albaniana

Histori

Më 4 qershor 1883 u themelua shoqata “Vëllezërit Shqiptar”

Më 4 qershor 1883 u themelua shoqata “Vëllezërit Shqiptar”, nën kryesinë e kushëririt të parë të Marko Boçarit, Dhimitër Noti Boçari.

Më 4 qershor 1883 u themelua shoqata “Vëllezërit Shqiptar”

Më 4 qershor 1883 u themelua shoqata “Vëllezërit Shqiptar”, nën kryesinë e kushëririt të parë të Marko Boçarit, Dhimitër Noti Boçari.

Disa nene të Rregullores së Shoqatës

Neni 1.

Në Greqi themelohet dhe përkohësisht ka selinë në Athinë një Lidhje me emrin “Vëllezërit Shqiptar ”.

Neni 2.

Lidhja i konsideron vëllezër të gjithë njerëzit që frymëzohen nga ndjenjat e pastra dhe fisnike të vëllazërisë natyrore, dhe veçanërisht ata që synojnë përmirësimin dhe përparimin e Shqipërisë.

Neni 3.

Lidhja “Vëllezërit Shqiptar” synon zhvillimin dhe kultivimin e gjuhës shqipe dhe, në përgjithësi, formimin moral dhe shpirtëror të popullit shqiptar, pa dallim race, feje apo besimi.Ajo hedh poshtë dhe kundërshton në mënyrë kategorike çdo gjë që të tjerët, ndryshe, mund të përpiqeshin t’i shtonin qëllimit të sipërpërmendur.

Neni 4.

Anëtarët e Lidhjes, të cilët duhet të quhen mes tyre edhe “Vëllezër”, përbëhen nga të gjitha shtresat shqiptare, pa asnjë dallim race, feje apo besimi, por që megjithatë duhet të jenë të gjithë të përshkuar nga të njëjtat ndjenja dhe të kontribuojnë për të njëjtin qëllim, domethënë ngritjen morale të Shqipërisë.

Neni 8.

Anëtarë nderi bëhen albanologë të shquar dhe miq të shqiptarëve, si edhe ata që e kanë ndihmuar ndjeshëm Lidhjen, ndër të cilët mund të jenë edhe gra.

Neni 26.

Në auditorin e Lidhjes mund të lexohen, në periudha të caktuara nga Kryesia, vepra të ndryshme origjinale ose përkthime në shqip, poezi, studime mbi tema të ndryshme që kanë të bëjnë me letërsinë shqipe, gjuhësinë, gramatikën, dialektologjinë, shtetin, historinë dhe, në përgjithësi, çdo gjë që kontribuon në formimin moral dhe shpirtëror të popullit shqiptar, nga anëtarë të caktuar me miratimin e Kryesisë; këto lexime do të botohen në gazetën që nxirret prej saj.

Neni 28.

Kandidatët duhet të jenë me sjellje të njohur, domethënë të matur, besnikë, punëtorë, pavarësisht profesionit, këmbëngulës, të bindur në çdo gjë ndaj parimeve të Lidhjes dhe, mbi të gjitha, të digjen nga ndjenja të pastra për atdheun e tyre, Shqipërinë. Ngatërrestarët, të pabindurit dhe ata që shkelin dispozitat e këtij neni, pas këshillimit të tretë dhe të katërt, përjashtohen me miratimin e Lidhjes.

Neni 29.

Themeluesit do të kujdesen siç duhet për botimin e një gazete shqiptaro-greke, në mënyrë që qëllimi dhe parimet e Lidhjes të përparojnë më lehtë, të zgjerohen dhe të konsolidohen në mënyrë më të qëndrueshme.

Neni përfundimtar dhe i përgjithshëm.

I lutet çdo shqiptari, dhe veçanërisht çdo anëtari të Lidhjes “Vëllezërit Shqiptar”, të mbledhë dhe të shpëtojë nga shkatërrimi gjithçka që lidhet me gjuhësinë, letërsinë dhe historinë shqiptare, duke përpiluar fjalorë ose glosarë të dialekteve të ndryshme shqipe në përdorim në vende të ndryshme shqiptare, duke i shënuar ato siç duhet; dokumente shqipe të shkruara me alfabete të ndryshme ose të përkthyera nga gjuhë të tjera; ngjarje historike shqiptare, këngë popullore, frazeologji, përralla, proverba; me një fjalë, gjithçka që ka të bëjë me gjuhën dhe kombësinë shqiptare, dhe t’i dërgojnë ato në Kryesinë e Lidhjes “Vëllezërit Shqiptar”, që të botohen siç duhet përmes gazetës shqiptaro-greke.

Kjo rregullore mund të ndryshohet sipas vendimeve të herëpashershme të Lidhjes.

By Alexander Leka