(BELLUSCI, PJ. 19)
Nga intervistat e shumta, arvanitasit treguan qartë se e duan gjuhën shqipe me zemër dhe kënaqen kur flasin shqip. Një këngë e tyre thotë: “Arvanitët të këndomi/ Gluhënë të mos harromi”.
Ka edhe arvanitas që kanë besim në të ardhmen e gjuhës. Kanë po ato ndjenja që shfaqi një plak nga Korinthi kur tha: “Unë kam tri vasha me shkollë. Po kur më vijnë në shtëpi flasin arbërisht. Greqishten nuk e flasim neve këtu”.
Pyesja herë pas here kudo ku shkoja:
-Do të rrojë gjuha arbërore?
-Nuk e di,- përgjigjej shumica arvanitase, - sepse është një gjuhë që nuk mësohet në shkollë dhe nuk shkruhet.
Në bisedat me arbërorët mbi këtë temë dukej qartë një konflikt midis atyre që duan ta ruajnë gjuhën me çdo kusht dhe atyre që preferojnë greqishten, sepse atë gjuhë dinë edhe ta shkruajnë.
Një gjë është e vërtetë sepse gjatë gjithë udhëtimeve që bëra në Greqi, për rreth 40 vjet, dëgjova ankimet e arvanitasve për grekët, të cilët nuk lejojnë hapjen e shkollave shqipe. Nuk i lejojnë shqiptarët as të këndojnë këngët e tyre.
Nuk harroj fjalët e një plaku arvanitas në More, Dhimitri Gonos, të cilin edhe e kam incizuar: “S’kemi mundësi të shkruajmë gjuhën tonë. S’kemi botime, as fetare, as popullore, as letrare. S’na lejojnë. Jemi si një trup pa shpirt. Këtu gjuha jonë flitet vetëm mes mureve të shtëpive. Ajo s’ka banesë, as në liturgji, as në shkollë, as në shtyp, askund”.
Një burrë arvanitas më dëshmonte se kur kishte qenë djalë i vogël në shkollë, mësuesi i rrihte nxënësit shqiptarë po të thoshin ndonjë fjalë shqip dhe i detyronte t’i shkruanin ato fjalë njëqind herë në dërrasën e zezë.
Grekët i shohin shqiptarët si vllehë, d.m.th. pa rrënjë, pa shtëpi, pa tokën e tyre, sikur ata nuk ekzistojnë si popull me kombësinë e vet.
Edhe emrat shqip të fshatrave të tyre nuk i durojnë dhe i kanë ndryshuar e u kanë vënë emra grekë (megjithatë, populli vazhdon të përdorë emrat e tyre të vjetër shqip).
Disa grekë na mohojnë. Thonë se shqiptarët nuk ekzistojnë fare. Kjo është një gënjeshtër e madhe. Në Korinth, në Beozi, në Atika, në Eubë, në Argolidhë, në More, në Thebë, arbërorët i gjen nga të gjitha anët.
Arbërorët e dinë mirë rolin e shqiptarëve në revolucionin për pavarësinë e Greqisë. “Greqinë e kanë ngjallur arbërorët”, - thonë ata me këmbëngulje. Por kjo e vërtetë historike nuk u bën përshtypje grekëve.
Ata e mohojnë kombësinë shqiptare të heronjve të revolucionit grek, si Boçari, Miaulli, Xhavalla, Kollokotroni etj., duke thënë se ata ishin grekë që kishin mësuar të flisnin shqip!
Më e keqja është se ka edhe arbërorë që s’duan të thonë se janë shqiptarë. E mohojnë kombësinë e tyre dhe zemërohen po t’ua kujtosh.
Me gjithë gjendjen e rëndë të arbërorëve që gjeta në Greqi, nuk u pezmatova, nuk u dorëzova. I mbrujtur me ndjenja të thella atdhedashurie dhe i nxitur nga një mall përvëlues historik (që buron nga thellësia e shekujve), më në fund dola fitues si etnograf, si shërbëtor i urtë i Zotit dhe si burrë i besës shqiptare.
Unë jam optimist për të ardhmen e shqiptarëve të Greqisë. Shpirti i arbrit rron, “i freskët, i gjallë, i thjeshtë”. Rron në këngët arbërore, rron dhe do të rrojë, sepse ka rrënjë të thella në tradita.
Arbëria rron tek arbërorët kudo në botë. Rron, sepse arbërorët një pjesë thelbësore të tyre e kanë ende të lidhur me kërthizën e atdheut mëmë, i cili vazhdon t’i mbajë gjallë midis botës në të cilën jetojnë dhe tokës antike të shqiponjave nga kanë prejardhjen.
Arbërorët ekzistojnë, edhe pse në rrezik asimilimi, por akoma nga diafragma e tyre dalin tingujt e Moresë në gjuhën e arbrit, e cila i bënë të ndihen krenarë, kudo që janë.
Arbërori i Greqisë ekziston, edhe pse i terrorizuar, i shtypur dhe deri i padukshëm, por ai ekziston dhe askush nuk mund ta mohojë.
Unë i pashë me sytë e mi ata arbërorë të Greqisë, ndenja me atë popull, i pashë kur këndonin në gjuhën e mëmës, kur rrëfenin në gjuhën mëmë, kur luteshin e qanin në gjuhën mëmë, në gjuhën e shqipes.
Këto zëra i mblodha, një pjesë i hodha në letër, për të shkruar të bardhën mbi të zezë, për t’i dhënë sado pak dritë të vërtetës mbi historinë e këtij populli.
Unë vendosa ndërgjegjen e plotë në punën time të palodhur, duke deklaruar se çështja arbëreshe dhe ajo arvanitase nuk kanë qenë asnjëherë çështje pasive, por në qendër të objektivit tim.
Konstatova që në Greqi rinia nuk di gjuhën; pleqëria e di, por s’e flet. Brezat nuk dinë se nga i kanë rrënjët. Kjo është e dhimbshme, por mos harroni që në ato troje arvanitase mbeti shpirti i thellë arbëror. Shkoni e kërkoni, ata shpirtra janë atje prej shekujsh.
Arvanitasit e Greqisë nuk janë ardhës, nuk janë as minoritet. Ata ishin dhe janë akoma në Greqi.
Të dashur kolegë, mos flisni vetëm nga maja e katedrave! Ju studiues e akademikë, mos rrini të heshtur, as indiferentë! Ju qeveritarë, mos fshihni të vërtetën e kujtohuni që jeton një popull i padukshëm në Helladhë, sepse unë i pashë, fola me ta, lidha edhe besën.
Ne të gjithë kemi një farë përgjegjësie për vëllezërit tanë arbër, që kanë bërë histori në atë Greqi, por që me siguri nuk ditën për veten e tyre dhe ranë pre e politikave të egra të qeverisë greke. Arbëria, edhe pse disi e lënguar, rron në shpirtin e arvanitasve.
Me arbërorët e Greqisë na bashkon vëllazërimi, mbiemrat, besimi, gjuha dhe kostumet tona. Kështu unë munda të mblidhja zakonet e tyre dhe këngët në shumë treva të Greqisë.
Ata e vuajnë ruajtjen e identitetit, sepse ndryshe nga Italia, që e njeh me kushtetutë komunitetin e arbëreshëve, në Greqi nuk e pohojnë të vërtetën për komunitetin e arvanitasve.
Qeveritarët grekë mohojnë pa asnjë logjikë parimet e të drejtave të njeriut, kur ndalojnë edhe përvetësimin e gjuhës shqipe atje.
Nuk kishte më të madh gëzim sesa kur takoja arbërorët në katundet e tyre kudo ku shkoja. Atje takova vëllezër të gjakut tim, me kulturë të lartë, që më ndihmuan shumë.
Me mikun Aristidh Kollja krijuam një lëvizje popullore arbërore-arbëreshe, duke organizuar udhëtime dhe vizita reciproke në katundet arbërore dhe arbëreshe në Kalabri.
Arbërorët-arvanitas në Greqi janë të gjithë ortodoks, me të njëjtat rituale si ne arbëreshët.
Librin “Arbërorët-arvanitë - një popull i padukshëm” e shkrova që të mos u shuhej shpresa arbëreshëve, shqiptarëve dhe arvanitëve.
Por kërkova edhe rrënjët tona në Gadishullin Ballkanik, ku ndodhej dhe ndodhet Helladha në shekullin XV.
Në këtë libër, arbërisht dhe italisht, gjen një popull shqiptar në mërgim, i harruar dhe i shkelur, i cili këndon arbërisht dhe tregon përralla, ruan emrat e vendeve dhe zakonet.
Këtu ke njerëz që, për herë të parë, fillojnë e më shkruajnë arbërisht ashtu siç e ndiejnë në zemrën e tyre. Një thesar me mrekulli! Një histori e panjohur!
Shumë më kanë thënë se i zgjova nga gjumi, shumë të tjerë më thoshin se nuk dinë dhe nuk njohim bukuritë e të qenit arvanitas.
Është shumë interesante, sepse sa herë që udhëtoj në horat arvanitase, ndiej nga afër njerëz si unë, me të njëjtin gjak, me të njëjtat tradita, i ndiej nga afër si vëllezërit e mi.
Në çdo cep të Greqisë ndieja detin si të Arbërisë, ndieja detin si të Shqipërisë.
Çdo gjë në Greqi m’u duk shqiptare: gjuha, miti, legjenda, Homeri, Olimpi, lufta e Trojës...
Ecja nëpër ato rrugica, ku era e detit valëviste perdet e atyre strehëve arvanitase, ku jeta arbërore të mbushte zemrën me ajrin e vatanit. Aty është një pjesë e mëmës sime, në ato rrugica të ngushta e me aromë deti.
Mes tyre, ndërsa pashë një grup vajzash, m’u kujtuan shtojzovallet epirote, bukuroshe, me trupa të hajthëm, vajza si deti i kaltër e me leshra si valët, derdhur lehtë mbi supe, arbërore fisnike, tërë hir e nur, me aromë njerëzore e dëlirësi engjëllore, të thjeshta, gjithë finesë e elegancë, që piktorët më të famshëm i skicuan në akuarel, ndërsa skulptorët i derdhën në art adhurimi të bukurisë së vashëzës arbërore, helene, epirote.
Antonio Bellusci «Rrugëtimi i një arbëreshi. Jeta, vepra, kujtime...». Bashkëbiseduese dhe recensuese: Ornela Radovicka
Redaktore: Elona Qose Botuesi: Tiranë, Maluka
By Antonio Bellusci
