albaniana

Poezi

Poem kosovar

(1943)

Izedin Jashar KUTRULIJAKënga e parë *

QËNDRIMI

Jam shqiptar e kosovar: Zot e krenar, Zot e bujar mbi këtë Dhe, që e kam fe e përmbi fe: e kam Vatan! E kam Atdhe! Që gjysh stërgjysh, që brez pas brez, që gjithmonë! Ti shka thërret ti shka bërtet, deri lart në retë: se jam barbar. Nuk jam ashtu si bërtet ti, si buçet ti, ti, Mal i Zi. Po Vendin tim e dua, lirinë e dua, e nuk dua zot mbi mua. Se jam këtu kur s’kish njeri, kur s’kish kufi as fqinjëri, as shkja të zi. Se jam këtu kur Mal i Zi ish Iliri: kur nga një det në tjetrin det isha zot vetë! Unë jam këtu nga moti kur vetë Zoti e bëri fushën fushë e malin mal. Unë jam këtu e do të jem

  • dem baba dem - sa mali të bëhet hi e hiri mal përsëri

Kënga e dytë

DURIMI

Ma thonë emrin Asim Qerim mbetur jetim që në vogëli. Jam si më sheh e si më njeh: kësulëbardhë e kryelidhë, kryelidhë me një shami, me tri shami: për trimëri! Jam eshtërmadh i vrazhdët jam e bojalli- dhe sytë e mi: janë plot shkëndi, si batërdi. Dhe kam uri si s’ka njeri për Drejtësi e për Liri si gjithë asimët e gjithë qerimët e Vendit tim. Ma thonë emrin Asim Qerim, mbetur jetim që në vogëli. Se babën tim ma vranë naçallnikët, podporuçnikët. Ma vranë, se urdhër dha Vojvoda e Krali - vetë: Të vritet. Se ish Kosovar! Dhe se ish zot mbi këtë Dhe! Dhe tokën që kisha nga Baba nga gjyshi rrënjë pas rrënje prej qindra vjet, prej mijëra vjet ma muar. Ah! Ma muar Vatanin që e desha si xhanin! Ma muar me armë në duar me gjak nëpër duar Agrarët! Xhandarët Tuxharët! Të gjithë tok u bënë shok: si sorrat! për kërme. Oborrin ma muar deri në shtëpi dhe ngrehe për vete shtëpi në sytë e mi. Dhe unë, ja, unë! që isha zot që qëmot: mbeta pa dhe, bujk pa dhe bari pa kope këtu, në dherin tim. Dhe plori m’u ndryshk, Hambari m’u myshk... Po shpresa s’m’u vyshk! Durova, durova, Sa nuk duron njeri, as Perëndi! Më thanë të shkruhem vojnik e mynafik i kombit tim. Më dhanë armë të vras vëllanë, sipas kanunit të gjakut... Po s’desha! Dhe në e bëra ma falni, se jam gjaknxehtë. Më thanë të ngrihem të ik ku qielli puthet me dhenë; Stamboll, Anadoll, e më tej. Se vetëm andej paska për ne popull pa zot – vend boll... Po malli i tokës s’më la, po malli i fushës s’më la, as gjaku i babës s’më la. Dhe mbeta këtu, i huaj, si qen, në vendin tim, të babës tim... Mbeta rajá, e ndër rajá, si për hatá; në uri, në qesëndi, në skllavëri të shaut të zi. Më thanë të ik në Allbani, vatan i ri i kombit tim, si shkoi Selmani, Hasani e Dani. Po dot nga toka s’u ndava dhe mbeta të jem ku jam e ku do të jem. Më thanë të shkoj në sheher të shqahut të madh, me sharrën në krah, me kryet përdhé, jaban e beter; portë më portë, derë më derë, i mjerë e zemër sterrë, për një kotherrë bukë. Po malli i vendit s’më la. Ah, malli i gjakut s’më la e mbeta këtu, rajá. ndënë raja të ha një bukë – zehër lagur me lot, njomur me vrer dhe të pres, po të pres! Një tjetër mëngjes. E dit për dit, E net për net, e vjet pas vjet rrojta e vojta kaba ndënë shkjah: raja ndënë raja, si në hata si tjatër s’ka! Po prita Dhe prita Të vijë dhe për mua Drita! Tani Tani, Liri!

Kënga e tretë

SULMI

Ta shemba shka kufirin që ngrite ti në vendin tim e përmbi varr të babës tim. Ta shemba, ta dogja, me zjarrin e shpirtit, të vuajtjes dhe të urrejtjes. Me zemërim, me vrull të madh, e bubullimë që s’ka mbarim Se vjet ti më çave, më ndave, më vrave, armik – lugat, armik -xhelat! Ti bëre azape:- s’u tremba. Ti ngrite kufin me gjemba, fortesa ti ngrite: t’i shemba! Tani! Tani! Atje ku ti o Mal i Zi ngrite kufi që ndanin, e çanin vëllazëri: Hej! Sot, shkon e valon, parmenda! T’i bëra të gjitha rrëmujë dhe ty gjurma t’u zhduk si në ujë. Ta shemba armik kufinë derë burgu dhe është tani si ish! si do të jetë përjetë: Lëndinë!

*Kënga e katërt * NDËRTIMI

I bie arës mes-për-mes e deri në brez e përmbi brez humbas me gas në grurin tim, të Dheut tim, të babës tim, të birit tim: sot e përjetë, jetë pas jete! Dhe ndje qysh flet me zë të qetë im-Atë vetë nga balta poshtë: Ta mbroni Dhenë ku eshtrat kam ku hi e tokë e pluhur jam... Ta mbroni Dhenë që të ushqen dhe sot si dje: me kurmin tim... Ta mbroni Dhenë, me zjarr ta mbroni, me gjak ta mbroni. Të derdhni gjakun me grushte plot po kurrë lot, as sot, as mot!... Se loti është robëri, Gjaku: Liri! Jam eshtërmadh e bojalli e me japi, si më sheh ti, si më njeh ti. Po kam një zemër në gjoksin tim që pa pushim me rreh si Durim. Dhe Babën tim kur e kujtoj Lotoj... Të pashë të vrarë, or Baba, e pa qefin si për hata, rreth e përqark me xhandarma. Desha të qaj e s’qava dot, e të bërtas, s’bërtita dot, pa asnjë lot, pa asnjë lot. Dhe prita sot të derdh një lot

*Kënga e pestë * ÇLIRIMI

Tani! Tani! Unë jam gati të vdes që sot – se rroj përmot; mbytur me gjak po jo me lot, për këtë Dhe që e kam si fe e përmbi fe. E kam Vatan! E kam Atdhe! Hej! po buças me zë kaba sa të dëgjohet në qiell sa të dëgjojë fund e krye kush gjak shqiptari ka në deje. Shaban- vëlla! Destan- baba! Hej! Komb i lirë e kosovar, ti komb shqiptar, ti Zot krenar ti djalëri ti pleqëri bëju gati! Bëju gati për vrull të ri; ta djegësh botën ta bësh hi: për Liri’ Për Shqipëri! Tani, tani! – O Mal i Zi ja unë ja ti! Por unë – jo ti, se jam këtu kur s’kish njeri dhe as kufi as fqinjëri... Unë jam këtu kur Mali i Zi Me Shumadi, Me Dalmaci – Sa mban e gjitha Shkini Ish ILIRI! Kur nga një det në tjetrin det isha Zot vetë. Se jam këtu nga moti kur vetë zoti e bëri fushën- fushë e malin mal! Unë jam këtu e do të jem – dem baba dem – Sa mali të bëhet hi E hiri mal përsëri.

Pseudonim i Mitrush Kutelit (Dhimitër Paskos)*

By Izedin Jashar Kutrulija