Në qoftë se historija e shkruar është thesari mê i math i një populli, trashëgimi i lënë prej gjysh dhe stërgjyshvet’ tij, atëhere duhet, ne Shqiptarë, t’a konsiderojmë vehten shumë të varfër.
Historí e shkruarë gjendet në gjurmat dhe kujtimet e lënë nga paranikët:
A. Monumente lapidarë, rrënime arkitekture, monedha etj. sende mbetur mbi ose nënë tokë;
B. Një mbledhje e ngjarjevet të moçme të popullit shkruarë prej dokujt nga ay popull;
C. Shkrime të mbetur, të grumbulluar në qëndra ku studimi dhe shkrimi është si një detyrë e komunotetit, me fjalë të tjera të murgtarvet në manastirë;
D. Akte të ndryshmë ruajtur prej gjykatore, zyra qeveritare, notar, kishë;
E. Të shkruarat dhe kallzimet e të huajvet, e fqinjvet, me rasjen e ndollinavet që i takon te interesumit tënë në marrëdhanëjet politike;
G. Kujtimet gojë mbas goje.
Përveç një mrekullije, një zbulimi të pa pandehur, nga burrimet* që shënuam me pikatë B. C. D. sot s’kemi asgjë: Nonjë prej të parvet tanë s’u-kujtua të shtjerë në kartë krenarin’ e popullit ose amorin e kombit’ tij. Një Otec Paissi që bëri kaqë për Bullgarët e sotmë do të ishte edhe për neve një drit’ e vlefshme.
Në manastirë, në qeveritë, jo vetëm përpara fundit të Kohës së Mesme, po as nga të pêsë shekujt e sundimit tyrk s’gjejmë gjë. As në qëndrat e prefekturavet, as në zyrat e vogla nuk takon dora më no një arkivë: lufta Ballkanike i transformoj në hî edhe ata të pak’ akte që kishin mbetur, dhe shumë nga këndonjësit e mij do të kujtojn’ akoma zjaret e ndezur në Elbasan 1Në këtë qytet qënë rruajtur Sixhiqatet e Mehqemesë, me akte të vjetrë që nga ardhja e Tyrqvet Sërbët i doqnë. Sot vetëm një volum (Tefter i math) ka shpëtuar., në Shkodrë, në Durrës... Në Gjinokastrë arkivat qeveritarë i muarrën Grekët dhe i shpun’në Janinë, dhe, kur u-doq pallati (Hyqymeti) i këti qyteti, u-shduknë dhe evraket e mbetur nga sundimi tyrk.
Kjo na provón ç’rëndësí të madhe kanë sot për neve edhe mê të vegjëlit shkrime që munt të takojmë, mbetur të haruarë në administrata të ndryshme, ose në duar të privatvet: kujdesija e tyre dhe rruajtja nga çdukja është një detyrë civike dhe patriotike. Sadoqë relativisht të ra, dhe pa no një kuptim historik të veçantë, aktet që munt të gjenden sot në manastirë, në qeveritë, koleksione privatë, janë fletët e kronikavet, gjurmët e jetës s’ënë, dhe, nga kjo pikëpamje na imponohet barra t’i rruajmë: në mos gjeçim të vjetra, s’duhet të përbuzim modernet, të cilat koha do t’i fisnikërojë duke i lënë trashëgim në shekujt e arthmë.
Kujtimet e vjetrë që rrëfyemë me germën A., gjurmët mê të moçme të paranikëvet tanë, s’dimë çë thesarë po na rruajnë. Gërmimet arkeologjikë taní kanë filluarë për neve. Punimet në Butrinto e në Apolloni po na japin shpresë: çdo gur, çdo copë qeramidhe, çdo epigrafí është si një frym’ e atyreve që kanë qënë para nesh. „Antikat" pra është një blasfemë dhe mëkatë t’i konsiderojmë nga pikëpamja e vleftës tregtare, si lëndë. Çmimi shpirtënor i tyre është fort mê i math, dhe këtë shtrënjtësí e kanë vetëm për neve. S’andejmi pra edhe kujdesi me të cilin çdo komunë, çdo bashkí, çdo ingjiner ose sipërmarrës punësh botore, çdo mjeshtër dhe puntor duhet t’i lajmërojë këta zbulime dhe çdo Shqiptari duhet t’i dhimset për këto mbeturina të ditëvet të kalume: janë drudhe, thërmike për ushqimin e zëmrës sënë.
Atëhere, në mungesë të punës dhe të shkrimevet t’anë, duhet të kërkojmë ç’kanë mundur të shënojnë të tjerët, fqinjët t’ënë, ose ata që kanë sunduarë Shqipërinë, ose akoma ata që rasja i ka prurë të jenë në marredhanëje me neve.
Edhe kjo është fusha më e gjerë për aktivitetin t’ënë, një fushë punimi që s’ka nevojë për zhení. Duhet vetëm durim dhe metodë, po edhe më mirë akoma një amor dhe një kult për vëndin t’ënë.
Që ku e gjer ku zgjatet kjo fushë? Që ku lind e gjer tek perendon dielli do të thoshnja, me pakëz eksagjerim.
Të caktuarët e vëndevet në të cilët munt të ketë fat të gjejmë gjë për tokën dhe kombin t’ënë, do të ishte një erudicion i kotë.
E supononj se këndónjësi im ka dijëní se në çdo qytet të botës ekzistojnë biblioteka, arkiva, koleksione shkrimesh të moçmë. Këtó biblioteka dhe arkiva munt të jenë të qeverisë, të insitutevet shkollorë, të bashkivet, ose të monastirvet dhe misionevet fetarë. Libra të shtypura rrëfejnë gjendjen dhe importencën e këtyre depove, dhe shpesh’herë katalogë japën nomenklaturën e dorëshkrimevet, se prej dokumentavet të pabotuara po flasim së pari.
Një opinion i përhapur bën të besojmë se këto dokumenta duhet të kërkohen në Venetik e në Stamboll, në arkivat e Frarit dhe në Hazine-i-evrak: dy burrime ku munt të punohet me vite pa shteruarë materiali. Po edhe s’do haruarë se çdo depozitë tjatrë munt të pshehnjë një xhevahir për neve: a s’është kur s’ e pandehte fare që profesori Jorga zbuloj në Laurentiana të Firencës gjurmën mê të moçme të gjuhës s’ënë, atë formulë të pagëzimit? Në mijë dhe mijë biblioteka dhe arkiva të botës nuk dijmë çë munt të gjendet për neve 2Duhet të mos harojmë se kjo ngjet për gjithë botën: mê të mirët e dorëshkrimevet të Chanson de Holand, një nga të parët shkrime të gjuhësë frëngjishte, gjenden në Bodleiana (Oxford) dhe në Marciana (Venetik). Mbase mê i vjetri dorëshkrim sllav, një ungjill, gjendet në Keims, në katedral. Monumenti i gjuhës s’ënë, Gjon Buzuku, a nuk’ u-gjent në Vatikan, nërmjet do librave të hedhura më nj’ anë si të pakënduarëshme?. Punimi benediktan, shëmbëlla e thnegllës që mbleth kokra dhe bykë, duhet të na inspirojë dhe neve. Logjika e do që në arkivat e Stambollit të gjejmë landën e ngjarjevet të atyreve pêsë shekuj të fundit; që në depozitat e Italisë, nga Sicilija e në Alpet (dhe jo vetëm rreth Shënt Markut) të gjejmë 3Për të dhënë një idé të materialit, le të themi se në Vatikán janë 70.000 dorëshkrime (veç arkivavet), në Ambrosiana 35.000, në Laurentiana 10.129, në Bibliotekën Casanatense 5460, në Marciana 13.319, në bibliotekë të Museo Civico (Venetik) 9.745 libra dorëshkrime. dhe kjo me sigurí të plotë materialin për të paktën dhjetë shekuj të jetës s’onë. Dritë tjera munt të gjenden në Jugoslavin e sotme në zallet e Adriatikut dhe në arkivat e tjera dhe Greqija (arkivat e Korfuzit e të Athinës, kryesisht) mban edhe ajo sende me rëndësí për të njëqint vietët e fundit.
Po nuk është thënë që vetëm dorëshkrimet ineditë të mbajnë të fshehtat e së shkuarës s’ënë. Veprat e botuara s’duanë përbuzur. Njerës mê parë nesh kanë rrëmuarë dhe kanë shkruarë shumë pika që na prekin drejt së drejti. Konsultimi dhe shoshitja e materialit të botuar relativisht është me mê pakë vështirësi, se nukë lyp as njohjen e paleografisë, as edhe një prierí të veçantë për deshifrimin e shkrimit të dorës. S’ka dyshim se vëndin’ e nderit të libravet e zënë historianët bizantinë (se mjerisht s’bëhet dot fjalë për arkiva të Bizantit) dhe kroniktarët e Tyrqisë. Corpus-i i të parvet s’bëhet mê teprë se prej shtatdhjet volumë, dhe Babingeri numurón 376 autorë që nga koha e Orhanit e gjer më sot.
(Këtú hapim një parantezë: Ignoranca dhe stupiditeti i bën ca shqiptarë të rrëfejnë një indiferencë për periodën e Tyrqisë, ndoshta koha mê importante për neve.Unë bënj thirje nek atá të pakë që dijn’ akoma tyrqisht: të sitin historianët e Tyrqisë, të bëjnë katalogun e faqevet që na prekin neve; mê mir akoma do të ishte përkthimi integral i copëvet që na interesojnë. Kjo është një veprë e ngutëshme se, për pakë vjet, mê nukë do të gjendet kush i zoti të kuptojë tyrqishten klasike, më sa ndodhet sot që të dijë gjuhën armene ose sanskrite).
Titulli i një libre s’duhet të jetë një kriter për vleftën e tij me sa na përket neve, dhe të 724 titujt e radhitur në Bibliografin e Legrandit nuk’ e shterojnë aspakë katalogun. Përgjithësisht çdo librë që flet mbi Tyrqinë, mbi Greqinë moderne, mbi Serbinë, me një fjalë për sinisin’ e Balkanëvet, logjikisht duhet të na interesojë. Radhoj i këtyre veprave bëhet shum’mê i gjatë nga ç’ e pandehim, në qoftë se bibliografija jonë përfaqësohet me dy a tri lista embrionare, ató të Shtetvet të Balkanit janë fort më komplete, pa njanësuar botimet periodikë të tyre, sidomos Sbornikët e Serbëvet, Diplomatarum, dhe Monumentat e Sllavëvet të Jugës.
Betejë iliro-romake
Jashtë libravet titulli i së cilavet na premton vjelje pëllore, janë edhe shumë të tjera që tërthorazi na prekin neve. Arrin të kujtojmë se shtypshkronja ka afro pêsë shekuj që u-çpik, dhe shumë dorëshkrime mê të vjetrë, mê shum akoma dokumenta të moçme, janë botuarë që nga Gutenbergu e tëhu.
Një maden që do rrëmihur, dhe akses’i të cilit takon pakëz vështirsi, janë arkivat e kançellarivet, në Ministrit e punëvet të jashtme, të atyre shtetve që kanë qënë në marrëdhanëje me Tyrqinë: Austrija, Franca, Spanja, Anglija, Prusija dhe më afrë nesh Italija dhe Greqija.
Aktet e kançellarivet të moçme janë derdhur në depozitat e çelura për kërkimtarët: kështu ato të Venetikut, të Milano, Genova, Pisa, Napolit. Kështu akoma të Mhretërisë aragono-napoletane, në Barcelonë, nga të cilat Marinesco qiti landën e një libre Alphonse V. roi d’Aragone et de Naples et V Albanie de Scanderbeg.
S’ka dyshim se, sidomos nga koha e Ali Pashë Janinës e tëhu, raportet e ruajtur në arkivat e kançellarivet të Francës dhe Anglisë do të kenë një rëndësí. Kur se ne Rusi ky interes fillón edhe që mê parë, me ngjarjet e Moresë dhe Sulotëvet, në kohë të Katerinës.
Themi se të hyrët në këtó arkiva zyrtare s’ësht’ e lehtë, nga shkaku i karakterit politik dhe konfidencial të atyre korespondencave; po kjo s’ka ndaluarë fort shumë kërkime dhe botimin e një shumicë histori diplomatike, ose monografi të bazuara vetëm mbi relacionet zyrtarë të konsujvet dhe ambasadorëvet.
Nukë them vetëm se duhet të jetë një ambicion i lavdërushmë të vihet njeriu në punë për studimin e historis’së tij. Nukë them se do të ishte një lumtëri të shogrojë robi intelegjencën dhe dijënin e tij në këtë veprë. Vete mê lark akoma: Them se është një detyrë, është një borxh kundrejt vëndit, një borxh pagimi i të cilit duhet të jetë një gëzim shpirtënor.
Në qoftë se ky artikull ka nderin dhe fatin të këndohet, dhe në u-gaboftë këndonjësi t’a lëçitnjë me zê të naltë, kam frikë mos zgjuajë një reaksion ne dëgjonjësi. — Ná, se mos thotë, një gjë që duhet të bëjë qeverija? Ná, se ku duhet të harxhohen të hollat e Shtetit: në punë të dobishme, të shënjta.“ Edhe në trûn’ e fatosit merr trup një ëndër roge, ylëfeje, më mirë të themi arpallëku.
(...)
Taní vjen pika e fundit, ajo që i vumë shënjën F. së cilës, munt t’i themí histori orale, dhe që kufizohet në sendet që mban mënt njeriu vetë, ose kolektiviteti: rrëfime, kallzime, gojdhana, këngë, pak a sbum’ autentike, tepr’ a me moderim të shtrëmbëruara dhe të eksagjeruara. Edhe, me gjithë këto të meta, kjo kategorí e historis’s’ënë paraqit një importencë të vërtetë, kur na mungojnë burrimet e tjerë. Rreziku për kujtimet gojarë është se koha munt t’i hedhë në harim, ose t’i transformojë dhe t’u paksojë vleftën. Nga ky shkak mbledhja dhe të fiksuarët e tyre do bërë me ngutësi, dhe aqë mê tepr’ akoma sa janë gjallë pleqtë të cilët pa dyshim dijnë më teprë se brezní e tanishme.
Këto informata orale duan marrë për bazë në redaktimin e kronikavet moderne, të ngjarjevet kontemporane, dhe sidomós në hartimin e historisë lokale, të qytetevet, të krahinavet, të katundevet, të disa fëmijëve, ose akoma të jetëshkrimevet, duke qënë sigur se, çdo faqe historije që të shkrojmë sot, sado pa rëndësi që t’a gjykojmë ne, munt të ketë nesrë një importencë dhe vleft’ të madhe.
Revista “Përpjekja Shqiptare”, 1936
Në këtë qytet qënë rruajtur Sixhiqatet e Mehqemesë, me akte të vjetrë që nga ardhja e Tyrqvet Sërbët i doqnë. Sot vetëm një volum (Tefter i math) ka shpëtuar. ↩
Duhet të mos harojmë se kjo ngjet për gjithë botën: mê të mirët e dorëshkrimevet të Chanson de Holand, një nga të parët shkrime të gjuhësë frëngjishte, gjenden në Bodleiana (Oxford) dhe në Marciana (Venetik). Mbase mê i vjetri dorëshkrim sllav, një ungjill, gjendet në Keims, në katedral. Monumenti i gjuhës s’ënë, Gjon Buzuku, a nuk’ u-gjent në Vatikan, nërmjet do librave të hedhura më nj’ anë si të pakënduarëshme? ↩
Për të dhënë një idé të materialit, le të themi se në Vatikán janë 70.000 dorëshkrime (veç arkivavet), në Ambrosiana 35.000, në Laurentiana 10.129, në Bibliotekën Casanatense 5460, në Marciana 13.319, në bibliotekë të Museo Civico (Venetik) 9.745 libra dorëshkrime. ↩
By Lumo Skendo