BUZHIQET, festa e fillimvitit ortodoks, e cila jo fort kaherë shënohej, pak më ndryshe, edhe nga shqiptarë muslimanë.
E përsëris bashkë me urimin ortodoksëve shqiptarë e të tjerë në festën e tyre të fillimvitit.
Me kalimin e viteve njeriut sikur nisin t’i rikthehen në mendje e t’i rikujtohen disa fjalë e disa shprehje, të cilat në fëmijërinë e në rininë e tij i ka pasur aq të shpeshta, pothuajse pjesë përbërëse dhe intensive të të folmes së përditshme, por që, pa u vënë re, për shumë dekada ato dalin nga përdorimi dhe harrohen sikur të mos kishin ekzistuar ndonjëherë. Edhe me mua ka ndodhur pothuajse e njëjta gjë.
Ato fjalë e ato shprehje të dikurshme tani, me moshën, sikur e çajnë dhe e shpërthejnë atë betonin e trashë e të rëndë të izolimit e të mungesës shumëvjeçare. Zhvillimet e prurjet e reja kanë bërë që jo pak fjalë e shprehje të humbin e të tjera të hyjnë në fjalorin e përditshëm. Shumë fjalë e lokucione të gjuhëve të huaja kanë hyrë brenda dhe shumë të tjera janë larguar. Disa sikur kanë qenë në një karantenë dhe tash, si fjala-emër BUZHIQE në titull, kthehen pothuajse shëndetplota në vokabularët tanë.
Nuk dua të merrem me këto zhvillime e këto fenomene, sepse as nuk ndjehem mjaft i zoti që këtyre t’u futem më thellë.
Këto ditë morisë së fjalëve shprehjeve të fjetura thellë e për një kohë të gjatë mungese në mbamendjen time iu bashkua edhe fjala Buzhiq apo Buzhiqe. Serbët, ortodoksë përnga feja, ekuivalentin katolik Kërshëndella, në fundvit, e kanë mbajtur në fillimvit dhe e kanë quajtur Bozhiq.
Buzhiqi, tash mund të bëj një formulim, ka qenë më pak se një festë dhe më shumë se një ditë e zakonshme. Ka qenë një shenjë në kohë, ka qenë një datë e papërcaktuar, e cila kohësisht ishte e përafërt me periudhën mbas Vitit të ri e që thuhej Mbas Senes së Re...
Buzhiqi deri më 1960 është celebruar rregullisht edhe në familjen time.
Si e kam mbajtur mend?
Buzhiqi shënohej me një darkë shumë më të begatshme se të zakonshmet, rëndomtë me mish e lakra zier në vegshin e madh e të zi. Por diçka që ishte e veçanta dhe e domosdoshme në atë darkë, në fakt edhe në atë pasdarkë ishin: kollomoçët tromakë të zier (misër), mollat, dardhat dimërore, ftonjtë, arrat, lajthitë, kungujt e zier dhe misirët (lloj kungulli me këtë emër ndoshta pse kishin prejardhje nga Egjipti), qeshkeku (grurë i zier, hashure), rasoji (lëng lakrash turshi), me një fjalë, siç thuhej asokohe - krejt bereqetet e Zotit...
E veçanta tjetër e asaj mbrëmjeje, kaq, një darkë-pasdarkë... jo më shumë zgjaste Buzhiqi ynë, pra, karakteristika e asaj darke ndjehej në ngarendjet e përpëlitjet pak më intensive të baçicës (Nana Zylë, gruaja e axhës Selim) dhe të magjetores, asaj që gatuante bukët (nëna ime Fatimja)... Gjyshja, Nana e Madhe, ulur në një stol nuk bënte gjë tjetër pos ato që bënte gjithmonë: tjerrte leshin nga furka në shtizë dhe sa herë dikush apo ajo vetë përmendte fjalën Zot ose Allah, lëvizte nga vendi dhe thoshte bashkë me të tjerët “Atij i kofshim falë !”.
Ndonjëherë u fliste të rejave që t'i ruajnë fëmijët nga zjarri dhe uji i valë.
Hahej darka, asnjë lutje e veçantë, pos në fillim Bismilahi i domosdoshëm, e pas darkës Elhamdulilahi i përhershëm si dhe formula « Shtoje o Zot » që shoqërohej me prekje të cepit të sinisë (sofrës)...
Pastaj merrej nga ato që ishin për mbasdarke...
Në fund burrat, pas kësaj darke e pasdarke të përbashkët me krejt robtë e shtëpisë, riktheheshin në sobë (odë) të burrave, sepse, pos tjerash, vinte koha me e falë jacinë...
Ne fëmijëve na çonin me zor a me hatër në gjumë... Ndërsa gratë, nënat tona, deri vonë dëgjoheshin tek lanin enët, koritat dhe sinitë (sofrat), mbulonin gacat e zjarrit me hi, sepse për zjarrin e nesërm votrës sonë i duhej prushi i sontëm...
Të nesërmën nga darka e buzhiqeve nuk mbetej asnjë kujtim tjetër pos ndonjë kallamoçi të zier apo ndonjë cope nga kungujt e pjekur.
Buzhiqi konsiderohej “kulmi i dimnit”. Le të them edhe këtu se çdo dimër kishte “t’himit e dimrit” dhe "t'dalnit e dimnit” që pasohej, “martit” (në fillim të muajit mars) - me “synin e pranverës” ...
Buzhiqi në familjen time e në fqinjësinë tonë të afërme e të gjerë tërësisht muslimane, sa kam mbajtë mend dhe për aq sa më vjen ndërmend tash nuk kishte ndonjë kuptim religjioz, pos një dëshire të nënkuptuar për “me na e shtu Zoti bereqetin”.
Shikuar nga kjo distance kohe unë më shumë do të thoja se ndoshta “buzhiqi" apo "buzhiqet” ishin ndonjë relik pagan. Nuk e kundërshtoj as qenien e shqiptarëve të dikurshëm, edhe të vetë paraardhësve të mi, me besim të krishterë ortodoks dhe, sidomos nuk dua ta lëshoj rastin që posaçërisht ortodoksëve shqiptarë, po edhe të tjerëve ortodoksë, në këtë ditë të shenjtë për ta, t’i uroj për Kërshëndellat apo Bozhiqin, të cilin e shoh kaq të ndryshëm apo krejt tjetër nga buzhiqi im i dikurshëm ...
Edhe kjo skenë mund t'i kujtohet ndokujt që dikur ka kremtuar buzhiqin:
... natën nëpër terr e mjegull dalin burra në bashqen me pemë, njëri nga ata me sopatë në dorë, lëshon një britmë këcënuese që jehon në natë, i ndalur para një trungu molle duke e qortuar pse vitin e kaluar nuk kishte pasur kokrra. Dhe ashpër i ngërmohet e kërcënohet pemës:
- Kam me të pre!
Dhe ngre lart sopatën! Të tjerët i bërtasin me zë të lartë:
- Mos o burrë, se mos pastë bâ molla vjet, kysmet ka me bâ sivjet!
Shtyheshin paksa mashkujt e shtëpisë në terr nate me njeriun me sakicë ngritur, si në ndonjë teatër legjendar, e rrethojnë dhe e mbrojnë mollën, ndërsa burrin e zemruar e bindin që të dorëzojë armën...
Pemët për çdo buzhiq kërcënoheshin nga njeriu por nga njerëzit në fund edhe mbroheshin e shpëtoheshin!
Kjo ndodhte çdo vjet. Për çdo vit, në buzhiq, mollat e pemët tjera këcënoheshin, por gjithmonë e fatbardhësisht prerja mbetej vetëm diçka teatrale...
Interesant, ë?
Këtë do të mund ta shpjegonte vetëm farë antropologu a etnologu si Claude Lévi-Strauss-i.
(Janar 2011)
By Salih Kabashi
