"Lypset shenuar se gjatë atyre viteve, Devës i kishte shpallur luftë të ashpër Balli Kombëtar Agrar — grupi i Abaz Ermenit — i cili bënte çmos për ta diskredituar atë. Balli arriti me anën e Tajar Zavalanit ta kritikonte Devën edhe në emisionin shqip të BBC. Në përgjegje të akuzave, që ai i quante absurde, i dërgon këtë letër Drejtorit të BBC për Evropën juglindore.
Mr. F. Leon Shepley
Shef i Sherbimit Jug-Evropian,
BBC Bush House, Aldwych, London W.C.2.
I nderuar zotëri,
Fjalimi i mbajtur me 27 prill 1953, nga Tajar Zavalani, nën pseudonimin “Iliri”, në përkujtim të atij përvjetori fatkeq të 7 prillit, që në historinë e Shqipërisë njihet si “E premtja e Zezë”, nuk ishte kurrsesi një shembull i veçuar i një prirjeje të vajtueshme, që e kemi vënë re edhe më parë në programin e BBC-së në gjuhën shqip. E kam fjalën për një politikë, të veshur thuajse me një petk zyrtar, për të mbuluar me përfolje, shpifje e trillime, disa shqiptarë, që në të kaluarën dhe nën rrethana të ndryshme politike, kanë mbajtur pozita qeveritare dhe më e keqja t’i akuzosh këta shqiptarë me një mori fjalësh si kriminelë me damkë.
Ky fjalim i fundit i Zavalanit, me pseudonimin Iliri, përmban akuza të ngjashme edhe ndaj meje, si ish-Ministër i Brendëshëm i Shqipërisë nga shtatori 1943 deri në korrik të vitit 1944. Këto akuza paraqiten me këto fjalë: “Nazistët gjermanë e përjetuan këtë shembull duke krijuar një tjetër grup kuislingësh nën udhëheqjen e të favorizuarit famëkeq të Gestapos, Xhafer Deva”; “Dita e 7 prillit na sjell ndër mend me forcë një tjetër njeri të neveritshëm e të ulët, Xhafer Devën, Ministrin e Punëve të Brendëshme nën pushtimin nazist; me ndihmen e vrasësëve të tij, ai u mori jetën qindra nacionalistave, ndërmjet të cilëve, Skender Muços, dhe dërgoi mijëra të pafajshëm në kampet naziste të shfarosjes. ”
Nuk është qellimi im këtu të komentoj ose të justifikoj veprimtarinë time politike të së kaluarës. Kjo letër është shkruar si rezultat i vendimit tim për t’i dhënë folësit të sherbimit tuaj shqiptar mundësinë që të paraqes prova për të mbështetur akuzat e tij, që do të merreshin në shqyrtim nga një gjykatë britanike. Lidhur me këtë unë do të vlerësoja së tepërmi përgjigjen tuaj për pyetjen e mëposhtme:
A bashkohet institucioni juaj me pikëpamjet e shprehura nga “Iliri” gjatë fjalimit të tij të 7 prillit 1953 dhe të transmetuar nga radiostacioni juaj? Po ashtu a merr edhe institucioni juaj të gjitha përgjegjësitë që rrjedhin nga deklaratat e bëra prej tij me këtë rast, të cilat për mua janë fyese dhe të pabazuara në fakte?
Në rast se institucioni juaj nuk bashkohet me shpifjet e shprehura nga bashkëpunëtori juaj, ju lutem të më informoni, duke konfirmuar se kjo çështje ka të bëjë vetëm me Tajar Zavalanin. Ky informacion kërkohet me qellimin e vetëm për të përcaktuar bazën mbi të cilën t’ia paraqes akuzat për shpifje një gjykate kompetente britanike.
Në pritje të një përgjigjeje të shpejtë nga ana e juaj dhe duke ju falënderuar paraprakisht, mbetem i juaj
Xhafer Deva
Romë, 17 maj 1953
Me fjalinë: "...për të përcaktuar bazën mbi të cilën t’ia paraqes akuzat për shpifje një gjykate kompetente britanike”, Deva përket anën më sensitive të mjeteve të komunikimit masiv në perëndim dhe mbyll njëherë e përgjithmonë mundësinë e akuzave nga BBC-ja.
Mbas 11 ditësh, ai merr përgjegjen nga z. Shepley, i cili shpreh keqardhje për “fyerjën” e shkaktuar nga BBC-ja, dhe vë në dukje se z. Zavalani, kishte shfrytëzuar rastin ta transmetonte atë shkrim pa miratimin e eprorëve të tij."
Marre nga libri:
Idriz Lamaj, "XHAFER DEVA NË DRITËN E LETRAVE TË VETA DHE ZBULESA TË TJERA TË MËRGATËS", New York, 2002
By Idriz Lamaj