A ka ligjë ma të vjetra se kanunin e maleve t’ona? Si lexove ato ligjë e para të njerzimit të Bibljes, si ato të dymbdhetë drrasave të romakëve të herëshem ase at kanunin e të parëve të Germanve, kurkund së ké me gjetë moterzime aq ta gjalla e shprehë ma klasikisht, sa nder ato sprehjet e shkurtuna mijvjeçare të kanunit të maleve t’ona. Sikurse në gjuhë e nder prrallat e katallajve njashtu edhe në doke e në kanune shqyptari i maleve ruejti tharmin e vet indoeuropjan. Thanjet e kthiellta të kanunit, të gjith sa lakonike aq kuptimplotë, lmue neper rrymen e shekujve ma fort se ato vallet e ktij popullit mijvjeçar, i mblon nji msheftësí arkaike, shpesh krejt të pakuptueshme prej atij qi nuk leu e s’u rrit në ket botkuptim të maleve t’ona.
Etnografija din me kallxue se, qysh nder kohët ma të lashtat, të parët t’onë, per caktimin e tagreve themelore të jetës, të nderit, të besës, të pasunís, të gjakut, të gjinís, të fés e të martesës se njerit, në fis paten do ligjë të veçanta të hartueme prej të parësh quejt Kanû.
Çdo ethnolog qysh preh Hahnit e tektej bindet per kanû dokesh të ruejtuna aq paster prej bijve të shqypes neper malet e Gegnís e veçanërisht në Mirditë e në Dukagjin, ku brez mbas brezit tata ja la djalit dogmatikisht mâ të paperlyeme e të pathyeshme, tuj perbâ kshu nji blok eratik ndermjet fisit me fis e malit me mal per mprojen e personalitetit iliro-shqyptar deri nder ditt t’ona.
Kanunin e Lek Dukagjinit – shtesë kjo fort mâ e vonë e ktij kanû – njashtu si nder bashkimet e dheut e ndjeu e e pershkroj prej kréne të fiseve të Mirditës, të Pukës e të Dukagjinit, do t’i u detyrojmë, si e pohon edhè Jokl, dishmorit t’Atdheut A.Shtjefen Konstantinit Gjeçov O.F.M.; aty dijetari indoeuropjan me arsye shef e njef shprehjen mâ të kthiellten të ligjeve mâ jetike e të gjakut t’onë neper rrymen e shekujve per të mprojët njato vetí qi e dallojnë prej komesh tjera, si rrem i kotrupit iliro-trak d.m.th. besen, nderin, fisin, familjen, mikun e burrnín.
Në kjofët se ndoj etnograf bindet per atillsín e fisit t’onë në të ruejtun të ktyne dokeve mâ jetike n’Europen e sodit; e po kje se qysh në kohën e iliro-trakve e deri në ditt t’ona kjo rraca e jonë shqyptare qindroj e pashueshme në ket breg t’Adriatikut, kta do t’i dihet njatyne fiseve, qi qysh në Hot e deri në Sul, qysh në Dibër e në Laberí, të ngujueme neper bjeshkët ma të thepisunat, shpijat i bane qytetëza, por gjakun ujë s’e bane; gjuhen e dokevet nder veprat e veta kurr s’e harruene, e brez mbas brezit i mbajten gjallë e të kerthnesta njashtu si tata në shtrat të dekës ja la djalit por si mâ të çmueshmin trashigim: gjuhë e kanû kurr mos me i lshue!
Disi prej vedit na epet me pvetë: çë ligjësh permbledh ky kanû? Shtektarit qi udhtote neper malet t’ona para ktyne ‘izet vjetve sidomos neper njato fise kû pasha as begu kurr së nguli kamë e kto tjeter të dhetë s’i lajshin kuej veç me shkue n’ushtri mbas krenve të vet, i bijshin në sy në çë do fis qi pershkohej qyshnë Hot e derinë Dibër, disa doke të veçanta mbas të cillave i matej e i pritej, i njifej e i cenohej tagri i jetës e i pasës së njerit në familje e në fis. Per me pasë nji idé të kanunit të bâjmë nji vallim neper ato kohë kúr kto ligjë kjene në fuqin e plotë të veten.
Më nji bashkim malesh, si per shemull në Malcí të Lezhës, shifej Çun Mula Bajraktari i Hotit tuj vû gur e kufî ndermjet të Gjonmarkajve të Mirditës e të Malcís së Lezhës, të kapun per pyllen e Qafmollës. Neper Dukagjin shifej fisi i tanë tuj rrâ nder armë per të rrethuem njerin qi i preu mikun shoqit, e grát me urna zjarmit në dorë neper flakë të pushkëve tuj msy ngujimet per me e djegë per së gjallit gjaksin qi së gjejti me i rá në dorë të fisit tuj shtrue pengun e kanunit per mik të prém ja pse kishte vrá njerin në besë të gjâs e të çobanit. Ktu muejte njeri me e pá djelmnín e fisit tuj shtî zjarmin gjijeve e gjân e gjallë tuj e shperdá si plaçkë neper fis, ndersa tarabakët ngrehshin shlorë e trupa zhag neper arë të mjelluna, kush pré pemët e buta e kush shem muret e arëve t’atij qi guxoi me i pré mikun kuej, per me çue në vend kanunin qi thotë: Kush vret njerin para vedit e në besë të shoqit ase në besë të gjâs e të çobanit, i djegun e i pjekun e i qitun jashta fisit e toka djerr per pesmdhetë vjet, e ushtarët e kanûs tuj e ndjekë gjaksin natë ditë per me i marrë gjakun; lirí kan me e vrá kû t’a ndeshin pa ndorë pse miku s’i pritet kuj.
A ka gjâ mâ të burrnueshme per njeri se me e pá taten qi mbet pa djalë tuj dhanë besë po deri tuj e perbuejt gjaksin si i rá ndore mund në shpí të vet? Shka mâ të vështirë se me e pá gjaksin tuj rá permys, bashkë me gjamatarë tjerë, pembi të vetmin djalë e me e nderue veç tjerësh, per mos me shkele kanunin në ditë të dekës të djalit të vet aj tata i mbetun pá djalë?
Ndersa më ndoj pleqní u rragatëshin pleqt per gur të bés as me e marrë e ky mos me ja lëshue, tuj mundue veç si me ja nxanë të gjitha shtiqet e pshtimit fajtorit me do fjalë beje caktue lakonisht vetem per tê e per betarët e tij, atje më nji tjetër katund vlote kanga e pushka rreth ndoj shpije ku qat herë porsa kishin mbrrijtë krushqit me nuse, e nusja me dhanderr thejshin mâ të paren bukë bashkë mund para prakut të derës; shemelltyrë kjo e ambel e nji jetës së padashme deri në dekë.
Fis në fis do pushkë të paprituna ashta batare i qesin kushtrimin e gzueshem mbarë bajrakut, se i leu ksajë e asajë vllazní nji djalë e ju shtue fisit nji pushkë. Qe prap neper fis do pushkë tjera! Më nji vend âsht kumara qi qet, pse i muer kripin e parë famullit qi ndrikulla ja vuni në prehen; më nji tjeter âsht miku qi per miqsí qi u lidh diten e fés së vajzës.
Prap i bjen në sy shtektarit tuj dalë prej njajë shpije njiheit e vigu e nusja, pse mbas kanunit orokun e nuses as deka s’e pret; e ndersá te shpija e dhandrrit vlon kanga e pushka, atje te gjinija e nuses gjama gjamen s’e pret në ket qafë e n’at qafë, te shpija e te vorret; âsht vigma e fisit per krah e per vllá, nji vigëm kjo, qi mbas bestytnís féll do të depertojë per nën angurra të tokës deri në nenjetë, atje ku hijet e të parëve i prîjn luftarit trim njatij burrit qi tuj msy ngujimin e tuj shtyj kufinin mbet per fis,
Te nji kishë e fortë, qi mbas besimit të popullit s’e lshon bérrejshmin kurr pá e bâ me shêj, do të bahet nji bé gjakut; njizetekater bétarë – dymbëdhetë dorë bejet e dymbëdhetë mbrapa – pritojnë me sy e msy bén, pse beja ká rrfén. Qe njeri i ngarkuem me njeri në shpinë perpara lterit të Tenzot atje në Mërtur! Âsht aj bétari qi nuk gjegjet me ju avitë l’terit e me e lá ndryshej veç në qafë e në krye të tij. Po beja me valë t’u bâ atje në Shalë e në Shosh? Kazani tuj vlue, bétarët per rreth; njani nder ta zhytë pallen a kosen e kuqun në zjarm mbrenda atij kazani. Prisi i bés me’j herë i rri gati, shpervjelë llanen e tuj e zhytë krahin n’atë valë dishmon pafajësín e vet me këto fjalë: Si kjosha e më prîftë Zoti!
Pesë pushkë rresht bijnë e shpija e Bajraktarit të Shalës. Mbas pushkve nji zâ: kushtrim djalë, se na rá i Nikaj! Per tri dit rresht vlon pushka fis me fis, mbas tri ditsh qe fiset e tjera tuj u hî ndermjet per me e prâ pushken e me vû kufît e rí: atje ku mbeten dy bajraktarët, pse mbas kanunit gjaku shtyn kufin si beja me gúr në krah.
Po te cilli Homer do t’a gjejmë na nji shemull mâ të bukur burrnijet se kte të burrave të kanunit? Tata qi ndjekë gjakshin e të birit per ledinë, shit at herë kuer të jét tuj e bâ dekun, atij qi i thau zemrën, jetën me ja falë e besë e ndore me i dhânë, pse gjaku atê e xuni, e tuj u ra gjujvet, ndore tokës i rá!
Per në pvetshim mâ pertej: cillat janë malet qi e ruejtne kanunin, ksajë pvetje mund i pergjegjim kso doret: vetem njato fise qi e ruejten autonomín e vet me armë në dorë kundra slavëve e kundra turqve ato mbajten edhe kanunin deri në ditt t’ona. kto fise janë: Hot, Piper, Palabardh, Kuç, Berishë, Shalë, Shosh e Mirditë, Morinë, Thaç, Gash e Krasniqe, Has, Kelmend, posë do fiseve mâ të vogla qi malet i quejn anas: Bobi, Boksi, Lumardhi, Berbati, Koprrati, Qerreti, Goxhabati etj. Posë Piprit, Palabardhit e Kuçit, qi u slavizuene tash vonë, të gjitha kto fise janë shqyptare. Prej ktnye perbahet gadi krejt popullsija e Malcís së Madhe, e Dukagjinit, e Pukës, e Mirditës, e Pejës e e Gjakovës, e Lumës e Matës e e Dibrës; tharmin e ktyne fiseve e gjen, posë nder të gjitha qytetet e Shqypnís së veit, edhe pertej Shkumbinit neper Toskní.
Mjafton me i lshue nji sy vrojtës folklores popullore të fiseve Shqypnís per me e njoftë personalitetin e komit t’onë e botkuptimin e tij mbas kanunit. Kush nuk njef kto visare aj nuk e kupton as nuk e çmon shqyptarin pse nuk e nje e askurr nuk ka me diejt me e edukue, ne kjofët aj edukator, si shqyptár, tuj ja ruejt personalitetin e tij si kom nder kome tjera të Europës.
(Shkëputun prej librit, Studime e Tekste Juridike, N.1. Romë. 1944. Botim i Institutit të Studimeve Shqiptare)
By Benardin Palaj