HISTORIJA E KANUNIT
Para shekullit të kaluem nuk pásh kund se xêhet në gojë ndër të shkrueme Kanuni i Lekës; due me thânë shprehimisht me këtë emën. (1)
Tash quhet fjesht Kanuni i Malevet, o Kanuni i Lekës osè Kanuni i Dukagjinit; a u quejt që mâ parë edhè Kanuni i Lekë Dukagjinit, a por âsht ky nji kontaminacjon burimi kulturuer, nuk mund e vertetova. (2) Mun as fjala Kanû nuk diej a ká hîm në shqipet drejt për drejt nga byzantinja “Kanon” o “Nomokanon” apor me ânë të turqishtes.
Veçse lehtas mund të xieret nga shêje të mbrendshme se thalbi i tí na mbet që nga kohna të lashta. Për shka ká mujtë me hîm në tê prej së drejte romake flet Koliqi() n’atë leksjon të vetin qi riprodhohet po në këtë numër të Buletinin. Anasjelltas, nuk mund të mohohet pá tjetër se perandorë romakë fisi ilir kanë mujtë me shfaqë në ligjë të veta prirje të veçanta të mendesís juridike të popullit të vet. Kemi p.sh. në librin III, titull I të Kodit Theodosjan, ligjën 6: aty ligjëvûsi e qorton prefektin Flavjan se nuk do të mendojë, tue u u pështetë ligjëve të përpashme, se aj qi do me shitë nji tokë âsht i detyruem përpara me pëvetë fis e komshí; kjo ligjë tash mbas studimevet të Seeck-ut, njifet si e vj. 391, e prandej aj Flavjani âsht Vir Nikomak Flavjani, prefekt i pretorit per Italí e Ilirik, dhe perandori qi e qet nuk âsht nji perandorësh ilirë të sh. IV, por Spanjoli Theodos. T’ishte qênë përkundra, si besohej parandej, ligjë p.sh., e Konstantinit, do të gjêjshim nji kundershtim të thekshëm mes njaj ligje të tillë të njij perandori ilir dhe urdhnimevet fare të kundërta qi kemi sot në Kanû e qi rrâjën e kanë shi në shpirt të tí, mbassí ky e njef pronësín toksore si gjâ e familjes e jo e setëcilit, dhe kujdeset, me shum arsye, për solidaritetin mes komshívet. E vërteta âsht se aj detyrim qi shitsi, para se të ja shesë tokën tjetër kujt, të pëvesë fis e komshí, detyrim qi nuk e gjêjmë në kurrnji ligjë romake të njoftun, do të jétë vû në ndonj ligjë të njenit ndër perandorë ilirë të sh. III o IV, i cili ndoq me tê mendesín e fisit të vet, sádoqi në kundershtim me ligjësín qi tashmâ kishte hî në botën romake, o së paku nji zakon, qyshë-kúr të zhdukun nga bota romake, por të ruejtun në botën ilirike; aj qi do perkundra ketë zakon me e zhdukë âsht nji spanjol.
Anagjore nji pershtypje ta bân krahazimi me të drejtën gjermane gote e sidomos langobarde; perpjekjet, qi dy fiset kanë pasë me shoqishojnë në kohën e mesme të parë, i kanë lanë do gjurma në visarin kulturuer shqiptár, jo vetëm në gjuhë (skâje karakteristike si “fara”, “shpori”, e “drangueoni”, trimi mbínatyrsisht i fórt, i cili më duket mue se do të lidhet mâ tepër me “drancus” langobard se më “draco” latin qi në shqipet u ba “dreq” me kuptim mjeft të ndryshëm), por edhè ndër institucjone paralele.
Kundrejt ndryshimesh së préme (shpírt barasije në shoqnín shqiptare kû s’ká nji kategorí sklavësh robsh të vertetë, as nji dallim të njimendtë mes klasash së ndryshme shoqnore, në kundërshtim me sá dihet për Langobardët e ngulun n’Italí; faderf e dylyftim gjygjsuer langobardë qi s’gjinden më sa diej un, aspak ndër institucjone të Kanunit) gjêjmë gjithë nji varg institucjonesh së përbashkta o gadi të njajta. Në temel të të dyjave shoqnivet qindron familja, e përforcueme nga nji lidhje e ngushtë qi e mban të bashkueme me anë të pushtedes së plakut të shtëpis, të kufizimit të të drejtave civile të misavet tjerë qi i kanë po, por vetëm në rrâjë, të kufizimit të kapacitetit të grues, të pronësís familjare kolektive, të të dhânunit të pajës prej âne së dhandrrit e jo pre âne së familjes së grues. Zgjânimi i familjes âsht o njehet fisi, qi mban nji individualitet të shquem në gjí të kombit.
Si rrjedhim i kësajë autonomije të spikatun të familjes e të fisit në shoqní, mund të njehet ndoshta e drejta o, në daç, detyra e “faida”-s langobarde e e marrunit të gjakut shqiptár, e qindresa e sajë edhè në kundershtim me pushteden gjygjsore të Shtetit; zbutime të rrjedhimevet të saja gjinden paralelisht në “guidrigjildin” langobard e në pajtimin e gjakut të shqiptarvet.
Në procedurë po gjejmë paralel edhè institucjonin e “sakramentalvet”, të cillët edhè në Kanû, si në të drejtën langobarde, përbajnë nji kolegjë dishmitarësh për të lám të të paditunit (parota), e kanë vëlerë juridike provuese me bén e “sedijes”.
Vertè këto paralelizma mund të jénë shkaktue vetëm prei prirjevet të përbashkta natyrore të shoqnís njerzore, të cillat zhvillohen njinji kúr të jénë të njajtat konditat e rrethanat, pá mujtë m’u pohue se ká varuní të shoqishojme; porse kjo vëré sado e urtë n’abstrakt, nuk mund të na drejtojë gjithsesk në konkret, kúr gjejmë jo vetëm institucjone paralele por edhè terminologji të përbashktë në dy popuj qi i përkasin grupeve ethnike e gjuhësore të ndryshme. Kështu ndohë në rasën t’onë: kemi, si e vûm oroe sypri, nji tok, jo të madh, por karakteristik, skâjesh së përbashkta; po tërhjeki vërèn sidomos mbi “faren” , edhè po guxoj të paraqes nji krahasim mes “mundium” langobard (pushtedija atnore) e rrajës shqipe “mund” qi shenon mundshmení, fuqí mâ të madhe, e të shtîmit në dorë të dikujt me anë të fitores.
Mujka prá m’u thânë se paska ndërvaruní; a mund të shofim tash cilla ndër dy shoqní i ká marrë uhá prej tjetrës ato institucjone të përbashkta? Besoj se tash për tash nuk kemi elementa të mjaftueshëm, tue qênë tepër të pakta njoftimet qi kemi përmbí jetën shoqnore të dy popujve përpara kohës së pjekjes të tyne me shoqishojnë (sh. II-III ilirë me langobardë(3) , ps. III-V ilirë me gothë); shto edhè se tepër pak e njofim gjuhën ilire e gjuhën langobarde. Punim i madh, qi deri tash s’e bâni kush, do t’ishte analizimi i materjalit të pasun qi u mblodh deri tash rreth institucjonevet juridike shtetnore të Bulgarís; Diokís, Rashës e Sërbís, e të qytetevet bregdetse sh. XIV, por edhè deri në të(4)
Tash për tash mâ të parat lajme rreth njij kanuni vendës, gojëdhânuer e por të shkruem, un i njof vetëm tue fillue nga mesjeta e vonshme, e sidomos nga koha venedikase.
Jo vetun në Durrës, sikúrse persërisin shkrimtarët nji mbas nji, (5) por edhè në çdo qytet ku u vendosen, venediksit dhânë urdhën qi çdo “bailo”, o kont, o “podestá”, o proveditor, të kujdesej me pasë nji pasqyrë të zakonevet juridike të vendit e t’i mirrte para sysh; (6) praktikisht, ndër çâshtje më randësí, gjikote sundimtari (zakonisht nji herë në javë në nji ditë të caktueme), e ndër tjera, natyre civile, gjikojshin gjygjtarët e vendit. Prei gjygjit të këtyne mund t’apelohej tu sundimtari venedikas; mandej çdo qytet dytenik kishte apelin në qytetin kryesuer, e ky nji ndër qytete dytenike të caktuem prei Senatit; për shembull Drishti, Dêja; Shasi, Ulqini, Lezhja, apelin e kishin në Shkodër, Shkodra n’Ulqin. (7)
Si tek zhvilloheshin proçesat me gjygjtarë vendas, deri sot nuk gjeta ndonji njoftim.
Por përgjithsisht kam pershtypjen se parimet e praktikat juridike të qytetevet s do kénë pasë shum lidhje më “kanunin” e tashëm. Arsyja qi më lidhë âsht kjo, se qytetet ishin të banueme, pjesën e madhe, prei latinësh, më nji notarjat perendorak mjeft të kulturuem per kah e drejta romake, e shpesh herë edhè të huej, e me kapituj kathedralesh qi do të kénë përhapë e përkrahë të drejtën kanonike. ( Aty popullsija dahej tri shkallësh: bujarë, proniarë e qytetarë të fjeshtë(9) (posë robsh, d.m.th. sklavësh), (10) krejt si, në shoqnín civile romake, ishin familjet e senatorvet, të kalorsavet pronarë e të plebejvet, posë sklavësh; të vêhet oroe se, ndersá në “Kanunin e Lekës” idea e moshes së pjekun ká randësí të madhe kaqsá me kênë temeli i çdo influence në ligjsín e në gjygj, në kohë venedike as gjygjtarët as bujarët s mbaj mend se quhen “senatores” ose “seniores”, posë ndonji here në të radhë, mâ fort prei letrarësh klasiqista se prei juristash. Në Kanû per robní o sklavní as s ká idé; aty robt, si do shofim mbrapa janë vetun nierzët e familjes(11) qi, si të tillë, nuk gëzojnë të drejta civile të pá varuna prei plakut të shpís qi e përfaqson famljen. Së mbrâmi ndër qytete mesjetare nuk gjeta ndonji kujtim gjygjesh o pajtimesh deri në gjysën e shekullit XVI. (12)
Rrethet e qytetevet – “bulkít”, si quheshin atëherë, d.m.th. katunet qi e ushqejshin qytetin me prodhime bujqësore – shkojshin mbas qytetit. Aty shênohej nji “cavo” o “capovilla” prei qeverrije, pá marrë detyrisht parasysh trashigimin e pá shprehë popullsija nji votë të vetën; (13) posë këtí, randsí, o ndoshta edhè ndonji farë auktoriteti, kishin edhè “pronarët”, d.m.th. nierëz besnikë të qeverrís, të cilvet kjo, si shpërblim meritimesh, u lëshonte si në konçensjon do tokë demeniale, hera herë edhè shum të hapta, sá me kapërcye kufinin e njij katuni. (14)
Nji pjesë e madhe e vendevet tjera ishin në dorë të “zotnívet”, të cillët, me gjasë, ne parë s ishin veç feudatarë të perandorís greke (.p.sh. Komnenët, Engjellorët; Muzakajt e ndoshta edhè Dukagjinët e Kastriotajt), o slave (si Balshajt e Cërnoviqët), o franke si Topiajt e ndoshta edhè Golemajt. (15) Këta ushtrojshin, kujtoj, nji zotnim absolut, qi mbrrijtte deri në shitje të zotnimit të vet (si bâne, p.sh. Topiajt, Dukagjinët, Balshajt, Zajajt). Brijë këtyne, ká nji shumicë të madhe tepër familjesh kreshnike, qi, të dhânuna mbas zanatit të luftës si stradjotë, shpernguleshin shum létas prei veriut e në jug të Shqipnís e deri në Moré (si Dajçët, Kuçët, Logorecët e tjera). (16)
Vetëm në krahina mjaft të kufîzueme e gjejmë popullsín t’organizueme në fise e në katune me nji trajtë, si me thânë, republikane, në giasim të regjimit fisnuer të mâ vonshëm, (17) nên prîjë jo të zotnís absolut, por të njij plaku o president, të cillit veç nuk ja diej titullin shqip, pse dokumentat e quejnë me emna latin-grek, o latin-frang o slav. (18) Të tilla fise janë Hoti, Pamaljoti, Matagushët, Drekalorët, Rodonët e tj. Mjerisht mbi jetën shoqnore të këtyne, gjeta tepër pak; diej veç se ishin luftarë të fortë, e lidhja e përbashktë në çdo fis ishte shum e ngushtë si në nji familje patriarkore.
Kur zaptoj Turku vendet e ndryshme të Balkanit, dihej se shpesh herë krahinavet u a njijti o u a mbajti për të giatë kohë emnin e princit qi pat gjetë në tê në çastin e pushtimit; kështû krahina e sundueme prej Karlit Tocco u quejt “Karlili”; kështu më bje në mend se i ndjeri D. Ndré Mjedja, njaq studjus i hollë i historís sá i gjuhës komtare, mendonte se Shqipnija jugore ká mujtë me u emnue Toskní o prei familjes Tocco, o prei zotnívet të ndryshëm Italjanë të cillët qilluenë toskanë prei fisi sikúr Buondelmontajt. Kështû edhè krahina malore veri-perëndimore, kû kishte pasë sundim dera e Dukagjinvet, muer emnin e “sanxhakut të Dukagjinit”, si dihet pá dyshim prei historije. (19)
Tashtì mbí këtë temel po bâj un nji hipothezë. Pak vjet mbas pushtimit të Shqipnís, hypi në fron të Turkis (1520) Sulejmani II, shi njaj qi u quejt “al-Kanuni” pse kje systhemuesi mâ i madhi i së drejtës shtetnore e civile te perandorís turke. Mundet qi ky, ose sundimtarët turq të Shqipnís, për shkak të rrethanavet, ta kénë pá me udhë me perjashtue së paku heshtimisht prei kanunit të pergjithshëm të Rumelis sanxhakun e Dukagjinit, ose të Lekë Dukagjinit. Këto rrethana kanë mujtë me kênë shtrimja e perforcimi i fisevet republikane të verit ndër tokë të braktisuna prei zotníve të vjetër e veçanërisht prei Dukagjinvet.
Létas kështû, në dallim të rregjimit ligjuer, ká mujtë me hî e thânmja se dy kanunne njifen në Shqipní: Kanuni i Rumelís e Kanuni i Dukagjinit, ose, ad abundantiam, kanuni i Sylejmanit per Rumelí e Kanuni i Lekës për Dukagjin. E ky emën mbet, me gjith qi mâ perpiknisht do të thohej se ishte kanuni i fisevet republikane të shpërnguluna ndër tokë të zotnívet të vjetër absolutë të derës së Dukagjinit.
E njimend gojedhâna shpesh e përsëritun e shpërnguljes së tre vëllazënvet temeluesa të Shalës, Shoshit e Mirditës, mund të jétë nji perforcim i kësajë hypotheze, po të vehet n’atë periudhë kohe.
Gjith ketë qi thash, âsht kundra krijimit o kodifikimit të kanunit të malevet prei Lekë Dukagjinit. Por, prap në këtë made, posë argumentit mohemik të mungesës së dokumentavet rreth kësajë veprimatarije së Lekës, kemi argumentin tjetër pohemik qi çeka sypri, e qi këtû po e qes shtjelltas: thalbi i Kanunit të Malevet do ta shofim mbrapa se âsht pjesa kushtetuese ose statutore, rrajesisht e pandrrueshmenisht republikane, perkundra sundimi i Dukagjinvet qè nji sundim autokratik.
Mirë po, mundet me thânë historiku, na kemi edhè shembuj zotnísh shqiptarë të kohës së mesme, të cillët, së paku ligjorisht, nuk kanë qênë autokratë por qeverritarë me nji auktoritet qi permbahej mâ fort n’administratë të drejtsís: kaq lên me kuptue titulli “judex” qi vj. 1208 i ipet Dhimitrit princit t’Arbnit; (20) prandej mund të besojmë se këta princa, e prá edhè Dukagjinët, në fund të fundit, s kanë pasë tjetër auktoritet ligjuer posë atí qi kanë pasë mâ vonë trashigimtarët e tyne të derës së Gjonmarkut, d.m.th. nji auktoritet konstitucjonal, qi në kohë pagje ushtrohej mâ së forti në punë gjygji.
Mandej si spjegohet aj auktoritet në të prém të gjygjevet a n’interpretim të kanunit qi Gjonmarkajt, pinjojt e Dukagjinvet, kanë pasë jo vetun në Mirditë, por edhè ndër fise e bajraqe mâ të largta, mos të kishtë lé Kanuni në dorë të tyne?
Më së pari edhé un, nemose në temel provësh së sigurta, së paku të disá elementave të pá lidhuna endè mirë, po anoj kah âna e atyne qi injofin Gjonmarkajt si fisi së Dukagjinvet, mâ fort se kah âna e atyne qi e mohojnë; medjè po shtoj se, mos t’ishin këta aso dere, vshtirë mund të kuptohej aj auktoritet qi në punë të kanunit u njofin Malsinat qi ja atribuojnë Kanunin Lekë Dukagjinit.
Por këta nuk do me thânë se përnjimend Leka e hartoi osè e kodifikoi Kanunin; deri aty logjika nuk na çon. Mundet qi ndonji pinjuell dytenik i derës Dukagjine, këthye, pá pasë më fuqín princore të të parvet të vet, n’ato vênde të dikúrshme të banueme tash prei fisesh s’ardhuna mbas rrebeshit turk, të jénë pritë me nderime prei banorvet të rí, e të kénë fitue mandej pak ka pak atë auktoritet qi i gjejmë derës së Gjonmarkut në sh. XVIII.
Thaç “pak ka pak” e “në sh. XVIII”, pse ata dokumenta të sh. XVI e të sh. XVII qi njof un (e jan mjeft të shumtë), ndersá na permêndin nja disá kreshnikë të derës Dukagjine, (21) edhè do kuvende të përgjithshme të parsís e të pleqvet të sanxhakut të Dukagjinit, (22) kurrkund s na diftojnë se kryesín e kishin pinjojt e derës Dukagjine osé gjyshat e derës së Gjonmarkut.
Familja e Dukagjinit duket se atëherë s lypte tjerët veçse titullin e “kapedanit” e mundsí për të luftue trimnisht mâ fort se kurrkush per pshtim t’atdheut prei thojvet të Turkut, me ndimë sidomos të Papës e të Venedikut.
Vërtè na del para aj titull gjygjtari qi i ipet Dhimitrit t’Arbnit. Por nji titull i tille – po e xâmë se ká atë kuptim konstitucjonal qiu thâmë sypri, shka nuk ká shum gjasë(23) – vëlen për Arbën, krahinë në çdo pikëpamje n’antagonzëm me malsí, e jo për krahina të Dukagjinit; e thâmë sypri se titulli qi i njofim historikisht derës së Dukagjinit âsht aj i “zotnís” (dominus), ose i “kapidanit” (katapan?), e ketë të dytë e jo tjetër njef zyrtarisht edhè dera e Gjonmarkut. (24)
Sá për shêj t’antagonizmit qi duket se ká mes Malsís e Arbnit kemi atë ndryshim përkrah rrebtësija e Kanunit qi difton gojëdhana e famshme e rragatjevet mes Lekës Dukagjinit e Skandërbegut. (25)
E kështû hîjmë edhè në çâshtje të dy kanunevet: a ká vetëm nji kanû Malesh, a por dy, nji të Lekës e nji të Skandërbegut?
Nji përgjegjë të sigurtë s diej me e dhânë. Në njân’ânë gojëdhana e rragatjes ndonji vëlerë dokumentare e ká, nemose per të diftue si e mendon populli – i Mirditës, kujtoj – mbi çâshtjen t’onë. N’ânë tjetër na shofim se deri në gjysë të sh. XVIII, mbledhjet e “Dukagjinvet” mbaheshin edhè në Mat krahinë dikur e Kastriotvet, as nuk dihet qi Turku, sikúr pat krijue nji “Sanxhak të Dukagjinit” për tokët e Dukagjinvet, të kétë krijue edhè nji “Sanxhak të Kastriotit o të Skandërbegut” për tokët dikúr të këtija, ne mos daçim me njehë për të tillë sanxhaqet e Ohrit e t’Elbasanit o subashllekun e Dibrës. (26) Prandej këtu nuk vëlen hypotheza e ngrehun sypri për të zhvillue si xû fill emni i Kanunit të Lekë Dukagjinit.
PËRMISIME NË KANÛ
Natyrisht – dikû prei shpírtit të përgjithshëm të pávarsís e prei gjendjes së pá-qeverrimit të gjatë per të cillët folme mâ nelt, dikû pse Kanuni në pikëpámje të ndryshme s ishte i mjaftueshëm – sigurimi e moraliteti botnuer doemos u gjetne në nji gjendje të vajtueshme. Do t’ishte prandej punë e interesantshme e e dobíshme me studjue ato përpjekje qi njofim historikisht, të cillat synuene në kohë të ndryshme nji rregullim o së paku nji permisim.
Pêsë njof un, setcillën me metod të vetën.
Mâ e para kje ajo e Venedikut, zbatue, me thânë të drejtën, vetëm ndër qytete e jo ndër male. Shkon mbas politikës së zakonshme, (e, besabesë mjeft t’urtë) të Republikës fort të kthielltë: ligja e mjetit mâ të fjeshtit. Shperdorimet e dâmet mâ të mëdhajat rrjedhin prei mungese së drejtsís publike në punë kriminale, kû natyrisht e zâvêndson hakmarrja private. Venediku, si e kemi pá, u a reservoi Rektorvet (sundimtarvet) të vet çâshtjet kriminale edhè çâshtjet civile përmbí njij shumë të caktueme; tjerat u a lâ gjygjtarvet vêndas. Veçsè nuk kam endè materjal të mjaftueshëm për të dhânë nji gjikim të prém a ká qitë ky metod fryte të mira.
E dyta u bâ prei Turqvet; së pari tue dërgue vojvodë qeverritarë me pré gjygjë në vend neper fise të ndryshme të Mbíshkodrës; (27) mandej në sh. XIX tue ngrehë në Shkodër nji gjykatore qândrore për Malsí (Xhibal) e cilla gjikote mbas Kanunit të Lekës. Për këtë përpjekje kam njoftime edhè mâ pak për të mujtë me dá se ç’dobí bâni; por kam përshtypjen se nuk do ta kétë përmirsue fort gjendjen e përgjithshme, edhè për arsye se me kaq Turku synote mâ fort me pasë gisht në punë politike të bajraqevet se sá me ju vû shpírt përmisimit të drejtsís botnore.
Të tretën e bâni qeverrija malazeze për vêndin e vet, i cilli – tue qênë njij fisi iliro-shqiptár me malsorë tanë – kishte nji ligjë tradicjonale qi e gitte fort Kanunit të tinë. Princat e rregulluene gjendjen pak ka pak, së pari tue u a lânë vetëm gjygjtarvet të gjitha çâshtjet, tue caktue mâ mirë dispozitat e ndryshme e tue i përforcue edhè me sanksjone të mira; mandej tue i dhânë dorë princit me ndërhî gjithmonë mâ tepër; e së fundi tue systhemue nji drejtsí qeverritare të vërtetë, por tue i dhânë nji fisjonomí krejt patriarkore e tue marrë para sysh në praktikë mendesín e vêndit. Përpjekia qi vazhdoi në mënyrë të qindrueshme e dalkadalë si e lypte urtija, edhè pat kohë mjeft të giatë per m’u zhvillue, dha perfundime të pëlqyeshme. (2
Pá u shty përtej caqevet qi i vête Kanuni, disì punoi në këtë pikëpámje edhè Dera e Gjonmarkut, e cilla, tue mos pasë si Petroviqt e Malit të Zi nji auktoritet të vërtetë burimi teokratik, do të kondendohej vetëm tue pajtue gjaqe e çâshtje tjera të tilla, tue dalë kohë mbas kohe nepër krahinë të vetën “me pajtue dhén”.
Jashtligjuer por i fuqishëm kje së mbrâmi veprimi i Klerit Katholik, e veçanërisht i Misjonit Shetitës Shqiptár t’Etënvet Jezuit, të cillët me dobí u munduene, me mjete fétare, me krye pajtime qi ndryshej s mund të bâhesin kurrsesì, edhè me permisue ligjësín kanunore në punë morale e shoqnore, tue u a mbushë mênden kolektivitetevet me lidhë besë për qellime të ndryshme, edhè me plotsue o me qortue me shtesa të përshtatuna dispozitat e Kanunit qi s mjeftojshin osè mund të bâheshin shkak shpërdorimesh. (29)
Tue dashtë me klasifikue katër përpjekjet e para qi duelen prei âne civile, mund t’i quejmë të dytën e të katërtën nji prânim të gjëndjes së së drejtës e së faktit; të dyten, nisë prei së jashtmi (përkrah Kanuni), të katërtën prei së mbrendi; e para kje nji zgjidhje kompromisi; e treta nji reformë qi hap mbas hapi synote me shtî drejtsí shtetnore në vênd të drejtsí popullore.
- Në këtë studim kam shkrî, tue shtue e tue ndrrue, tre artikuj të mí të përparshëm; njenin po me këtë titull, botue në rivisten “Drin”, dhetuer 1941; të dytin: Concezione imperiale o republicana nel Kanun di Lekë Dukagjini?, në “Rivista d’Albania”, a.II (1942), n. I; e të tretin: Il concetto della giustizia penale nel Kanun Albanese, në “Criminalia”, a. VI, (1942).
E Drejta e Kanunit Shqiptar dhe e Drejta Romake-Ernest Koliqi
1.Këta mund të shihet me nji shqyrtim të kujdesshëm të dokumentimit qi mblodha në pjesën II të këtí fashikulli, në të cillin rreshtova shka gjeta mâ karakteristik në këtë made.
2.Mênden nuk ma lodhë shka thotë Mark Sadiku, mbassì âsht gjâ e vonshme, e prandej edhè aj ká mujtë me e ndie nga të kulturuemt (sh. P. II, Dok. 2)
3.Vertè fiset Illyrike, mandej Shqitare, me fiset Langobarde marrëdhân’je kanë pasë drejtpërdrejtë e vazhdimisht vetëm prei 547 deri 568, o shum shum prei 528 deri 568.
4.Sh. Monumenta Slavorum Meridionalium e Monumenta historico-juridica Slavorum Meridionalium t’Akademís së Zagrebit, dhe botimet e A. SOLOVEV-it mbí „Zakonikun“ e Shtjefën Dushanit të Sërbís; posë këtyne, aty këtû pjesën II të këtí fashikulli.
5.Duket se janë ndalë n’atë shênim dokumentár qi mâ së forti e thekson, për punë të Durrsit, SHUFFLAY në Serbt dhe Shqiptarët, kah fundi i N. 4, pá vû oroe se nji faqe përpara flet edhè për stature tjera.
6.Dokk, 18, 29, 61, 72-75, 77, 79, 84, 85, 87, 92, 96, 107, 109, 112, 113, 121, 133, 137, të P. II, dikû i çekin ato statute, dikû na japin ndonji shênim nga përmbajtja e tyne, dikû na tregojnë masat qi mirrte Venediku qi të mblidheshin e të mbaheshin.
7.Sá për gjygjtarët vêndas, edhè para regjimit Venedikas, sh. P. II, Dokk. 25, 48, 51, 56-61, 63-66, 70-72, 79, 81, 91, 116, 120, 121, 123, 125, 127, 204, 209-212, 253; mbí selít e diktimit: 79, 121, 127, 209.
8.Dokumetim rreth notarjatit, zakonisht gjâne gjatë për të dhânë nji idé edhè përmbí diplomatikën vêndse, e mblodha në P. II, Dokk. 11, 13-27, 34, 41, 42, 45, 49-56, 61-63, 66-69, 71-73, 81-84, 90, 93, 96; interesant se mâ vonë n’epokën turke, me gjith qi regjimi turk pá kanqelerí nuk ishte, e me gjith qi popullsija përgjithsisht nuk i përdorë fort shkresat, kleri katholik (Dokk. 218, 227, 228, 233, 235, 247, 258, 271, 289) e orthodoks (Dokk. 237, 249, 257) vazhdoi tue ushtrue si nji farë notarjati. Sá për notarjat vêndës të kohës së mesme, sh. shka thotë shum mirë SHUFFLAY në Serb dhe Shq., Nr. 3 e 4.
- “Ex tanto civium numero, ex triplici ordine, nobilium, et pronarium, qui ut olim equites romani, medii erant, plebeiorum”, BECICHEMI, Panegyricum ad Leonardum Laureatanum, në “Leka”, 1939, fq. 118-119.
10.P. II, Dok. 74.
11.Çudi se sklavt, mbas dokumenti 74, i gjejmë shi në dorë të „albanenses“ d.m.th. n’atë rreth jasht-qytetár qi do të jetë rrethi i natyrshëm i Kanunit, se se prep po n’atë rreth gjejmë nji kujtim sklavnije, në pastë themel ethymologjija e SHUFFLAY-t (Serb e Shq.,) “Meropa „ = mjerë-rob.
12.P. II, Dokk 203, 204, 208-215; Dok. 126 i vj. 1455, flet njimend për nji pajtim, por nuk na duket mjeft i sigurtë se âsht pajtim i vërtetë gjagjesh si e kuptojmë na; përkundra për pajtime gjagjesh në rrethin stradjotik, edhè me ânë dokumenti të shkruem (“carta de la pace”), flasin Dokk. 182 e 187, e në rrethin typik të Kanunit Dokk. 245, 248, 255, qi janë të vj. 1692, sh. XVII në fill. E vj. 1730.
13.Sh. Sidomos Kadastrën venedike të vj. 1416 për Shkodër me rrethe të botueme tash vonë për herën e parë tânësisht në CORDIGNANO, Catasto Veneto di Scutari e Registrum Concessionum 1416-1417, v. I: Scutari, Francescana, 1941, v. II, Roma, Cuore di Maria, 1942, passim.
14.Sh. posë Kadastrës 1416, passim, Dokk. e P. II: 89, 106, 111, 129, 139, 145, 149, 154, 157, 169, 171, 174, 176-178, 180, 183-185, 189-194, 201, 202, 205-207, 222, edhè citatën e BECICHEMI-t në N. 9, këtû sypri.
15.P. II, Dokk. 9, 28, 30-34, 37-39, 43, 44.
16.Sh., edhè për sh. XVI, P. II, Dokk. 122, 145, 147-149, 152, 153, 155, 157, 158, 162, 169, 171, 174, 175, 177-195, 198-201, 216, 217.
- Jam por në dyshim tash në se katunet do të vêhën në nji rend me fiset apor në kundërshtim me to, si duket se janë tash bajraku me fisin, edhè katuni i fushës e katuni (lagja, mahalla) i malsís po me fisin; sá për katunet, sh. P. II, Dokk 110, 135, 138, 139, 142, 230; për fiset: 36, 40, 93, 102-105, 150, 151, 230, 231, 234, 243, 244, 245, 252, 253 edhè për kohna mâ të vonshme, kështuqi rezulton gjith evolucjoni i tyne; sh. edhè shka për fiset thotë, mâ së miri si zakoni i tí, SHUFFLAY në Serb. dhe Shq., i cilli por tue shpresue se mund të vazhdonte Acta et Diplomata, në këtë studim të çmueshëm, burimet e dokumentimit nuk i qet veç pak. Nji studim të veçantë meriton organizimi i komunitetevet blegtore “romane”, d.m.th. vëllahe osè arumune, për të cillat atykëtû flet prep SHUFFLAY në AD e në Serb. dhe Shq.; kësish ká edhè sot teprica mjeft të mëdhaja në luglindje të Shqipnís e në Thesali, të cillat, posë zakonevet, duket se ruejnë edhè terminologjín e moçme.
18.Po rreshtoj këtû gjith vargun e titujvet të krenvet të mëdhaj e të vegjël të fisevet e të grupe vet tjera, si rezultojnë prei Dokk. Të P. II:
princeps, 9 (sh. mâ tutje: principe)
judex, 10
barones, 28
sebastus, 28, 30
miles, 30, 38
comes, 31, 38 (sh. mâ postë: conte)
casnesius, 32, 38, 39, (titulli tash i ká mbet lajmtarit të fjeshtë)
ducas, 35 (kr. Mbíemnin Duka-Gjin)
flamurjari e bajrajtarí, 86, 141, 143, 160, 161, 163-166, 170, 172, 173, 192
vojvoda, 95, 106, 114, 115, 118, 119, 122, 124, 132, 134-137, 140, 151, 154, 156, 159, 194, 205, 231, 234, 243, 244, 245, 252, 253
capo (krye), 98, 100, 117, 138, 227, 230
bano, 150, 151,
vecchi (pleq), 218, 221, 227
provveditori generali, 222
principali (të parët), 227
vecchi capi principali (pleq e kryeparë), 227
vecchi capi (pleq e krenë), 227
capi principili (kryeparë), 227, 230, 234, 244
ulufachi, 230
spahí, 230
muttafarachi, 230
allajbej, 230
çaush, 230
conte, 230, 234, (sh. sypri: comes)
signor principali, 231, 234
signori, 234,
sar_ar, 253
capitan, 254
comandante (zabiti?), në Mirditë, 258
bajraktár, 267
capi vecchiardi (krenë e pleq), 267
koçobashi, 267
giobarë, 267
S. A. il Principe di Mirdizia, 264;
Vargu mbrrîn deri në sh. e kaluem; mirë âsht me i kontrollue këto citata, si për të pá në ç datë perdoret çdo titull, si edhè për të xjerrë kuptimin e zhvillimin e tí; p.sh. titujt e vojvodës e të flamurjarit-bajraktarit ndër dokk. mâ të vjetër duket se kanë mjeft të ndryshëm prei të soçmit.
19.P. II, Dokk. 228, 232, 235.
20.P. II, Dokk. 9 e 10
21.P. II, Dokk. 225-227, 234
22.P. II, Dokk. 227, 231, 234
23.SHUFFLAY, AD, tu dy dokumentat qi në P. II tonën kanë Nr. 9 e 10, e njehë si përkthim të titullit grek ; un e besoi përkthye nga . d.m.th. byzantinisht, qeverritar.
24.Titulli “princ„ u përdor vetëm nga gabinetat europjanë që nga koha e luftës së Krimés, në të cillën u dá në shêj, tue luftue për Turkí, nji Kapidanash, tue fitue kështû qatëherë edhè projën e veçantë të Francës; natyrisht të kulturuem shqiptarë e përânuen létas (sh. P. II, Dok. 264) ndryshej prei nierzish së Kanunit. Sá për titullin e “prengut” të cillin shpesh auktorë qi e kanë lajm nga gjuha e traditat vêndse e marrin njimend për titull, nuk mund të besoj se i tillë âsht, por më duket nji me emnin personal Prenkë o Prengë qi kanë pasë në pagzim shum pinjoj t’asajë Dere, e qi ndihet rendom ndepër Malsina, e ndër regjistra famullitarë shifet i përkthyem “Primus” o “Venerandus”
25.Sh. GJEÇOV, Kanuni, fq. 121, Gjaku, e fq. 122, Gjaku thitë gjakun
26.Njimend Imz. Pjetër Budi, në relacjonin e vet Kard. Gozzadini-t, 15 IX 1621 (Ark. Shtet. Vened. Buste Misc. Atti diversi mss. Filza n. 38-(2), bot. shqip në “Perparimi”, vj. I) thotë: “verso i confini di Macedonia e Bulgaria, altri popoli che si chiamano di Scanderbeg, cioè Ematia, Benda, Corbini, Camadea (d.m.th. Hunavija), Cermanica, posti nelle montagne sopra Croia et Elbassan”, por s diej a përdorë këtû Budi nji toponym njimend populluer, apor të xjerrun prei si tue studjue biografët e Skanderbegut
27.P. II, Dok. 230
28.P. II, Dokk. 258, 262
29.P. II, Dokk. 262, 269-271, 273-281, 283-286
By Zef Valentini
