Serbia duhet patjetër të gjejë vendin e saj në radhën e shteteve të tjera evropiane, duke përvijuar një plan për të ardhmen e saj ose, ta themi ndryshe, ajo duhet të krijojë për vete një politikë mbi parimet kryesore të së cilës, në marrëdhënie me të tjerët, për një kohë të gjatë, të sillet dhe të gjitha punët e saj mbi ato parime t’i kryejë.
Kryengritja dhe lëvizja politike e sllavëve tashmë kishin filluar dhe ato s’do të kenë mbarim ndonjëherë. Serbia, këtë lëvizje politike, si dhe rolin dhe detyrën brenda saj, duhet t’i njohë më së miri.
Në qoftë se Serbia do të jetë e vetëdijshme se në çfarë situate gjendet sot, dhe se çfarë popujsh ka fqinjë, atëherë ajo duhet të bindet se është një shtet i vogël dhe se në një gjendje të tillë ajo nuk mund të mbetet, dhe se vetëm në një besëlidhje me popuj që e rrethojnë, ajo, në krijimin e së ardhmes, duhet të marrë detyrën që i takon.
Nga kjo buron tipari dhe themeli i politikës serbe, dhe se ajo nuk mund të ngushtohet në kufijtë e sotëm, veçse ajo synon t’i afrojë e bashkojë të gjithë serbët që e rrethojnë.
Në qoftë se Serbia nuk e ndjek fuqimisht këtë politikë, dhe, ç’është më zi, e hedh poshtë dhe për këtë çështje nuk sheston një plan të menduar mirë, ajo, atëherë, nga stuhitë e huaja, sikundër ndonjë barkë e hedhur herë këndej, herë andej, më në fund, në një shkëmb, të madh, e ndeshur, - do të bëhet copë e grimë.
Politika e Serbisë
Perandoria osmane duhet të shkatërrohet dhe ky rrënim mund të ndodhë në dy mënyra: 1. Ajo, ose do të ndahet, 2. ose do të rindërtohet nga banorët e saj të krishterë.
Vrojtim mbi ndarjen e Perandorisë Osmane
Rreth kësaj çështjeje nuk do të ndalemi në mënyrë të shtjelluar, vetëm do të shtojmë se kur është fjala për këtë ngjarje rolin kryesor do ta luanin Rusia dhe Austria, sepse ato janë fuqitë fqinje dhe kufitare.
Këto dy fuqi mund të merren vesh lehtë duke rënë në ujdi se cila prej vendeve a krahinave krejt do t’i takojë; Austria mund të synonte vetëm përvetësimin (bashkimin) e trojeve perëndimore e Rusia do të donte pushtimin e pjesëve lindore të Ballkanit. Kështu po të hiqej një vijë e drejtë ç’merr nga Vidini e Selaniku, çështja mund të zgjidhej duke mbetur të kënaqura që të dyja palët.
Në këtë mënyrë do të përfundonte çështja e ndarjes; të gjithë serbët Austrisë do t’i takonin. Austria dhe Rusia tashmë e dinin fort mirë se Perandoria Osmane si të tillë në një të ardhme të gjatë nuk do të ketë. Që të dyja ato, si njëra edhe tjetra këtë situatë duhet ta shfrytëzojnë në mënyrë që kufijtë, sa më parë, t’i shtrijnë. Që të dyja gjithsesi duhet të veprojnë në mënyrë që të parandalojnë e pengojnë në vend të Perandorisë Turke të mos lindë një tjetër kristiane, sepse Rusia, atëherë, do të tretej shpresa e saj për ndonjë gjasë të mirë për ta shtënë në dorë Stambollin, që ishte qysh nga koha e Pjetrit të Madh plani më i këndshëm i saj, kurse për Austrinë do të lindte një rrezik i lemeritshëm i humbjes së sllavëve jugorë.
Austria, kështu pra, sipas të gjitha rrethanave, do të ishte pandërprerë armike e shtetit serb, marrëveshja e harmonia, pra, me Austrinë do të ishte për Serbinë politikisht e pamundur, sepse do të thoshte lak në qafë për Serbinë.
Vetëm Austria dhe Rusia mund ta shkatërrojnë dhe ta copëtojnë Perandorinë Turke. Ato e kanë gjithnjë parasysh. Rusia tash sa vjet këtë gjendje a situatë e ndjek e bëhet gati. Por tani edhe Austria s’ka si të veprojë ndryshe, veçse edhe qjo duhet të marrë e të shikojë e të bëjë sikur kishte vepruar me rastin e ndarjes së Polonisë. Natyrisht, të gjitha fuqitë e tjera nën udhëheqjen e Francës dhe Britanisë së Madhe kanë qenë kundër zgjerimit dhe shtrirjes së Rusisë dhe Austrisë. Ato kanë konsideruar se mund të ishte mjeti më i mirë kundër ndarjes së Perandorisë Turke me ç’rast do të krijohej një shtet i ri i pavarur i krishterë dhe në këtë mënyrë vendi i lirë pas rënies së Perandorisë Osmane do të plotësohej dhe në atë mënyrë ekuilibri evropian në tërësi do të ruhej. Pos kësaj ndihmë tjetër nuk ka.
Shteti serb, i cili kishte zënë fill me mbarësi, por që do të duhej të forcohej, tabanin e vet të fortë e kishte në Mbretërinë Serbe të shekullit 13 e 14, dhe në historinë e pasur e të lavdishme serbe. Sipas kësaj historie është e ditur se carët serbë kishin zënë e perandorëve grekë po ua merrnin anën dhe për pak në vend të perandorisë së perënduar romakolindore do të vendosej perandoria sllavoserbe. Car Dushani i Fortë mori tashmë stemën e Perandorisë Greke. Ardhja e osmanëve ndërpreu këtë ndërrim dhe i nxori pengesa kësaj pune për një kohë të gjatë, por tani, mbasi u thye forca turke dhe thuaja u asgjësia, duhej të niste të vazhdonte po ai shpirt për të kërkuar përsëri të drejtat e veta dhe puna e ndërprerë.
Ky taban e kjo bazë e ngritjes së Mbretërisë Serbe duhet të nxirret tani nga gërmadha dhe mbeturina të pastrohet dhe të dëliret, të vihej në dukje dhe mbi një fundament të fortë historik vazhdimisht një ngritje e re prap të ndërmerret dhe të vazhdohet. Në anë tjetër, kjo ndërmarrje në sytë e të gjithë popujve dhe të vetë kabineteve do të ketë një rëndësi që s’rrëfehet me gojë dhe të fitojë një vlerë të lartë, sepse ne serbët do të dalim përpara botës si pasardhësit e vërtetë të të parëve tanë të mëdhenj që kurrgjë tjetër s’bëjnë përveçse përtëritin a këndellin memëdhenë. Koha jonë e tanishme, pra, nuk do të jetë e këputur nga e kaluara, veçse do të jetë një tërësi e varur, e lidhur, e organizuar, prandaj kombi serb, nacionaliteti i tij dhe jeta shtetërore e tij qëndron në mbrojtjen e së drejtës së shenjtë historike. Synimit tonë nuk i merret për të madhe, nuk mund t’i thuhet se është diçka e re, e pa bazë, se është revolucion, grushtshtet, por çdokush do të pranonte se është diçka politikisht e nevojshme, se në kohën e moçme ishte e mbështetur mirë, dhe se në kohën e kryehershme të shtetit dhe të kombit serb kishte rrënjë, një trung nga i cili degë e trishe të tjera shpërthejnë dhe të reja zënë të lulëzojnë.
Në qoftë se kjo përtëritje e re e Perandorisë Serbe vështrohet nga kjo pikëpamje, atëherë edhe sllavojugorët e tjerë këtë ide do ta kuptojnë shumë lehtë dhe me gëzim ta pranojnë, sepse, mbase kujtimi i së kaluarës historike në asnjërin nga vendet evropiane nuk është aq i gjallë sa është ai i gjallë ndër popujt sllavë të Turqisë, tek të cilët kujtimi ndaj burrave të lavdishëm dhe ndaj ngjarjeve historike të tyre jeton sot e gjithë ditën, prandaj mund të llogaritet me siguri se kjo punë në popull do të pritet me gjithë zemër, dhe s’nevojiten veprime me dhjeta vjet në popull që ai vetë spontanisht të mund ta kuptonte dobinë e madhe të kësaj pune.
Ndër të gjithë sllavët e Turqisë serbët janë të parët që me mjete dhe fuqi të veten kanë luftuar për lirinë e tyre, për pasojë ata ndër të parët kanë plot të drejtë që këto punë edhe më tej t’i udhëheqin.
Që tani në shumë vende dhe në disa kabinete, parandjejnë dhe parashikojnë se Serbia ka një të ardhme të madhe, dhe kjo është një gjë që Serbia ka tërhequr vëmendjen e gjithë Evropës.
Në qoftë se ne sot nuk do të mendonim veçse për dinjitetin e knjazit të Serbisë dhe për Principatën e saj, dhe sikur në Principatën e Serbisë të mos ishte embrioni i Perandorisë së të ardhmes serbe, atëherë bota nuk do të interesohej më për Serbinë, por vetëm ç’kishte bërë me principatën e Moldavisë dhe të Vllahisë, të cilat nuk gëzojnë farë parimesh të pavarura jetese, dhe të cilat s’janë gjë tjetër përveç se një bisht i Rusisë.
Shteti i ri serb në Jug do t’i jepte Evropës të gjitha garancitë se do të jetë një shtet i përsosur dhe i virtytshëm (i fortë) dhe do të mund të mbahet në mes të Austrisë dhe Rusisë. Pozita gjeografike e tij, sipërfaqja e vendit, begatia e prodhimeve natyrore dhe shpirti ushtarak i banorëve, mandej ndjenja e zjarrtë e kombësisë, prejardhja e njëjtë, gjuha e përbashkët – të gjitha këto veti janë një tregues i një shteti të palëkundshëm me një të ardhme të madhe.
Mbi masat me të cilat mund të arrihet qëllimi
- Që të mund të vendoste se çfarë rruge do ndjekur në një punë të caktuar, administrata e shtetit duhet të dijë gjithherë se në ç’gjendje janë popujt e vendeve të ndryshme që Serbinë e rrethojnë. Ky është kushti kryesor për vendosjen e masave a mjeteve që duan përdorur.
Për këtë qëllim duhen para së gjithash njerëz të mençur dhe ndaj administratës (shtetit) të besueshëm dhe hetues të gjendjes së këtyre popujve dhe të vendeve, dhe këta pasi të kenë mbaruar punë të informojnë mbi gjendjen e konstatuar. Në mënyrë të veçantë duhet të informojnë mbi gjendjen në Bosnjë dhe Hercegovinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë e Veriut. Në të njëjtën kohë duhet të paraqesin informata të sakta mbi gjendjen në Sllavoni, Kroaci dhe Dalmaci. Këtu brenda, kuptohet, duhet të përfshihet edhe populli i Sremit, Banatit dhe i Baçkës.
Këtyre agjentëve duhet t’u jepen udhëzime se në ç’mënyrë do t’i vizitojnë këto vende, përveç tjerash, të shenohen edhe pikat e vendbanimeve, sidomos cilët persona do t’i takojnë, me cilët do të njihen.
Përveç njoftimeve materiale duhet t’u jepet një instruksion i përgjithshëm, kryesor i cili do të përmbante pikat që kërkuesit a hulumtuesit do të duhej t’i plotësonin.
-
Vlerësimi i gjendjes politike të vendit, sidomos sjellja e të huajve që banojnë brenda në shtetin tonë; të mblidhen shënime në mbështetje të të cilave ndjenjat e zemrës së popullit, pra dëshirat e fshehta të tij të mund shfaqeshin sa më lehtë, por, para së gjithash do të shënohet se ajo që është e njohur dhe e rinjohur dhe publikisht e thënë do të mbetet nevoja e popullit.
-
Në mënyrë të veçantë duhet të tregohet kujdes për gjendjen ushtarake të popullit dhe të vendit (shtetit); për shpirtin luftarak për armatimin e popullit, për numrin dhe disponimin e ushtrisë; ku janë magazet ushtarake dhe arsenalet; ku prodhohen në vend armët e mjetet dhe pajimet e ndryshme për luftim nga se sigurohet armatimi dhe nevojat e tyre luftarake, etj.
-
Të bëhet lista e burrave a meshkujve me ndikim të madh, duke mos përjashtuar dhe personat kundërshtarë të Serbisë.
-
ç’mendohet në këtë a atë krahinë për Serbinë; ç’pret populli nga Serbia; ç’duan njerëzit nga ajo (Serbia), prej çkaje kanë frikë nga ajo? Në vazhdim, natyrisht, edhe diçka duhet të shtohet:
-
Ç’është e lejueshme të kumtojë a ç’mund të informojë një deputet mbi politikën serbe sot; cilat dhe çfarë shpresash lejohet të ngjallë dhe mbi çka ai duhet të tërheqë vëmendjen (dhe, sidomos) e miqëve të atëhershëm të Serbisë.
S’pari të caktojmë raportet tona me të Bullgarisë
Ndër të gjitha vendet sllave Bullgaria është më e afërta me qytetin e lavdishëm perandorak turk. Nderi më i madh i këtij vendi është i kapshëm. Këtu janë pozicionet më të rëndësishme ushtarake dhe gjysma e mirë e ushtrisë turke. Në asnjërin nga vendet evropiane nuk pandehet turku të jetë aq i sigurt sot, bile edhe sot, si në këtë vend; bullgarët, përveç tjerash janë privuar, gati të gjithë nga e drejta e mbajtjes së armëve. Janë mësuar të dëgjojnë, të binden e të punojnë, bindja dhe puna kanë hyrë tek ata duke u bërë të zakonshme. Por këto vërejtje nuk duhet të na trazonin a prishnin ekuilibrin që ta diktonim vlerën e vërtetë të bullgarëve, dhe, ç’është edhe më keq, që t’i përbuznim a shpërfillnim ata. Sikur është fati i tyre: bullgarët, megjithëse janë dega më e madhja e popujve sllavë të Turqisë, ata s’kanë thuaja kurrfarë besimi në fuqitë e veta gjallëruese, dhe vetëm nga një shtytje që mund të vijë nga vendet e huaja, bullgarët marrin guximin të hyjnë në aventurë për të çliruar vendin e tyre nga pushtuesit osmanë. Rusinë ata e pandehin, e marrin për një fuqi, e cila më së shumti mundet dhe do të bëjë për shpëtimin dhe çlirimin e tyre, përpos asaj që Rusia do të fitonte, ajo bullgarëve, në vend të zgjedhës turke, një zgjedhë shumë më të vrazhdë në qafë do t’ua ngarkonte, por ajo, dhe në raste të tjera, siç është parë, nuk mund të vendosë (nuk mund të marrë lirinë) drejtpërsëdrejti me ushtrinë e vet t’u vijnë në ndihmë bullgarëve, sepse Evropa e kishte njohur natyrën e vërtetë të atyre qëllimeve gjoja bujare ruse ndaj Perandorisë Osmane, edhe me të vërtetë një luftë evropiane do të shpërthente edhe një herë po të merrte Rusia të kalonte Danubin.
Nga ky shkak Rusia kujdeset që me ndërmjetësim të të tjerëve të veprojë, çka pa ndërmjetësinë e dikujt a diçkaje nuk ia dilte në krye. I tillë mjet i tyre pa vullnetin e tij në këtë punë, ishte knjaz Mihaili dhe ajo (Rusia) në të vërtetë do të dëshironte t’i kthehet planit të cilin me ndërmjetësimin e knjaz Mihailit e kishte pasë nisur.
Meqenëse administrata e princit Aleksandër nuk gëzonte besimin e Rusisë, sepse ai (besimi) nuk jepet si një vegël e vërtetë prandaj këtu Rusia gjendet e shtrënguar të përmbysë administratën aktuale në mënyrë që pas rënies së saj të mundte, për planet e veta të vendoste një tjetër administratë.
Të gjitha përpjekjet që ta mashtronte Rusinë dhe ta bindte atë se si kjo miqësi do të ndjekë planet e saj, do të ishte pa kurrfarë suksesi. Kur ajo vetë do ta kuptojë se si në Serbi po zgjohet fryma e pavarur popullore, atëherë ajo nuk do t’u besojë kurrfarë propozimeve që mund t’i bëhen, sepse ajo (Rusia) është tepër dinake, që të bjerë në grackë – kundërshtare e qëllimeve të saj. Aq më tepër, mund të mendohet se si Rusia të gjitha synimet e Serbisë për të hyrë në lidhje më të ngushtë dhe në marrëveshje me sllavët e tjerë të Turqisë, posa t’i diktonte, çdo gjë do të bënte, që ata njerëz të cilët këto punë në Turqi dhe Austri dhe në qeveritë e tjera i udhëhiqnin të dorëzohen në mënyrë që me anë të tyre ta bindë Evropën se ato punë nuk i bënte Rusia, por Serbia kryengritëse, kundërshtare, e është Serbia kryengritëse ajo që këto synime i mbështet. Por, megjithatë Rusia me kënaqësi mbahej e hapur ndaj këtyre marrëveshjeve në mënyrë që gjurmën dhe rrjedhjen e tyre dalngadalë të mund ta kthente në të mirë të vetvetes.
Dhe sado e pavarur të jetë Serbia, aq më pak besim do të ketë te Rusia, megjithëse Rusisë kurrsesi nuk po i shkon përdore të shmangë politikën e pavarur serbe, ajo, atëherë, me siguri, do të përpiqet të gjithë sllavët e Turqisë t’i largojë njërin nga tjetri; që të gjithë t’i ndajë njërin nga tjetri, t’i mbajë në grindje, e ajo vetë me secilin veç e veç do të vendoste marrëdhënie dhe lidhje marrëveshjeje. Në qoftë se Serbia në këtë konkurencë nuk do të tregohet më e efektshme (vepruese) dhe më e zellshme se Rusia, kjo do ta mposhtte atë dhe ta kalojë.
Në një situatë të tillë, njeriu duhet të ruhet. Rusia nuk do të përulej kurrë përpara Serbisë, dhe në qoftë se e sheh që Serbia nuk është në shërbim të saj besnikërisht dhe pa kurrfarë kushtëzimesh, ajo, atëherë me mburrje dhe përbuzje, do t’i hidhte poshtë të gjitha kushtëzimet. Ajo kishte flakur rreptësisht edhe sovjetët e urtë të diplomatëve vetiakë siç është Liveni, pikërisht për të vetmen arsye se këta vetëm kishin propozuar t’i lëshonin Serbisë litarin për pak kohë (t’i lëshojnë udhë Serbisë për pak kohë): A mund të mendohet që ajo (Rusia) ndaj të huajve do të tregohet më fleksibël se ndaj një shërbëtori besnik të vetit? Ndërkaq, më në fund, në qoftë se në Serbi s’do të gjendej njeri, i cili do të donte të “dorëzohet” pa farë kushtëzimi dhe po të jetë Rusia e detyruar të punojë me njerëz të tillë, të cilët do të donin pa kusht t’i shërbenin, atëherë ajo nuk do të ngurronte me të tillë të lidhte marrëveshje dhe të punonte, sepse ajo, më në fund, nuk do të mundte kurrë ta braktiste Serbinë, por (sa kohë) derisa ajo do të gjejë njerëz në Serbi që do t’i binden pa kusht dhe ta dëgjojnë, prandaj, ajo gjithmonë serbët e tillë do t’i vinte mbi patriotë të mirëfilltë.
Rusia nuk lejon që një shtet i vogël, siç është Serbia t’i vinte asaj kushtëzime, ajo kërkon që këshillat e saj si porositë e zotit të pranohen pa kushte; dhe të gjithë ata që duan t’i shërbejnë e kanë për detyrë t’i binden asaj. Ç’është e vërteta ajo, pranon nganjëherë, gjithsa e shërbejnë, mirëpo ajo çdo gjë nuk e shtie në përdorim, sepse disa nuk e meritojnë besimin e saj, dhe kështu, në këtë mënyrë humbet çdo mundësi e mashtrimit.
Në qoftë se Serbia do nga gjendja nënshtruese e sotme e saj të shpëtojë dhe të krijohet një shtet i tërë, i vërtetë, ajo duhet të përpiqet që, doradorës, duke rrënuar ta përvetësojë fuqinë politike të Turqisë, sepse kjo është ajo pika rreth së cilës politika ruse e serbe grinden, por edhe Rusia bën çmos ta dobësojë fuqinë politike të Perandorisë Turke. Ndërkaq, nga kjo pajtueshmëri pikëpamjesh, megjithatë nuk rezulton kurrsesi që qëllimi dhe synimi i të dyja palëve të jetë i njëjtë dhe mbi këtë bazë politika e tyre duhet të jetë në harmoni. Shkurt, Serbia duhet të orvatet që nga ndërtesa e shtetit osman të heqë gur më gur dhe nga ky material i mirë mbi themelin e mirë të vjetër të Perandorisë së vjetër serbe të mund rindertohet dhe ngrihet shteti i ri serb. – Qysh tani kur Serbia gjendet nën administrimin turk zë fill me përgatitjen dhe riparimin e ngritjes së atij shteti, sepse punët e tilla nuk mund të ndërmerren dhe të kryhen.
Këtu u bë fjalë mbi natyrën e politikës ruse dhe serbe në mënyrë të shtjelluar, për vetë faktin se Bullgaria është vendi në të cilin ndikimi rus së pari dhe shumë, detyrimisht takohet.
Këtu kemi folur shumë dhe kemi provuar e dokumentuar, përse politika serbe nuk mund të pajtohet me politikën ruse, por ne, në të njëjtën kohë themi se Serbia me askend më lehtë nuk do të munde ta arrinte qëllimin e vet përpos në pajtim me Rusinë, por vetëm atëherë kur Rusia do të pranonte krejt dhe shumë mirë (në mënyrë të përsosur) kushtet e Serbisë dhe e cila (Rusia) do t’ia siguronte Serbisë synimin e sipërm, domethënë të ardhmen në kuptimin hapësinor të saj. Një aleancë ndërmjet Serbisë dhe Rusisë do të ishte në të vërtetë shumë e natyrshme, por ajo varet nga Rusia vetë, të cilën Serbia do ta priste duarhapur, por gjithnjë pasi të jetë e bindur se Rusia propozimin e bën me gjithë mend dhe sinqerisht, gjë që mund të bëhet vetëm atëherë, në qoftë se Rusia tërhiqet nga “sistemi” i derisotëm i saj, d.m.th. në qoftë se mban qëndrimin mbi një marrëveshje më të natyrshme me Serbinë, ndonëse e vogël, sesa me Austrinë të cilën ajo edhe e ruan për sllavët perëndimorë. Megjithëse unë nuk shpresoj se Rusia do të donte ndonjëherë t’i afrohet sinqerisht Serbisë, megjithatë, është e nevojshme të zihet ngoje edhe këtu dhe të theksohet dobia që do të prodhohej për Serbinë dhe një shfaqje e tillë do të duhej menjëherë të ndodhte, sepse megjithëse është folur shumë kundër Rusisë, jo aq nga urrejtja sa nga shtrëngesa e nxitur nga vetë Rusia me sjelljet e shumta të saj.
Paksa fjalë për Bullgarinë dhe pastaj të kalojmë. Në qoftë se e kemi njohur mirë disponimin e shpirtit të popullit bullgar, dhe në qoftë se (nuk i kemi marrë parasysh) ato mjetet patriotike, të cilat ajo i përvetëson, tepër pak i kemi marrë parasysh, atëherë duhet të themi këtu se përpjekjet paksa më të gjalla për çlirimin e atdheut nga zgjedha turke ende janë larg. E Rusia gjithnjë aspiratat e veta këtej i drejton, sepse ky vend mu para portave të Stambollit gjendet dhe shtrihet në rrugë për në Stamboll: ndërkaq në raport me Serbinë, Bullgaria për Rusinë po atë pozitë dhe rëndësi ka. Në qoftë se Rusia vetëm edhe disa vjet, sikur vitet e shkuara, do të ushtrojë ndikim në Bullgarinë, dhe Rusisë Serbia i lë duar të lira të bëjë ç’dojë e vetë gjë prej gjëje të mos bëjë, Rusia atje do të dalë fitimtare.
Rusisë atje do t’i shkojë puna mbarë saqë për ndikimin serb atje s’do të ketë fare nevojë. Le të jetë kjo për Serbinë një tregues dhe vërejtje dhe ajo të mos ta harrojë se vetëm atëherë mund të presë miqësi politike në qoftë se dashurinë ndaj mikut që më parë e kemi dëshmuar dhe treguar. Serbia duhet patjetër të bëjë më shumë për Bullgarinë, sepse dashuria dhe mbështetja duhet të jenë të dyanshme, të ndërsjella.
Ndërkaq, pasi caktuam shkurtimisht pozitën e Bullgarisë së sotme dhe rëndësinë e madhe të saj për Serbinë dhe pasi prekëm ndikimin rus që atje sundon, po kalojmë dhe po marrim të skicojmë disa masa në hyrje se si duhet të vendoset ndikimi serb në Bullgari.
-
Bullgarët nuk kanë institucione edukuese dhe arsimore, prandaj Serbia duhet të hapë shkolla të veta në Bullgari.
-
Kleri bullgar, në të shumtën, është grek, e jo popullor-bullgar, prandaj do të ishte tepër e dëshirueshme dhe e dobishme që një numër bullgarësh të rinj të marrin shkollim në Serbi dhe në atdheun e tyre të kthehen si prifter.
-
Do të ishte punë e vlefshme sikur të shtypeshin libra lutjesh dhe të tjera kishtare bullgare dhe vepra bullgare në Serbi – këtë mjet të rëndësishëm Rusia e kishte shtënë në përdorim me kohë në Bullgari, e Serbia duhet të bëjë çmos që t’ia kalojë Rusisë.
-
Është e nevojshme që njerëz të besueshëm e të aftë të bëjnë udhëtime nëpër Bullgari të cilët vëmendjen e popullit bullgar do të tërhiqnin mbi Serbinë dhe në te (popullin bullgar) dhe të zgjonin ndjenja miqësie ndaj Serbisë dhe administratës serbe, dhe së bashku të ringjallin shpresën se Serbia bullgarët do t’i mbështesë në shpëtimin e tyre dhe të kujdeset për fatin e tyre.
Mbi politikën e Serbisë në dritën e Bosnjes, Hercegovinës, Malit të Zi dhe të Shqipërisë Veriore
Kur marrim të vështrojmë më për së afërmi sipërfaqen dhe pozitën gjeografike të këtij vendi, shpirtin luftarak të banorëve të tij, opinionin dhe mënyrën e mendimit të tyre, ne arrijmë lehtë në mendimin se fjala është për nderin e Perandorisë Turke, mbi të cilin Serbia mund të ketë ndikimin më të madh: deklarime, organizime të përhershme të kësaj influence na merr mendja se, tani për tani, është (1844) detyra kryesore e politikës serbe në Turqi.
- Kur dy popuj fqinjë duan ndërmjet tyre të vendosin lidhje më të lirë e më të ngushtë, aty atëherë shikohet që kufiri, sa të jetë e mundur të hapet sa më mirë, ashtu që qarkullimi i pandërprerë, sa më shumë që të jetë e mundur të jetë i lehtë dhe i gjallë. Por Serbia, nga bashkëkombasit e tyre është ndarë si me një mur kinez, dhe komunikim ka lejuar në pak vende, sa që ka shtëpi në qytete të mëdha, të cilat kanë mjaft pika kalimi për hyrje dhe dalje që nuk e duan principatën serbe. Për këtë arsye rojet e kufijve nuk duhet të pakësohen, veçse pikat e kalimit të kufirit duan shtuar për në Bosnjë, pse jo edhe për në Bullgari.
Përbërja e vendosur e seksioneve mund të ketë qenë e dobishme në kohën e vet, por ta mbash atë sistem sot, do të thoshte sikur ta izolosh dhe ta mbyllësh, çka me të ardhmen dhe me përparimin e saj bie ndesh.
- Duhet të shikohet që këta dy popuj ortodoksë-lindorë dhe rimokatolikë reciprokisht në politikën popullore të kuptohen dhe të bashkohen, sepse vetëm në atë mënyrë më së miri mund të ndiqet me sukses kjo politikë.
Obligimi i Serbisë është që bazat kryesore të kësaj politike të këtyre dy popujve t’i miratojë, sepse ajo në këtë vepër me rëndësi të madhe mund të procedojë (veprojë), që ajo sipas të drejtës së njohur diplomatike, në mbështetje të përvojës shumëvjeçare, e ka për detyrë. Njëra nga bazat kryesore është: parimi i lirisë së plotë të religjionit (besimit). Ky parim do t’u pëlqejë të gjithë të krishterëve, kush e di herë pas here edhe disa muhamedanëve, dhe do t’i kënaqë. Por si ligji kryesor i shtetit që është ai duhet të paraqitet dhe në këtë që dinjiteti i knjazit duhet patjetër të jetë trashëgues. Pa këtë parim të cilin e përbën njësia në dinjitetin më të lartë shtetëror një lidhje e përhershme shtetërore ndërmjet Serbisë dhe fqinjëve të tjerë serbë as që mund të mendohet.
Në qoftë se boshnjakët këtë nuk do ta pranonin, nga kjo do të rezultonte me copëzimin e serbëve në principata të vogla provinciale nën sundimin e veçantë të familjeve të cilat do t’u nënshtroheshin ndikimeve të huaja, të cilave do t’u hynte smira dhe zilia. Këto familje nuk do të lejonin kurr që interesin e dobisë së vet t’ia flijojnë familjes tjetër, madje as atëherë sikur nga një flijim i tillë do të varej përparimi i të gjithë këtyre popujve.
Nga këto pozicione themelore pason se, po qe se para këtij bashkimi të përgjithshëm të serbëve që ka filluar të transformohet veçanërisht në Bosnje, sa që ky transformim po bëhet asisoj që të shërbejë vetëm si përgatitje për atë bashkimin e përgjithshëm të serbëve e të provincave me një mënyrë kjo që është e vetmja që mund të llogaritet në arritjen e atij qëllimi të madh dhe të atij interesi që është për të gjithë këta serbë i njëjtë. – Unë këtu Serbinë po e vë përpara vetëm ngase ajo e vetëm ajo mund ta përgatisë këtë gjë dhe e ka për detyrë ta kultivojë “pa ja da” deri në kohën, e cila do të sjellë ekzekutimin e këtij plani, dhe Serbia do të veprojë deri në kohën kur do të krijohen kushtet. Kushdo që këtij populli ia dëshiron të mirën, ai nuk duhet t’ua rekomandojë boshnjakëve dinjitetin princor trashëgues. Në rastin e tillë lë të zgjidhen ndër ta njerëzit më të rëndësishëm nga mbarë populli, madje jo për gjithë jetën, por vetëm për një kohë të caktuar, të cilët do ta formonin si njëfarë këshilli. Me këtë pushtet qoftë edhe provincial dhe të ndarë, do të mbetej e hapur rruga për përparim; atëherë Serbia në kohën e duhur do të mund të lidhej e bashkohej lehtë me Bosnjën, sepse atëherë ky bashkim do të mbetet i mundshëm dhe i besueshëm.
Parimi i tretë themelor i kësaj politike është: uniteti i kombit, për të cilin përfaqësues diplomatik duhet të jetë Komiteti i Principatës së Serbisë. Njëherësh pra duhet bërë që boshnjakët dhe sllavët e tjerë edhe te ky duhet të gjejnë mbrojtje dhe çdo ndihmë tjetër kurdo që për këtë të jetë nevoja dhe të tregojë vlerën e këtij parimi. Në këtë pikëpamje Serbia duhet të jetë e bindur se ajo është patrone, protektoreshë e natyrshme e të gjithë sllavëve të Turqisë dhe se vetëm atëherë kur kjo ta marrë mbi vete këtë detyrë, sllavët e tjerë do t’ia lënë asaj këtë të drejtë që ajo në emër të tyre të thotë e të veprojë diçka. Po qe se Serbia fqinjëve të vet ua jep atë shembull fatlig e të keq se ajo mendon vetëm për vete, kurse për telashet dhe përparimin e të tjerëve nuk do të çante kokën, por këto do t’i shikonte me indiferencë, atëherë me siguri edhe ata do ta ndiqnin vetëm shembullin e saj, nuk do ta dëgjonin dhe kështu në vend të harmonisë dhe unitetit do të shfaqej mosbesimi, zilia dhe fatkeqësia.
-
Në të njëjtën kohë është e nevojshme në Bosnje e Hercegovinë që ndër popull atje të përhapen jo vetëm të gjitha ligjet themelore, kushtetuta dhe rregullimi shtetëror i Serbisë, por, me kohë, të pranohen në administratën shtetërore serbe disa boshnjakë të rinj, në mënyrë që duke marrë edhe praktikën në degë politike dhe financiare, të jurisprudencës të shërbimit publik duke u përgatitur për nëpunës të këtyre degëve dhe në fund atë dije në atdheun e tyre ta jetësonin. Kjo është e nevojshme këtu të vihet në dukje. Këta të rinj duhet të jenë nën mbikëqyrjen, të edukohen që në punën e tyre të ngadhënjejë ideja shpëtimtare e bashkimit të përgjithshëm dhe të përparimit të madh. Ky obligim nuk mbaron me një rekomandim!
-
Për t’u larguar populli i besimit katolik nga Austria dhe ndikimi i saj dhe për ta afruar atë sa më shumë me Serbinë, kjo do një vëmendje të posaçme. Kjo punë mund të arrihet më së miri nëpërmjet fretërve të këtushëm, dhe si gjëja kryesore është ndër këta të fitohet pajtimi i tyre me idenë e bashkimit të Bosnjes me Serbinë.
Për këtë qëllim është e nevojshme të jepet urdhër që ndonjë libër lutjesh dhe këngësh shpirtëroe të shtypen në shtypshkronjën tipografike beogradase; pastaj edhe libra lutjesh për të krishterët ortodoksë, ndonjë përmbledhje këngësh popullore, në të cilën në njërën faqe me alfabetin latin, në tjetrën në atë cirilik; përveç asaj, mund të jepej e botuar historia e përgjithshme, e shkurtër e popullit të Bosnjës, në të cilën nuk mund të mungonin nami dhe emri i disa boshnjakëve muhamedanë. Vetvetiu mund të supozohet se kjo histori do të duhej të shkruhet në frymën e kombësisë sllave dhe krejt në frymën e bashkimit të popullit serb dhe boshnjak. Nëpërmjet të këtyre botimeve dhe me rastin e shtypjes së këtyre veprave të përshtatshme patriotike, si edhe me anë të veprimtarive të nevojshme, të cilat do të duheshin me mençuri të zgjidhen. Bosnja do të çlirohej nga ndikimi austriak dhe ky vend do të prirej (kthehej) më shumë nga Serbia. Në këtë mënyrë Dalmacia dhe Kroacia, në të njëjtën kohë, do të fitonin ato vepra, botimi i të cilave në Austri ishte i pamundur, me çka do të rezultonte një ngjizje më e ngushtë e këtyre vendeve me Serbinë dhe Bosjnën.
- Gjithë tregtia e jashtme e Serbisë gjendet në duart e Austrisë (kjo është fatkeqësi, kundër së cilës përcaktime të sakta ua lë njerëzve të financave që ta zbërthejnë, e unë do të prek diçka paksa ka të bëjë me këtë plan dhe rëndësinë ta plotësoj). Të marrësh e kapësh lidhje me anë të Zemunit me shtetet e huaja dhe të hysh në marrëdhënie të drejtë tregtare, është një gjë gjithnjë mjaft e rëndë. Për këtë arsye Serbia duhet të kujdeset të gjejë një rrugë tjetër tregtare, që atë nga deti do ta nxjerrë dhe asaj atje t’i krijojë një port. Një rrugë e tillë mund të jetë vetëm ajo, sot për sot e mundshme, që nga Shkodra çon në Ulqin. Këtu tregtari serb do të gjente me prodhimet natyrore të tij tek marinarët natyrorë dalmatinë dhe tregtarët bashkëfarefisnorë që njëkohësisht janë edhe njerëz të shkathët dhe të aftë, të cilët me rasën e blerjeshitjes së mallrave do t’u gjendeshin tregtarëve tanë. Prandaj do të ishte e nevojshme agjencia tregtare serbe të ngrihet dhe të vihet nën mbrojtjen dhe ruajtjen e saj shitja e prodhimeve serbe dhe blerja e mallrave franceze dhe angleze.
Me këtë rast administrata do të duhej si hap të parë të marrë e ta emërojë një agjent tregtar në Ulqin, i cili, nga ky vend, tregtarin serb, si të painformuar, do ta drejtonte nga duhet të shkojë. Ky agjent tregtar me të marrë kontakt me tregtarët tanë vendorë, do të kishte shumë punë që tregtia jonë atje me dobi të drejtohej dhe mbasi administrata të jetë e sigurt mbi dobitë, atëherë ajo të shpallë me anë të shtypit përfitimin që në atë mënyrë i sillet tregtisë sonë, d.m.th. të dërgohen tregtarët tanë në atë vend ku nxirret fitim. Në qoftë se vetëm disa tregtarëve do t’u shkonte për dore që atje të arrijnë e të bëjnë punë të dobishme, të tjerët shumë shpejt do të ndiqnin shembullin e tyre, dhe hap pas hapi do të çelej rruga e tregtimit pa pasur nevojë që administrata të çajë kokën për të, sepse tregtarët mandej vetë do t’i hapnin rrugë vetes, ndërsa agjentit administrativ do t’i mbetej vetëm të kujdeset që tregtarët atje të mos pësojnë kurrfarë shtypjeje. Nga ky urdhër, nga kjo porosi do të rezultonte që çmimi i prodhimeve serbe të Jugut, të eksportuara në Veri të ngrihet, ndërsa çmimi i mallit të importuar nga Veriu në Serbi të ulet nga konkurrenca e mallrave të importuara nga Jugu. Me një fjalë, shkurt një serb, kështu më shtrejtë do të shiste dhe më lirë do të blinte.
Nga aspekti politik kjo masë do të kishte një rëndësi jo edhe të vogël, sepse agjenti tregtar serb do të ishte ndër banorë serbë dhe kjo rrethanë do të rriste ndikimin e Serbisë tek shqiptarët e Veriut dhe në Mal të Zi e këta janë bash ata popuj që i mbajnë çelësat e portës së Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe të vetë Detit Adriatik. Vendosja e kësaj agjencie serbe dhe themelimi i saj atje – jemi të bindur si një gjest politik i Serbisë - konsideroj se do të ishte me një rëndësi të jashtëzakonshme për ata popuj dhe në mes këtyre popujve dhe Serbisë do të arrihej një lidhje shumë lehtë.
Franca dhe Anglia jo vetëm se nuk do të ishin kundërshtare por edhe do ta mbështetnin; po as Porta, gjithashtu, s’do të kishte gjë kundër, sepse me këtë një port i saj rishmë do të lulëzonte.
-
Përpos të sipërpërmendurës shtypje të librave ndoshta nuk do të ishte keq dhe këshilluese që njëri nga fretërit boshnjakë të punësohet pranë liceut të Beogradit si profesor i latinishtes dhe i një shkence tjetër. Ky profesor do të ishte njëfarë ndërmjetësi ndërmjet Serbisë dhe katolikëve në Bosnjë, dhe kështu ne do bënim hapin e parë të mirëbesimit dhe me këtë do të tregonim tolerancë. Pse nuk mund të themelonte po ai fratër një kapelë katolike (kishëz) për banorët e këtushëm katolikë, me çka do të shmangte ngritjen e një kapele me ndikimin austriak, gjë që herdokurdo do të ndodhë. Kjo kapelë mund të vihej nën patronatin e konsullit të këtushëm francez. Kështu do t’i jepej shkas dhe shtytje administratës franceze që ajo në atë punë të angazhohet fort mirë, po edhe Serbia të shpëtojë nga rreziku që mund t’i vinte nga kisha katolike nën influencën e Austrisë në Beograd.
-
Karagjorgji ishte një udhëheqës ushtarak fort i talentuar dhe me përvojë të madhe; ai nuk mund ta parashikonte rëndësinë tepër të madhe që Mali i Zi gjithherë për Serbinë do ta ketë sa herë që bëhet fjalë që Bosnja dhe Hercegovina të shkëputen nga Turqia për t’iu bashkuar Serbisë. Marshimin e Vojvod Karagjorgjit në Sjenicë dhe Novi Pazar të gjithë serbët edhe sot fort mirë e mbajnë në mend, dhe s’është nevoja që propozimin e ardhshëm ta mbështesim me të dhëna të reja. Serbia edhe në Mal të Zi le të ndjekë shembullin e Rusisë dhe le të vazhdojë t’i japë peshkopit rregullisht ndihmën e përvjetshme në para të thata. Serbia, në këtë mënyrë, me një çmim të vogël do të gëzojë miqësinë e një vendi, i cili mund t’i japë dhjetëmijë ushtarë malësorë. Këtu mund të shtonim që po të shtyhen këto ndihma materiale për shtënien e fallit të fundit, magjia – falli nuk do të ketë sukses të dëshiruar dhe trashëgues a pasues duke qenë se Rusia do të mundet me të drejtë të mbështetet në ndihmën e saj shumëvjeçare dhe të përhershme, ndërsa propozimi i ri rastësisht i dhënë, do ta diskreditojë atë dhe ta vërë në dyshim; e malazeztë atëherë do të thonë: Serbët nuk na kanë ndihmuar kur kemi qenë ngushtë – me ç’gjë tregojnë se nuk janë miq tanë, vetëm sa duan të na shfrytëzojnë.
Sremi, Baçka dhe Banati
Në vështrimin e parë do të mendohej se Serbia ka marrëdhënie më të mira miqësore me këto treva; duke qenë të një prejardhjeje, gjuha, besimi (feja) doket e zakonet janë të njëjtë me të atyre në Serbi. Në qoftë se nuk del kështu, atëherë për mashtrimin a fanitjen t’i dihet për nder Serbisë, sepse ajo (Serbia) s’ka bërë gjë prej gjëje që ta ketë miqësinë e saj. Na mban shpresa se përkundër gjithë ndikimit armiqësor të Austrisë ky raport i gabuar me kohë do të pushojë dhe i përmirësuar në një masë në të cilën principata serbe gjithnjë shumë e më shumë do të tregohet si një shtet i organizuar dhe i ngritur kulturalisht mirë.
Tani për tani, mos asgjë tjetër, së paku do të duhej të njiheshin burrat me peshë të këtyre trevave, dhe të nxirret e të botohet një gazetë serbisht me rëndësi e cila nën mbrojtjen kushtetuese të Hungarisë të mund të kryente punë në dobi të popullit serb.
Mbi bashkëlidhjet me sllavët e Çekisë
Me këta sllavë, me këtë rast, nuk do të merremi, jo pse ata nuk do të hynin në një plan të tillë, por pse kjo shumëkujt në këto fillime, do t’i dukej një gjë jopraktike. Prandaj, duke e kaluar atë shpejt, dhe duke lënë që interesat, të cilët nga ajo lidhje do të buronin, të njihen në mbarim të vetë këtij plani; ne tani për tani vetëm duam të rekomandojmë si të nevojshme të niset Serbia të bëhet e njohur nga sllavët e Çekisë, të Moravisë dhe Sllovakisë, dhe kjo bëhet në një mënyrë fort të matur e të mençur ashtu që Austrisë mos t’i binte në sy.
(Marrë nga libri: Hivzi Islami, SPASTRIMERT ETNIKE /Politika gjenocidale serbe ndaj shqiptarëve, botuar nga Shtëpia Botuese “Ddukagjini”, Pejë, 2004.)
(Footnotes)
- Marrë nga Izvori velikosrpske agresije, Rasprave-dokumenti, (Red. B. ovi), A. Cesarec-‘kolska knjiga, Zagreb, 1991, f. 65-77. Projekti është botuar për herë të parë në vitin 1906. Shih M Vu
kovi, Program spoljne politike Ilije Garašanina na koncu 1844 godine, Delo XXXVIII, Beograd, 1906, f. 321-336 dhe D. Stranjakovi, Kako je postalo Garašaninovo “Na
ertanije”, Spomenik SKA, XCI, Beograd, 1939, f. 76-102.
Përktheu: Idriz Ajeti
By Ilija Garašanini