Pas vrasjes së Enver Malokut para banesës së tij, vdekja u bë më e afërt se jaka e këmishës. Mund të dalësh në mëngjes nga shtëpia, të ulesh pranë kompjuterit, që të shkruash një artikiull gazete, siç bënte çdo ditë E. Maloku, të lëshosh të vërtetën tënde në rrjetin e internetit, dhe, pas dite, apo në mbrëmje, në hyrje të banesës, të takohesh me vrasësin tënd.
Pasiguria ka arritur nivel të tillë që askush më nuk ndihet i sigurt as në rrugë, as në shtëpi të veten. Droja se çdo çast, çdo orë, vrasësit misteriozë mund të dalin në pritë dhe mund ta shkrepin një rafal plumbash në gjoks, është bërë një peshë e padurueshme në psikën e secilit shqiptar të Kosovës. Nuk shkon ditë e të mos dëgjosh, se një mik, një shok i gjeneratës, një koleg pune, etj., nuk është më.
Me të njohurit gjithnjë e më shpesh takohemi në varreza...
"Shikoni çka kan ba?", klithte vajza e tmerruar në Reçak, ndërsa Uiliem Uokeri kërkonte pak minuta të qetësohej, që të dinte çka të fliste para gazetarëve."Kjo nuk është provokim, por është një krim, një krim kundër njerëzimit", kishte vlerësuar Uokeri.
Por, a ka krijuar njerëzimi mekanizma për mbrojtje nga kriminelët, të cilët vrasin në emër të interesit të tyre. A ka perspektivë bota, e cila nuk ka mekanizëm, apo vetëm heziton ta përdorë atë mekanizëm mbrojtës për t'i mbrojtur popujt e vegjël nga regjimet e tilla kriminale.
Milosheviqi kujton se mekanizmat e tillë kurrë nuk do të përdoren kundër tij, prandaj me aq lehtësi i nis vrasësit e tij të presin koka, të thyejnë gjymtyrë, të nxjerrin zemra e mushkëri nga trupi i viktimave të tyre, që më parë i kanë pushkatuar.
Ky krim duket se është punuar dhe përpunuar nga ekspert-kriminelë, të cilët kanë përvojë të kryejnë vepra të tilla, e që kanë marrë përsipër ekzekutimin praktik të platformës kombëtare serbe për ndërrimin e strukturës etnike të Kosovës.
Tre nënkryetarët e qeverisë së Serbisë erdhën që, për së afërmi, ta përcjellin dhe ta dirigjojnë masakrën. Ende pa marrë lajmin, dhënë në mënyrën më të paskrupull, flasin për numrin e shqiptarëve që, sipas tyre, jetojnë në Kosovë, duke operuar me shifra që, sipas tyre, do të duhej t'i kishte Kosova sipas planit të tyre pas përfundimit të ofensivave shfarosëse, të cilat regjimi kriminal i Milosheviqit i ka planifikuar t'i realizojë në Kosovë para se bashkësia ndërkombëtare të marrë përsipër numrimin e popullsisë. Sipas tyre, Kosova do të duhej t'i kishte afërsisht 800.000 shqiptarë, ashtu siç ka deklarur presidenti i tyre në intervistën e tij, në "Uashington Post".
Masakra në Reçak ishte realizuar me këtë qëllim, që shqiptarët e tmerruar si individë dhe si grup, si popull, të ndihen të rrezikuar dhe të marrin botën. Efekti i tmerrit, që edhe ishte synim kryesor i vrasjeve misterioze të kohës së fundit dhe masakrës së Reçakut, mund të thuhet se është arritur tërësisht... Njerëzit, pas kësaj, secili, një herë në mënyrë të heshtur, e pastaj gjithnjë e më haptazi, do të fillojnë të kërkojnë ndonjë vend më të qetë, më të sigurt, për familjet e tyre, sa më larg barbarëve, që të vrasin vetëm se nuk je si ata...
Është bërë monotone dhe gati ironike akuza që i bëjmë indiferencës së botës perëndimore. Po kush na dëgjon ne shqiptarëve çka themi. Krimineli Sheshel, një natë para se të merrej vesh për masakrën, tha: "Ata (shqiptarët) askush nuk i do, bota nuk është e gatshme të bëjë asgjë përë ta, bota neveritet prej tyre..."
Kështu ka ndodhur edhe me hebrenjtë para Luftës së Dytë Botërore. Hitleri ka llogaritur në antisemitizmin evropian në atë kohë, si në një disponim, i cili heshtazi ia lejonte krimin, prandaj planifikoi dhe realizoi në furra gazi zhbërjen e tyre. Edhe Milosheviqi, sikurse Hitleri, me shtabin e tij të gjenocidit beson, ndoshta, se, meqë askush nuk i dashka shqiptarët, ata mund të vriten pa drojtje se një ditë mund të përgjigjesh për vrasjen e tyre. Me këto aksione ai planifikon nëse jo zhbërjen e faktorit shqiptar nga Kosova, atëherë së paku zvogëlimin flagrant të numrit të tyre në Kosovë, me qëllim që, kur të bëhet numërimi, rezultati të jetë afërsisht ai që është paraparë të jetë si optimum i tolerueshëm për konceptin e një Kosove Jugosllave, pa dominimin etnik shqiptar në të. Pasi të arrihet kjo, mund të ndërrohet edhe politika dhe mund të pranohet ndonjë zgjidhje paqësore me ata që do të pranonin të jetojnë nën diktatin e regjimit kriminal serb.
Nuk themi asgjë të re, nëse vlerësojmë se kjo situatë e sfidon bashkësinë ndërkombëtare më shumë se asnjë herë më parë. Ndërsa, faktorin politik shqiptar e sjell në situatë tepër të mjerë, në situatë tërësisht të pafuqishme, që të ndërmarrë çkadoqoftë...
By Fadil Hysaj
