N’at shèj dite
K’mona e Meshës qat-herë po bite
Te nji kishe, lisat shatorr,
Varë n’dy lisa, m’njí oborr.
Kishës mbetë êmni qysh prejë motit,
Para kohve t’Kastrijotit:
Krênue Turku, shplaka e Zotit,
Kúr rá s’parit
Nepër lavrat e Shqyptarit.
N’at rrênoje,
Mbetë veç trojet, mlue n’zhavorr —
Siellej nji bylbyl rreth soje
Tash kce n’kryqa, tash mbí troje,
Tash mbi ’i trá, teprue n’at mloje.
N’at mungade t’mbetun shkret
Si kjau fmija per nânë t’vet
Kjau bylbyli, kurr s’pushoj:
Kjau sa kjau; at-herë flutroj
Te nji lis me shtatdhet rrêma.
Aty vallja po ushtote.
K’ata gêma,
Mshehe mbas gjethsh aj por pergjote,
Po pergjote nânen-è
Tuj dashtë me k’ndue djalit-è,
Rigut t’atij kshtjellit-è.
Shndritte bora n’ballë prej bjeshket
N’ato rreze diellit-è;
Kthielltë si lodja kupa e qiellit,
N’at blerim te prillit-è.
Nji gêm pjeshket,
Me ’i njomzë ilnjet, qi kurr s’veshket,
Njâna motrash nânës ja prûni
Edhè n’prêhen ksajë ja vûni,
Edhè vend ngjat djepit xûni.
Porsá nâna fmín e zbloj,
Djali nânën e shikjoj:
I duel gjumi;
Rrahë qepallet si krahët pllumbi.
Kqyri gjinden per rreth vedit
Si n’pershkim,
Si kqyrë dielli shpin’n e detit
N’at prendim.
Shpejt tu’ i çilë syt e tu i mbyllë
Si hâna qi bjen n’per pyllë,
Gjithkujë i qeshet si n’zbunim,
Porsi lulja qi del s’parit
N’lugje t’bjeshkve, mbí rrethtorë,
S’parit kur shperthen mbi borë.
Kqyrin ndrik’llat, krye per krye,
Si i ká djali ata syy;
Si e ka qafen — e si nafen;
Kujë po i qeshet, kuje po i vrâhet:
Syyni i tij por nuk i dahet ,
Flamurit, qi ká n’krahnuer,
Flamurit, shterngue per duer;
Si me e dijtë
Se nji ditë,
Nji Stamollë ky ka per t’pritë;
Per t’gjallë t’tij,
Nji Murat ky s’ka per t’lânë,
Kurr me shkelun ket Shqypní,
As tagjí, per si pat thânë,
Atit t’vet aj n’Rromë me i dhânë.
Tri herë nâna e kqyri at djalë;
Trí herë qiellen, qi e ká falë,
Gjithkush zânin erdh tu’ e ndalë.
At-herë kryq i bâni n’báll:
Ja lmon ftyren me njomzë ahit,
Me i dhánë Zoti fuqí krahit;
Ja lmon ballin me njomzë lisit,
Aj me kênë fuqija e fisit.
Kangën para se me e nisë,
Porsi dielli qi kqyrë token,
Djalin kqyrë;
Bâj ne nji gaz, t’dy ftyrë per ftyrë
Edhè ngrykas te dy rroken.
At-herë djepin e mertisë
Me ’i pelhurë n’ari qindisë.
Doren hjedh permbi ’djep nâna
E tu’e ulun kryet si zâna,
Dér n’dritë t’syyvet rá mahrama,
Zgjedh do lule qi ká n’prêhen;
Si n’habí,
Herë i zgjedh, prap i perzí?
Ishin lulet kuq e zí;
N’mjedis t’tyne nji florì.
Rreth mbas djepit motrat vêhen
Fjalët e nânës kto mirë me i ndí,
Me i ndi mirë e me i mbajtë n’mènd
Rend e rend,
Porsì fjalë t’zgurueme n’gúr;
Qi kur t’rritet, t’bâhet burrë
Vllau, me ja kujtue dikuer.
Nisi kângën zogu i malit:
Nisi kângën nána djalit
Tuj perkundë at zog Shqyptarit
N’ato ndriza, fije arit,
Dale at ditë per me pá s’parit
Lulet e prendverës-é,
Diellin edhè qiellen-é,
Qiellin e atij Arbnit-é.
K’ndo, bylbyl - tha — gêm ne gêm,
Lumja un per djalin t’êm!
T’ka fale Zoti lule n’rrêm,
Me gzue, mue, me gzue gjithkend.
A e din, bír, kû t’çiti drita?
N’fusha t’Mâtës t’u ká nisë rrita;
A e din, bír, kû t’fali Zoti?
Kù sundon Gjon Kastrijoti.
Kqyre at drite e kqyre at diell,
Sot, qi mênden m’a ka kthiell
Vetë i Lumi, qi rrin n’qiell.
Kqyre at flamur mbí qytet,
„Shtîza e jeme — thotë — n’ket djep!“
Nên ket lis me degë shatorr,
N’ket oborr
Per Shên Gjergj — tý, morè Gjergj,
Sot mâ s’parit t’uron nâna;
T’i m’u bâsh trim porsi zâna,
Me u permendë nder fise t’tâna,
Me t’drashtë Turku n’at Stamollë,
N’Rromë me u pvetë per mênde-hollë
Me ket flamur, qi ké n’dorë,
Shterngou, bír ti kjosh me orë;
Me ket flamur, qi ké n’parzem,
Dis per tê, si me shkue n’darsem!
Edhè rueju gjithmonë t’huejit,
Porsi zjarmit, porsi ujit!
Shoqe, ju per rreth qi m’rrîni,
Zêmren t’ême mirë m’a dini:
Due t’i flas ktij djalë, por m’lîni!
Vjen nji kohë, qi ju ja mrrîni
Marë e marë edhè i kallxoni
Shka prej mejet po ndigjoni.
Prandej fjalët randë mos m’i kini,
Pse, m’besoni shoqe mue,
Un e rris, ju e keni gzue.
’Thue don Zoti me na pshtue...?
Fiset dá, coptu’e vorfnue...!
Haraç Turkut, haraç shkjaut...;
Shgjeten n’brî vllau ja vèn vllaut...!
Po; kta sot me t’huej má s’priten,
Shoqishojt, heu, ja xânë priten,
Vrau nder shpija, jashtë e mrendë,
Si bishë malit tuj u êndë,
Per gjaksí tu’ u permendè.
Vuen Shqypnija, pse s’ka ’i mret,
Me gzue kombë e me mkambë shtet,
Me i folë fisit n’gjuhë te vet.
S’mbahet shteti me ndimë t’huej,
Per pa u bá qolja e gjithkujë!
Kombi qi s’â i zoti i vedit,
Aj s’i duhet kurrnjaj mretit!
Bír, o bír,
Moré Gjergj, o more bír!
Kqyri lisat, se kû rriten...!
Kishat djegë, trojesh rrênue...!
Syyni t’dhamb, veç me i shikjue,
A i shef, bír, te ato shatorre?
Kû nji zog po pipiratë,
Te ajo kumonarja e gjatë
Kan bîj lisat permbí vorre;
Kendojnë qyqet n’ato oborre...!
I rrênoj dora mizore,
Kur mâ s’parìt
Turku, shplaka e Perendís,
Dyndë si llavë prej dheut t’Tartarit,
Frotë ma e flligjta e Anadollís,
Flligji trojet e Ilirís,
Flligji votren e Shqyptarit.
Kan kenë drita e gjytetnís
Pra kto kishë,
Qi sot jânë strofuj per bishë.
Kjajnë te ’i Zot kta per Shqypní;
Lypin flamur kuq e zi;
Njomë i mban nji uzdajë e ré
Ata lisa permbí dhé:
Nuk na lshon — thonë - Zoti dore!
And-e-kand, gjithkund ktij dheut
Do t’hupë fara e ktij t pafeut,
Qi e vorfnoj ket toke arbnore!
Teper Zotit s’i kém lé!
Vjen nji ditë edhè per né;
Prap do t’mkamben fé e atdhe!
Po ata lisa, qi atje rriten
Edhè ata e presin ditën.
Me i pá malet kahe aviten,
Shkjaut e Turkut me i lânë priten;
Pse do t’lejè, tham, burri i Dheut,
Themel t’rí qi qet atdheut
E i bân grindjet me pushue,
E i bân fiset me u bashkue
Rreth ktij flamur, qi t’ka mlue;
E t’vllaznuem me ju lute Zotit
Per liri
M’nji Shqypní;
Me ket flamur kuq e zí
Prap me e mkâmbë Shqypnín e motit,
At Shqypnín e Kastrijotit.
Amanet ju, morí bija,
Si n’u mkâmbët ndoj herë Shqypnija,
Si n’kjoftë thânë me ardhë kjo ditë,
Me dalë n’vedi e me pá dritë,
— Ndoshta un s’kam me ja mrrijtë, —
E u shkimët djali per atdhé,
Aspak vllau ju mos t’u dhimbet;
Pse per vend kushdo qi t’shkimbet,
Kur thonë diq, qat ditë ká lé.
O ju shoqe, qi po rrini
Per rreth meje, ket t’a dini:
Sá me shkelë Turku mbi né,
Me dhûue aj hesë e fé,
Mâ mirë shtatqind pash nên dhé:
N’ardhtë kjo ditë, po gjith si jém,
Né na mloftë krejt i ziu dhé;
Pse m’nji shtet t’pazot e fé,
As atdhén shka e bâjmë nuk kém.
Ah, po deka, kapak arit,
Kur t’desë njeri per vend të parit.
Por mue m’thotë kjo zêmra e ngratë,
Vjen nji ditë fort shum pa ngjatë;
Pse n’ket djalë,
— Ktê t’a dini — ju qi ndieni! —
Zoti i lum, qi m’a ka falë,
Leu per kombë mâ e rrebta shpatë,
Leu per Rromë má e rrebta pritë,
Leu per mue mâ e bukra dritë.
Prá n’kjoftë thânë me ardhë kjo ditë,
Qi Shqypnija
Me i dalë doret Turkut-è,
Turkut è e haraçit-è,
Shkjaut edhè atij L’tinit-è,
Amanet, ju mori bija,
N’kjosha edhè n’mos kjosha gjallë,
Aty Zoti si t’két thânë,
N’daçi vorri mrendë me u lânë,
Pashi at diell qi bjen n’ket báll,
Nji tubë lule me i bashkue,
Mbí vorr t’êm ju me m’i vndue;
Tjera lule por s’u due,
Veç kso lulesh kuq e zí:
Harroj vorr e shkoj merzí
Si me djalë qashtû me to;
Pse m’thotë zemra, se me kto,
Kur t’bulojnë kto shpí per shpí,
Neper zêmra t’djelve t’ri,
Prap e mkâmbim ket Arbní,
Prap e bàjmë si kje dikuer,
Para llavës s’Turkut mizuer:
Nji mretneshë,
Krejt zojë n’vedi e ilireshë.
Prá per n’kjosha un vete gjallë,
Po, un kto lule qi i ká n’báll,
Do t’ja shtî mirë n’mênde e n’zêmer;
N’kjoftë se i Lumi e ká bâ êmer,
Me u bâ burrë ky fmí dikúr;
Shqyp kû flitet n’mal e n’vrrî,
Prap me e mkâmbë ket Ilirí,
Me bashkue ky shokët prej vedit,
Shokët e vet — e t’zott per shtet,
Qi me i shtî themel ky shtetit,
Qi m’ja dredhë fjalen nji mretit,
Kti’e atij rigut pertej detit;
Pse fuqín permbí rigata
Mâ fort mêndja e bân se shpata:
Nji burrë mkâmbë fiset mâ t’ngrata;
Nji i çon — e nji i rrxon.
Leka i Madh me Maqidhnarë
Me kta Ilirë shtroj boten marë:
Kta, biroo, ké pasë per t’parë!
Kam me t’ndêjë, po, vetë mbí krye,
Per me t’nzitë e per me t’shtý,
Tâna pûnët me i nisë per s’marit,
Me ja hupë farën barbarit,
T’huejit edhè atij trathtarit,
Qi s’gjakon per fis t’shqyptarit,
Po t’a vê ket lule n’báll;
Pa Zot shteti nuk ká t’gjallë!
Nji n’ket háll, por trí n’ket zêmer;
Pásh ket flamur, t’huejtë nên thêmer!
Rueju t’huejit, porsì gjarpnit!
Gjithmonë kjén kta e zeza e Arbnit.
Mos the besë as rnos shkel fé,
Pse ká Zot qiella mbi né;
Zoti i pari prîs n’atdhé!
A i ndien, bír, kumonët tuj rá?
Drita terrin pá e shperdá,
Kan mârrë udhen Mat e Qiellen,
Pse n’ket truell sot fiset mlidhen,
Ktû me besë kta sot do t’lidhen,
Me nji besë e me nji fé,
Mos me e lânë Turkun nder né!
Prandej t’qita n’ket dritë t’diellit,
Mori lulja e drandofillit,
Mori rrezja shkepe prejë qiellit,
Vetë me pá e vetë me ndí,
Se ç’farë burrash ká n’Shqypní;
Me e pá vendin kù ke le,
Kù do t’mkàmbish fé e atdhé.
Lshoja sýnin t’thores së vendit!
Kqyri kishët ti rend mbas rendit!
Kqyr katundet, shpí per shpi,
Sot t’parë fisesh e t’parë fejet
Dishka presin, bír prejë tejet;
Ata pvesin sot per tý ;
Àta kqyrin veç kta syy;
Thonë ká lé nji hyllë i rí,
Aj na pshton prej ksajë Turkí,
Aj e mkâmbë prap ket Arbní,
Ja njet êmni „llirí“.
Mos u tremb, prá, syyni i nânës,
Morè drângu i asajë zânës,
Zânës ilire — e fatamire,
Kur t’ndiejsh pushkët tuj ra n’ket kodër;
Rreh llagam, tupan e lodër;
Gjimon topi me u ndì n’Shkoder;
E hingllojnë ksajt kualt me shalë,
Do tuj hî e do tuj dalë!
Kqyri, bír ti vetë tuj ardhë,
Do n’dallamë e do n’tirqë t’bardhë;
S’’jânë beglerë as agallarë,
Jânë Gjomarkajt, shpí e parë,
Dera e atij, qi preu Milloshin,
Kur beglerët e Janiçerët
Atit t’tij udhën ja lshojshin ;
N’Dukagjin mâ e para derë,
Trima n’zâ e n’shpí bujarë;
Kta i ké, bír, má t’parët kumarë:
N’Arben t’onë jânë lulja e vendit
N’qytet t’Shkodres e t’Pezrendit.
Matja e Dibra e Arbni marë
Vîjnë te ti, pse tý t’kan t’parë.
A e din, bír, shka duen me t’thânë
Neper gojën e ksajë nânë?
Se t’parët t’onë né na kan lânë
Nji amanet, biró, fort t’randë:
Pá hî n’dhé,
Mos me lshue kurr besë as fé;
Vorri kurr mos me na xânë
Me besë t’dhânë ;
Kurr armët t’huejve me jau dhânë;
Pse vjen dita e pûnët per s’marit
I sjedh vete zogu i Shqyptarit.
By Bernardin PALAJ
