të merren me prrofkat për Luftëra Trojash, më mirë le të mundohen të kuptojnë pse disa fuqi europiane donin të krijonin në Shqipëri një Havel të vogël të mbështetur nga disa intelektualë si ministra, më lart ose më poshtë!...
Në vëndet e prapambetura një njeri që ka pasur mundësinë të arsimohet shikohet si intelektual, për të mos thënë si gjysëmperëndi!... Dhe atyre fuqive europiane aq iu duhej!... Se me anë të atij njeriu, të mbështetur nga një grup shqytarësh dhe sherbetorësh, ato fuqi do të kishin një ndikim të drejtëpërdrejtë, ose të tërthortë, në jetën e vëndit!... Me anë të atij njeriu ato fuqi jo vetëm që do të ndikonin në zgjedhjen e ndonjë deputeti të rëndësishëm, por mund të arrinin edhe gjer te çfarë duhej të bënte Presidenti i Republikës!...
Llogari të bëra jo keq. Por... Këtu puna ngeci dhe të hollat e papaguara dolën mangut!... Se populli shqiptar i fundit të shekullit ishte i arsimuar!... Nuk ishte si në fillim të shekullit!... Dhe një popull i arsimuar nuk mund t’i respektonte sa i kërkohej as Ismail Kadarenë dhe as shqytarët dhe sherbetorët e tij!...
Kur për ata andej jashtë u bë e qartë një gjë e tillë, vendosën të luanin me kartën e letërsisë të ngarkuar me disidencë dhe më pas lojën e vazhduan duke e kthyer në disidencë të ngarkuar me letërsi!... Dhe punët u shtytën më tej me... Jo me çmime Gonkur por me çmime Nobel!... Se, domosdo, është gjithmonë më mirë kur të hollat i paguajnë të tjerët!
Një punë e nisur në këtë mënyrë kështu edhe do të përfundonte!... Me këta njerëz, ose edhe me të tjerët si këta!... Ajo që e ngatërron studonjësin joshqiptar qëndron në faktin se pse Kadareja dhe jo një tjetër u zgjodh nga francezët për ta tundur këmborën!...
Duket një gjë e ngatërruar, por nuk është aq sa duket po ta marrim problemim lidhur me studentin me moral të dyshimtë, me Enver Hoxhën, që shkoi në Francë dhe nuk pa asnjë nga universitetet e saj!...
Kapitulli i Tretë
Kërcimi lart me shkop dhe pa shkop
... Dhe studenti me moral të dyshimtë, Enver Hoxha, u bë diktatori i Shqipërisë... Dhe Franca nxitoi të ishte shteti i parë perëndimor që e [ka] njohur pushtetin e tij!... Një gjë e tillë ishte tërthorazi një mbështetje tejet e fuqishme për shtytjen më tej të punëve të Enver Hoxhës!... Sigurisht kaq nuk ishte e mjaftueshme për të, por duke përfituar nga ngjarjet historike që u krijuan pas Luftës së Dytë Botërore, duke përfituar nga përmbytja klanore e politikës shqiptare dhe sidomos nga servilizmi shqiptar i ngulitur në shekuj, ai arriti hap pas hapi të bënte ato që bëri dhe ta shkatërronte ‘Shqipërinë e tij’ ashtu si e shkatërroi!... Përfundimet janë fare në shesh!... Franca, duke qënë vazhdimisht e pranishme, i ka parë gjërat më mirë se shtetet e tjera europiane!... Për rrjedhojë dinte t’i zgjidhte më mirë kadarenjtë që prisnin të punësoheshin në pazarin e saj!
Kur ishte Enver Hoxha gjallë në Shqipëri, zelltarët e tij trumbetonin me mburrje se në pikëpamje teknologjike Shqipëria kishte se çfarë të mësonte nga vëndet e zhvilluara perëndimore, kurse në ideologji Vëndi i Shqiponjave ishte i pari dhe i vetmi në botë dhe të gjithë duhej të vinin për të mësuar shkencën e revolucionit në Shkollën e Partisë në Tiranë!... Domosdo, shoku Enver nuk do të shkonte vetë që të mbante leksione në atë shkollë!... Atje do të shkonin disa instruktorë që, edhe pse do t’i mbanin në mënyrë të shkëlqyer leksionet, përsëri do të mbeteshin që do të mbeteshin instruktorë... Edhe pse fjala e tyre, për rrjedhojë, do të ishte më e përparuara në botë!...
Mirëpo, duke u shtytur përpara në kohë, puna po bëhej gjithnjë edhe më e vështirë dhe, për ta nxjerrë në bregun që nuk dukej, duhej të gjendeshin disa instruktorë më të mirë. Kështu, në vitet gjashtëdhjetë nevoja nxori te disa shkrimtarë që sollën në Shqipëri një futurizëm italian të rusifikuar.
Ishin me të vërtetë të zotët ata lloj shkrimtarësh!... Se ata i këndonin betonit dhe asfaltit, i këndonin shkatërrimit të blerimit dhe hymnizonin shtyllat e çelikta të tensionit të lartë!... Pale për shqiponjat që fluturonin... Sigurisht në lartësi!...
Punë me të vërtetë të lavdishme dhe Enver Hoxha nuk kishte pse të mos mbetej i kënaqur!... Me të vërtetë që ata shkrimtarët e viteve gjashtëdhjetë vidhnin disa nga format e mallkuara të shkrimtarëve perëndimorë, por me çfarë shkathtësie!... Dhe me çfarë loj zelli mosmirënjohës i mallkonin pasi iu vidhnin format!... Dhe me çfarë mjeshtërie socialkomuniste e mbështesnin punën ideologjike të Partisë së Punës të Shqipërisë, gjë që nuk e bënte dot as Zëri i Popullit!...
Por si arriti Enver Hoxha gjer te letërsia e viteve gjashtëdhjetë?
Më kujtohet, gjatë procesit të parë 1953-1954, në burg erdhën emisarët nga Ministria e Punëve të Brëndëshme dhe më propozuan që të heshtja dhe partia, si shpërblim, do të më përkthente dhe do të më botonte në të gjithë botën.
Kuptohet, nuk pranova!... Por ky fakt tregon se Enver Hoxha e kishte përvetësuar shumë mirë mësimin e sovjektikëve rreth përkthimeve në gjuhë të huaja të të përkëdhelurve, ose të atyre që i duheshin dhe në vitet pesëdhjetë më konsideronte edhe mua si një kandidat të përshtatshëm pasi isha dalluar në mënyrë të çuditëshme në mes të shkrimtarëve të tjerë. Ka shumë të ngjarë që ai lloj suksesi i arritur nga unë t’i ketë prishur punë një tjetri!... Por fjala nuk është për këtë!... Fakti i mësipërm tregon se Enver Hoxhës i duhej një shkrimtar i njohur jashtë... Dhe ai shkrimtar duhej të ishte nga të rinjtë, të njihej me pëlqimin e tij dhe të ishte mirënjohës ndaj diktatorit!... Se të vjetërit e njihnin praktikën europiano-perëndimore dhe nuk i besonin gjer në fund përrallat sovjetike!
Në fillim të viteve gjashtëdhjetë Enver Hoxha e vendosi që të bënte zgjedhjen përfundimtare: njeriu i zgjedhur duhej të kërcente më lart se të tjerët me shkop dhe pa shkop!... Sigurisht do të kishte nga nënbishtja shtytjen e saktë dhe të fshehtë të Enver Hoxhës!... Një gisht përposh që të ngrihej sipër... Dhe të hollat do t’i paguante populli shqiptar!
Kapitulli i Katërt
Një kopje në shkallë më të vogël
Diktatori nga Gjirokastra e njihte shumë mirë servilizmin shqiptar dhe ishte plotësisht i vetëdijshëm se pa Miladin Popoviçin nuk do të kishte arritur kurrë aty ku arriti. Në kuptimin hoxhian zvarritja duke ndjekur hijen e një tjetri ishte një meritë shumë e madhe. Prandaj Enver Hoxha i zgjidhte me kujdes zvarranikët që do të krijonin pafundësisht figurën e tij. Përpara se të vendoste për zgjedhjen, ai siguronte materiale nga më komprometonjëset për jetën e të zgjedhurit dhe, pas vendimit, grumbullonte edhe një numur të domosdoshëm gomarësh që i duhesh për dru dhe për ujë!
Duke u nisur nga kritere të tilla, diktatori nuk e patë të vështirë që të gjente njeriun që i duhej në vitet gjashtëdhjetë.
Dikujt që niset nga vlerësime të pastra letrare mund t’i duket zgjedhja e Enver Hoxhës si një rastësi!... Se në fillim të viteve gjashtëdhjetë u shquan, secili sipas mënyrës së tij, tre shkrimtarë... Dhe ata dihen kush ishin! Mirëpo zgjedhja nuk mund të binte mbi Fatos Arapin, se ishte tepër personal në krijimtarinë e tij... Nuk mund të binte as mbi Dritëro Agollin, se ai i merte tepër seriozisht të gjitha gjërat!... Për më tepër që të dy nuk ishin nga Gjirokastra!... Eshtë e qartë se i vetmi që mund të krijonte pafundësisht figurën e Enver Hoxhës, i vetmi që mund të ndiqte me përuljen e një skllavi plenumet e partisë hoxhiane, ishte Ismail Kadareja!
Ta quash Ismail Kadarenë zvarranik është pak! Ta quash eklektik është shumë!... Se Ismail Kadaresë, megjithëse mundohej ta mbante të fshehtë, i bënin hije edhe të vdekurit!... Enver Hoxha, me shkathtësinë e tij të çuditëshme, këtë gjë e kuptoi që me të parën!... Dhe një njeriu që i bënin hije të vdekurit, të gjallët i kishin ardhur në majë të hundës!... Pastaj Ismail Kadaresë-nxënës i ishte thyer nota në sjellje për një “budallallëk”!... Po, po!... Nuk mund të gjendej një njeri më i bindur se Ismail Kadareja!...
Kështu u krijua një dyshe e re dhe kësaj here të dy njerëzit ishin nga Gjirokastra!... Enveri do të luante rolin e Miladin Popoviçit, duke i vënë tjetrit dorën poshtë për ta ngritur lart, kurse Ismaili, si në Përrallat Arabe, në ndjekje të hijes së udhëheqësit, do të transformohej herë në kulpër rreth trupit hoxhian, duke u munduar të ngjitej sa më lart në sy të bashkëshokëve, kurse herë të tjera do të kthehej në kameleont për t’i gabuar dhe për t’i gëlltitur të gjitha ata që mund t’i bënin hije në mendimet e tija të sëmura!
E tillë ishte gjëndja dhe më kot tashti hidhen e përdridhen pushtetarët paskomunistë për të vërtetuar disidencën e fshehtë të Kadaresë!... Gënjejnë veten edhe profesorët pushakë duke u munduar të gjejnë në fall “alternativat” kadareane!... Gënjen veten me qëndrime “paqësore” edhe ndonjë miku im si Mehmet Myftiu që të kujton “mirësinë” e sekretarëve hoxhianë të rretheve!... Të zhgënjyer gjer ku nuk thuhet do të mbeten edhe adhuronjësit e tij pas një mundimi të gjatë për ta paraqitur kameleonizmin heroizëm!... Këtyre njerëzve unë dua t’iu kujtoj vetëm 7 korrikun 1978 kur, fill pas prishjes përfundimtare me kinezët, emisarët e Tiranës u shpërndanë në kryeqytet e disa vënde të botës!... Të gjithë e dinë emrin e “disidentit” që u dërgua në Paris me materialet propagandistike të P P Sh.
Historia është e bukur se përpara shtyhen ngjarjet me ata që luajnë në to dhe më pas vijnë të tjerët që i shkruajnë. Diktatori nuk i ndryshon dot ato që kanë ndodhur. Por duke qënë se këtu nuk e kemi fjalën për Historinë e Shqipërisë në vitet gjashtëdhjetë, nuk mbetet veç të themi se të dy njerëzit nga Gjirokastra ishin bërë për njëri tjetrin dhe do të shkelnin në faqet e historisë së tyre të baltosur dhe gjakosur të dy bashkë!
Kështu u krijua kopja e saktë e Enver Hoxhës, sigurisht në shkallë shumë më të zvogëluar!... Dhe Enveri i vogël do të vazhdonte t’i shkruante prrallat historike në disa variante... Sipas urdhërave dhe interesave të partive të ndryshme, sipas diktatit të njerëzve në pushtet brënda dhe jashtë!... Edhe tashti Kadareja po vazhdon t’i shkruajë veprat e tija në disa variante: me demokratët si disident, kurse me socialistët i hedh alkoolit pas ujë që të dalë pas më i lehtë në të pirë!... Kujtoni Fluturimin e shtërgut!...
Edhe bujqit, edhe shërbëtorët e Kadaresë po mundohen ta shtyjnë pafundësisht komedinë që ka mbaruar prej kohësh!...
Kapitulli i Pestë
Mumifikimi i disidencës në Shqipëri
Kadareja lëpihej dhe lëpihet, shtihej dhe shtihet sikur nuk e do çmimin Nobel me arsyetimin se gjoja ashtu dhe kështu... Kurse bujqit dhe shërbëtorët e tij, përmes Shtëpive Publike të mediave kadareane, shpallin me të madhe se e quajnë të lauruar me Nobelin të adhuruarin e tyre!... Dhe, si thërrisnin, tashti shtyjnë me ulurima për të shkallët sipërore të mbiemrave në shqip!...
Megjithatë, e kuptojnë se shtëpia nuk mbahet me zhurmët nga nënbishtja dhe po kërkojnë të gjejnë rrugë të tjera për të dalë nga rruga e verbër ku janë futur pas berihajit!...
E vërteta është se tashti e kanë kaluar hutimin e parë pas përmbysjes së socializmit real kur përsërisnin me vete pafund dhe me një shpresë të vakët mësimin gorbaçovjan për mbajtjen me çdo kusht të pushtetit!... Ndaj më tej profesorushët pushakë të social-komunizmit në Shqipërinë e trembëdhjetës dhe në Kosovë, pas kalimit të atij hutimi, kërkojnë të gjejnë mjetet më të përshtatëshme për të mbrojtur me siguri realizmin socialist në tërësi dhe atë kadarean në mënyrë të veçantë.
Profesorushët pushakë, të çliruar nga tronditja e parë, e kuptuan menjëherë se detyra kryesore e tyre ishte të mënjanonin ne një farë mënyre disidencën e vërtetë shqiptare, duke e hedhur tutje në ndonjë planet të largët, bie fjala tutje Saturnit!... Ose, të pakën, t’i mbanin disidentët e vërtetë diku në formë të mumifikuar!...
Për të realizuar një gjë të tillë duhej më parë të shpallej Kadareja disidenti i parë dhe kjo duhej të mbështetej nga Partia Demokratike dhe nga disa të burgosur si Arbnori, Zhiti, Velua... Dhe të shtërngoheshin edhe disa të tjerë të burgosur që ta pranonin atë gjë si të vërtetë!...
Një të thënë dhe u bë!... Por, për dreq, doli se kjo nuk ishte e mjaftueshme!... U pa qartë se duhej të futeshin në disidencë edhe disa njerëz që kishin ngritur diku dolli me Hrushovin!...
Domosdo!... Dashuri e vjetër dhe nuk mund të harrohej lehtë!... Sa për Presidentin dhe shokët e tij demokratë, ata e prenë vetë biletën dhe u futën në disidencën shqiptare!... Fundja, kjo ishte e drejta e pushtetit të tyre!...
Mirëpo pikërisht në këtë kohë, kur realizmi socialist filloi të ndjehet më i sigurtë, mumjet filluan të flisnin!... Dhe një gjë e tillë nuk kishte ndodhur as në Egjyptin e Lahtë!... Si do t’i bëhej hallit!...
Aty u gjen Agim Vinca, pushak dhe bukur i kënduar në labirintet...
Jo të modernizmit, por të diktaturës!... Dhe ky lloj pushaku shpalli në ‘alternativat’ se mumjet duhej të liheshin të lirë që të bëlbëzonin pak, kurse realistët e socializmit, si socialista realë që ishin, duhej të thërrisnin dhe të bërrtisnin gjer në kupë të qiellit! Po, more, po!... Dhe Vinca dha vetë shembullin i pari duke futur Everestin e tij diku në vëndin e lirë në shtëpinë ku banonte... Ose, ndofta... Ka të ngjarë, që në shtrëngim, e fut në çantën e tij dhe bredh me të nëpër botë!...
I bëri si i bëri Agim Vinca alternativat, le t’i mbeten për veten e tij, se për më shumë ato nuk vlejnë!... Por më tej!...
Puna më tej shkoi ashtu si shkoi dhe ai, më në fund, shpalli me krenari se në Kosovë thoshin:
“Në dashtë!...”
Besa bukur!... Por Vinca harroi se andej poshtë në Shqipërinë e Jugut, për njerëz që shkruajnë dhe dërdëllisin si ai, thonë:
“Në të koloit!...”
Si e shikon edhe vetë Agim Vinca, shqipja është shumë më e pasur nga sa kujton ai!... Dhe njeriu që i ka rënë kryq e tërthuar Vëndit të Shqiponjave nuk e ka pasur të vështirë që të shikojë dhe dëgjojë shumë gjëra!... Puna është që nacionalisti i sheqerosur Agim Vinca t’i përvishet punës dhe të mësojë pakëz më mirë si zgjedhohen foljet në shqip!... Kaq besoj se mjafton për Vincën dhe le ta lëmë që të merret edhe më tej me ambivalencat e tija dhe me heroizmat kameleonike!... Se, domosdo, pasi shkruhet fjala ‘came’ vjen fjala ‘leon’!... Profesorushi le ta shkruajë si të dojë!... Fjalorët i ka... I rëndësishëm në raste të tilla është ‘luani’ dhe... Nuk të bën goja ta thuash, por në ndërtime të kësaj natyre ‘luani’ qëndron në fund!... Si mund të bëhet ndryshe?!...
Kapitulli i Gjashtë
Kritika zvarriset pas shqytarit nga Gjirokastra
Realizmi socialist, që në lindje asmatik, e ka pasur gjithnjë dhe kudo jetën të vështirë, por më të padurueshme e ka pasur në Shqipëri... Dhe dihet pse!
Autorët e kësaj shkolle, të lindur në skllavëri, kanë kaluar gati në të gjithë rrathët e poshtërimit njerëzor, prej kontrollit të dhjetra cenzorëve të padeklaruar dhe gjer të metoda e punimit kolektiv.
Megjithatë, më të përkëdhelurit në mes të atyre autorëve, pa pyetur për ligjet ndërkombëtare të autorësisë, përktheheshin gratis në gjuhë të ndryshme nga vetë shtetet komuniste dhe autorët e përkthyer gëzonin privilegjet feudale që iu siguronte socializmi real. Në këto privilegje poshtëruese në kuptim të dyfishtë hynte edhe e drejta e denoncimit për burgosjen dhe zhdukjen e rivalëve të shkrimtarëves më të zellshëm të realizmit asmatik socialist.
Këtë gjë jo se nuk e kishin kuptuar me kohë ata nga Kosova, por, të sëmurë nga dashuria idilike për Enver Hoxhën, bënin sikur nuk e vinin re dhe shtynin më tej provincializmin e tyre drejt një përsheshi modernist dhe shtiheshin sikur nuk dinin gjë për fyerjet që shqytari Kadare nga Gjirokastra hidhte pa kursyer kundër shumë shkrimtarëve të njohur shqiptarë dhe, në masë akoma më të madhe, kundër shkrimtarëve më në zë botërorë të Shekullit të Njëzetë!...
Mirëpo, me përmbysjen e socializmit real si sistem botëror, si për Shqipërinë e trembëdhjetës, ashtu edhe për Kosovën, erdhi ora e provës së madhe!... Dhe, kur mbytet anija, mijtë lëvizin të parët për të shpëtuar!...
Dihet kush ia mbathi në atë kohë!... Megjithatë duhej gjetur çasti edhe për të sharë, edhe për të mburrur!... Dhe feudalët e vegjël të kohës së kaluar social-komuniste sikur u ndanë pakëz në mendimet e tyre! Bujqit e Shqipërisë së trembëdhjetës e kishin si tepër të shtrenjtë të kaluarën dhe nuk iu bënte zëmra që t’i flaknin qershitë e ndytura!... Kurse provincialo-modernistët nga Kosova e ndanë mëndjen që t’i flaknin qershitë e pabëra, ndërsa të tjerat i quajtën të paflliqura!... Dhe shpallë pa mëdyshje se dokumentat të mirëfillta ishin vetëm artikujt që ishin botuar në shtypin e censuarar të Enver Hoxhës!... Për studjonjësit kosovarë veprat e pabotuara nuk ekzistonin dhe nuk mund të studjoheshin!
Në këtë mënyrë lindi, brenda dhe jashtë Shqipërisë së trembëdhjetës dhe Kosovës, ‘studimi biblografik’ i mbushur me Kadare dhe me ca pakë shkrimtarë hedhur në librat e Historisë së Letërsisë Shqipe në formë turshish.
Kështu lindën në Shqipërinë e trembëdhjetës dhe në Kosovë trimat e letërsisë dhe nderet e turpet!... Dhe patrullat e reparteve të propagandës komuniste nxitonin të zbulonin kundërshtarët e përhershëm të realizmit socialist dhe merrnin nga ata intervista që nuk do të botoheshin kurrë!... Kurse mendimet e atyre kundërshtarëve i jepnin, sipas nevojës, të kthyer dhe të përkthyer në mënyrën më poshtëronjëse!...
Dhe pasi i kryen këto punë në përputhje të plotë me stilin feudal lapurak shqiptar, trimat e letërsisë së realizmit socialist u ndjenë më të sigurtë dhe kujtuan se mund të preheshin bukur mire në hijen e shqytit të Kadaresë!...
Mendim i bukur dhe kalorës të atillë e meritonin atë prehje!... Por ç’e do!... Shqytari nga Gjirokastra dridhej e përdridhej sipas urdhëresave që merrte dhe shkonte të mblidhte qindarkat nëpër vënde të ndryshme të Europës... Dhe ndonjëherë delte në televizionin shqiptar për të çbërë ato që kishte bërë, për të deklaruar se s’kishte marrë honorare dhe për të shpallur se nuk e donte çmimin Nobel!
Të gjitha këto ishin shumë të bukura, por në të njëjtën kohë të gjitha këto po i ngatërronin keq kritikën e përdhunuar social-komuniste!... Kurse letërsia e përbuzur po lundronte e sigurtë nëpër Oqeanin e Artit drejt të ardhmes sido që të vinte!
Kapitulli i Shtatë
Qershitë e flliqura dhe qershitë e pabëra
Nuk ka asnjë rëndësi kush qe i pari që hodhi mendimin për ndarjen e qershive të flliqura nga ato të pabëra!... Edhe sikur të ketë qënë këtejas, edhe sikur të ketë qënë përtejas i lindur dhe i rritur atje dhe pa shkelur kurrë në Shqipërinë e trembëdhjetës, puna nuk ndryshon.
Megjithatë duhet pranuar se shqiptarit këtejas nuk do t’i bënte zëmra që t’i ndante më dysh shkrimtarët e Enver Hoxhës!... Të linte në njërën anë shoferat me kurse të shkurtuara dhe në anën tjetër të mëdhenjtë, sidomos nderi i turpit të kombit!...
Mirëpo ata përtejasit e bënë zemrën gur dhe e ndanë realizmin socialist në dy pjesë... Bajraktarët e letërsisë nuk ishin të realizmit socialist, se kishin ambivalencë, disidencë...
Disidencë?!... Po, more, po!... Në fund të fundit, që disidenca të mos mbetej e fyer, do t’i jepej edhe asaj një vënd andej nga fundi i sallës!... Do t’i jepej edhe Fishtës një dekoratë pune, nga që dikur, në rinis, kishte çarë disa dru plepi!...
Dhe puna u duk se u mbyll në mënyrë të përsosur duke i lënë bagëtitë aq sa ishin dhe ujqit të ngopur!...
Sigurisht shpikësit e kësaj teorie shkonin me shpresë se, pasi të hidhnin hendekun, do të ktheheshin sërish për të njësuar në mënyrën më revolucionare realizmin socialist hoxhian!
Mendime tejet të mrekullishme, por që nuk dhanë asnjë përfundim të saktë!... Se nuk mund të ndahen shoferët romancierë nga spiunët romancierë!... Se që të dy palët kërcënonin njëri-tjetrin dhe Enver Hoxha flinte i qetë pa e ndërruar krahun!...
Si i bëhej punës?!... Përsëri njerëzit e zgjuar këtejas dhe përtejas e gjetën zgjidhjen!... Realizmi social-komuniste le të mbetej ashtu siç ishte dhe të gjitha gjërat le të binin mbi kritikën letrare! Ai, Dhimtri i Simon Shuteriqit, me Koço Bihikun dhe me disa të tjerë e kishin të gjithë fajin... Se kishin kritikuar, diku më lart dhe diku më poshtë, Ismail Kadarenë!... Më vonë u kujtuan se kritika kishte fyer edhe Konicën bashkë me disa shkrimtarë të vdekur të tjerë, që të gjithë të rëndësishëm!...
Bre, bre, bre!... Çfarë paskeshin bërë ata kritikë!... Dhe e gjithë ajo punë e keqe dokumentohej në librat shkollore të nxitura dhe të kontrolluara me jo më pas se shtatëqind e shtatëdhjetë e shtatë mënyra nga udhëheqja e lartë!...
Kuptohet, ata e kanë bërë një punë shumë të keqe që nuk mund të lejohet as nga ndërgjegja njerëzore dhe as nga dinjiteti shkencor!... Por më thoni, zotrinj, alternativat që shkruani ju tashi a janë të ndërgjegjëshme dhe a kanë ndonjë fije dinjiteti shkencor?!... A kishte ndërgjegje njerëzore dhe dinjitet artistik shkrimtari kur e mernin me benc për të shkruar ‘dimrat e mëdhenj’ dhe kur i vinin përpara vëllimin e 19-të të veprave të Enver Hoxhës?!... Apo dinjitetin dhe ndërgjegjen e tij kishin ku i fusnin kur ai lloj shkrimtari fyente ndyras Prustin, Xhojsin, Kafkën dhe shumë të tjerë që nuk i kishin faj?!...
Mos tregoni prralla, zotrinj!... Dhe mos u përdridhni si gjarpëri i vrarë në të perënduar të diellit!...
Ju nuk kishit asnjë nevojë që të dëgjonit deklaratën që bëri ish shefi i Sigurimit të Shtetit në gjyq! Ju i kishit vetë shkrimet e Kadaresë që dëshmonin katërcipërisht ato që tha ish-zyrtari i larë!... Por këty hyn ajo çështja e epokës që duhet patjetër ta përfaqsoni ju, dikur pa mjekrra dhe tashti me mjekrra!... Duket e keni fituar këtë të drejtë nga mjekrrat që keni lënë!... Sikur mjekrrat, duke qënë se Enver Hoxha nuk ju lejonte që t’i mbanit, tashti janë kthyer në një dëshmi demokratizimi!...
Del pyetja, a janë me të vërtetë përfaqësonjës të epokës sundimtarët që kanë mbushur jetën e vëndit të tyre me krime të pashëmbullta? A mund të flitet për një njeri si përfaqësonjës epoke kur ai hyn në qymezin e pulave dhe i lë gratë dhe kalamajtë pa asnjë vezë?!... Dhe shqiptarët e dinë se në qymezin e pulave nuk ka guxuar të hyjë as edhe një okupator!
Kapitulli i Tetë
Dokumenta dhe ‘dokumenta’
Shkrimtarët dhe studjuesit e këtejëm e pranuan censurën enveriste me një ndjenjë të dyfishtë. Nga njëra anë nuk iu vinte mirë që i censuronin, kurse nga ana tjetër lumturoheshin se Enver Hoxha, me anë të censurës, zhdukte rivalët e tyre. Kështu shkrimtarët dhe studjuesite këtejëm jo vetëm u mësuan me censurën, por u shtynë më tek duke e pranuar vetëcensurimin me një kënaqësi tejet të madhe.
Ndryshe ishin punët me përtejasit. Ata gëzonin një lloj lirije dhe mirëqënijeje më të madhe në anën tjetër dhe kërkonin akoma më shumë duke u mbështetur në një nacionalizëm karafilash në Atdheun Mëmë dhe harronin se ashtu po dëmtoheshin të dyja palët.
Nuk ishte puna për të mbajtur, apo për të mos mbajtur mjekrra!... E keqja vinte nga ndryshimi në mirëqënie dhe nga ai i llojit të lirisë për t’u shprehur. Modernizmi provincial nuk do të sillte asnjë të keqe, se, në fund të fundit, do të kalohej pa dhëmbje historike dhe do të sillte diçka më të qëndruarshme. E keqja më e madhe për një popull qëndron te mungesa e lirisë dhe e pavarësisë... Dhe e keqja një letërsie i vjen nga censura dhe nga vetëcensurimi!...
Duke qënë punët kështu, historia për Kosovën po rridhte në mënyrë të pandalëshme brënda brigjeve të saj të natyrëshme. Por nuk mund të thuhej një gjë e tillë edhe për Shqipërinë e trembëdhjetës, ku varfëria u zvarrit nëpër qytete dhe fshatra, gjersa arriti të pushtonte edhe qymezet e pulave!... Prandaj pikërisht në këtë kohë unë përsërita me të madhe rrezikun që vinte nga pabarazia në mirëqënie dhe në fusha të tjera dhe që po copëtonte në mënyrë të pandalëshme gjithë botën shqiptare!... të gjitha këto do t’i lexoni në procesin tim gjyqësor të 1980-tës.
Zotrinjve përtejas që kërkojnë vërtetime për gjëra të tilla do t’iu thosha të shikonin shkrimet e shkrimtarëve kundër meje si dhe proceset gjyqësore!... Apo mos vallë zotrinjtë pushakë nuk përfillin dokumentat gjyqësore?!...
Mbaj mënd në burgun e Ballshit m’u zëmruan keq miqt e mi nga që iu thash se në botë kishte vetëm një supërfuqi. Kjo ka ndodhur më 1982. Atëherë iu thash se nuk do të kishte forca paralele në botë dhe as revolucion botëror komunist!... Se Shqipëria duhej t’i mbante sytë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës!...
Zotrinj përtejas!... A mos doni edhe për këtë një dokument?!... A mos doni ndonjë dokument për atë shkrimin te “Këmbëkryq të rrapi i fshatit” ku, më 1990, ju thosha se liria do t’ju vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës?!...
Kuptohet!... Dokumenta të tillë ju nuk do t’i pranoni!... Si skllevër që jeni, mund të pranoni për të vërteta vetëm ato që shkruheshin në shtypin hoxhian!... Ju nuk mund të pranoni se nga fundi i viteve pesëdhjetë një grup historianësh të rinj iu përveshën punës që ta rishikonin periudhën e pavarësisë dhe figurën e Haxhi Qamilit, por ndërhynë nga lart dhe i bënë që të heshtin!... Ju nuk doni të dini që në Universitetin e Tiranës dhe në Lidhjen e Shkrimtarëve kishte njerëz që mendonin të shkruanin një monografi për Gjergj Fishtën, monografi që u ndalua po ashtu nga udhëheqja e lartësishme komuniste!... Ju nuk doni të dini që Dhimitër Simon Shuteriqi hidhej në drejtim të reabilitimit të Fishtës dhe pastaj tërhiqej!... Ju nuk doni të dini se, më 1953, pasi mbaroi një nga mbledhjet e lidhjes me zhurmë dhe sharje nga më të rëndat, Dhimitër Simon Shuteriqi psherëtin thellë dhe tha me zë të mbytur:
-Të gjitha këto ndodhin nga që nuk kemi këtu Nolin dhe të tjerët!
Del pyetja:
-A e donin Nolin Ismail Kadareja dhe të tjerët?!...
Enver Hoxha i dinte mirë punët e tija. Fuste të ziheshin të vjetërit me të rinjtë, ‘modernët’ me ‘klasikët’, që në fund ai vetë të ndërhynte dhe të deklaronte se të vjetërit dhe të rinjtë partia i donte njëlloj dhe që të gjithë bashkë bënin punën e partisë.
Ja çfarë dokumentash vlerësohen nga pushakët si të vërteta!...
Dhe e gjithë kjo është lavdia e viteve gjashtëdhjetë e dokumentuar nga shtypi hoxhian dhe e mbushur me luftë klasash, me shqiponja që fluturonin lart, me zhdukjen e blerimit, me uzina të zhurmëshme që shkonin gjer në ato për remontin e sonetave!... Me nacionalizëm primitiv, me denoncime për Dhora Lekën, Bilal Xhaferrin dhe shumë të tjerë... Se në vitet gjashtëdhjetë lavdi të tilla nuk kanë të mbaruar!... Dhe nuk kishin të mbaruar as fyerjet për popujt e tjerë!...
Mbajini, zotrinj pushakë, dokumentat tuaja dhe shtyhuni me to nëpër Europë ku, së bashku me disa ambasadorë, mundohuni të gënjeni ndonjë profesor universiteti, se politikanët europianë e gënjejnë vetë veten!
Kështu, me siguri, do të siguroni edhe diçka për kuletën!...
Kapitulli i Nëntë
Edhe një herë për kritikën letrare
Popuj të ndryshëm, sipas nisjes historike, kanë treguar prirje të dalluarshme në mes tyre.
Izraelitët janë vërtitur më shumë në mes tokës dhe të qiellit, kurse grekët e lashtë u përpoqën të zbulonin çdo gjë!... Romakët u munduarn të përsosnin ligjshmërinë... Vëndet e Ulta anuan më shumë nga artet figurative... Dhe kështu me radhë!... Secili popull e ka pasur më të lehtë të pinte ujë që deltea nga toka ku ishte vendosur përgjithmonë!...
Populli shqiptar, nga sa del prej dokumentave historikë, është marrë fillimisht më shumë me prralla dhe më vonë edhe me letërsi. Ndofta nga që u argëtua pakëz si shumë duke treguar prralla në pasdarkat e ‘netëve të mëdha dhe të vogla’, në festat e besimeve të ndryshme sipas feve që ndërronte... Dhe nuk e gjeti dot kohën që të merrej me kritikën letrare dhe me mendimin për botën dhe qiellin. Prandaj edhe sot e këtë ditë në Shqipërinë e këtejme dhe të përtejme dalin profesorë pushakë që shesin përçartjen e tyre për kritikë letrare.
Por a do ta vlente që të përmendeshin këto gjëra?!... Them se po!... Se populli shqiptar nuk e ka vendosur të dëgjojë përfundimisht dërdëllitjet e rrakatakeve dhe të kritikëve të tyre!... Prandaj nuk do të ishte keq sikur të fillonin të fliteshin fjalët e para mbi këtë temë.
Dihet që nga kohët e lashta se më parë punohet, mbillet, korret, shihet në lëmë dhe më pas vjen mulliri për të bluar drithin. Kështu ndodh edhe në letërsi! Krijimtaria paraprin, më pas vijnë studjuesit dhe mendimtarët që zbërthejnë veprat dhe nxjerrin ligjmëritë e krijimit duke u shtytur më tej në paraqitjen e gjinive dhe të vlerave.
Të gjithë profesorushët pushakë një gjë të tillë e dinë shumë mirë, por, për arsye kadareane, bëjnë sikur nuk e dinë dhe nxjerrin si përfundim se shkrimtarët e shquar, shkrimtarët e mëdhenj dhe kështu me radhë nuk ishin të realizmit socialist!...
Një shaka shumë e trashë!... Zotrinj, atëhere kush ishte i realizmit socialist?!... Shoferat?!... Mos ishin artikujt bajatë me polemikë gazetash social-komuniste?!... Apo ishin ata njerëz që kërkonin të reabilitonin Fishtën duke tentuar të shkruanin edhe një monografi për të?!...
Për këta lloj profesorushët pushakë, sipas urdhëzimeve të partisë mëmë, kritika letrare i parapriu krijimtarisë letrare duke e ndriçuar dhe pasuruar ideologjikisht atë lloj krimjimtarie. Për këtë lloj profesorushësh pushakë Ismail Kadareja është shkëputur nga realizmi socialist nga që ka sharë tom më top gjithë letërsinë shqipe dhe botërore! Ka sharë në mënyrën më të ndyrë Fishtën, Konicën, Nolin, Koliqin... Ka sharë edhe shumë të tjerë!... Dhe të gjithë këta të sharë duhen dënuar...
Pse?!
Se i ka sharë Kadareja!... Dhe Kadareja, sipas Mehmet Myftiut, është një artist i brishtë!... Dhe kujt iu bë vonë për një gjë të tillë?!... Mos vallë brishtësia është arsye e mjaftuarshme për të sharë të gjithë botën?!... Për të marrë nëpër këmbë njerëz të pambrojtur si Janulla dhe shumë të tjerë?!... Mos vallë brishtësia është arsye e mjaftuarshme për të bërë spiunllëket që ka bërë Kadareja?!...
Për njerëz si Agim Vinca me shokë Ismail Kadareja është disident dhe kaluar disidenti, se ka denoncuar të gjithë shokët e tij të Sigurimit të Shtetit dhe, pasi ka kryer një punë të tillë shumë të lavdërueshme, ka ngulur mirë të dy këmbët në oborrin e Enver Hoxhës dhe ka lëshuar mallimit kundër Prustit, Xhojsit, Kafkës... Dhe të gjitha këto mrekullira i ka paguar populli shqiptar... Megjithëse oborrin e Hoxhës e kishte të tijin!...
De, more, de!... Nga Gjirokastra dhe sa bukur dinte dhe di të shajë!... Tashi sikur dridhet pakëz, po atëherë... Bre, bre, bre!... Si i lëshonte bubullimat kundër Biblës, gjithnjë në vazhdën e Enver Hoxhës!... Sikur ngjallej Marksi vetë kur trumbetonte në mënyrë të madhërishme revolucionin komunist dhe luftën e klasave!...
Tashti më thoni, zotrinj, për këtë lloj disidence të Kadaresë keni grumbulluar gjithë harbutërinë tuaj duke valëvitur me zhurmë dokumentat e botuara në shtypin hoxhian?!... Për këtë lloj disidence i bini më qafë Dhimitër Simon Shuteriqit dhe gjithë të tjerëve?!...
Ndofta për të gjitha këto do të mund të përgjigjej Mehmet Myftiu! Le të provojë!...
Zotrinj!... Po të mendoheshit, qoftë edhe për një çast të vetëm, të gjitha do të mund të ndryshoheshin... Dhe për mirë!...
Kapitulli i Dhjetë
Mesia dhe vunderkindët
Por ju nuk u menduat!... Se, duke i shërbyer për një kohë të gjatë diktatorit nga Gjirokastra, harruat që një njësi matjeje, me çfarë metode që të caktohej, do të ishte një gjë e mirë!... Se ashtu njerëzimi do të dëmtohej më pas dhe do të përfitonte më shumë në marrëdhëniet jetësore!... Ashtu si ishit mësuar ju me njësitë matëse që diktatori i ndërronte sipas rastit, nuk mund të mendoheshit!...
Diktatori nga Gjirokastra, për rreth gjysëm shekulli, e shkatërroi gjithë botën shqiptare të shkallmuar dhe la vetëm vete dhe rrotull pak njerëz që nuk i bënin hije. Nga ji të gjithë u pranua pas asnjë kusht që Hoxha dhe partia solën dritën, historinë, gjeografinë, letërsinë... Edhe ujin e pakët e solli ai dhe partia e tij! Të gjitha lindën me të dhe vetëm në një datë!...
Dhe ku kujtonit se prrallat komuniste do të ishin të përjetëshme! Prandaj duronit me ngazëllim kur hidhte një fjalë për të burgosurit, kur ju fuste që të guduliseshit lehtazi të rinj dhe të vjetër... Kur përkëdhelte hapur disa romancierë shoferë, që romancierët e rëndësishëm spiunë ta kuptonin ku e kishin vëndin!...
Jetuat me të vërtetë kohë të bukura dhe u trishtuat ca si shumë kur ato kohë perënduan përfundimisht!... Ndaj në çastet e para u hutuat aq shumë, sa i flliqët mbarë e prapë qershitë që kishin mbetur.
Mirëpo, fill pas hutimit të parë dhe dëshpërimit duket të kotë, filloi të bëhej e qartë për ju se, me mjete të tjera, mund t’i mbanit më gjatë lavdinë dhe qelepiret!... Se andej nga Europa dinin shumë gjëra, por ndyrësirat tuaja nuk i kishin njohur akoma!... Dhe u vutë me një zell të patregueshëm që epoka e lavdisë tuaj të flliqur të mos vidhisej kurrë!... Shqipërinë e shtytët gjer ku nuk mund të shtyhej... E bëtë vëndin e mrekullirave!... Në vëndin e shqiponjave vunderkindët nuk kishin të mbaruar!... Dhe, kryesorja, pasi i thatë Enver Hoxhës që të kolovitej përkohësisht në dhomën tjetër, ku mund të pinte me qetësi cigarët e tij të zgjedhur, në murin kryesor të Shtëpisë Publike vutë portretin e shqytarit të tij!...
Punë të bukura sa më nuk bëhet!... Ndaj të gjitha ditët e vitit tashti shënohen me emrin e shenjtorit të vetëm!... Dhe ju, me daulle dhe borie, po shtyni tutje britmat tuaja!... Onufri ishte një parakadarean!... Kadareja po niste Luftën e Trojës!... Gjeniu i letrave dhe i kartonit!... Mbreti i letërsisë shqipe...
Gjëra shumë të ndyra!... Po të jenë të vërteta të gjitha ato që trumbetoni, çfarë kombi është ky?!...
Megjithatë, po qe se dikush ju paguan për të tilla gjëra, punët i keni në vijë dhe me të hollat që siguroni ashtu mundohuni ta shtyni jetën sa më gjatë dhe sa më mirë!... Por artin harrojeni!... Për të mirën e kuletës tuaj!... Se vunderkindët nuk mund t’i takosh, edhe sikur me magji të futësh në të njëjtin kosh disa shekuj bashkë!... Mocarti adhurohet se është një i vetëm dhe mund të delte në vëndin e muzikës që quhet Austri!... Kurse në letërsi nuk do të takosh asnjë vunderkind, edhe sikur me një mrekulli të kishte fatin të bashkoje disa dhjetra mijë vite!... Se letërsia dhe filozofia janë shumë të vështira për të gjithë llojet e fëmijëve, qofshin ata të ministrave, ose edhe më lart!... Po, po!... Qoftë edhe më poshtë!... Filozofia me letërsinë, nga që nisen në drejtim të arsyes me anë të arsyetimit, kërkojnë një moshë disi të pjekur në jetën e njeriut. Në filozofi puna është shumë e vështirë se shkohet në mënyrë të drejtpërdrejtë te arsyeja e pastër duke u mbështetur në arsyetimin e pastër. Mund që në letërsi gjërat të paraqiten më të lehta, se shkrimtari shkon te arsyeja e flliqur me anë të arsyetimit të flliqur të personazheve... Por ndryshimi është shumë i vogël!...
Si?!... Akoma shpreson te vunderkindët në letërsi?!... Duket që i je futur tepër seriozisht punës kadareane... Dhe i pafsh të mirën në të holla!... Po qe se je i vendosur fort për një gjë të tillë, atëherë mos i hidh parfume kufomës së Kadaresë, lëre të qelbet mirë e gjithë Europa! Ndofta ashtu do të binden ata profesorët jashtë se në Shqipëri nuk ka letërsi... Nuk ka as teatër!... Ashtu Kadareja do të mbetet i vetmi shkrimtar nga Vëndi i Shqiponjave dhe, që të mos prishet fare, ata europianët do të gjejnë ndonjë parfum shumë të fortë dhe do t’ia hedhin!...
Kush e di?!... Ka shumë të ngjarë që ai lloj parfumi europian të bëjë të mundur që Enver Hoxha të shfaqet përsëri në dhomën e parë dhe t’i pijë cigaret me duhanin e zgjedhur partizani para dashamirësve të tij!... Atëherë edhe ju të gjithë do të mund të flisni shkoqur për disidencat tuaja dhe mund ta vlerësoni përsëri letërsinë me mjete jo letrare. Padyshim, po t’i puthni këmbët, do ta keni edhe bekimin e Mesisë tuaj!
Kapitulli i Njëmbëdhjetë
Gjithçka fillon te fjala dhe mbaron po aty
Edhe pse shenjat janë se Shqipëria nuk jeton dot pa rrakataket e panaireve, edhe pse Shqipëria vazhdon njëlloj të mos i kursejë të hollat për parfumet hedhur mbi kufomat e qelbura, edhe pse frika nga kadarenjtë akoma nuk ka vdekur në Shqipëri, përsëri nuk do të ishte keq sikur t’iu kujtohej shqiptarëve ai Shekulli i Katërmbëdhjetë!...
Po, po!... Duhet t’iu kujtohet ai shekull... Dhe ata t’ia përsërisin pafund njëri tjetrit që në atë shekull për herë të parë hynë në faqet e historisë si njerëz që nuk donin të kishin në administratë të tyren!... Të gjitha ato që kishin bërë më parë i kishte mbuluar pluhuri i historisë, kurse ftesa e të huajve për të nxjerrë priftërinjtë nga burgjet ku i kishin futur vetë vëllezërit shqiptarë nuk mund të mbulohej më nga asnjë lloj pluhuri!...
Shekulli tjetër është i mbushur me prralla të bukura që mund të lexohen me ëndje pas një darke të mirë dhe duke pirë verë të vjetër! Kurse te Shekulli i Gjashtëmbëdhjetë duhet të përqendrohet seriozisht e gjithë vëmëndja e shqiptarëve!... Se në atë shekull, me ëndën e patokut, disa priftërinj shqiptarë shkruan gjuhën shqipe, hodhën bazat e letërsisë shqipe dhe siguruan përfundimisht cilët kishin qënë shqiptarët, cilët ishin dhe cilët duhej të bëheshin!... Nuk duhen harruar as ata fshatarët shqiptarë në jugë dhe në veri që, me kryengritjet e tyre gjatë dy shekujve të fundit i bënë të dashura për njerëzit e vëndit të tyre fjalët Shqipëri dhe shqiptar!...
Nuk duhen harruar këngët që këndoi populli shqiptar për jetën dhe luftën e tij në dy shekujt e fundit!... Populli shqiptar nuk duhet të harrojë as autorët shqiptarë që, krahas këngëve të popullit, shkruan veprat e tyre duke i dhënë gjuhës shqipe një lakueshmëri të mahnitëshme... Aq sa sot çdo lloj rrakatakeje dhe nxënës shkolle mund të bëjë letërsi sipas dëshirës para dhe pas të ngrënit dhe duke u hequr si vunderkind!
Të hedhësh poshtë gjithë historinë e Shqipërisë për një gjysëm shekulli të dyshimtë dhe për një Mesia të rremë është krim! Të hedhësh posht gjithë Letërsinë Shqipe për një Rrakatake që nuk i vlen parfumet është çmënduri!...
Ndofta ju keni vendosur që ta prishni Shqipërinë!...
E keni kot!... Se nuk ju lënë Fuqitë e Mëdha që ta prishni... Dhe për shkakun e vetëm se është shënuar në hartë!...
Kaq!... Dhe mblidheni mëndjen!... Se Gjon Buzuku e nisi me fjalën dhe po aty do të mbarojnë të gjitha!
Ankara, 23.07.1999*
By Kasem TREBESHINA
