albaniana

Lajme

Ndërtimi i kishës provokim i rëndë

Jemi kundër ndërtimit të çfarëdo objekti fetar, qoftë kishë apo xhami, në kompleksin e Universitetit të Prishtinës, sepse ai është i paraparë për objekte kulturore-arsimore e shkencore, prandaj kërkojmë që të hiqet dorë prej idesë për ndërtimin e këtij objekti, të kësaj kishe…

Ndërtimi i kishës provokim i rëndë

Ndërtimi i kishës ortodokse serbe, që parashihet të bëhet në lokacionin e Universitetit të Prishtinës, në afërsi të Bibliotekës Popullore dhe Universitare të Kosovës dhe të Fakultetit Filozofik e Filologjik (është paralajmëruar edhe dita e hedhjes së themeleve të saj më 28 qershor të këtij viti ditën e vidovdanit) është një provokim i rëndë, i shkallës më të lartë, që u bëhet studentëve, pedagogëve dhe punëtorëve të UP-së, banorëve të Prishtinës dhe të mbarë Kosovës, por edhe gjithë popullit shqiptar, nga ana e kishës dhe e shtetit serb. Është një hallkë e re në vargun e provokimeve të shumta e të përditshme, që po bën pushtuesi serb në Kosovë në kuadër të përpjekjeve për ta nënshtruar dhe serbizuar atë. Ndërtimi i kishës ortodokse serbe, njërës nga më të mëdhatë në Ballkan, në qendër të Prishtinës dhe, madje, në kompleksin e Universitetit, është pjesë përbërëse e programit për serbizimin dhe kolonizimin e Kosovës, siç është edhe ndarja e re rajonale e territorit të saj, rrënimi sistematik e rapid i sistemit të arsimit në gjuhën shqipe, mbyllja e institucioneve kulturore dhe shkencore, vrasja e të rinjve nga ana e policisë e sa e sa «shpikje» të tjera monstruoze. Ndërtimi i kishave dhe i objekteve të tjera fetare serbe, që, pos në Prishtinë, parashihen edhe në qytete e lokalitete të tjera të Kosovës, më së paku ka të bëjë me fenë dhe besimin, që është e drejtë legjitime e çdo populli dhe qytetari. Ky është para së gjithash akt i paramenduar politik, që krahas procesit të kolonizimit dhe të serbizimit të Kosovës, synon të zhvillojë edhe procesin e pravosllavizimit të saj.

E ashtuquajtura «e drejtë historike» e serbëve mbi Kosovën, mbështetet, siç dihet, kryekëput mbi ekzistencën e disa kishave e manastireve mesjetare serbe, të përvetësuara nga koha bizantine, të cilat gjatë shekujve i kanë ruajtur vetë shqiptarët dhe të cilat janë pothuajse i vetmi «argument» i pretendimeve serbe ndaj Kosovës. Nesër, në një të ardhme jo fort të largët, dikush do ta paraqesë si «argument» të tillë, «historik», edhe këtë kishë, ndërtimi i së cilës pritet të fillojë së shpejti në qendër të kryeqendrës së Kosovës, në Prishtinë.

Jemi kundër ndërtimit të çfarëdo objekti fetar, qoftë kishë apo xhami, në kompleksin e Universitetit të Prishtinës, sepse ai është i paraparë për objekte kulturore-arsimore e shkencore, prandaj kërkojmë që të hiqet dorë prej idesë për ndërtimin e këtij objekti, të kësaj kishe dhe në vend të saj të ndërtohet godina e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, ndonjë fakultet i ri apo ndonjë institucion tjetër i ngjashëm, ashtu siç është paraparë me planin urbanistik të qytetit.

Na duhen tempuj të dijes e të diturisë e jo simbole të errësirës ! Na duhen shkollat, fakultetet e spitalet, të cilat po na rrëmbehen për çdo ditë me dhunë e jo paroksizmi i sëmurë pravosllav i proviniencës së Sveti Savës! Në kohën e komunikimit ndërplanetar, në prag të shekullit XXI, dikush dëshiron të na kthejë përsëri në mesjetë!

Le të shpresojmë se përpjekjet e tilla do të jenë, megjithatë, të kota. Rrota e historisë nuk kthehet prapa shuhet në Kumtesën e kryesisë së Forumit të intelektualëve shqiptarë.

By Albaniana