- FUTI NË PËRDORIM LAJTHITJET E TUA
Që të gjithë e kemi dëgju atë refrenin dëshprues: "E, pra, atëherë dukej si ide e mirë!" Kjo frazë erdhi e u bë reflektim i mjerë i një idioti, një shenjë budallallëku, por në fakt na duhet ta çmojmë si shtyllë të urtisë. Çdo qenie, çdo agjent, që vërtet mun me thënë: "E, pra, atëherë dukej si ide e mirë!" qëndron në prag të madhështisë. Na, qeniet njerëzore, krenohemi me inteligjencën tonë dhe një nga shenjat e saja spikatëse ësht se mujmë me rikujtu të menduarit tonë të mëparshëm e me reflektu për të – për atë se si dukej ajo, për atë se pse ishte tunduese në fillim e masandej se ku e mori të mbrapshtën.
Nuk dij që të ketë ndonjë evidencë për me sugjeru se cilado llojni (specie) tjetër në këtë planet të mund ta mendojë këtë mendim. Me pasë mujtë, këto llojni kishin mujtë me qenë pothujse po aq të zgjuara sa edhe na. Pra, kur lajthit, duhesh m'u mësu me marrë frymë thellë, m'i kërcëllu dhëmbët e masandej m'e shqyrtu kujtesën tënde rreth kësaj lajthitjeje, sa më pamëshirshëm dhe sa më paanshëm që mundesh. Nuk ësht kollaj. Reagimi i natyrshëm i njeriut, kur lajthit, ësht m'u sikletosë e m'u zemru (kurrë nuk jemi më të zemruar, sesa kur zemrohemi me veten tonë) dhe na duhet me bë shum përpjekje për m’i kapërcy këto reagime emocionale.
Përpiqu m'e nxënë praktikën e pazakontë që t’i shijosh lajthitjet e tua, duke u kënaqë me zbulimin e tekave të çuditshme që të qesin jashtë udhe. Masandej, sapo t'i kesh vjelë të gjitha të mirat që përfitohen, mbas atyre lajthitjeve që i ke bë, mun, lumnueshëm, m’i qitë në harresë e m’ia nisë me tjetrën mundësi të mirë që të ofrohet. Por kjo nuk mjafton: duhet, në mënyrë aktive, me kërku mundësinë vetëm për me mujtë me rimarrë veten prej lajthitjesh të këtilla.
Në shkencë lajthitjet e tua i bën faqeza, faqe botës. I paraqet në mënyrë që të gjithë me mujtë me mësu prej tyre. Në këtë mënyrë përfiton prej përvojës së secilit e jo vetëm prej përvojës së shtegut tënd idiosinkretik nëpër hapësirën e lajthitjeve. (Fizikani Wolfgang Pauli shprehu shkëlqyeshëm përbuzjen e tij për punimin e një kolegu si "as, së paku, të gabuar." Një falsitet i qartë, i shqyrtuar në bashkari me kritikët, ësht më i mirë se një çorbë e vagullt fjalësh.)
Kjo, meqë ra fjala, ësht një tjetër arsye pse na, njerëzit, jemi shum më të zgjuar se çdo llojni tjetër. Kjo nuk vjen aq nga shkaku që truri jonë ësht më i madh ose më i fuqishëm, apo se kemi zotësi me reflektu për gabimet tona të kaluara, por ngaqë i kemi të përbashkëta përfitimet që truri jonë individual i ka fitu nëpërmjet historisë së tij individuale të sprovim-gabimit.
Habitem kur shoh se sa njerëz vërtet të zgjuar nuk kuptojnë që ka mundësi me bë publikisht lajthitje të mëdha e me dalë pa therë në këmbë. Njoh studiues të shquar të cilët bëjnë gjithçka vetëm e vetëm mos me pranu se kanë lajthitë në lidhje me diçka. Në fakt, njerëzve u pëlqen kur dikush pranon se ka bë lajthitje. Të gjitha shtresave të njerëzve u pëlqen me i vënë në dukje lajthitjet.
- RESPEKTOJE KUNDËRSHTARIN TËND
Sa bujar pritet me qenë kur kritikon pikëpamjet e një kundërshtari? Nëse ka kundërthënie evidente në shqyrtesën e kundërshtarit, atëherë duhet m’i theksu me vendosmëri. Nëse ka kundërthënie disi të paqarta, duhesh m’i vënë në dukje me kujdes - e masandej m'i kritiku. Por kërkimi i kundërthënieve të paqarta shpesh kalon vijën në të lypurit qime në përpeq, në ngucakeqësi dhe në parodi të mirëfilltë. Gjakimi fërgëllues dhe bindja se kundërshtari jot duhet të jetë hutu diku të jep zemër me bë një interpretim të lig, që e bën atë cak të lehtë për sulm.
Por caqe të tilla të lehta janë zakonisht të parëndësishme për çështjet e vërteta që janë në shqyrtim e sipër dhe thjesht ua humbim kohën dhe durimin të gjithëve, edhe në qoftë se këto i dëfrejnë mbështetësit tuaj. Antidoti më i mirë që dij për këtë prirje të karikimit të kundërshtarit ësht një listë e rregullave të shpallura shum vite më parë nga psikologu social dhe teoricieni i lojës Anatol Rapoporti.
Qysh me hartu një shtjellim të suksesshëm kritik:
-
Përpiqu me rishprehë qartë, gjallnisht dhe paanshëm qëndrimin e atij që e kritikon, në mënyrë që aj me thënë: "Faleminderit, kisha dashë të kisha mendu e ta kisha thënë në këtë mënyrë."
-
Listo çfarëdo pike të përputhjes së mendimeve (sidomos në qoftë se ato nuk janë çështje e një pajtimi të përgjithshëm ose të një pajtimi mbizotërues).
-
Zër në gojë gjithçka që ke mësu nga kundërshtari jot.
-
Vetëm atëherë të lejohet me thënë ndonjë fjalë përgënjeshtruese ose kritike.
Një efekt i menjëhershëm, duke i ndjekë këto rregulla, ësht se personat që i kritikon kanë me qenë audiencë e pranueshme për kritikën tënde: tashmë ke tregu se i kupton pozicionet e tyre ashtu si ata dhe ke tregu gjykim të drejtë (je dakord me ta në disa çështje të rëndësishme dhe të kanë bindë me disa gjëra që kanë thënë ata). Duke i ndjekë rregullat e Rapoportit ësht gjithmonë, për mua, një diçka si përpëlitje...
Shpirtbujarët e çmojnë faktin që u jep mundësi me të ndihmu dhe me ua dijtë për nder, kur ia kanë dalë me të ndihmu; shpirtmirët gëzohen kur t'i gjejnë lajthitjet. Le ta bëjnë! Qyshdo me dalë, që të gjithë jemi fitues.
- BORIA “SIGURISHT”
Kur je duke i lexu apo duke i çukërmu [ang. skimming] esetë argumentuese, veçanërisht të filozofëve, ja një trik i shpejtë që mun me të kursy shum mund dhe kohë, sidomos në këtë periudhë të kërkimit të thjeshtë me kompjuter: kërkoje fjalën "sigurisht" në dokument dhe kontrolloje secilën shfaqje të saj. Jo gjithmonë, madje as në shumicën e rasteve, por shpesh fjala "sigurisht" ësht e dobishme po aq sa një dritëz xixëlluese që zbulon një pikë të dobët në argument.
Pse? Sepse kjo shënon vetë skajin e asaj për çfarë autori, në fakt, ësht i sigurtë dhe shpreson që edhe lexuesit kanë me qenë të sigurtë. (Nëse autori do të ishte vërtet i sigurtë se të gjithë lexuesit pajtohen me këtë, nuk do t’ia vlente të përmendej kjo fjalë.) Duke qenë as me shehër, as me Barilevë, autori duhet të ketë bë një gjykim subjektiv se a me u përpjekë apo jo m’e demonstru pikën në shqyrtim e sipër apo me ofru evidencë për këtë dhe – duke qenë se jeta ësht e shkurtë – vendos në favor të një pohimi pa fakte, me sa duket, me një hershim (anticipim) të bazuar mirë se ka pajtim. Bash një asi vendi për me gjetë një 'truizëm' të keqshqyrtuar që s'ësht i vërtetë!
- JEPI PËGJEGJE PYETJEVE RETORIKE
Ashtu qysh duhet m’e mbajtë njërin sy çelë për "sigurisht"-in, duhet të zhvillosh një ndjeshmëri për pyetjet retorike në cilindo argument apo polemikë. Pse? Sepse, ashtu si përdorimi i "sigurisht-it", ato tregojnë padurimin e autorit për me i ra trup. Pyetja retorike ka një pikëpyetje në fund, por pa synimin që dikush me dhënë përgjegje. Dmth. autori nuk e lodh kryet duke pritë përgjegjen tënde, pasi përgjegjja ësht aq e vetëkuptueshme sa që kish me të ardhë marre edhe m'e thënë!
Ja një një shprehi e mirë që ia vlen me kriju: sa herë që sheh pyetje retorike, provo - në heshtje, vetvetes – m’ia dhënë një përgjegje të pavetëkuptueshme, joashiqare. Nëse e gjen një të mirë, befasoje bashkëbiseduesin tënd duke iu përgjegjë kësaj pyetjeje. Më kujtohet një karikaturë e Peanutsëve, e para disa viteve, që e ilustron mirë këtë taktikë. Charlie Browni sapo kishte pyetë, retorikisht: "Kush mun e thotë se ç'ësht mirë e çka s'ësht mirë këtu?" dhe Lucy, në kuadrin tjetër, ishte përgjegjë: "Unë të kallxoj."
- FUTE NË PËRDORIM BRISKUN E OCKHAMIT
Kjo mënyrë gjykimi që i mveshet William Ockhamit, logjikan dhe filozof anglez i shekullit XIV, në fakt, ësht një rregull shum më e vjetër e tahminit. Emri latinisht për këtë ësht lex parsimoniae, ligji i ekonomizimit. Në anglisht zakonisht vihet si maksimë "Mos shumzoni entitetet përtej të së domosdoshmes".
Ideja ësht e thjeshtë: mos sajo teori të ndërlikuar, ekstravagante, në qoftë se e ke një të thjeshtë (që përmban më pak përbërës, më pak entitete) e që ndoron dukurinë po kaq mirë. Nëse ekspozimi ndaj ajrit tejet të ftohtë mun m'u llogaritë për të gjitha simptomat e morthit, mos postulo të pavëzhguarat "mikrobe të borës" ose "mikrobe të Arktikut". Ligjet e Keplerit shpjegojnë orbitat e planeteve; nuk kemi nevojë me supozu pilotë që, të fshehur nën sipërfaqe, i drejtojnë planetet nga panelet e kontrollit. Deri këtu ky parim ësht i pakundërthënshëm, por shtrirjet e mëtejme të këtij parimi nuk kanë gjetë gjithmonë mirëkuptim.
Një nga përpjekjet më pak mbresëlënëse për me zbatu briskun e Ockhamit për një problem të vështirë ësht pretendimi (dhe kundërpretendimet e provokueme prej tij) se duke postulu Zotin si krijues të gjithësisë ësht më e thjeshtë, më ekonomike, sesa pohimet alternative. Si mun me ndodhë që duke postulu diçka mbinatyrore dhe të pakuptueshme me qenë më ekonomike? Kjo më duket si kulm i ekstravagancës, por ndoshta ka mënyra më të zgjuara për m’e hedhë poshtë këtë sugjerim.
Nuk du me argumentu në lidhje me këtë; brisku i Ockhamit ësht, mbi të gjitha, vetëm një rregull e tahminit, një sugjerim shpesh i dobishëm. Mundësia që kjo të kthehet në parim metafizik apo kërkesë themelore të racionalitetit që mun me mbajtë peshën e të provuemit apo të hedhunit poshtë të ekzistencën së Zotit, me një të hov, ësht thjesht qesharake. Kjo kish me qenë si me u përpjekë me përgënjeshtru një teoremë të mekanikës kuantike duke tregu se ajo e kundërshton aksiomën "Mos i vër të gjitha vezët në një shportë".
- MOS HUMB KOHË ME BROÇKULLA
Ligji i Sturgeonit zakonisht shprehet në këtë mënyrë: 90% e gjithçkasë ësht broçkull. Pra, 90% e eksperimenteve në biologjinë molekulare, 90% e poezisë, e librave të filozofisë 90%, 90% e artikujve të recensionuar (peer-reviewed) në matematikë - dhe kështu tutje – janë broçkulla. A ësht kjo e vërtetë? E pra, ban vaki që ka njëfarë teprimi, por le të pajtohemi se ka shum punë mediokre të bërë në çdo fushë. (Disa idhnakë thonë se kjo ësht edhe më shum se kaq, diku 99%, por le të mos hyjmë n'atë lojë.)
Një mësim i mirë për me nxjerrë nga ky vëzhgim ësht se kur don me kritiku një fushë, një zhanër, një disiplinë, një formë arti... mos humb kohën tënde dhe tonën, duke piskatë majë plehu! Jepu mbas gjërash të mira ose mos e prish rahatinë. Kjo këshillë shpesh ësht shpërfillë nga synimi i ideologëve për me shkatërru reputacionin e filozofisë analitike, të sociologjisë, të antropologjisë kulturore, të makroekonomisë, të kirurgjisë plastike, të teatrit improvizues, të serialeve televizive, të teologjisë filozofike, të terapisë masazhore: thuje një, cilado që të vjen në gojë.
Le të përcaktojmë që në fillim se ka material të faqes së zezë, të dorës së dytë, nga të gjitha llojet. Tani, në mënyrë që të mos e humbësh kohën tënde dhe të mos shpërdorosh durimin tonë, sigurohu që je përqëndru në gjëra të mira që mun të gjesh, shembujt më të mirë të lëvduar nga prijatarët e asaj fushe, të shpërblyer në konkurse, jo llum e fundërrina. Vini re se kjo lidhet ngusht me rregullat e Rapoportit: pos në qofshi komedian, - qëllim kryesor i të cilit ësht m'i bë njerëzit me qeshë me karagjozllëqe prej gaztori,
- na kurseni nga karikatura.
- KUJDES NGA DIPITETET
Një dipitet [ang. ‘deepity’ (dijpití)] (term i shpikur nga vajza e mikut tem të ndjerë, Joseph Weizenbaumi, shkencëtar i kompjuterizmit) ësht një parashtrim që duket si i rëndësishëm dhe i vërtetë - dhe i thellë - por që këtë efekt e arrin duke qenë i dykuptimshëm. Në njërin lexim, sheshit ësht i rremë, por kish me qenë tronditës po t’ishte i vërtetë; në tjetrin lexim, ësht i vërtetë, por i parëndësishëm. Dëgjuesi i pakujdesshëm thith dritëzën e së vërtetës nga leximi i dytë dhe rëndësinë shkatërruese nga leximi i parë, dhe mendon: Eu! Po ky na qenka dipitet.
Qe një shembull (më mirë le të ulemi: kjo ësht materie e rëndë): Dashuria ësht vetëm fjalë.
Oh, ua! Kozmike. Tronditëse, apo jo? Gabim. Në njërin lexim, ajo ësht qartazi e rreme. Nuk jam i sigurtë se çfarë ësht dashuria - ndoshta emocion apo lidhje emocionale, ndoshta marrëdhënie ndërpersonale, ndoshta më e nalta gjendje që mun me arrijtë mendja e njeriut - por na të gjithë e dijmë se nuk ësht fjalë. Nuk mun me gjetë dashurinë në fjalor!
Mujmë me bë një lexim tjetër duke i ndihmu vetes për një konvencion që filozofët i kushtojnë koxha shum kujdes: kur flasim për fjalë, na e vëmë atë në thojza, kështu: "dashuria" ësht vetëm fjalë. "Djathburger" ësht vetëm fjalë. "Fjala" ësht vetëm fjalë. Por kjo nuk ësht e drejtë, thu ti. Kushdo që ka thënë se dashuria ësht vetëm fjalë po don me thënë, me siguri, diçka tjetër. Nuk ka dyshim, por ata nuk e thonë këtë.
Jo të gjitha dipitetet janë kaq të lehta për m'u analizu. Kohët e fundit Richard Dawkinsi më solli në vëmendje një dipitet të bukur nga Rowan Williamsi, atëherë arqipeshkv i Kantërbërit, i cili e përshkroi besimin e tij si "pritje e heshtur mbi të vërtetën, të ndenjur dhe frymëmarrje në prani të pikëpyetjes".
Po e lë analizën e këtij dipiteti si një ushtrim për ju.
Ky ësht ekstrakt i redaktuar nga "Pumps and Other Tools for Thinking " nga Daniel Dennetti, botu nga Allen Lane
Daniel Dennett: shkurtore e karrierës s tij
Lindë në Boston në vitin 1942, filozof dhe shkencëtar konjitiv, Daniel Dennetti, ia ka kushtu jetën e tij akademike studimit të filozofisë së mendjes, të shkencës dhe të biologjisë. Ka studiu në Harvard dhe Oksford. Ësht ateist dhe shekularist, i trajtuar shpesh si një nga "katër kalorësit e ateizmit" së bashku me Richard Dawkinsin, Sam Harrisin dhe Christopher Hitchensin.
Ka botu gjerësisht për tema të tilla si vullneti i lirë, teoria e mendjes dhe roli i përshtatjes në evolucion. Idetë e tij janë kritiku nga paleontologu Stephen Jay Gouldi dhe janë vlerësu nga psikologu Steven Pinkeri.
Në vitin 2012, ai u nderu me çmimin Erasmus, një çmim evropian për "një njeri që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për kulturën, shoqërinë apo shkencat shoqërore"; vlerësohej për "aftësinë e tij për të përçu rëndësinë kulturore të shkencës dhe teknologjisë për një publik të gjerë”.
Përktheu: A. Morina.
By Daniel Denneti