Dr. Vasa ÇUBRILOVIQ1Vasa Çubriloviq, Manjinski problem u novoj Jugoslaviji, Elaborati ka 11 faqe makine (tekst i dendur) qirilicë. Në shtojcë ka një tabelë (Broj Arnauta u Staroj Srbiji, Makedoniji i Crnoj Gori po srezovima od 31 mart 1931 godine”) dhe një hartë (Broj Arnauta i Rumuna na sto stanovnika”). Në origjinal është nënshkruar me dorë; fotokopja e këtij elaborati gjendet te autori i këtij botimi.
Në mesin e çështjeve të sotme, lufta e sotme në Jugosllavi e shtroi edhe problemin e pakicave kombëtare (minoriteteve) të saj. Të gjitha minoritetet janë qenie të rëndësishme që nga fillimi i krijimit të shtetit në vitin 1918. Jo për shkak të numrit të tyre në krahasim me ne, sllavët e jugut, sa për shkak të vendit ku janë të vendosura dhe për shkak të lidhshmërisë së tyre me popujt e ngjashëm në shtetet fqinje. Pozita gjeopolitike e vendeve jugosllave në udhëkryqin e qytetërimeve, perandorive, mbretërive dhe popujve, në kalimin ndërmjet Lindjes e Perëndimit, Veriut e Jugut, ka ndikuar gjatë shekujve që aty të vendosen ose të provojnë të vendosen në masa më të mëdha edhe popuj të tjerë, përpos sllavëve të jugut.
Me luftën tonë të qëndrueshme ne kemi arritur t’i zmbrapsim italianët nga Adriatiku ynë, t’i ndalojmë gjermanët në Karavanke, të luftojmë me sukses kundër hungarezëve dhe gjermanëve në rrafshet e Baçkës, të Banatit e të Sremit, ta pengojmë përhapjen e valës shqiptare prej Drinit në drejtim të Moravës e të Vardarit. Mirëpo, në kohën e sundimit të Venedikut, të Austrisë e të Turqisë, këta popuj, megjithatë, kanë arritur të infiltrohen në vendet tona, duke krijuar ishuj etnikë, diku më të mëdhenj e diku më të vegjël, në krahinat tona më të mira.
Në shekullin XVIII dhe XIX, Austria e mbuloi Vojvodinën, Kroacinë dhe Slloveninë me koloni gjermane dhe hungareze. Prej dyndjes së serbëve me Arsenie Çernojeviqin në vitin 1690 në Hungari, shqiptarët, me shkretërimin sistematik të fshatrave serbe, e vërshuan Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit dhe, rrëzë Sharrit, zbritën në grykën e epërme të Vardarit në Maqedoni. Në atë kohë forcohet qytetërimi italian nëpër qytetet tona në Adriatik, e ne, jugosllavët, në vitin 1918, kur u formua Jugosllavia, i ndamë kufijtë me popujt fqinjë në bazë të parimit të kombësisë. Megjithëse për këtë arsye e humbëm një pjesë të madhe të vendeve tona, të cilat i kemi sunduar etnikisht që para njëqind vjetësh, ne, megjithatë, në kuadrin e shtetit tonë, morëm një pjesë të madhe të popujve të huaj, të cilët i përbënin të ashtuquajturat pakicat kombëtare (minoritetet). Ndër këto pakica kishte gjermanë, hungarezë, shqiptarë, rumunë, italianë...
Pas çlirimit, në vitin 1918, ne kemi marrë qëndrim të shpirtgjerësisë më të madhe ndaj pakicave kombëtare, megjithëse disa prej tyre, duke marrë parasysh si ishin sjellë ndaj nesh në luftërat e viteve 1912-1918, me të vërtetë e meritonin një sjellje tjetër ndaj tyre. Traktatet e paqes midis nesh dhe shteteve të mundura – Gjermanisë, Austrisë dhe Hungarisë, megjithatë, na kanë imponuar një varg të tërë obligimesh ndaj pakicave kombëtare. Ne i kemi kryer me ndërgjegje dhe plotësisht këto obligime. Pakicat i kanë gëzuar të gjitha të drejtat qytetare te ne, kanë pasur autonomi të plotë arsimore dhe të drejtë të mbajnë lidhje kulturore me popujt e ngjashëm të tyre. Këto privilegje i kanë shfrytëzuar sidomos gjermanët jugosllavë. Ata i kanë pasur shkollat e tyre fillore, të mesme e profesionale dhe, me anë të Kulturbundit, kanë qenë të lidhur ngushtë në pikëpamje kulturore midis tyre; një varg institucionesh ekonomike, duke filluar nga lidhjet kooperative deri te bankat kanë shërbyer për përparimin ekonomik të popullit gjerman në Jugosllavi. Gjermanët kanë qenë të lidhur edhe politikisht dhe, me anë të Klubit Gjerman, kanë qenë të përfaqësuar në Kuvendin Popullor. Edhe hungarezët e Vojvodinës kanë qenë të organizuar, në mënyrë jo kaq të gjithanshme e të fuqishme, por, megjithatë, kanë qenë mjaft të organizuar. Shqiptarët në Serbinë e Vjetër dhe në Maqedoni, nëpërmjet Autonomisë së Bashkësisë Fetare Islame, kanë arritur ta marrin në duart e veta organizatën, e cila do t’u shërbente në mënyrë të gjithanshme qëllimeve të tyre kulturore dhe nacionale politike.
Sado që pakicat jugosllave kanë shfrytëzuar këtë shpirtgjerësi dhe tolerancë tonë, te ne, sikurse edhe gjithkund në Evropë, është parë se kurrfarë koncesionesh nuk janë në gjendje t’i eliminojnë aspiratat e disa pakicave që, përtej kufijve të shtetit, të mbajnë lidhje me shtetet e tyre amë. Përkundrazi, qysh para luftës është vërejtur forcimi i aspiratave separatiste të pakicave kombëtare në të gjitha shtetet, pra, edhe në shtetin tonë. Të gjtha privilegjet kulturore dhe ekonomike u kanë shërbyer vetëm që t’i shfrytëzojnë si mjete për shkatërrimin e shteteve, në të cilat i kanë gëzuar këto.
Pas shfaqjes së lëvizjes nacional-socialiste në Gjermani, pakicat gjermane u prijnë në këtë pikëpamje pakicave të tjera. Prijësit e Rajhut të Tretë i shfrytëzonin me vetëdije dhe me plan pakicat e veta...
(Vërejtje: Një gjysmë faqe e dorëshkrimit nuk mund të lexohet në origjinal. Gjithashtu edhe faqja 3 e dorëshkrimit në vazhdim të këtij teksti, është e palexueshme).
Kush nuk i njeh në Beograd folksdojçerët Rihter, Kryger, Han e një varg bishash të ngjashme me fytyrë njeriu, të cilët, tre vjet rresht, vritnin dhe digjnin në këtë vend. Divizioni “Princ Eugen”, i përbërë nga folksdojçerët, u dëgjua jo për trimërinë në luftë kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare, por për egërsinë e vet, djegien dhe shkretërimin e fshatrave tona në Serbi, në Mal të Zi, në Bosnjë-Hercegovinë. Folksdojçerët e tjerë, që nuk ishin në shërbim ushtarak, punonin në organizatën TOT, ishin komisarë në ndërmarrjet ekonomike dhe ekspertë për të gjitha çështjet e mundshme, ku mund të nxirrej ndonjë para. Banati ynë qe shndërruar në krahinë të veçantë administrative, në të cilën folksdojçerët e kishin tërë pushtetin. Duhet të pyeten njerëzit e asaj ane që të tregojnë se çfarë ishte ajo administratë, çfarë drejtësie ndante. Ne kemi qenë qytetarë të rendit të dytë, shpeshherë të barazuar me çifutët e ndjekur, të maltretuar, të plaçkitur dhe të pushkatuar në masë edhe për imtësinë më të vogël.
Sjellja e këtillë e folsdojçerëve në Jugosllavi shkaktoi pezmatim të madh te të gjithë jugosllavët. Ne mund të pajtohemi dhe të mos pajtohemi për disa çështje të politikës shtetërore, por sot pajtohemi të gjithë për një gjë se me folksdojçerët në Jugosllavi duhet t’i qërojmë hesapet njëherë e përgjithmonë. Ata e kanë merituar këtë me qëndrimin e tyre jolojal ndaj shtetit në të cilin kanë jetuar, me egërsinë e tradhtinë e tyre, me grabitshmërinë e mizoritë e tyre.
Kur Hungaria në pranverë të vitit 1941 e lejoi ushtrinë gjermane që të na sulmonte nga veriu, ajo, si shpërblim, e mori Baçkën. Që në luftën e viteve 1914-1918 hungarezët janë të njohur për mizoritë që kanë bërë në Serbi dhe për dhunën ndaj serbëve në Vojvodinë. Megjithatë, kur Vojvodina iu bashkua Jugosllavisë në vitin 1918, iu falën të gjitha. Nuk ra asnjë kokë hungarezi kur ushtria serbe hyri në Vojvodinë. Ndërkaq, kur ushtria hungareze hyri në Baçkë në vitin 1941, pa luftë dhe pa gjak, ajo filloi menjëherë shfarosjen e popullsisë sonë në Baçkë. Që në prill të vitit 1941 ushtria hungareze bëri masakra në Novi-Sad, në Sombor dhe në rrethin e Titelit. Spiunë dhe nxitës kryesorë ishin hungarezët e vendit. Në mbarim të vitit 1941 dhe në fillim të vitit 1942 u përsëritën masakrat e serbëve në Baçkë. Me mijëra burra, gra e fëmijë u pushkatuan dhe u hodhën në Danub dhe në Tisë. Me mijëra familje, që shpëtuan pa u vrarë, u dërguan në kampe të përqendrimit në Hungari, ku u zhduk një numër i madh i tyre. Llogaritet se gjatë okupacionit në Baçkë u vranë 20 deri 25 mijë serbë. Në këtë rast, rol jo të vogël ka luajtur pakica hungareze në Baçkë.
Hungarezët në Banat, duke besuar në fillim se Banati do t’i takonte Hungarisë, të gjithë me radhë iu bashkuan gjermanëve. Mirëpo, kur e panë se atje ishte forcuar pushteti i folksdojçerëve, ata u kthuen kundër. Pa dyshim se pakica hungareze në Baçkë është më pak fajtore se folksdojçerët për masakrimet mbi serbët. Më vonë prej tyre është mbrojtur...
(Pësëri mungon një faqe).
... dhe përgjegjesia është hedhur mbi shpatullat e hortistëve hungarezë, por, megjithatë, shikuar objektivisht, pjesëmarrja e tyre ishte aq e madhe, sa hungarezët me të vërtetë, nuk mund të shfajësohen.
Kur në pranverë të vitit 1941, divizionet e motorizuara gjermane depërtuan në Kosovë dhe në Rrafshin e Dukagjinit, tërë populli shqiptar rroku armët dhe u erdhi në ndihmë. Të armatosur nga gjermanët, shqiptarët filluan t’i shkretërojnë pa mëshirë fshatrat serbe në ato vise. Me mijëra shtëpi u dogjën, populli, i mbetur pa asgjë, u dëbua. Kush ka qenë në atë kohë në Mal të Zi dhe në Serbi, mund t’i ketë parë lumenjtë e të ikurve që po iknin në Veri dhe në Jug për ta shpëtuar vetëm shpirtin. Trupat italiane dhe gjermane në çdo pikëpamje u shkonin për shtat aspiratave shqiptare që ta largonin popullsinë tonë nga Serbia e Vjetër. Ato u dhanë shqiptarëve armë dhe pajisje të plota dhe, kur në vendet fqinje, në Serbi, në Mal të Zi, në Shqipëri dhe në Maqedoni, filluan kryengritjet e Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe të partizanëve kundër okupatorëve, shqiptarët e këtyre viseve shërbenin si forcë kryesore ndihmëse e okupatorëve në luftë kundër këtyre kryengritësve. Shqiptarët e Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës shkonin bashkë me gjermanët dhe italianët në ekspedita lufte kundër partizanëve në të gjitha vendet fqinje. Njësitë e tyre, për shkak të egërsisë dhe të grabitshmërisë së tyre, ishin të tmerrshme për popullsinë e këtyre vendeve. Edhe kur forca gjermane ishte duke dhënë shpirt, ato edhe më tutje ishin mbështetje kryesore e ushtrisë gjermane, e cila nga Greqia e Jugosllavia, nëpër Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, po tërhiqej në drejtim të veriut. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ato kanë qenë pengesa kryesore e bashkimit të Lëvizjes Nacionalçlirimtare nga Mali i Zi, Bosnja e Serbia me lëvizjet në Shqipëri dhe në Maqedoni. Njerëzit që i kanë udhëhequr organizatat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare e dinë këtë më së miri. Duke folur për qëndrimin e shqiptarëve në Serbinë e Vjetër dhe në Maqedoni në këtë luftë, i përjashtoj rastet e jashtëzakonshme.Veçmas duhet t’i shprehet mirënjohje qëndrimit burrëor të shqiptarëve nga Shqipëria e vërtetë. Ata, qysh prej fillimit, e kanë filluar luftën kundër pushtuesve fashistë të atdheut të tyre, kanë bashkëpunuar në mënyrë shoqërore dhe lojale me Lëvizjen Nacionalçlirimtare në Mal të Zi dhe në Maqedoni, duke u vënë vetë në dispozicion dhe nën komandën e Mareshalit Tito. Popujt e Jugosllavisë nuk guxojnë ta harrojnë kurrë këtë, dhe, sa të kenë mundësi, duhet të përpiqen që t’ua kthejnë besnikërinë me besnikëri, duke i ndihmuar malësorët e varfër të kësaj ane të Drinit, që edhe këta, me përparimin ekonomik e kulturor, të hyjnë sa më parë në radhën e popujve të kulturuar të Evropës. Por, simpatitë që ne ushqejmë ndaj popullit të Shqipërisë nuk duhet të na pengojnë që t’i qërojmë hesapet me banditët kuislingë të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit. Në rreshtat e shkruar më sipër shihet se tri grupet kryesore të pakicave në Jugosllavi vetë kanë hequr dorë nga të drejtat qytetare, duke u ngritur haptazi dhe armiqësisht kundër shtetit në të cilin jetojnë. Prandaj, e kanë humbur të drejtën që edhe më tutje të quhen qytetarë tanë. Ata duhet të largohen nga shteti ynë, sepse këtë edhe e kanë merituar.
SHKAQET PSE DUHET TË ZGJIDHET ÇËSHTJA E PAKICAVE NË JUGOSLLAVI
Përpos qëndrimit jolojal, janë edhe disa shkaqe të tjera të thella shtetërore që na detyrojnë ta shfrytëzojmë këtë luftë dhe ta zgjidhim çështjen e pakicave. Pakicat tona, si thamë më parë, nuk janë të rrezikshme për ne për shkak të numri të tyre sa për shkak të pozitës gjeopolitike dhe për shkak të lidhshmërisë së tyre me popujt e ngjashëm fqinjë. Prandaja, ato janë shfrytëzuar nga këta popuj në luftë kundër nesh, e njëkohësisht kanë shërbyer si mollë sherri midis shtetit tonë dhe popujve fqinjë. Jugosllavia Demokratike Federative mund të jetë e qetë dhe të ketë zhvillim të sigurtë vetëm atëherë kur të jetë etnikisht e pastër dhe me zgjidhjen e çështjes së pakicave njëherë e përgjithmonë t’i likuidojë shkaqet e grindjeve midis vetes dhe shteteve fqinje.
Kur t’i shikojmë hartat dhe tabelat e bashkangjitura, ne shohim se pakicat tona janë tubuar në pozita shumë të rëndësishme ekonomike e strategjike të shtetit tonë. Për shembull, Vojvodina, e cila zotëron grykat e lumenjve të pellgut të mesëm të Danubit, që derdhen në Danub, dhe rrugën e hyrjes së Evropës së Mesme në Ballkan, në pikëpamje gjeopolitike dhe strategjike është çelësi i Ballkanit. Pa të, shtetet kryesore jugosllave, Serbia e Kroacia, do ta humbnin mbështetjen e vet në Dravë, në Savë, në Danub dhe në Moravë dhe prapë do të bëheshin krahina të parëndësishme periferike të ndonjë Austrie të re, ose të Turqisë. Vojvodina është hambar i drithërave për tërë Jugosllavinë dhe, sikur të mos e kishte asnjë serb e kroat, do të duhej të luftonim për të, për shkak të ushqimit të miliona qytetarëve tanë në viset pasive në jug të Savës e të Danubit. Kur njeriu të provojë ta bëjë planin për ndërtimin e ardhshëm të vendeve jugosllave, ai as që mund ta marrë me mend këtë pa Vojvodinën, si rezervë të drithit.
Vendet në jug të Savës e të Danubit, me pasuritë e tyre minerale, me pyjet e pasura dhe me energjinë e madhe hidroelektrike, ofrojnë të gjitha kushtet për ndërtimin e industrisë moderne. Por, ajo do të mund të ndërtohet atje vetëm në rast se rrafshi i Vojvodinës ofron mjaft drithëra për ushqimin e masave punëtore të këtyre industrive të reja. Mirëpo, ne serbët dhe kroatët në Vojvodinë përbëjmë vetëm shumicën relative, prandaj edhe ka mundur të ndodhë në këtë luftë që hungarezët ta marrin Baçkën, kurse gjermanët, me anë të pakicave të veta në Banat, atë ta bëjnë Rajh të vogël. E ngjashme është pozita e vendeve rreth Sharrit, të banuara kryesisht nga shqiptarët. Këto treva janë ujëndarëse të lumenjve të Ballkanit, që prej aty derdhen në tri dete, prandaj Kosova e Rrafshi i Dukagjinit gjithmonë janë konsideruar qendër strategjike e Ballkanit. Nga ana tjetër, duke e mbajtur pjesën qendrore të Ballkanit, këto treva e ndajnë Malin e Zi nga Serbia, e të dyja këto nga Maqedonia. Këto treva të Jugosllavisë Demokratike Federative nuk do të jenë të lidhura ngushtë midis tyre derisa të jenë në kufirin etnik të drejtpërdrjtë. Kjo çështje është posaçërisht e rëndësishme për Maqedoninë. Shqiptarët e mbajnë rrjedhën e epërme të Vardarit, kurse rrjedhën e poshtme e kanë në duart e veta grekët. Ne, sllavët e jugut, e kemi vetëm rrjedhën e mesme të tij. Pozitat janë tepër të dobëta, që të mos mund të vihen në pikëpyetje ashtu si bëri në këtë luftë Italia, duke ia bashkuar Shqipërisë jo vetëm Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, por edhe Dibrën, Kërçovën, Gostivarin e Tetovën. Ne nu guxojmë të kemi iluzione mbi çështjen e zhvillimit të ardhshëm të marrëdhënieve në Evropë. Kjo luftë e tmerrshme vështirë se mund të jetë e fundit. Ne edhe më tutje do të mbesim në udhëkryqin e botës, prandaj, prapë, në ndonjë luftë të re, mund të jemi në shënjestër të sulmit të parë.
Detyra ime është që njerëzit, të cilët e udhëheqin fatin e këtyre vendeve, t’i këshilloj që, qysh tash, t’i parashohin të gjitha mundësitë që të parandalohet përsëritja e ngjarjeve të kësaj lufte. Burrat e shtetit të Jugoslalvisë së vjetër nuk e kanë pasur parasysh këtë kur i kanë ndalur këtu pakicat kombëtare. Për më tepër, për shkaqe partiako-politike, ata i kanë ndihmuar këto pakica, kurse ne, në këtë luftë, e kemi paguar këtë me dhjetra mijëra koka. Kjo nuk guxon të përsëritet më. Luginat pjellore të Pollogut, të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit, edhe ekonomikisht janë të rëndësishme për ne. Rreth tyre gjenden vendet tona të varfra, si Mali i Zi, Sanxhaku i Novi-Pazarit në veri të Sharrit dhe masa e maqedonasve mëgimtarë në jug të Sharrit. Ata me të drejtë kërkojnë që t’u kthehen mbrapa tokat prej nga shqiptarët i kanë dëbuar në 150 vjetët e fundit. Në këtë referat unë po e përqendroj me qëllim vëmendjen në Serbinë e Vjetër dhe në Vojvodinë, sepse konsideroj se aty është nyja e problemit tonë të pakicave. Me rastin e zgjidhjes së kësaj çështjeje, neve nuk guxon të na prijë kurrë dëshira për hakmarrje për shkak të dhunës që ato kanë bërë ndaj popujve tanë. Vetëm llogaria e ftohtë shtetërore duhet ta udhëheqë politikën tonë në lidhje me këtë çështje. Ne kemi pakicat kombëtare të shpërndara edhe nëpër krahina të tjera. Pa dyshim, pas këtyre dhunimeve të tmerrshme, që me ndihmën e gjermanëve të vendit kanë bërë gjermanët e Rajhut nëpër tokat sllave, sllavët kanë të drejtë të plotë që të kërkojnë të spastrohen tokat e tyre nga folksdojçerët. Kufiri ynë i ri politik midis nesh dhe Austrisë duhet të jetë edhe kufiri etnik midis sllovenëve dhe gjermanëve. Këtu është fjala për disa dhjetra mijëra gjermanë e pastaj vetë sllovenët do të mund të kryejnë punë, pa komplikime të mëdha. Pakicat gjermane dhe hungareze nëpër Kroaci e Sllavoni, Bosnjë-Hercegovinë, janë ishuj të shpërndarë në detin etnik të popujve jugosllavë dhe do të mund të dëbohen ose të shkrihen pa rezistencë të madhe. Për ne problem kryesor është shpartallimi i blloqeve të pakicave në pozitat e rëndësishme gjeopolitike. Aty duhet të ndihmojnë forcat e tërë shtetit me anë të qeverisë federale.
Pasi i paraqitëm arsyet pse është e nevojshme të spastrohet shteti nga pakicat, të shohim a ka mundësi të zbatohet ky plan. Marrë objektivisht, kushtet për këtë punë janë shumë të favorshme. Në qoftë se në vitin 1918, me rastin e ndërtimit të Evropës, bota është nisur nga pikëpamja se çështja e pakicave mund të zgjidhet me anë të të drejtave që sot t’u njiheshin këtyre pakicave, përvoja e kësaj lufte i ka treguar mbarë Evropës se kjo nuk është e vërtetë. Shfrytëzimi i pamëshirshëm i pakicave gjermane nga ana e Rajhut të Tretë formoi bindjen se e vetmja zgjidhje e drejtë e kësaj çështjeje është shpërngulja e pakicave. Vetë Rajhu i Tretë ka zbatuar një politikë brutale kolonizuese, duke hedhur miliona njerëz nga një skaj i Evropës në skajin tjetër. Për më tepër, ai përgatiste planet për shpërnguljen e popujve të tërë dhe, me anë të një politike të paramenduar të kolonizimit, përpiqej ta pushtonte Evropën Juglindore dhe Lindore. Sikur ai të kishte fituar në këtë luftë, ne, sllavët e jugut, veçmas ne serbët, do të zhdukeshim nga faqja e dheut. Këtë mënyrë të zgjidhjes së çështjes së pakicave e kanë pranuar edhe aleatët e Gjermanisë – Italia dhe Hungaria. Prandaj, është e kuptueshme se edhe aleatët tanë do ta përkrahin qëndrimin tonë që çështja e pakicave në këtë luftë të zgjidhet me anë të shpërnguljes. Bashkimi Sovjetik vëlla është i pari që edhe para luftës e përdori këtë metodë për zgjidhjen e problemeve të pakicave. Ai qëmoti i shpërnguli karelasit në kufij të Finlandës. Nga krahinat bregdetare në Lindjen e largme u shëprngulën koreanët dhe kinezët në Turkmenistanin e largët. Kur Bashkimi Sovjetik, që në vitin 1940, e pushtoi Besarabinë, ai shpërnguli prej andej 150 mijë gjermanë të Besarabisë. Gjermanët e ndërtuan atë vit një qytet të tërë prej barakash në grykën e Savës në Danub, në fushën e Zemunit. Ne beogradasit kemi pasur rastin t’i shikonim transportet e këtyre gjermanëve në atë kamp kur niseshin për në Rajhun gjerman.
Bashkimi Sovjetik, edhe tash, në kohën e luftës, po bën ndërrimin e popullsisë, duke i shpërngulur polakët nga Ukraina dhe Bjellorusia përtej kufirit sovjeto-polak. Duke u mbështetur në këta shembuj, edhe ne do të kemi të drejtë të kërkojmë nga aleatët tanë që edhe çështja jonë e pakicave të zgjidhet në të njëjtën mënyrë – me shpërngulje. Duke kërkuar nga aleatët tanë që të na lejojnë shpërnguljen e pakicave, ne do të kemi të drejtë për këtë më shumë se asnjë popull tjetër në Evropë. Asnjë popull në Evropë nuk ka pësuar aq shumë nga popujt e ngjashëm me pakicat e tjera sikurse ne. Më se një milion njerëz – burra, gra e fëmijë janë vrarë në këtë luftë të tmerrshme te ne, madje tri herë më shumë janë therur njerëz të pafajshëm sesa njerëz që kanë rënë me pushkë në dore në fushën e betejës. Një pjesë të madhe të fajit për këto masakrime e kanë, si pamë, pakicat tona. Kjo duhet t’u thuhet aleatëve tanë dhe t’u dokumentohet. Jam thellësisht i bindur se ata do të na kuptojnë dhe do t’i marrin parasysh dëshirat tona. Kam shpresë veçanërisht të madhe në Bashkimin vëlla Sovjetik. Ne kemi qenë i vetmi popull i shkelur nga okupatori gjerman që është çuar në kryengritje pas shpinës së Hitlerit, atëherë kur Hitleri, në verë të vitit 1941, u kishte prirë hordhive gjermane në Leningrad, Moskë e Stalingrad. Tre vjet ne kemi luftuar në kushtet më të vështira me anë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Prandaj, me të drejtë mund të shpresojmë se do të na ndihmojë Bashkimi Sovjetik vëlla që ta zgjidhim çështjen e pakicave te ne ashtu si po e zgjidh ai vetë atje.
Çështja e pakicave me anë të shpërnguljes zgjidhet më së lehti në kohën e luftërave, si është kjo tash. Popujt, në dëm të të cilëve do të bëhet kjo, janë kundërshtarë tanë në këtë luftë. Ata na kanë sulmuar neve, e jo ne ata. Ata i kanë shkretëruar tokat tona dhe me vetëdije i kanë shfrytëzuar pakicat e veta kundër nesh. Ne nuk kemi kurrfarë kërkesash territoriale ndaj tyre, përpos ndaj Italisë në lidhje me Istrinë, Goricën dhe Gradishkën. Prandaj, aq me të drejtë mund të kërkojmë, si ngadhënjimtarë, që t’i pranojnë pakicat e veta nga shteti ynë.
Kjo luftë, me lëvizjet e veta të masave, e ka krijuar disponimin psikologjik paraprak për shpërngulje. Pakicat tona janë të vetëdijshme se çka kanë bërë, prandaj as që do të mbrohen shumë, në qoftë se i ndjekim. Marrë në përgjithësi, kur të merren parasysh të gjitha elementet për të cilat folëm, ne nuk kemi pasur kurrë kushte më të përshtatshme për zgjidhjen e çështjes së pakicave sesa në këtë moment. Kjo varet nga gjerësia e shikimit, nga mirëkptimi dhe energjia e njerëzve që vendosin për fatin e popujve tanë – a duan ta zgjidhin drejt këtë çështje. Jam thellësisht i bindur se ata e kuptojnë rëndësinë e tërë problemit dhe se do të dinë t’i qasen zgjidhjes së tij. Prandaj, edhe po i shkruaj këta rreshta.
MËNYRA E ZGJIDHJES SË ÇËSHTJES SË PAKICAVE NË JUGOSLLAVINË E RE
Kur jemi të mendimit se e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes së pakicave për ne është shpërngulja, na imponohet një varg i tërë detyrash, të cilat duhet të zgjidhen me këtë rast. A t’i shpërngulim të gjitha pakicat, ose vetëm disa popuj; prej cilave krahina të shpërngulet në radhë të parë elementi minoritar; si të organizohet shpërngulja, e edhe më me rëndësi është si të kolonizohen fshatrat dhe qytetet e braktisura. Do t’i jap disa vërejtje në lidhje me këtë: Lidhur me rëndësinë e popujve që duhet të shpërngulen, jam i mendimit se këtu duhet të bëjmë një rend: 1 – gjermanët, 2 – hungarezët, 3 – shqiptarët, 4 – italianët dhe 5 – rumunët. Thamë edhe më parë se çka kanë bërë te ne gjatë luftës pakicat gjermane, hungareze dhe shqiptare. Shikuar parimisht, të gjitha ato e kanë merituar që t’i humbin të drejtat e tyre qytetare në këtë vend. Mirëpo, rrethanat politike kërkojnë diferencim. Pas atyre tmerreve që kanë bërë gjermanët nëpër disa vende tona dhe në mbarë Evropën, ata kanë humbur çdo të drejtë për çfarëdo kujdesi, prandaj duhet të ndiqen pa mëshirë. Populli hungarez edhe te ne, sikurse edhe në Hungari, përkundr masakrimeve në Baçkë dhe shërbimit policor që u bënë gjermanëve nëpër Rusi, prapëseprapë meritojnë njëfarë kujdesi. Ndaj tyre nuk duhet aplikuar të gjitha ato masa të cilat do të aplikohen kundër gjermanëve. Po kjo vlen edhe për shqiptarët në Serbinë e Vjetër dhe në Maqedoni.
Mirëpo, me rastin e zgjidhjes së problemit të pakicave, ne duhet ta pushtojmë me çdo kusht Baçkën, Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit, duke i përzënë me këtë rast disa qindra mija hungarezë e shqiptarë prej shtetit tonë. Regjimi fashist në Itali ka vepruar tmerësisht kundër popullit tonë në Istri, Goricë e Gradishkë. Kur t’i marrim mbrapa këto vende, ne duhet të përpiqemi që t’i pushtojmë përsëri etnikisht, duke shpërngulur prej tyre të gjithë ata italianë, që janë vendosur atje pas 1 dhjetorit të vitit 1918.
Vetëm me rumunët do të jetë shumë lehtë. Disa dhjetra mijëra rumunë jetojnë në Banatin tonë, e diçka më pak njerëz tanë jetojnë në Banatin rumun. Me një marrëveshje politike me qeverinë e Bukureshtit do të mund të bëhej shkëmbimi i njerëzve.
Çështje tjetër me rëndësi është cilat toka duhet të spastrohen në radhë të parë nga pakicat. Thash edhe më parë se pse është për ne më pak e rëndësishme se sa pakica duhet të dëbojmë se sa prej nga duhet t’i dëbojmë. Ato pakica që janë të shpërndara nëpër disa vende, si familje individuale ose vendbanime më të vogla, nuk janë të rrezikshme për ne. Për ne janë të rrezikshme blloqet e mëdha të pakicave në krahinat kufitare të rëndësishme në pikëpamje strategjike dhe ekonomike. Këto blloqe etnike të pakicave janë posaçërisht të rrezikshme, atëherë kur kufizohen me popujt fqinjë të ngjashëm me to. Duke u nisur nga ky qëndrim, për ne është me rëndësi të spastrohen gjermanët e hungarezët nga Vojvodina dhe shqiptarët nga Serbia e Vjetër e Maqedonia. Gjithashtu duhet të dëbohen gjermanët nga Koçevja, Maribori dhe krahinat e tjera në Slloveni. Me këtë çështje do të merremi më hollësisht. Po nisemi nga Vojvodina. Kur ta marrë njeriu pranë vetes hartën etnografike të këtij vendi tonë, do të shohë se është aq e larme si qilimi më i bukur i Pirotit. Por, vëzhguesi i vëmendshëm do t’i ndajë menjëherë disa blloqe etnike, të cilat japin pamjen themelore të këtij qilimi. Do të vërejë, për shembull, se masa kryesore e vendbanimeve etnike hungareze është vendosur në Baçkën Verilindore dhe të Mesme. Aty gjendet blloku kryesor etnik hungarez në vendin tonë, duke filluar nga Horgoshi... në veri e nëpër Sentë, Baçka-Topollë e Kullë e deri në Novi-Sad. Prej një gjysmë milioni hungarezësh, sa kanë qenë afërsisht në Jugosllavi në vitin 1941, gati treqind mijë jetojnë në Baçkë. Të 200 000 të tjerët janë të shpërndarë nëpër Banat, Srem, Kroaci dhe Sllavoni, si pakica të parëndësishme. Po të largoheshin 200 mijë hungarezë nga Baçka, kjo do të thoshte zgjidhje e problemit të pakicës hungareze te ne. Problemi i pakicës gjermane nuk është aq i thjeshtë. Gjermanët jetojnë të shpërndarë nëpër tërë shtetin, por edhe janë të vendosur kryesisht nëpër rrafshet e pasura të Baçkës, të Banatit e të Sremit. Në qoftë se hungarezët e zënë Baçkën e Mesme dhe Verilindore, gjermanët e zënë Baçkën Jugperëndimore. Rrethet: Apatin, Novi-Vërbas, Oxhaci, Stara-Pallankë dhe një pjesë e mirë e Novi-Sadit dhe e Somborit janë të banuara nga gjermanët. Në qoftë se dëshirojmë ta krijojmë shumicën tonë absolute në Baçkë, këto rrethe duhet t’i spastrojmë nga gjermanët. Marrë në përgjithësi, Baçka është çelës i pozitave tona në Vojvodinë. Me nja një gjysmë milioni hungarezë e gjermanë në këtë krahinë janë diçka më shumë se 300 mijë sllavë: serbë, kroatë dhe sllovakë. Prandaj, me rastin e zgjidhjes së çështjes së pakicave, duhet t’i kushtohet kujdes i posaçëm kësaj krahine.
Në Banat pozita është shumë më e mirë. Kjo krahinë nuk është shkretëruar aq shumë në luftë si Baçka. Ne e kemi aty shumicën absolute, kruse si pakicë kombëtare me rëndësi më të madhe janë vetëm gjermanët. Ata mbajnë tokat më të mira dhe më pjellore dhe këto rrethe duhet të spastrohen prej tyre. Në Slloveni viset rreth Koçevjes dhe Mariborit duhet të lirohen nga gjermanët. Në krahinat tona të tjera, brenda mundësive, duhet të shpartallohen dhe të shpërngulen vendbanimet gjermane dhe hungareze, por rrethet e zëna në gojë duhet të spastorhen patjetër prej tyre. Sikur të mund t’i dëbonim nga rrethet e përmendura të Baçkës, të Banatit e të Sremit 5-600.000 gjermanë e hungarezë dhe në vend të tyre t’i sillnim njerëzit tanë, Vojvodina do të bëhej njëherë e përgjithmonë jona.
Me zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve të Serbisë së Vjetër e të Maqedonisë duhet ta pushtojmë edhe etnikisht Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit dhe t’i shmangemi konfliktit me popullin fqinj shqiptar; këtu duhet të veprojmë në mënyrë të menduar edhe më mirë dhe më taktike sesa në Vojvodinë. Prandaj, duhet studiuar mirë se nga cilat treva duhet t’i shpërngulim shqiptarët dhe t’i kolonizojmë njerëzit tanë, pa prekur asnjë fshat, asnjë shtëpi shqiptare më tepër sesa është e nevojshme. Në qoftë se dëshirojmë ta arrijmë qëllimin e ndërlidhjes së ndërsjellë të Malit të Zi, të Serbisë e të Maqedonisë, Kosova e Rrafshi i Dukagjinit duhet ta ndryshojnë me themel përbërjen etnike të tyre. Para së gjithash, duhet të spastrohet Rrafshi i Dukagjinit si krahinë kufitare, fqinje me Malin e Zi, e cila është më e përshtatshme për kolonizimin e malazezve. Përpos kësaj, shqiptarët e Rrafshit të Dukagjinit dhe të Drenicës janë sot shërbëtorët besnikë të gjermanëve, sikurse kanë qenë dje shërbëtorë të Italisë. Shqiptarët kanë bërë plaçkitje e masakra nëpër fshatrat maqedonase në Vardarin e Epërm. Prandaj, maqedonasit kanë të drejtë të kërkojnë shpërnguljen e tyre. Me rastin e hartimit të hollësishëm të planit, duhet të shënohen saktësisht cilat fshatra dhe cilat rrethe të Serbisë së Vjetër e të Maqedonisë duhet të spastrohen dhe në bazë të kësaj edhe të veprohet.
Parimisht, njeriu nuk do të kishte kurrgjë kundër kësaj, sikur ne të mund t’i largonim të gjitha pakicat nga vendet tona. Prandaj, edhe duhet punuar në këtë drejtim. Por, kjo që po themi për Vojvodinën, Slloveninë, Serbinë e Vjetër dhe Maqedoninë është minimumi që duhet të arrihet në qoftë se dëshirojmë ta sigurojmë pronësinë e këtyre vendeve për ne në të ardhmen.
Në qoftë se jemi pajtuar parimisht se çështja e pakicave te ne mund të zgjidhet me anë të shpërnguljes dhe në mënyrën që përmendëm, atëherë shtrohet pyetja: si të arrihet kjo?
E para që duhet të themi në lidhje me këtë është se luftërat janë më të përshtatshme për zgjidhjen e këtyre problemeve. Ato, si stuhia, duke u shtuar nëpër shtete, i nxjerrin me rrënjë dhe i shpërndajnë popujt. Ato, për të cilat në kohën e paqes do të kërkoheshin dekada e shekuj, në kohën e luftërave kryhen për ndonjë muaj ose për ndonjë vit. Nuk duhet të mashtrohemi, po deshëm ta zgjidhim këtë çështje, mund ta zgjidhim vetëm sa të vazhdojë lufta. Njerëzit që e kanë udhëhequr Jugosllavinë e vjetër pas vitit 1918 kanë menduar se me anë të kolonizimit mund t’i shaprtallonin blloqet e pakicave në vendet tona. Ne kemi shpenzuar një miliard dinarë duke i kolonizuar vullnetarët dhe kolonistët e tjerë nëpër Vojvodinë, Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit. Në Vojvodinë, brenda 20 vjetëve, e kemi ruajtur përpjesëtimin në favorin tonë për disa përqindje, por, megjithatë, në Baçkë ka mbetur shumica gjermane dhe hungareze. Në Kosovë dhe në Rrafshin e Dukagjinit, shqiptarët prej vitit 1918 deri në vitin 1939 janë shtuar më shumë me rritjen e tyre natyrore sesa i kemi kolonizuar ne kolonistët. Prandaj, hungarezët e shqiptarët kanë arritur që, duke i përzënë kolonistët tanë nga Baçka, Kosova e Rrafshi i Dukagjinit, t’i anulojnë pa ndonjë mundim të madh edhe ato pak rezultate që kemi pas arritur ne. Që të mos na ndodhë kjo edhe për herë të dytë, ushtria, qysh në kohën e operacioneve luftarake, duhet t’i spastrojë me plan dhe në mënyrë të pamëshirshme ato vise nga pakicat kombëtare, që dëshirojmë t’i kolonizojmë me elementin tonë kombëtar. Nuk dua të hy në detaje si duhet të bëhet kjo. Në qoftë se ky qëndrim do të pranohej parimisht, me gjithë zemër do t’i vija njohuritë dhe përvojat e mia në dispozicion të Komandës Supreme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe të Aradhave Partizane për hartimin e planeve të hollësishme në lidhje me këtë çështje. Tash për tash po theksoj vetëm se gjermanët duhet të spastrohen patjetër nga rrethet e Vojvodinës që i përmenda, kurse shqiptarët nga Rrafshi i Dukagjinit, Kosova e Pollogu.
Përpos spastrimit nga ana e ushtrisë gjatë operacioneve, duhet përdorur edhe mjete të tjera që pakicat kombëtare të detyrohen për shpërngulje. Para së gjithash, për shkak të qëndrimit të tyre në këtë luftë, duhet t’u merren të gjitha të drejtat minoritare. Duhet të nxirren pamëshirshëm para gjykatave të luftës të gjithë ata pjesëtarë të pakicave kombëtare që në çfarëdo mënyre kanë qenë në shërbim të okupatorëve. Për këta duhet të formohen kampe të përqendrimit, pasuritë e tyre të konfiskohen, e familjet e tyre të dërgohen në kampe dhe, në rastin e parë, të dëbohen në shtetet kombëtare të tyre. Rreth kësaj çështjeje në lidhje me hungarezët e gjermanët mund të na ndihmojë shumë ushtria sovjetike. Me rastin e spastrimit të pakicave kujdes të veçantë duhet pasur për inteligjencien dhe shtresat më të pasura shoqërore. Ata edhe kështu kanë qenë më të këqij ndaj nesh dhe u kanë shërbyer shumë besnikërisht okupatorëve, e më të rrezikshëm janë kur të rrinë këtu. Punëtorët e fshatarët e varfër, ndërkaq, nuk e kanë simpatizuar shumë fashizmin gjerman e italian, prandaj edhe nuk duhet të ndiqen. Po kjo vlen edhe për bejlerët shqiptarë dhe çarshinë shqiptare. Po ata njerëz, që në kohën e Jugosllavisë u kanë shërbyer të gjitha regjimeve dhe kanë fituar para me punë të ndyra, kanë qenë gjaksorët tanë më të mëdhenj pas vitit 1941.
Janë edhe shumë çështje në lidhje me shpërnguljen e pakicave, në qoftë se i qasemi kësaj çështjeje. Për këtë do të flasim më vonë.
KOLONIZIMI I TOKAVE TË BRAKTISURA
Kolonizimi i fshatrave dhe i qyteteve të braktisura me njerëz tanë ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe. Ja se pse. Interesat shtetërore kërkojnë që tokat e braktisura nga pakicat të kolonizohen sa më parë që ato edhe tërë Evropën t’i vëmë para aktit të kryer. Interesat ekonomike të shtetit kërkojnë që kjo lëvizje etnike të bëhet me sa më pak dëm për jetën ekonomike të shtetit tonë. Prandaj, tokat e braktisura nuk duhet të mbesin të papunuara, fabrikat duhet të punojnë edhe më tutje, kurse ofiçinat zejtare nuk duhet të mbyllen. Të gjitha këto nuk është aq lehtë të kryhen. Sado që të kemi vullnet dhe ide për organizim e shkathtësi për realizimin e këtyre punëve, ne nuk do të mund t’u shmangemi dëmeve ekonomike të përkohshme për shkak të shpërnguljes së pakicave kombëtare. Kjo nuk duhet të na largojë nga qëllimi kryesor, por pikërisht për këtë arsye, duhet të ndërmarrim gjithçka që varet nga fuqia njerëzore që dëmet të jenë sa të jetë e mundur më të vogla. Kjo çështje është aq më e rëndësishme, nga se pakicat tona janë të vendosura nëpër krahina të pasura bujqësore të Vojvodinës, të Sllavonisë, të Serbisë së Vjetër e të Maqedonisë. Sidomos gjermanët mbajnë në duart e veta prodhimin e bimëve industriale. Në qoftë se dëshirojmë ta mbajmë industrinë tonë të sheqerit, të lirit e të konopit, ne duhet të kujdesemi që ta zëvendësojmë shpejt prodhuesin e përzënë gjerman. Po kështu duhet vepruar edhe në zejtari e industri. Më se 80% të të gjitha zejeve në Vojvodinë janë në duar të gjermanëve, një përqindje shumë më e vogël e zejeve në Kroaci dhe në Sllavoni gjithashtu është në duar të gjermanëve, por, megjithatë, edhe kjo përqindje është shumë e rëndësishme. Gjermanët e mbajnë në Vojvodinë industrinë e miellit, të birrës e të konopit, kurse hungarezët industrinë e sheqerit. Të gjitha këto duhet t’i kemi parasysh dhe që më parë ta përgatisim aparatin se kush do t’i marrë të gjitha këto në duart e veta dhe ta sigurojmë funksionimin e drejtë të jetës ekonomike edhe pasi të shkojnë gjermanët dhe hungarezët nga vendet tona. Që tokat e braktisura nga pakicat të punohen sa më parë, ato duhet të kolonizohen me njerëz tanë. Pas vitit 1918, kolonizimi te ne është bërë me vullnetarë dhe kolonistë të vendit. U janë dhënë nga 5 hektarë tokë, pak vegla e aty-këtu edhe shtëpi të ndërtuara. Pronat ishin tepër të vogla, veglat të dobëta, mungonte bagëtia dhe prandaj kolonitë tona përparonin ngadalë. Kjo aq më parë nga se malësorët nga Mali i Zi, Hercegovina, Kraina dhe Lika kishin zbritur në rrafshe pjellore të Vojvodinës dhe vështirë i adaptoheshin klimës së re, mënyrës së re të punimit të tokës. Prandaj, shumë prej tyre filluan t’i shesin pronat e tyre dhe, në prag të luftës së vitit 1941, shteti u detyrua të ndërmjetësonte që t’i pengonte blerjen e këtyre tokave, që mund të kalonin përsëri në duart e pakicave kombëtare. Punës së kolonizimit tash duhet t’i qasemi shumë më me themel, me më shumë seriozitet dhe metoda shkencore.
Me rastin e kolonizimit, Lëvizja Nacionalçlirimtare do të gjendet para së njëjtës detyrë sikurse edhe Qeveria e Jugosllavisë së vjetër pas vitit 1918. Luftëtarët më të mirë të Lëvizjes janë rekrutuar nga viset pasive në jug të Savës e të Danubit dhe nga populli i varfër në veri të këtyre lumenjve. Fshatarat e mijra fshatrave të djegura të Bosnjës e të Hercegovinës, të Malit të Zi, të Dalmacisë, të Likës, të Banisë, të Kroacisë e të Serbisë do të kërkojnë nga udhëheqësit e tyre shpërblim për vuajtjet e tyre, kompensim për pasuritë e tyre të djegura. Dhe ata do t’u japin diçka. Kolonizimi i tyre në fshatrat e braktisura gjermane, hungareze e shqiptare do të jetë shpërblimi më i mirë për ta. Por, me këtë rast nuk duhet të bëhen gabime që janë bërë pas vitit 1918. Parimisht, tokat dhe pasuritë e braktisura nga pakicat duhet t’u jepen në radhë të parë luftëtarëve partizanë dhe të gjithë anëtarëve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Por, me këtë rast duhet nisur nga parimi që tokën ta marrë ai që do ta punojë vetë. Toka është mjet me të cilin nuk duhet spekuluar. Prandaj, ajo nuk mund t’i shërbejë si shpërblim as luftëtarit më të mirë, çfarëdo meritash që të ketë, në qoftë se ai nuk do ta punojë vetë. Në Jugosllavinë e re nuk mund të ketë spahinj as të mëdhenj as të vegjël. Shumë vullnetarë kanë qenë të këtillë në Jugosllavinë e vjetër dhe e kanë dhënë tokën përgjysmë në vend që ta punonin vetë.
Me rastin e kolonizimit të Vojvodinës, të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit, duhet nisur nga një qëndrim i drejtë: problemi i proletariatit agrar në Jugosllavi nuk zgjidhet në atë mënyrë që një përqindje e vogël e tij të shndërrohet në pronarë të vegjël. Ky problem mund të zgjidhet vetëm me anë të industrializimit të shpejtuar. Prandaj, rrafshet e Vojvodinës duhet të shërbejë, jo si strehim për disa qindra mija malazezë, hercegovas e krainas të uritur, por si bazë bujqësore për ushqimin e tërë shtetit, për industrializimin e tij. Duke u nisur nga ky qëndrim, ne mund ta përfitojmë në dy mënyra tepricën e ushqimit në Vojvodinë për ushqimin e pjesës tjetër të shtetit: 1) duke krijuar, me anë të kolonizimit prona fshatare më të mëdha se 5 hektarë, të cilat, një pjesë të madhe të produkteve të veta do t’i eksportonin në treg. Mënyra e dytë është që pushteti shtetëror ta ndalë vetë një pjesë të mirë të tokave të braktisura nga pakicat dhe t’i punojë në regjinë e vet. Mund të kombinohet edhe njëra edhe zgjidhja tjetër dhe kjo mund të jetë zgjidhja më e përshtatshme. Do të mund ta zbërtheja më hollësisht këtë çështje, por hapësira nuk më lejon që të futem në hollësi.
Çështja e industrisë dhe e zejtarisë është gjithashtu e rëndësishme sikurse edhe çështja e bujqësisë, vetëm që kjo çështje do të zgjidhet shumë më lehtë.
Industria bujqësore në Vojvodinë duhet të nacionalizohet. Po kjo duhet të bëhet me të gjitha ndërmarrjet e mëdha armiqësore ndaj shtetit. Me zejet nuk do të jetë aq lehtë, por edhe aty mund të bëhet shumë, duke i ndihmuar zejtarët e vendit dhe ndihmësit e tyre, që t’i marrin përsipër dyqanet e braktisura zejtare.
Është jashtëzakonisht e rëndësishme çështja në lidhje me kolonizimin e tokave të braktisura nga pakicat kombëtare, që kolonizimi të bëhet sipas të gjitha normave tona ligjore dhe të së drejtës ndërkombëtare. Prandaj, duhet të kërkohet sa më parë leja nga aleatët dhe, që tash, të bëjmë përpjekje që të na jepet e drejta e konfiskimit të pasurive të pakicave armiqësore. Komisioni shtetëror për fajtorët e luftës duhet të vërë në dispozicion materialin që do të mund t’i paraqitej opinionit publik botëror dhe aleatëve për të treguar se çka kanë bërë gjithsej pakicat kombëtare nëpër vendet tona në këtë luftë. Këtë propozim është dashur ta bëja më herët, por më ka kaluar dhe po e parashtroj tash.
ORGANIZIMI I PUNËS
E nënvizuam edhe më parë rëndësinë e spastrimit të pakicave qysh gjatë operacioneve të luftës. Për këtë arsye, roli i ushtrisë në këtë punë është shumë i rëndësishëm. Ushtria është ajo që duhet ta përdorë fuqinë e armës me rastin e dëbimit të pakicave nga shteti ynë. Prandaj, është me rëndësi të dorës së parë që komandantët tanë, në trevat e banuara nga hungarezët, të marrin udhëzime precize çka dhe si të veprojnë. Do të ishte shumë mirë sikur pranë Komandës Surpeme të Ushtrisë Nacinalçlirimtare dhe Aradhave Partizane të formohej një seksion i veçantë, i cili do të kishte për detyrë që të kujdeset për spastrimin e pakicave qysh në kohën e luftës. Ky seksion do të tubonte rreth vetes një numër të vogël ekspertësh, njohës të problemit të pakicave në disa vende tona. Ata do t’i jepnin Komandës Supreme materialin e nevojshëm profesional dhe do t’i përgatitnin hollësisht propozimet se si duhet të veprohet me pakicat e ndryshme në vendet tona qysh në kohën e luftës. Në fillim, derisa të formohen organet civile të pushtetit, ushtria do të merrte përsipër, përpos dëbimit të pakicave, edhe ruajtjen e objekteve dhe të stabilimenteve të braktisura. Ajo ndoshta do të detyrohej që të kujdesej edhe për mbjelljet e vjeshtës. Të gjitha këto mund të bëhen vetëm në qoftë se formohet një aparat i veçantë, me anën e të cilit do të mund të bëhej kjo. Ai duhet të ndalet në ushtri edhe atëherë kur tërë kjo çështje të kalojë në kompetencën e ndonjë ministrie ose komisariati. Puna e ndërlikuar rreth shpërnguljes së ndonjë milioni pakicash kombëtare nga shteti ynë dhe rreth kolonizimit të njerëzve tanë në fshatrat dhe në qytetet e braktisura kërkon formimin e një institucioni të veçantë, i cili do t’i udhëhiqte të gjitha këto punë. Ky institucion, ministri ose komisariat duhet të formohet sa më prë. Ne, pas vitit 1918, e kemi pasur Ministrinë e Reformës Agrare. Ajo e ka pasur për detyrë që, me anë të reformës agrare ta shuajë urinë e një pjese të fshatarësisë sonë për tokë. Marrë në përgjithësi, organizimi i kësaj ministrie nuk ka qenë i keq; në qoftë se ajo nuk e ka kryer si duhet detyrën e vet, faji është i burokracisë së saj dhe i paaftësisë së prijësve tanë partiakë politikë. Deri në vitin 1919 kam pasur rastin ta përcjell punën e nëpunësve të kësaj ministrie. Ajo u komprometua shumë shpejt, u burokratizua dhe ministria vite me radhë nuk ekzistonte për shkak të kolonistëve, por për shkak të nëpunësve të vet. Prej një miliard dinarësh, sa ka dhënë Jugosllavia e vjetër për reformën agrare, sipas llogaritjes së njohësve, vetëm dyqind milionë kanë shkuar për kolonistët, kurse tetëqind milionë i kanë gëlltitur rrogat e nëpunësve. Me rastin e organizimit të Ministrisë së re për kolonizim, kjo duhet të evitohet patjetër. Prandaj, kjo punë nuk mund t’u besohet nëpunësve të vjetër të Ministrisë së Bujqësisë – Drejtoratit për Reformë Agrare. Por, aty duhet të kërkohen dhe të sillen njerëz që do ta kuptojnë rëndësinë e çështjes dhe do të jenë të gatshëm që tërë kohën dhe energjinë e tyre ta shpenzojnë për këtë punë të madhe. Prandaj, me rastin e formimit të kësaj ministrie, e cila, ndërkaq, do të jetë e përkohshme, me anë të një dekretligji të posaçëm, duhet të mundësohet zgjedhja e nëpunësve nga ndërmarrjet private dhe publike për këtë punë. Këtyre duhet t’u jepen rroga të mira, t’u sigurohet përparimi, por, prandaj, duhet të qërohen pa mëshirë hesapet me secilin prej tyre që pranon të korruptohet. E korrupcione në këtë lloj të punëve, ku janë në dispozicion miliona të pasurisë së huaj, gjithmonë ka pasur dhe do të ketë. Parashtrimi i hollësishëm se si duhet të organizohet kjo ministri do të çonte larg. Tash për tash po theksoj se, përpos zgjedhjes rigoroze të nëpunësve, duhet të forcohet mbikëqyrja e punës së saj me anë të këshillave nacionalçlirimtare. Këto këshilla mund të luajnë rol të madh në zgjidhjen e çështjes se si të shpërngulen pakicat dhe si të kolonizohen kolonistë të rinj. Qeveria federale edhe kështu një pjesë të madhe të punëve rreth kësaj çështjeje do të detyrohet t’ua lërë këshillave nacionalçlirimtare në krahinat e ndryshme. Këtë duhet pasur parasysh qysh tash, kur po hartohen direktivat e politikës sonë të kolonizimit. Por, që më parë duhet të kufizohet fushëveprimi i punës së çdo institucioni. Konflikti i kompetencave, në këso çështjesh, mund të pengojë çdo rregull të kryerjes së punëve. Në këtë moment, për ne, përpos ushtrisë, faktor më i rëndësishëm janë këshillat nacionalçlirimtare në terren. Ai pezm shumë i madh që është mbledhur në shpirtin e popujve tanë gjatë kësaj lufte kundër pakicave kombëtare për shkak të krimeve që kanë bërë kundër nesh manifestohet në të gjitha krahinat tonë në sulmin e pashmangshëm të popullit tonë kundër këtyre pakicave. Këtë urrejtje e dëshirë të pashueshme të masave tona që t’i spastrojnë hesapet me pakicat duhet shfrytëzuar në mënyrë konstruktive. Ajo nuk duhet të shndërrohet në anarki dhe në plaçkitje, por duhet t’u shërbejë qëllimeve shtetërore, që i përmendëm. Prandaj, duhet t’u dërgohen sa më parë udhëzime precize këshillave nacionalçlirimtare në mbarë vendin, çka dhe si duhet të veprojnë. Këto këshilla duhet të organizojnë dëbimin e pakicave, por gjithashtu edhe të kujdesen që pasuritë e braktisura të ruhen, toka të punohet, ofiçinat e fabrikat të vihen në veprim. Ndoshta do të jetë mirë që duke filluar nga këshillat e fshatrave e deri te këshillat nacionale, të formohen gjithkund seksione të veçanta për këtë çështje. Njerëzit tanë duhet të mësohen qysh në fillim që të dihet se kush çka ka të drejtë, por edhe kush për çka përgjigjet. Kjo çështje është aq me rëndësi se ndoshta do të ishte shumë e dobishme, sikur Mareshali Tito, si Komandant suprem i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke i dhënë udhëzime ushtrisë, t’u japë sa më parë udhëzime të veçanta edhe këshillave nacionalçlirimtare si duhet të veprohet në lidhje me këtë çështje. Çështja është shumë urgjente, ndërsa formimi i ministrisë së veçantë dhe krijimi i organizatës së saj kërkon mjaft kohë.
Këshillat nacionalçlirimtare mund të jenë të dobishme gjithashtu edhe për sjelljen e kolonistëve në fshatra të braktisura, si dhe me rastin e spastrimit të pakicave prej tyre. Nënvizova edhe më parë se një prej shkaqeve kryesore të mossuksesit të kolonizimit në periudhën prej vitit 1918 deri në vitin 1941 ka qenë fakti se tokën e kanë marrë njerëzit, të cilët nuk kanë dashur ta punojnë vetë. Ky gabim kësaj here duhet të evitohet patjetër. Ne duhet ta gjejmë rrugën dhe mënyrën që për kolonizim t’i përfitojmë fshatarët shtëpiakë. Këta lëvizin shumë vështirë, por, kur shpërngulen njëherë në një vend të ri, shpejt zënë rrënjë atje. Këshillat nacionalçlirimtare nëpër vendet tona, prej nga do të marrim kolonistë, do të kishin për detyrë që ta tërheqin për kolonizim këtë lloj kolonistësh. Këshillat nacionalçlrimtare do të duhej të kujdeseshin edhe si të plotësohet mungesa e zejtarëve dhe e punëtorëve profesionistë nëpër Vojvodinë pas dëbimit të gjermanëve... Në këtë punë do të mund të ndihmonin shoqatat e ndryshme profesionale dhe esnafët, odat zejtare, kooperativat, sindikatat. Me anë të tyre do të lehtësohej sidomos puna rreth shpërnguljes dhe kolonizimit të popullsisë së qyteteve. Çështjen e organizimit të tërë punës rreth shpërnguljes së pakicave kombëtare dhe kolonizimit të ri e hodha këtu vetëm në vija kryesore. Ka edhe shumë gjëra për të cilat duhet menduar, por do të hyja shumë në hollësi. Po e lëmë këtë për atëherë kur duhet studiuar më hollësisht këtë problem. Do t’i them disa fjalë për detyrat e drejtpërdrejta në lidhje me këtë çështje, që imponohen qysh tash. Derisa ne po diskutojmë se a duhet t’i shpërngulim pakicat ose jo, si dhe në çfarë mënyre t’i kolonizojmë tokat e braktisura, stuhia e luftës po ushton mbi vendet tona. Prej këtyre viseve, ku po zhvillohen operacionet e luftës, po arrijnë raporte se masat tona popullore po i qërojnë hesapet në mënyrë të pamëshirshme me ato pakica kombëtare, të cilat në këtë luftë kanë qenë kundër nesh. Këtë rrëke popullore duhet ta kanalizojmë sa më parë. Gjëja më e rëndësishme që duhet bërë është:
-
T’i jepen udhëzime Ushtrisë dhe Këshillave nacionalçlirimtare çka duhet të bëjnë;
-
Pranë ushtrisë motër sovjetike të ndërmerren hapat që të na ndihmojë në spastrimin e gjermanëve dhe të hungarezëve;
-
Të ndërmerren të gjitha masat që tokat e braktisura të punohen qysh kësaj vjeshte, kurse fabrikat të ruhen;
-
Menjëherë të fillojë kolonizimi i fshatrave dhe i qyteteve me njerëz tanë. Të ndalohet plaçkitja dhe marrja e pasurisë së pakicave armiqësore me kërcënim të dënimit me vdekje. Këto do të ishin masat e para, të cilat duhet të ndërmerreshin menjëherë. Punët e tjera duhet të fillojnë sa më parë. Harrova të them se është shumë me rëndësi që ato pasuri nëpër qytete e fshatra, që do t’ua japim kolonistëve, menjëherë të kalojnë në pronësi të tyre. Në reformën e vjetër agrare, nëpunësit dhe agjitatorët politikë bënin tregti me kolonistët e mjerë, herë duke u dhënë, herë duke ua marrë tokën. Kjo tash duhet të evitohet. Ato toka që tash u jepen fshatarëve, menjëherë duhet të kalojnë në pronësitë tyre, gjithashtu edhe shtëpitë e ofiçinat zejtare. Është çështje tjetër se a mund të lidhen atëherë fshatarët ose duhet të detyrohen që të lidhen me kooperativat për punimin e përbashkët të tokës. Mendoj se kjo do të ishte mënyra më e mirë që me makina moderne bujqësore tokat të punohet më mirë. Edhe për këtë duhet të bisedohet më shumë, se kjo çështje është me shumë rëndësi. Po theksoj se punimi i përbashkët i tokës te ne do të mund të aplikohej më së lehti atje ku do të bëhej ky kolonizim.
PËRFUNDIM
Referati im për problemin e pakicave (minoriteteve) kombëtare ndoshta doli pak i zgjeruar. Mirëpo, kjo çështje ka rëndësi aq të madhe për jetën tonë shtetërore, sa gjithnjë po kam frikë se mos më ka shpëtuar diçka pa përmendur. Ndoshta nuk do të na jepet kurrë një rast kësisoji që shtetin tonë ta bëjmë etnikisht të pastër. Këto probleme të mëdha në shtetin tonë, qofshin ato me rëndësi kombëtare-politike, qofshin ato me rëndësi sociale ose ekonomike, disa më pak, disa më shumë, edhe mund të presin zgjidhjen e tyre. Ndërkaq, problemin e pakicave në qoftë se nuk e zgjidhim tash, nuk do ta zgjidhim kurrë. Kam shpresë se njerëzit që udhëheqin Lëvizjen Nacionalçlirimtare, gjithashtu do të dinë ta çmojnë rëndësinë e kësaj çështjeje sikurse unë dhe se do t’i përvishen zgjidhjes së saj me të njëjtën energji e vetëmohim, me të cilin, në vitin 1941, janë hedhur në luftën e tmerrshme për çlirimin dhe për krijimin e Jugosllavisë së re Demokratike Federative. Në qoftë se ky referat kontribuon për këtë qëllim, atëherë e ka kryer detyrën e vet.
Beograd, më 3 nëntor 1944
Vasa Çubriloviq, Manjinski problem u novoj Jugoslaviji, Elaborati ka 11 faqe makine (tekst i dendur) qirilicë. Në shtojcë ka një tabelë (Broj Arnauta u Staroj Srbiji, Makedoniji i Crnoj Gori po srezovima od 31 mart 1931 godine”) dhe një hartë (Broj Arnauta i Rumuna na sto stanovnika”). Në origjinal është nënshkruar me dorë; fotokopja e këtij elaborati gjendet te autori i këtij botimi. ↩
Elaboratin e gjeti gjatë hulumtimeve në një arkiv të Beogradit në fillim të viteve të 80-ta të shek. XX dr. Seit Lipa.
Tekstin e përktheu Vehap Shita.
By Vasa ÇUBRILOVIQI