albaniana

Tregim

Një ambasadë e Zulluve në Paris

1. Një ambasadë e Zulluve në Paris Zullulandi, siç e dini, është një vend në Afrikë të Lindjes. Njerëzit që rrojnë atje, zullutë, janë negër të mëdhenj dhe të fortë, të egër dhe të tërbuar, gjakpirës me famë,që nga Tunuzi dhe gjer në Transval. Rrota e Fatit, e cila bëri të…

Një ambasadë e Zulluve në Paris
  1. Një ambasadë e Zulluve në Paris

Zullulandi, siç e dini, është një vend në Afrikë të Lindjes. Njerëzit që rrojnë atje, zullutë, janë negër të mëdhenj dhe të fortë, të egër dhe të tërbuar, gjakpirës me famë,që nga Tunuzi dhe gjer në Transval. Rrota e Fatit, e cila bëri të lirë aq popuj që nuk e meritojin,u zgjoi edhe zulluve oreksin për vetëqeverim. Dhe ashtu, një ditë vere,na zbriti në Paris një negër,i ngarkuarar nga bashkëvendësit me misionin që të punojë për lirinë e Zullulandit. Ky njeri, i quajtur Denizullu-Serpe, kish udhëtuar në Afrikë të Veriut, dhe kish qenë ca kohë shërbëtor i Dervishëve të Sudanit. ku, prej afrimit të skllevëve inglizë dhe frengj të zënë që në kohë të Gordonit, kish mësuar ,mjaft fjalë nga të dy gjuhët e tyre. Si u prishnë Dervishët në Khartun dhe në Omdurman, Denizullu-Serpia u ,kthye në Zulluland, ku menjëherë fitoi s'dihet se si dhe pse, një emër të madh si diplomat dhe njeri i ditur. Po këto janë misteret e Afrikës.

Në Paris, Denizulu-Serpia u bë për pak kohë lodra e qarqeve politike; se njerëzit më seriozë kanë nevojë të çlodhin mendjen me tallje; dhe kur një grup diplomatësh, të mërzitur nga puna e rëndë, dojin të zbavitëshin pak, dërgojin dhe thërrisjin Denizullu-Serpen. Ky vinte me një kryelartësi të madhe, dhe të nesërmen gatite një raport për suksesin e tij.

Pasi ndenji ca muaj në Paris, Denizullu-Serpia deshi të shkojë edhe pak ditë në London; dhe para se të niset, e lajmëroi ministrin frëng të punëve të Jashtme me këtë biletë:

Ekselam Mossio Minister,

Moi Ambassador par Zoulouland vouloir fer voiyaj Londr pour endepandans Zoulouland, e moi etre certen sukse epatan, e moi pendan absans ramplasse moi kom ambassadriss la inetress de moi Fanchon, e moi prie vou aksepte salutassian de moi.

DENIZULLU-SERPE, Ambasador par Zoulouland

(Ekselas zotëni Minister

Unë. ambasador Zululand desha bëj udhëtim Londër për pavarësi Zululand e unë jam sigyrtë sukses shkëlqyeshëm e unë gjatë mungese caktoj zëvendëse si ambasadoreshe ime Fasho e unë lutem ju pranon përshëndetjet e mia. Denizulu -Serp Ambasador Zuzuland.)

Ministri me sekretarin e tij u grisnë së qeshuri. Ministri i porositi sekretarit të mos bëjë ndonjë përgjigje, po ky, posa gjeti një rast, shkruajti fshehtazi këtë biletë:

A Son Excellence Monsieur l'Ambassadeur du Zoulouland. Monsieur l'Ambassadeur,

Je ne manquerai pas de remettre votre note a M. le Ministre des Affaires Etrangeres, mon chef, en ce mo- ment-ci absent. En attendant, permettez-moi, Monsieur l'Ambassadeur, de vous faire des compliments sur l'elegance de votre style francais, qui revele, en meme temps qu`une connaissance approfondie de notre grammaire, un sentiment tres fin des subtilites de notre langue: votre maniere d'ecrire est un modele accompli de ce qu'on a apelle l'ecriture artistee.

Si Votre Excellence le permet, j'inviterai un de ces jours, Mlle Fanchon a souper au Moulin Rouge.

Veuillez agreer, Monsieur l'Ambassadeur, l'assurance de ma haute consideration.

Pour le Ministre des Affaires Etrangeres, DOPUNT, chef du cabinet.

(Shkëlqesisë së tij zotit Ambasador të Zuzulandit.

Zoti ambasador

Nuk do të lë pa ia dorëzuar notën tuaj zotit ministër të punëve të Jashtme, shefit tim, që tani nuk ndodhet këtu. Ndërkaq, më lejoni, zoti Ambasador, komplimentet e mia për elegancën stilistike të frëngjishtes tuaj, çka zbulon, krahas një njohje të thellë të gramatikës sonë edhe një ndjenjë shumë të hollë për imtësitë të gjuhës tonë; mënyra e juaj e të shkruarit është një gjedhe e përkryer e asaj që quhet shkrim artistik.

Po të më lejojë shkëlqësia Juaj, këto ditë unë do të ftoj zonjushën Fasho për një drekë në Mulë Ruzhë. Pranoni, ju lutem, zoti Ambasador, sigurimet e konsideratës time më të lartë.

Për Ministrin e Punëve të Jashtme Dopun –shef` i Kabinetit.

I kënaqur dhe kryelartë nga përgjigjja që mori, Denizullu-Serpia shkoi në London, dhe me të zbritur në hotel, dërgoi këtë letër në Downing Street :

To Sir Praim Minister ov Ingland.

Sir Praim Minister,

Me is de ambasador ov Zululand, and me come hir in London for ask you independens Zululand, and me tell yon consequens veri bad if you not giv independens to we, and dink it over, Sir Praim Minister, becoz situashn am serios, so you dink well, and me is lover ov peas, so me remain wid respekct,

DENIZULLU-SERPE Ambassador from Zululand to Paris.

(Zoti Kryeministër

Unë, ambasadori i Zululandit kam ardhur këtu për Londrë për të kërkuarë nga ju pavarësinë e Zululandit, dhe ja ku po jua them, o Zot, po nuk na dhatë ne pavarësi, punët do venë keq e keq dhe mendoni mirë, e ta dini se unë e dua shumë paqën, pra mb temi me respekt,

Deni Zulu -Sërp Ambasadori nga Zululandi në Paris)

Kryeministrit i qeshi pak buza kur e këndoi notën e Denizullu-Serpes, edhe thirri sekretarin e veçantë të tij, lordin Eduard Merrytune. Lord Eduard, i tha, ja një copë proze të bukur; Juve që ju pëlqen stili i gdhendur, do t'ju kënaqë shumë: si ta këndoni, bëjini. përgjigjjen që Guverna e Madhështisë Tij do ta këqyrë me mirësi kërkesën e zulluve. Lord Eduardi mori kartën, u fal edhe dolli. Lord Eduardi ish njeri shumë serioz, po kish edhe sense of humor, dhe i pëlqente shakaja. Drejtori i librarisë botonjëse “Murray” ish miku i tij dhe kërkonte që prej kohe një editor të zotin për një edicje kritike të veprave të shkronjësit Walter Pater, i cili është më i madhi stilist i gjuhës inglize në kohët moderne. Lord Edwardi zuri telefonin dhe lajmëroi, me një zë të rëndë, drejtorin e shtëpisë "Murray" që një kritik, gjer tani i panjohur, i quajtur Denizullu-Serpe, ekspert në tërë hollësitë e gjuhës inglize me gjithë emrin ekzotik të tij, ish njeriu i rrallë i kërkuar prej aq kohe për të edituar veprat e Walter Paterit. Pastaj mori pendën dhe shkruajti këtë biletë :

Sir ,

I am instructed by the Prime Minister to acknowledge the receipt of your letter, and to assure you that His Majesty's Government will give your request the most careful consideration.

I remain, Sir, yours respectfully,

EDWARD MERRYTUNE Private Secretary to the Prime Minister.

(Zotëri,

Jam i udhëzuar nga kryeministri, t'ju bëj të ditur për marrjen e letrës suaj, dhe t'ju siguroj që Qeveria e Madhërisë së Tij, do t'i kushtojë kërkesës suaj vëmendjen më të plotë. Mbetem, zotëri, i juaji me respekt

Eduard Merrytyne Sekretari Personal i Kryeministrit për D nizulu -Serpe, Esq.)

Të nesërmen, ambasadori i Zulluve e këndoi me gëzim letrën e lord Edwardit, gëzim i cili u shtua gjer në brohori,kur hapi këtë letrë të dytë:

MURRAY AND co. PUBLISHERS

Sir,

We have it on good authority that you are a refined and scholarly though unknown critic, and a passionate student of Walter Pater's writings. It so happens that we have been planning for some time to issue a critical edition of the great English essayist's complete works. Would you eventually consider an offer to undertake that edition? Awaiting with impatience an answer, we remain, Sir, Yours sincerely,

MURRAY AND CO. To Denizu1iu-Serpe, Esq

(Murray dhe Ko, Botues

Zotëri

Kemi të dhëna që ju jeni një kritik i zoti zgjedhur e i shkolluar, ndonëse i panjohur, si dhe një studiues i apasionuar i shkrimeve të Uolter Pejterit. Ne kemi bërë plan që pas një farë kohe të bëjmë një botim kritik të veprave të plota të eseistit të madh Anglez. Mund ta mermi, në konsideratë, ofertën tonë për tu marrë me një botim të tillë? Duke pritur me padurim një përgjigje, mbetemi sinqerisht tuajët, zotëri,

Murray dhe Ko Denizulu-Serpet, Esh

Si vërshëlleu dhe kërceu dhe këndoi dhe u hodh, ambasadori i ra ziles edhe thirri shërbëtorin e hotelit. A e di, i tha, kush është dhe ku ri Walter Pateri? -Jo, zot, s'di, po do të shkoj ta gjej emrin e tij në libra të telefonit.

-Mirë. Mos më bëj të pres shumë.

Dhe ndenji në tryezë, edhe shkruajti një raport të gjatë në Zulluland, e bashkë me raportin dërgoi edhe nga një kopje të letrave që kish marrë.

Kur arrijtin në Zulluland, dy muaj pastaj, raportet nga Londoni dhe nga Parisi, një valë gëzimi shkoi anembanë të popullit, dhe krerët e partive vendosnë të thërresin një mbledhje të madhe për të biseduar e për të kremtuar lajmet me rëndësi nga kryeqytetet e Inglisë dhe të Francës.

Ditën e caktuar, nisnë, nga brigjet dhe nga fushat, të rrejdhin togje-togje negrë me bandiera, duke kënduar këngë kombëtare. Këto, për një njeri që dinte burimin e tyre, ishin fare të papritura në kuptim të ri që u kishin dhënë Zullute. Ne acaz këngësh për të pirë a për të qeshur, Zullutë e gjorë kishin ujdisur fjalë patriotike dhe luftare, fjalë si të çuditura nga ky afrim.

Mbledhja do të mbahej në një shesh të madh, të shtruar nga natyra me një bar të dendur dhe të shkurtër. Një grup u qas duke kënduar me enthusiazmë të madhe: Come, Josephine, in my flying machine! Me sy të zgurdulluar dhe me çape madhështore, këndonjësit arrijtin:

Hop-hop, me pallën të zhveshur !

(Up-uP, a little bit higher! (Lart-lart nje çike me lart!)

Fesh, bam, me dyfek të ndezur !

(Oh, my! the moon is in fire! O Zot hëna ka marrë flakë)

Një grup i dytë vazhdoi me një këngë patriotike mi avazin Can-t you see I am a baby?( Nuk e sheh qe jam foshnje?) Luftarët e entuziasur po e mbushjin sheshin. Një grup tjatër u sul duke kënduar për lirinë e atdheut mi

Adede,

T'es bene!

J'aime tes gros nichons,

Folichons!

T'es ronde,

T'es blonde, etc.

Një tjatër grup prapë, ia mbushi një kënge për sulmin e trimave në luftë, mi avazin A mysteriousTag.

I ulur mbë një shpellë, rrinte mënjanë një negër i ardhur në shesh nga të parët. Ish njeri mesatar, më afër të pesëdhjetave sesa të dyzetave. I stërvitur në një kolegj protestant në Cape-Town, kish mësuar letrat e bukura klasike dhe moderne, kish udhëtuar në Evropë, dhe, autodidakt i palodhur, e quante veten një student dhe këndonte përditë libra të thellë, ,sado që kish arrijtur në prag të pleqërisë me një kulturë të rrallë. Kish një fjalë gjithnjë në buzët: «Vetëm gjysmë të msuarit, -thosh, - kujtojnë se i kanë mharuar mësimet". Ky negër i çuditshëm, i quajtur Plug, ish krijonjësi i vërtetë i lëvizjes kombëtare në Zulluland; këtë fakt e dijin të gjithë, po shumica e madhe e mohojin, duke hedhur emra negrësh të tjerë, të dalë më përpara me atë mendim në Zulluland. Po Plugu vetë interesohej aq pak te fama, sa përtonte edhe t`u japë të kuptojnë negërve ndryshimin me themel të një lëvizjeje që kishin përpjekur zullunj të tjerë të nisnin më përpara: e tija, lëvizje sistematike, idealiste dhe krijonjëse, për të kthyer zullutë nga një turmë të përgjakur në një komb me dinjitet dhe me balancë; të tyret, lëvizje kur-të-më-teket, dhe lëvizje tribale për të mbrojtur tribunë e zulluve nga tribu të tjera të Afrikës.

Plugu kur ish në Evropë, kish kuptuar mirë se ç'mendim ushqente bota e qytetëruar për zullutë; shumë herë i tronditej shpirti kur këndonte a dëgjonte gjykime, dhe javë me radhë i mbetej si një gjemb i brendshëm, që e shponte, i dhembte e i nxirrte gjumin. Dhe që në djalëri kish vendosur një vepër të madhe: ta bëjë Zullulandin një vend të bashkuar, të lirë, të qytetëruar e me nder. Besnik te vetvetja, ju vu punës dhe asnjë pengim, asnjë lodhje s`e kish mbajtur nga vija e parëshënuar. Po ku kish ëndërruar të dalë dhe ku dolli! Avazet “patriotike” që dëgjonte e dëshpërojin, si një simbol i shkallës kulturale të zulluve, po s'rrëfente nonjë shenjë mërzie në fytyrë.

Një grup i madh po afrohej tani me këngën më të zjarrtë të Zullulandit, këngë në avaz të “ Love a lassie, a bonny, bonny lasie”.

Ne jemi trima,

Edhe dalim nga vrima

Zëri i Zullulandit kur na thërret!

Jemi luftarë pa frikë.

Me shigjet' ose me thikë

Dora jon' e fortë, vret!

Kjo ish si Marsejeza e Zulluve; dhe kur e dëgjonte, turrna ndizej dhe egërsohej nga entuziazma. Edhe grupet që kishin ardhur më parë në shesh u bashkuan ahere me ata që afroheshin, dhe të gjithë me një zë nisnë prapë:

Ne jemi trima...

Plugu dëgjonte duke heshtur dhe me një hije trishtimi të fshehur. Ç'fat i çuditshëm për këtë këngë! A i shkonte kurrë në mendje Lander-it se kënga e tij do të entuziaste një ditë tërë një populI, do shpinte ushtarë në luftë dhe do të fitonte beteja? Plugu kish ëndërruar për zullutë nonjë këngë madhështore, të shkruar me porosi prej nonjë muzikanti të madh, ndofta nga Debussy-u a nga Richard Strauss-i. Po negrit s'i kishin vënë veshin: dhe kishin pëlqyer të adaptojnë këngë inglize dhe frënge, të prura nga zullunj të vajtur si qymyrxhinj në vaporë nga Durban-i dhe nga Cape Town-i në Liverpool e në Marseille: Këngë të dëgjuara nga naftë të dehur a nga kurva zhurmonjëse në ca kafene të errëta të limaneve. Po ç'faj të kanë këngët, kur janë të zonjat të bëjnë mrekullinë e mrekullive: të zgjojnë entusiazmën luftare? Ndofta, fajin e kish ai, jo negrit e tjerë. Zulluve u pëlqen Adela, -T'es belle; pse t'i shtrëngosh të gjorët të dëgjojnë me zor Simfoninë Heroike të Beethoven-it? Sicilido shijen e tij, mejtoi Plugu duke psherëtitur; pa dyshim shija e zulluve të mi është pak e ulur, po fund 'i fundit, nuk jemi negër?

Këto mejtoi Plugu, kur u bë një heshtje e përgjithshme: Dy grupe vijin me madhështi, duke prurë sicilido nga një Perëndi prej druri, të dy idhullat që e ndajin Zullulandin në dy fe të mbëdha. Njëra perëndi ish prej borige, tjetra, prej selvie. Që të dyja ishin skalitur në kërcunj të prurë nga pyjet e Palestinës prej vaporesh inglize që bëjnë udhën e Suezit gjer në Afrikë të Jugut. Po këto të dy perëndi të prera në një pyl1 dhe aq të afërme nga natyra e drurit, u dukeshin Zulluve fare të ndryshme dhe kishin shumë herë shkakëtuar zënka dhe derdhje gjaku.

Si i vendosnë idhullat me një respekt të madh, u ngrit një plak edhe e deklaroi mbledhjen të hapur.

-Mbledhja e sotme, zotërinj, (tha Plaku), është një ditë gëzimi dhe lavdie, që do të mbetet e paharuar në histori të Zullulandit. Dy mbretëri të mëdha, Franca dhe Inglia, na nderojnë dhe na duan. Në pastë dyshime nonjë prej jush, do t'i hiqen kur t'i shtrojmë përpara dokumentat.

Dhe, me të thënë këto, thirri një djalë, i cili kish luftuar katër vjet si ushtar i kolonive nëpër fushat e Champagnes dhe kish mësuar pakë të këndoje. Djali lëçiti më parë biletën e sekretarit të ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, Dupont dhe si e lëçiti frëngjisht, e përktheu edhe në gjuhë të Zulluve. Menjëherë u shkëput një furtunë brohorie: ca ulërijin, ca këndojin, ca kërcejin duke përpjekur duart.

Kur pushoi pakëz entuziazma, negri gjuhëshumë këndoi dhe pastaj zulluloi letrat e lordit Edward Mertytune edhe të shtëpisë botonjëse “Murray”. Këtu u ngritnë të gjithë në këmbë edhe nisnë, duke përpjekur duart me ritme, një valle rreth e rrotull të dy perëndive prej druri; pastaj, në kulm të dehjes patriotike, luftarët zhveshnë pallat, dhe të përcjellur nga të qëlluarit e matur të nja pesëdhjetë çekanëve mbi tepsi prej bakëri, ia mbushnë të gjithë këngës madhështore:

I love a lassie:

Ne jemi trima.

Edhe dalim nga vrima etj.

Vetëm një njeri rrinte pa lëvizur, me sytë të mbyl1ur, edhe kryeulur. Na duket (i britnë, me një zë një grup negrish) se nuk je i kënaqur! -Është tradhësi sokollitnë ca të tjerë. -Le të japë shpjegime, le të flasë! - thirrnë një tok negrish i tretë"

Dhe Plugu (se ai ish) ngriti dorën e djathtë qetë kërkojë heshtje: "Nuk mohoj aspak, -tha, - që s'jam i kënaqur.” Një valë zemërimi murmuriti anembanë të turmës, po s'doli nonjë zë kundërshtimi. «Jo vetëm s'jam i kënaqur, po jam i helmuar, i plagosur në thellësi të zemrës. Po të merrjit vesh kuptimin e vërtetë të letrave, do të derdhjit lot dëshpërimi, në vend që të këcejit valle. Përgjigjja e Frëngut është një tallje sheshit. Ajo e diplomatit ingliz, s'ka nonjë rëndësi fare: është një nga përgjigjet e zakonshme që governa e Londonit i dërgon çdo letre, nga çdo anë që në vaftë. Sa për atë të botonjësit «Murray», ajo shtëpi e dëgjuar është, pa dyshim, viktimë e një shakaje. Hiqni dorë, se do të bëheni lodra e botës. Ta dini se ne, në sy të Evropës së qytetëruar, jemi negër, dhe asgjë më tepër; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq, po të gjithë na përbuzin e na kanë për të poshtër. Hiqni dorë, ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni, punoni, mos u zëni besim raporteve që thonë gjëra të mira për ne, - dhe mbase një ditë dalim të rritur përpara botës. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; ai që arrin në kulm, arrin i grisur, i përgjakur, i dërsitur, i lodhur; dhe trëndafilat, dafinat, ujët e ftohtë, lëndina ku është mirë dhe ëmbël të shtrihet, të gjitha këto i gjen në kulm vetëm, dhe atje shumë herë as që i gëzon dot, se bie i vdekur nga të lodhurit, po me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit. Ne, vëllezër, jemi negër të varfër, pa nonjë rëndësi fare; mos dehuni me moskuptime, mos dëgjoni njerëz të cekët, njerëz aq të paditur

sa ju, më të paditur se ju ndofta, të cilët kanë vetëm një guxim barbar dhe të verbër që i shtyn të futen kudo, në mes të talljes së përgjithshme. Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. Dhe përmi të gjitha, heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, po kazmën. Jo misione, po kazmën. Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Po mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot, sa s'qaj dot. Dhe më në fund, aq di, aq them; Jini të lirë të bëni si të doni.

Mbaroi dhe ndenji. Një heshtje mbretëroi pak çaste. Pastaj vërshëllimë, sharje krismë nga çdo anë. Ca negër tregojin grushtin. Ca kërkojin që t'i heqë fjalët dhe të lipë ndjesë; në mos ta zënë me gurë. Dhjetë oratorë nisnë të flasin menjëherë. Ca të tjerë prapë filluan këngën luftare: I love a Lassie, dhe pesëdhjetë çekanë qëllojin me tërbim pesëdhjetë tepsi. Një negër i madh doli në mes edhe nisi një valle të çuditshme, duke u kërrusur, në mënyrë që të imitonte një misërok të egër. Nga një çip doli një ulërimë si e një çakalli. Pa humbur kohë, një tjatër përngjau zërin e një asllani. Nga çdo anë nisnë të imitojnë giithë kafshët e pyjeve të Afrikës. Gjashtë mijë njerëz të dehur me një frymë marzie negre, lëvizjin duar e këmbë dhe jipjin zë të gjithë përnjëherjesh.

Tri orë vazhdoi kjo krizë. Më në fund, dy pleq muarrnë të dy idhullat në dorë edhe u bë një heshtje e madhe. Perënditë, thanë pleqtë, janë të kënaqura nga patriotizma juaj, dhe tërë Evropa do të çuditet me ndjenjat fisnike; me rregullën, qetësinë, kuptimin dhe qytetërinë tuaj. Tani (vazhduan pleqtë duke folur bashkërisht) ju proponojmë të dërgohet një falënderje Inglisë edhe Francës, që na bënë shokë dhe miq, edhe një falënderje të diturve të Inglisë që na nderuan duke kërkuar dritë dhe mësim nga ambasadori ynë. Një rrufe dorëtrokitjesh e priti këtë proponim, i cili u votua me një zë. Plugu psherëtiti edhe shtiri një lot, një pikë, e cila zbriti ngadalë nëpër faqe e gjer në qafë, ku u zhduk. Turmës ky lot nuk i shpëtoi, dhe një thirri: Shikoni, nakarin, shikoni zemërligësinë! Qan, se triumfi s'është për të, është për një tjatër, për një më të zotin, për një diplomat, për një të ditur me themel.

Si u qetësua përsëri turma, u ngrit një negër i quajtur Zgjebo, i cili kish bërë katër vjet, si kafaz në një hotel të Palermos edhe dinte pak italisht. Unë, tha, proponoj që të dërgojmë një lajmërim miqësie te Mbreti i Abisinisë, duke qenë se ai është i vetmi mbret negër i lirë dhe meqë në oborr të Abisinisë ka disa njerëz që dinë italisht, të falat tona t'i dërgojmë në këtë gjuhë. - Kjo ide është shumë e mirë, tha Plugu, dhe mund ta përkrah edhe unë. Po kush do ta shkruajë kartën ?

  • Unë, tha Zgjebua.

-Dini mjaft italisht, sa të bëni një dokument diplomatik? -Di shumë bukur.

  • Gëzohem, po thomëni pak, si do ta nisni?
  • Ja kshtu ,tha Zgjebua: “Sacramento Re”
  • “Sacramento re”? pyeti me çudi Plugu, doni të thoni pa dyshim "Sacra Maesta".
  • Jo. Thashë dhe them "Sacramento Re". Ashtu është në Italishten e mirë.

Një hije dëshpërimi ngrysi fytyrën e Plugut. Deshi të flasë po iu duk më kot t'i bjerë murit me kokë. Heshti. Po turma, e cila s'pëlqente fjalët, s'pëlqente as heshtjen e Plugut. Shumë zëra u ngritën nga të gjitha anët që i kërkonin mendjen. Po ai nuk u ngrit nga vendi. Shokë, tha një nga negrit e moshuar, unë proponoj që për mbretin e Abisinisë të shkruaj një kartë Plugu, dhe një tjetër Zgjebua. Pastaj të këndohen që të dyja dhe të zgjedhim njerën për të dërguar. Të gjithë e pëllqyen proponimin, veç Plugut i cili u ngrit dhe deklaroi që italishten e dinte shumë pak, - “mjaft sa për të ndarë shkrimin e mirë nga të keqin, por jo sa për të shkruar vetë". Po turma e shtrëngoi të bëjë sa di. Ashtu u ulnë që të dy, dhe duke pshtetur kartën në pëqi shkruan komplimentin e Zullullandit për Negusin e Abisinisë.

Fjalët e Plugut ishin këto:

Maesta!

Il popolo dello Zulaland, ammiratore sincerissimo dellenergia, della capacita, dello spirito dindipendenza dellAbissinia, chiede il permesso di porgere a Vostra Maesta, il fiero campione della liberta africana, i suoi umilissimi saluti e lassicurazione d`una devozione illimitata.

(Madhëri!

Populli i Zululandit, admirues i çiltër i energjisë, i aftësisë, i shpirtit të pavarësisë të Abisinisë, kërkon leje t`i drejtojë Madhërisë Tuaj, kampioni krenar i lirisë afrikane, përshëndetjet e tij më të përvuajtura dhe sigurimet e devotshmërisë së pakufishme.)

Teksti i Zgjebos ish ky:

Sacramento Re!

La popolo del Zululand amaro molto molto Abisinia e popola nero tuto fratelo, e mi credo arivare tempa fare uniono tute popoli africana, e te, Sacramento Re, esere nostromo e capofachino a tuti noi per tracidare bianco e Africa libera, e cosi noi dire bongiorno e baciare tuo gambe, Sacramento Re.

(I Shenjti Mbret!

Populli i Zululanditi hidhëruar shumë shumë Abisinia, dhe njerëzit zi qenë gjithë vëllezër, e mendoj erdhi koha bëri bashkim gjithë popuj afrikanë dhe ti, I shenjti Mbret, bëju pris e mësues për gjithë ne për të bardhët e Afrika lirë e kështu ne themi mirëdita e puth këmbët tua, I shenjti Mbret.)

Kur u këndua karta e Plugut, një heshtje prej akulli mbretëroj mi turmë. Po kartën e Zgjebos e pritnë me bërtima dhe brohori. Prapë nisnë vallet dhe pesëdhjetë tepsi u rrahnë nga pesëdhjetë çekanë. Ha-ha-ha! bërtisjin ca. Hu-hu-hu! Ulërijn të tjerë. Kur u qetësua pak manifestata, Plugu, i shtyrë nga një pakicë miqsh besnikë po të trembur, u ngrit të japë një fjale:

“Zotërinj! (se pa dyshim, jeni zotërinj, xhentlemen në kuptimin e fjalës), karta që më shtërnguat të bëj italisht, në një gjuhë që ju thashë se sjam i zoti ta përdor mirë, nuk është e shkruar bukur; është e mëngjër, si e shkruar shtrembër, jo me lehtësinë e dorës së djathtë; po megjithatë, lajthime ska, dhe mund të këndohet pa qeshur. Letra që ka shkruar z. Zgjebo është fare qesharake, dhe do të na çnderojë edhe në sy të abisinasve, ndonëse edhe ata janë negër si ne.

-Teksti i z. Zgjebo ju pëlqeu. Po thomëni, ju lutem, sa prej jush dine italisht? Dhe nga ata që mund të dinë pak, kush është i zoti të zgjedhë cili tekst është më i miri?

-Më vjen shumë keq ta them: po në çdo punë që bëni, në çdo masë që merrni, në çdo lëvizje e në çdo fjalë që ju del nga goja, shoh shenjën e një barbarie të thellë. Më tepër plakem, dhe më tepër më hyjnë dyshime në do të qytetërohemi dot nonjë ditë. Kam frikë se jeni të mbyllur në një qark veskeq, nga i cili s`dilni dot, dhe është ky: Doni indipendencën që të mundni të mbeteni zullunj; po duhet të mos mbeteni zullunj në daçi të fitoni indipendencen.

Ka dhe një tjatër pikëpamje...”

Këtu turma u egërsua. “Hiq-e-fjalën pikëpamje!” britnë disa zëra. “Ki turp!” thirrnin të tjerët. Ca miq iu afruan, dhe i thanë në vesh: “Na prishe punë. Pse përdore një fjalë të poshtër? Kërko ndjesë, dhe vazhdo fjalën.” Po turma sa vente dhe po egërsohej. “Ejani ta vrasim tradhëtorin!” ulërijtin një shumicë. Dhe nxuarnë pallat, dhe nisnë vallen luftare, të kërrusur, dhe duke imituar misërokun e egër.

Plugu, pa humbur kohë, kish bërë planet e tij. Një të hedhur, një të rrëmbyer të dy perënditë prej borige dhe prej dushku, një të ikur: dhe aq shpejt, sa zullutë e dehur nga marrëzia e panë tepër vonë që ta zijin. Të gjithë, menjëherë, u sulnë nga pas: dhe një rendje e çuditshme, një maratonë në mes një njeriu dhe gjashtë mijë njerëzve, nisi nëpër fushat dhe brigjet e Zullulandit. Orë dhe orë, ky gjah tragjik vazhdoi pa mëshirë. Plugu, sado që ish i penguar nga të dy kërcunjtë e vegjël të Palestinës që mbante nën sqetull, përparonte; po dhe turma e zulluve, e tërbuar nga fanatizma, nuk mbetej pas. Më në fund iu afrua një lumi, dhe këtu maratona u ndez më tepër, se ish afër mendsh që plani i Plugut që të arrinte i pari në urë. Vrapojin të gjithë si të marrë ngjat lumit, i cili ish i thellë dhe i rreptë, dhe sish punë të kapërcehej me not. Fanatikët hidheshin si leopardë dhe tigra, -kur namëta! U duk ura për së largu. Plugu hodhi menjëherë nga pas perëndinë prej dushku; dhe siç kishte bërë hesap, një minutë më vonë që të gjashtë mijë zullutë qëndruan që ta mbledhin, të shohin se mos qe plagosur, dhe ti bëjnë një lutje të shkurtër. Plugu shkeli në urë, dhe menjëherë vërviti pas Perëndinë prej borige. Kapërceu më anë tjatër; dhe me forcët e tij të shumësuara nga rreziku, “urën”, e cila sish veç se një shelg vigan, i shtënë pa gdhendur, anë e mbanë e luajti dhe e hodhi në lumë, ujërat e të cilit e muarnë me shpejtim tatëpjetë. Dhe pa humbur kohë, Plugu nisi të rende nga ana tjatër e lumit, se një mal që ngrihej drejt posi një mur prej shkëmbi, e shtërngonte që të vazhdojë ngjat zallit. Turma, e habitur dhe e dëshpëruar, humbi përsëri pak kohë me perëndinë e dytë; pastaj nisi prapë maratonën, me qëllimin që të arrinte në një va më sipër, dhe atje të kapërcente lumin. Marathona tani, në vend që të ish në një vijë, ish në dy vijë paralele, me lumin në mes. Po turma sish më aq e tërbuar: se të dy perënditë i gjeti të thyer shumë pakë, vetëm në kokë, vend i cili në Zulluland s`ka nonjë rëndësi; po në vithe e në bark, që për zullutë janë vendet më fisnike të trupit. Perënditë nuk ishin plagosur aspak: dhe turma këtë e mori si një shenjë që perënditë nuk ishin zemëruar kundër Plugut. Ashtu zullutë ishin pak si më të zbutur , po prapë maratona vente përpara. Plugu, i lehtësuar nga kërcunjtë, e ndiente veten e tij më të fortë; dhe ca për të qeshur, ca për të tallur, ca për të ritmuar çapin e tij, nisi të hedhë në erë, me zë të plotë, një vjershë në stil të pëlqyer të Zullulandit:

Ajo vajëzë e huaj

Që u lind pas nëntë muaj

Sikur t`ish lindur pas shtatë

Ndofta sdo tish aq` e gjatë:

Sikur t`ish lindur pas tetë

Mund që s`ish në këtë jetë:

E ëma e kish dështuar,

Dhe prifti e kish mbuluar!

Papo meqë ësht` e gjallë,

Pa dyshim në varr s`e kallë.

E marta kur u mbarua,

E mërkura u fillua.

Ti njeri, do robërinë?

Ahere s`dashke lirinë.

Jo po deshe ligësinë,

Nuk e dashke mirësinë.

Dy e dy na bëjnë katër,

Druri digjet mu në vatër.

Misëri rritet në arë,

Smbin gjësendi kur ska farë.

Një breshër dorëtrokitjesh nga zalli tjatër, i provoi Plugut që “vjershat” e bukura kishin qenë edhe dëgjuar edhe pëlqyer nga zullutë. Mbyti një të qeshur në grykë, dhe vazhdoi kështu:

O njeri, të qofsha falë,

S`është gjarpër, është ngjalë.

Kafsha që ka katër këmbë

Pa dyshim s`ka dy pëllëmbë.

Çështë me bukur në jetë:

Thikë, plumb, apo shigjetë?

Çgjë me paqme, o tru plaku:

Djersët, morrat, apo gjaku?

Ahere kur bën të ngrohtë

Trupi nuk ndjen të ftohtë.

Këmb` e bufit është thyer,

Kukuvajka ka lëngjyer.

Sillni darën, shpejt, o trima!

Shkula gozhdën, mbeti vrima.

A do qumësht apo dhallë?

Gomarica vjen vërdallë.

Roft` e qoftë Zullulandi!

Dhe meqë sgjente shpejt një vjershë që tujdiste, shtoi pa humbur kohë:

Bandi, dandi, kandi, randi!

Nata tani kish nisur të zbresë përmi tokë. Një qetësi e plotë mbulonte erën e kulluar. Kur u mbarua vjersha, plasi një entuziazmë pa kufi në mes të zulluve. Kishin arritur në va, po në vend që ta kapërcejnë, nisnë të heqin një valle ritmike, duke përpjekur duart e duke kënduar me një zë vjershat e perëndishme:

Gomarica vjen vërdallë:

A do qumësht apo dhallë?

Bandi, dandi, kandi, randi,

Roft` e qoftë Zullulandi!

Ah, vjershëtor! (britnë njëqind zëra), pse sna the më parë vjersha aq të mira? Pse na mundoje me gjëra që sna pëlqejnë? Eja, kthehu, mos ik, të gjitha janë të falura e të ndjera: Vetëm të na bësh dhe të tjera vjersha të mbaruara si këtë që dëgjuam, dhe do të të nderojmë masë. Ku ta dijim ne se qenkeshe një vjershëtor aq i madh? Faj s`të kemi, Plug, ke faj ti që na shfaqe vetëm ligësinë tënde, dhe mbajte të fshehura madhësitë që të falnë Boriga dhe Dushku. Eja, se tani të kuptojmë dhe të duam!

Nja dhjetë veta, nga miqtë e Plugut, hyjtin në va dhe dualnë manë tjatër. Po nata tani ish e thellë; dhe Plugu, i fshehur në një shpellë, sluante. E kërkuan, e thirrnë, iu lutnë: po u bë posi i vdekur. Dhe si u lodhnë, u hodhnë prapë matanë të lumit; dhe të gjithë bashkë, duke kënduar vjershën e re që të mos e harrojnë, u kthyen ngaha kishin ardhur.

Plugu mbeti nonjë orë i dalldisur, me trupin dhe mendjen të lodhur. Tërë jeta e tij e shkuar iu shfaq përpara, posi një film ëndrre dhe ankthi: shpresat, mundimet, luftët, plagët, dualnë njëra pas tjatrës; miqtë e nxehtë dhe të vaktët dhe të rënët; armiqtë seriozë dhe armiqtë qesharakë dhe bufonë që shtijin jargë bashkë me pallavrat: gratë e mira dhe të këqija: çupat engjëllore dhe çupat nepërka; dhe politikanët dhe intriganët e bardhë, të gjithë armiq të Zulluve, dhe kur jo armiq, pa dyshim përbuzës të fshehtë, me mendimin e pashfaqur që një zullu është një zullu, jo një njeri si të tjerët: “Jeta ime”, psherëtijti, “është një faliment.” Dhe doli nga shpella, si një hije e vetvetes.

Vajti buzë lumit, lau duart dhe faqet, piu pak ujë. Shikoi valët që mirrjin tatëpjetën me sulmin e një rrëkeje. Një mendim i vetëtiu në tru. Kujtoi fjalët e Hamletit: “Vdekja? Një gjumë. Asgjë tjatër. Dhe me një gjumë, të thuash se i dhamë fund dhembjeve të zemrës edhe mijëra pësimeve që vuan mishi i njeriut, është një mbarim për të dëshëruar me forcë”. Po si Hamletin, ashtu edhe Plugun, kushedi se ç`instikt i errët dhe i thellë e mbajti në buzë të përroit.

“Jeta ime, - tha përsëri, - është një faliment, një failure. Asnjë nga qëllimet që kam pasur nuk e kam arrijtur. Kam parë të vërtetohet vetëm karrikatura e ca ëndrrave të mia. Desha një Zulluland të qytetëruar dhe të lirë, si një çap të parë për një Afrikë të lidhur në një federatë të madhe, një Afrikë të shkulur nga thonjët e të huajve, të përparuar dhe të nderuar si një fuqi e madhe. Dhe çshoh përpara syve?” Këtu qeshi, pastaj vazhdoi: “Ndofta fajin e kam pasur vetë, - se desha të bëj të pamundurën: desha të lëroj shkëmbin. Afër mendsh, në vend që të shpoj gurin, thyeja dhëmbët, dhe mu bë mirë. Dhe tani, ç`të bëj dhe ku të vete?” U dalldis prapë në mejtime. Nëmërojti ca nga fqinjët e Zulluve: Ba-Rongat, Matabelete, Basutot, Hottentotet, Boshimanet. Të veje të kërkoje hospitalitetin e këtyreve? Edhe këta aq të poshtër, aq gjakpirës, aq trushterpa sa Zulluta. Afrika e tërë i doli përpara syve si një vend i mallkuar dhe i fëlliqur, që bie erë djersë dhe gjak anembanë.

“Të iki nga ky kontinent, të iki përjetë, dhe jo nesër, po që sonte, që tani. Të shkund këmbët mirë, që të mos më mbetet as pluhur nga dheu i Afrikës: dhe i sëmundjeve, i vrasjeve dhe i vjershave mirlitone. Të iki. Të shkoj në nonjë vend të largmë, dhe të zë nonjë punë të përulur, një punë me duar, dhe të fitoj me bukën ndofta edhe qetësinë e shpirtit –protagonist i harruar i një tragjedie të fshehtë e të errët.”

Dhe menjëherë u ngrit, dhe mori udhën e Durbanit, për të zënë atje nonjë vapor për Azi, për Australi a për Amerikë.

(1922)

By Faik Konica