albaniana

Poezi

Letra nisur Pal Engjëllit

I dashuri Pal, Asgjë s na shkrove më Asgjë Formulën e mësuam përmendsh E nisëm disi ta harrojmë E Gjergji më nuk u duk Në ndonjë këngë, pikturë a këngë Shihet rrallë, tek-tuk Të dëftoj se këndej po shohim ëndrra të rënda Mbrëmë pashë ëndërr Në kullën e Drishtit si dikur…

ChatGPT Image Jun 1, 2026, 06_13_40 PM

I dashuri Pal,

Asgjë s na shkrove më

Asgjë

Formulën e mësuam përmendsh

E nisëm disi ta harrojmë

E Gjergji  më nuk u duk

Në ndonjë këngë, pikturë a këngë

Shihet  rrallë, tek-tuk

Të dëftoj se këndej po shohim ëndrra të rënda

Mbrëmë pashë ëndërr

Në kullën e Drishtit si dikur

Gjithë kuajt kishin pas vdekur

Pas fluturimeve nëpër livadhe

Që për fije bari kishin ngrënë

Nga  një kufomë

Shkumonin pikëllim

Shkumonin  zjarr

Në kalanë e  Drishtit

I pash o Pal

Si pëlcisnin sytë e Arbërisë e unë

Vërbohesha

Tregoji, të lutem, Gjergjit

Se shumohej një kalë pa spermë e pa vezore

Një kalë i tëri i drunjtë

Pa hingellimë

Tregoji  Gjergjit  se që 550 vjet   i shkruajmë letra

E thuaja edhe këtë

Se çdo ditë pjekim bukën për të

E vetëm hingëllimë e kalit të tij

Po dëgjohet

I dashuri Pal, mbetsh me shëndet

Dhe Gjergjit thuaja të tërat, le t'i dëgjojë

Me veshët e vet!

By Dije Demiri Frangu