albaniana

Tregim

Stina e humbur

Kishte kaluar ndofta mesi i natës kur ra zilja e telefonit. Tingulli ishte aq i dobët, i mekur, sa mendova se nuk do të arrija të flisja dot. M’u duk se sa të ngrija receptorin, ai tingull i vakët do të shuhej në zhurmën e shiut dhe gjëmimet e asaj nate që më ngacmonin…

Kishte kaluar ndofta mesi i natës kur ra zilja e telefonit. Tingulli ishte aq i dobët, i mekur, sa mendova se nuk do të arrija të flisja dot. M’u duk se sa të ngrija receptorin, ai tingull i vakët do të shuhej në zhurmën e shiut dhe gjëmimet e asaj nate që më ngacmonin trishtimin e fshehur thellë në zgavrën e vet të përhershme, i cili jetonte bashkë me mua. Herë pas here, ai dilte nga zgavra dhe më jepte të tilla shqetësime, sa më shkaktonte një boshllëk në stomak dhe më pas dhimbje që më kapiste të tërën, si ajo bisha e egër që, duke e mbërthyer prenë në një pjesë të caktuar të trupit, e paralizonte atë krejt. Nuk e di nëse trishtimi është pjesë e qenies sime apo qenia ime është pjesë e trishtimit. E ç’rëndësi ka? Ndjej që ai ekziston potencialisht brenda meje.

Zilja e telefonit ra përsëri dhe unë u ngrita rrëmbimthi për të kapur sa më shpejt receptorin. Parandjeva se do të dëgjoja zërin e atij njeriu që, prej kohësh e kishte braktisur këtë mjet komunikimi, i cili i kishte shërbyer aq shumë për të ushqyer me bisedat e gjata e të shpeshta atë ndjenjë të veçantë që kishte shpërthyer në të dalë të dimrit, në prag të muajve pranverorë.

  • Alo, urdhëro, - fola me zë të qetë, po jo pa emocion.

  • Jam unë, - u përgjigj ai dhe për një grimë heshti.

  • Mos po flije? Apo po lexoje? - vazhdoi pa pritur përgjigjen time me një zë ku dallohej lodhje dhe mërzi.

  • Po ti, ç’bën në këtë orë të natës?

  • Jo, nuk jam në shtëpi. Flas nga hoteli.

  • Nga hoteli? Po ku je? - pyeta gati me padurim, pasi gjithmonë largësia më krijonte një ndjenjë afrie, malli, që shpesh i shuante pakënaqësitë, mosmarrëveshjet, zëniet. Qëllonte të mos shiheshim për një kohë të gjatë në qytetin ku jetonim të dy, madje afër njëri-tjetrit, por largësia ndikonte në një mënyrë të çuditshme te unë. Ndryshoja. Falja më shumë.

  • Në Itali, - u përgjigj ai.

  • Në Itali? Që kur?

  • Që prej gjashtë ditësh. Këtë radhë duhet të jem vetë kur të bëhet ngarkesa. Është e domosdoshme.

Zëri i tij i këputur, i trishtë, si duket nga vështirësitë e paparashikuara që nxjerr puna private, më bëri të lija mënjanë zemërimet, aq sa isha gati t’i thosha çdo fjalë për ta lehtësuar, siç bëja më parë. Por në fakt, nga goja më doli vetëm pyetja:

  • Kur do të kthehesh?

  • Do të mundohem të nisem nesër në darkë, – u përgjigj ai me zë gati të shuar.

  • Jo, nisu me ditë, të lutem, nata ka të papritura, dëgjon? - ngrita zërin.

  • Dua të kthehem sa më shpejt, - më ndërpreu ai.

  • Ki kujdes veten në radhë të parë, veten, - përsërita unë.

  • Pasi të kthehem, të martën, do të ikim diku të kalojmë natën bashkë, si thua?

  • ....

  • Më dëgjon apo jo?

  • Po.

  • Pse s’përgjigjesh atëherë?

  • Flasim kur të kthehesh. Fli tani se është vonë. Natën e mire, - e mbylla bisedën unë.

Do të doja t’i thosha diçka tjetër që kishte lidhje me mallin, me boshllëkun që më kishte krijuar shkëputja e tij pa asnjë shkak, pa asnjë shpjegim; për shumë e shumë ndjesi që në atë çast fituam ngarkesa të reja emocionale, por këtë radhë u përmbajta. Pa sforcim. Nuk e di ç’kisha pësuar, por ndryshe nga herët e tjera kur ndjenjat ia shprehja në lloj-lloj mënyrash, madje jo rrallë kur ai ishte i drobitur nga punët që i shkonin mbroth, i jepja më shumë se ç’ndjeja, që të mund ta lehtësoja nga streset e një pune që nuk varej vetëm prej tij (shumë gjëra diktoheshin nga marrëdhëniet me të tjerët), këtë radhë nuk e bëra këtë. Kisha kohë që në kundërshtim me natyrën time, thosha më pak se ç’ndjeja, shumë më pak. Jo se mendoja, siç gjykojnë një pjesë, që partnerët duhet t’i japin njëri-tjetrit sa më pak, që me sjelljet e tyre, shpesh duhet të bëhen të pakuptueshëm, misteriozë në mënyrë që ndjenjat të mos arrijnë pikën e ngopjes, po të mund të zgjasin sa më shumë etj. etj. Mua gjithmonë këto thënie më janë dukur gjykime të asaj kategorie njerëzish që, fatkeqësisht, nuk arrijnë ta njohin thelbin e vërtetë të ndjenjës. Një ndjenjë e fuqishme kërkon të ushqehet me të gjitha format e mundësitë, në mënyrë të vazhdueshme, me tërë forcën e shpirtit e të mendjes, veçanërisht të mendjes që, me fantazinë e saj, hap shtigje të pafundme e të reja, të panjohura, që e pasurojnë dhe e kompletojnë vazhdimisht atë, duke i bërë partnerët më të kërkueshëm e më të domosdoshëm për njëri-tjetrin. Por kjo gjë, si duket, nuk është privilegj i të gjithëve, por i njerëzve me një botë shpirtërore të veçantë e komplekse.

Te këta, ndjenja e vërtetë është një lloj enigme, një farëz sekreti me një kod të veçantë, deshifrimi i të cilit është një thesar i brendshëm i tyre, që prodhon vazhdimisht vlera të kualiteteve të tilla që i pasurojnë dhe i pajisin ata me dhunti çudibërëse në jetë.

Këto mendime më bënë që telefonata, në vend të më jepte gëzim si herët e tjera, më krijoi një lloj pasiviteti, madje kapitjeje. Diku, një fije nga ato që mbanin peshën kryesore të lidhjes sonë (sepse janë shumë fije të dukshme e të padukshme që lidhin dy njerëz) duhej të ishte këputur, duke shkaktuar në shpirtin tim një thyerje, që më pengonte të ndjeja shijen e gëzimit apo të zemërimit (kur grindeshim) deri në fund. E vërteta ishte se midis nesh diçka nuk ishte si më parë. Ndofta më shumë se diçka. Megjithatë, ditën e takimit e prita me ankthin e një malli të grumbulluar prej shumë kohësh. Ai më priste para hotel 15-katëshit. Hapi derën e makinës dhe unë tërë emocion, duke i prekur dorën lehtë në formë përshëndetjeje, i thashë: - Ama ç’vend ke gjetur për takim...

Ai pa mbaruar unë fjalët, ia plasi gazit dhe ma ktheu: - Harrove që vetë e caktove para kësaj ndërtese gjigande?! - dhe vazhdoi të qeshurën me zë të lartë. Makina u nis me vërtik dhe ne vazhduam komentin për vendin e përshtatshëm të takimit. Më pas filloi biseda për peripecitë dhe vështirësitë që kishte kaluar për blerjen e materialeve, pasi ishin rritur përsëri çmimet jashtë shtetit, për ngarkesën që duhet të ishte vetë i pranishëm, megjithëse kishte një njeri që merrej me këtë problem, për rregullat doganore etj. etj. Unë gjithmonë i dëgjoja me vëmendje edhe hollësitë më të vogla personale pa më krijuar asnjë lloj bezdie, por kohët e fundit problemi i fitimit dhe rrugët për të siguruar mundësi të reja zinin pjesën kryesore të bisedave të tij.

Një shi i imët që filloi të binte, i dha më tepër ngrohtësi dhe intimitet ambjentit brenda makinës. Avulli që mbushte xhamat, pikat e shiut që dendësoheshin edhe më shumë, zëri i tij që herë pas here përkthente fjalët e një kasete që sapo kishte vënë në kasetofon, më krijuan një gjendje paqeje në shpirt, aq sa isha gati t’i falja çdo lëndim dhe fyerje që më kishte shkaktuar kohët e fundit (kishte një ndryshim të dukshëm nga muajt e parë të njohjes), të falja çdo të keqe që më kishte bërë ndokush, të zbusja ligësitë në shpirtrat e atyre njerëzve që, çdo lloj force apo privilegji të pamerituar e përdorin padrejtësisht vetëm në shërbim të egos së tyre, pa i vrarë ndërgjegjja që shkatërrimi shpirtëror e fizik që u shkaktojnë të tjerëve është i pariparueshëm, fatal. Cili është raporti i drejtësisë dhe i padrejtësisë në botë? Cila dominon? O Zot, jeta është kaq e shkurtër sa duhet të mbizotërojë drejtësia. Nuk isha e qetë. Në tërë qenien time ndjeja të më vërshonte gjaku si një përrua që ndryshon shpejtësinë nga prurjet e shumta të ujrave pranverore. Në këtë gjendje, kur mendimet ndiqnin njëra-tjetrën si valët e detit, dallova të shndriste një dritë e ngrohtë qiellore, që filloi të më pushtonte të tërën. Ndjeva një ngrohtësi dehëse. Isha gati t’u jepja edhe të tjerëve pjesë nga kjo dritë magjike, që t’i shkëpusja sadopak nga hallet dhe tensionet e jetës së përditshme, t’u injektoja nga ai nektar i jetës njerëzore që e ka emrin lumturi. U ndjeva befas e lumtur. Ka çaste kur njeriu e gjen një arsye për të larguar trishtimin. Ktheva kokën të shihja profilin burrëror të atij njeriu që përbënte pa dyshim burimin kryesor të lumturisë sime. Me sa pak gjëra dhe sa thjesht mund të bëhesh i lumtur!, vazhdoja të meditoja. Por ka njerëz që janë më pak të lumtur seç meritojnë, ka të tjerë që marrin atë çka nuk u takon dhe lumturohen. E urrej padrejtësinë, vuajtjen, varfërinë. Do të doja që njerëzit, duke filluar që nga vetja, të përjetonin më shumë lumturi se sa dhimbje cfilitëse, secili të jetontë atë çka meritonte realisht. Ndofta ndonjëherë lumturia ështa aty rrotull, fare pranë, dhe ti nuk e kap dot.

O Zot, aq sa e thjeshtë duket jeta në një moment, aq e papërballueshme bëhet në një tjetër. Jeta më duket si një lëmsh i koklavitur, që njerëzit rropaten tërë kohën t’i gjejnë fillin për ta sistemuar e për ta vënë sa më shumë në shërbim të vetes. Por kur ajo mplekset më keq e ti vazhdon të kërkosh e të kërkosh me ngulm fillin për ta shpleksur, ndërkohë, në këtë mundim cfilitës, si mundimi i Sifizit, jeta ka marrë të tatëpjetën me një shpejtësi të llahtarshme...

  • Ti je e vetmja dashuri e vërtetë e jetës sime. Sa më thellë të ndjej, aq më i pazoti bëhem për të ta shprehur. Një Zot e di se sa të dua..., - ma ndërpreu mendimin zëri i tij i ngrohtë dhe paksa ngacmues. Më erdhi t’i hidhesha në qafë që më shkëputi nga ajo kllapi meditimi, ku bija herë pas here pa dashje. Fjalët e tij më drithëruan shpirtin dhe i dhanë një ripërtëritje totale tërë qenies sime. Më erdhi ta shtrëngoja fort në gjoksin tim me gjithë forcën e sapofituar, ose më saktë, të porsa dhënë prej tij, por u përmbajta. Çdo lëvizje, sado e vogël nga ana ime, kur ai ishte i përqendruar në timon, mund të ishte me pasoja negative.

Ndërkohë ai ktheu kokën në drejtimin tim dhe pyeti:

  • Të pëlqejnë fjalët e kësaj kënge?

Unë ngriva. Në atë çast kuptova se ato nuk ishin fjalët e tij, por përkthimi i një kënge nga një kasetë e vënë rishtas. Nuk e dhashë veten. Nuk fola, por u gëlltita fort për të mbajtur lotët, ndërkohë që kishin rrëshqitur nga cepat e syve, faqeve.

  • Kaq shumë u preke?! – tha ai duke dashur të vazhdonte më tej përkthimin.

  • Po, – u përgjigja me zë të dridhur nga tronditja. Në fakt, vargjet e kësaj kënge më kujtuan një mëngjes, para disa muajsh kur më telefonove dhe më the afërsisht po këto fjalë: Je e vetmja ndjenjë e jetës sime. Vetëm Zoti e di sa të dua.

  • Unë të paskam thënë këto fjalë?! – ndërhyri ai më të shpejtë dhe me një lloj humori të turbullt. Në fillim u hutova dhe e pashë me vërejtje, për të kuptuar nëse bënte shaka apo ishte një gjendje e përcaktuar e karakterit të tij, që unë nuk e kisha pikasur deri në atë kohë.

  • Jo, jo s’është e mundur, s’t’i kam thënë unë, – vazhdoi ai dhe uli pak zërin e kasetofonit, ndërsa fytyra i mori pamjen e atij njeriu, që ndonëse mohon diçka të rëndësishme, në ndërgjegje është krejtësisht i bindur për të kundërtën.

  • Nuk po të kuptoj, po bën humor? Ka qenë pas asaj nate që ishim bashkë në plazh. Vetëm të dy, - theksova pas pak.

  • Do të kem qenë i dehur, – ndërpreu ai, – me siguri i dehur, ka folur pija, - tha dhe tërë tiparet e fytyrës i morën një pamje neutrale përveç cepave të buzëve, që ruanin ende një nënqeshje djallëzore.

Unë heshta, nuk kisha dëshirë ta vazhdoja më atë dialog, pasi kisha frikë se ato dy fjali, të cilat përbënin thelbin e një lidhjeje që rrallëherë haset në jetë, do të shkërmoqnin pjesën më të brishtë të shpirtit tim. Më kaloi një e dridhur sikur më kishin hedhur papandehur një shuk dëbore në trup, atëherë studentë, kur luanim në ditët e rralla të dimrit me ngricë. Aq thellë më depërtoi ai lloj i ftohti, sa një akullsirë e mbledhur në stomak më shkaktoi ndjenjën e përzierjes. Makina vazhdonte të shkiste me ritmin e mëparshëm, ai përkthente normalisht fjalët e këngëve që pasonin njëra-tjetrën, ndërsa unë isha kthyer në një copë akulli, me dimensione njeriu, të cilin ai ambient aq i ngrohtë dhe intim, në vend që ta  shkrinte, e ngurtësonte më shumë. Pas një copë rruge, përzierja u bë aq domionante, sa kërkova të ndalonim për të pirë diçka. Ndaluam në klubin më të parë. Ai mori një Johny Walker, gjë që ma propozoi dhe mua.

  • Jo, dua diçka të ngrohtë, - fola më zë pothuaj të përgjysmuar.

Ai nguli këmbë të merrja një Johny Walker, sepse ishte nga kualitetet më të mira të uiskit që tregtohej në atë cep të kryeqytetit të mbushur me lloj-lloj klubesh.

Fjalët e tij më vinin si nga larg, prej një bregdeti të panjohur, dallgët e të cilit përplaseshin herë pas here në shpirtin tim të lënduar dhe zhurmonin kaq shumë, sa i pakësonin efektet e fjalëve të tij, të cilat tek unë arrinin herë-herë të dobëta e ndoshta të pakuptueshme...

Kisha dëgjuar prej tij që pasditeve mblidhej me shokët në këtë klub misterioz për nga klientët dhe pamjen aspak lluksoze, por që tërhiqte vëmendjen me atë paraqitje primitive si të një kasolleje të ndërtuar ashtu shpejt e shpejt sa për të futur kokën, pa dritare, pa dyer, gjysmë errësirë e që pas frekuentimit të parë, të linte një shije të prishur sa nuk kishe më dëshirë të vije për së dyti.

Këtu bëhen takime me lloj-lloj njerëzish të niveleve të ndryshme, që kanë lidhje me punë shtetërore, private, biznesi etj. etj., më pati thënë një ditë, si për t’u justifikuar, pasi e kisha parë disa herë në atë vend me fytyra burrash e grash krejt të papërshtatshme për të. Dhe unë e besova.

Thitha çajin, e etur për ngrohtësi, dhe e zura filxhanin me të dy duart. Ky veprim më ngacmoi një kujtim të ëmbël. Dhe atëherë po pija çaj si tani. Isha ulur pranë tij dhe ndjeja nja mall zhuritës. Pa pritur e pyeta:

  • Ç’do të doje të bëje në këtë çast?

  • Do të doja të isha filxhani yt i çajit, – u përgjigj aty për aty.

  • Atëherë tërë jetën time do të mbetem duke pirë çaj, – e ndërpreva dhe filluam të qeshnim të dy.

Jo rrallë bënim të tilla ngacmime e i shkëputnim njëri-tjetrit ndonjë fjalë për ta patur si impuls në jetën e përditshme. Në fakt, në pjesën më të madhe të kohës ishim të ndarë. Dhe ato pak çaste që rrinim bashkë, diktoheshin nga ai, qoftë edhe një telefonatë, megjithëse aparatin e kishte vazhdimisht me vete. Kjo më lëndonte dhe jo rrallë më gërvishte si guri i thepisur shtratin e fortë të një burimi të pastër vlerash njerëzore.

  • Çfarë ke që hesht, ç’mendon? - më tha ai me zë të lartë dhe më përkëdheli flokët në një mënyrë të tillë sikur donte të thoshte: harroji të gjitha, jemi vetëm të dy, do të rrimë gjithë natën bashkë.

Në fakt, nata kishte kohë që kishte rënë. Unë shtrëngova edhe më filxhanin midis duarve dhe desha t’i thosha atë çka mendoja, të vërtetën, por nga goja instinktivisht më dolën të tjera fjalë.

  • Nuk e di pse, pasi përmende atë lloj uiski, mendja më mbeti te klubi.

  • Ohu, ka kohë që nuk e frekuentoj më atë lokal.

  • Me siguri ke ndërruar vend. Çështje ‘kualiteti”, - ia ktheva jo pa doza ironie.

Ndërkohë që ai futi dorën në xhep, unë pagova. Ai më mori nga krahët dhe më futi në makinë. Njërën dorë e mbështeti mbi timon dhe me tjetrën më tërhoqi fort flokët, sikur donte t’i zgjaste edhe më, sepse flokët e gjatë ishin një nga dobësitë e tij (nuk e kishte shprehur kurrë) dhe pasi afroi buzët te veshi pëshpëriti: Mos e vra mendjen shumë, jetojmë në kohën e prakticitetit, të fitimit, të fitimit, të fitimit pa fund dhe pasi heshti një grime, vazhdoi: Në ç’hotel do të shkojmë? Ç’mendon ti?

Unë nuk u përgjigja. Masa e akullit kishte filluar të shkrinte nga ngrohtësia dhe sjellja e butë e tij, por në shpirtin tim ishte shkaktuar një gërvishtje e fortë që sa vinte e thellohej. Në fillim. vlerat e tij në sytë e mi zmadhoheshin, ndërsa të metat minimizoheshin. Me sa dukej, nuk varej nga unë, ajo ndodhte vetvetiu si te të gjithë ata që duhen. Kishte kohë që nuk po ndodhte më kështu, po zbuloja atë pjesë të karakterit të tij që jo vetëm mund të më lëndonte apo fyente, siç kishte ndodhur, por madje të më dëmtonte me ndërgjegje po t’i cënohej sadopak ekuilibri i jetës së tij. Ky ishte një konstatim shumë i hidhur për mua, po ndodh që gjërave nuk u jep dot fund menjëherë e kur duhet, aq më tepër ndjenjës. Megjithë tallazin që kisha brenda vetes, kisha mall, doja të rrija me të, edhe pse herë pas here më ligështonte fort.

  • Hë, më jep një mendim, – nguli këmbë ai.

-Kam dëgjuar se në fshatin B është bërë një motel shumë i bukur, – u përgjigja.

  • Shkojmë e shohim, mua më ka marrë edhe një uri, sa është ora?

  • Njëmbëdhjetë e gjysëm, – u përgjigja.

Ndaluam para motelit. Sa hymë te porta, na doli sportelisti përpara, i cili na shoqëroi në një dhomëz ngrënieje të mobiluar me një komoditet të tillë që shpejt miqësoheshe me ambientin dhe ndjeje një prehje të menjëhershme.

Hëngrëm shpej e shpejt që të mos humbisnim kohë. Mua do të më pëlqente një darkë e shtruar, pa u nxituar, me biseda të ndryshme intelektuale e intime, të cilat kanë vendin e tyre shumë të rëndësishëm, vendimtar, në strukturën e një lidhjeje të vërtetë.

  • Sa çmimë të larta, si në restorantet jashtë, – tha ai duke paguar.

  • Me sa kam dëgjuar, e mbajnë për motel të kategorisë së parë, madje luks, – u përgjigja unë.

  • Në fakt, edhe unë jashtë shtetit shkoj në restorantet dhe hotelet më të shtrenjta, nuk bëj rehat në vende të tjera.

Dolëm në salon dhe iu afruam sportelit:

  • Ka dhoma bosh? – e pyeti.

  • Po zotni, – u përgjigj sportelisti me shumë mirësjellje.

  • Sa është çmimi?

  • 260 dollarë nata.

  • 260 dollarë nata? – e pyeti gati-gati i revoltuar ai.

  • Si urdhëron.

Ai, pa i dhënë përgjigje sportelistit, u kthye nga unë dhe tha:

  • Qenkan tarifa të çmendura! dhe pa përshëndetur askënd, ma bëri më shenjë të dilnim jashtë. Këtu qenka kaq bukur, thashë me kënaqësi të plotë, por ndërkaq u gjenda të dera e makinës. U nisëm në kërkim të një hoteli tjetër. Në të majtë të një udhëkryqi, në fund të një rrugice të ngushtë, u dukën disa drita midis pemëve të dendura që nuk lejonin të dalloje qartë se ç’ishin. Makina u kthye në atë drejtim dhe ne u gjendëm para një moteli të vogël befasues. Nga larg, natyrisht, në atë errësirë të thellë nuk dukej asgjë nga ajo mrekulli arkitekturale, e ndërtuar e tëra prej druri, që mbulonte gjithe fasadën e motelit. Ishte krejt një stil tjetër ndërtimi nga ai që kishim parë pak më parë.

  • Ti po deshe mos dil, pyes unë në ka vende, – tha ai me zhdërvjelltësinë që e karakterizonte dhe në çast u gjend te dera e motelit.

Nuk i dhashë përgjigje, por zbrita pas tij për të shijuar atë pamje mahnitëse të asaj ndërtese të çuditshme të rrethuar me pemë shumë të sistemuara dhe të gjelbëruara, aq sa të futnin menjëherë në atmosferën e përrallave të bukura, të atyre që kishin mbetur në kujtesën time nga fëmijëria.

Iu afrova portës kryesore për të parë nëse ambienti i brendshëm i përgjigjej aq magjishëm atij të jashtmit.

Rastësisht, kapa këtë copë dialogu midis sportelistit dhe atij:

Sportelisti – Është dhomë krejt e veçantë jo vetëm nga komoditeti, por edhe nga pozicioni. Një nga faqet e murit është vetëm xham i mbuluar me të gjitha llojet e luleve. Ngjituni më mirë shikojeni vetë. Është një mrekulli.

Ai – Ju thashë është tepër e shtrenjtë, nuk ia vlen. Keni ndonjë dhomë më çmim më të ulët?

Sportelisti – Jo, ekziston edhe një dhomë tjetër me tavanin prej ornamentesh druri, po ka të njëjtin çmim.

Ai – Ah, jo, është ...

Unë që kisha shtangur nga dialogu, përmblodha veten dhe u futa me vrap në makinë.

Pas disa minutash, me një ofshamë pakënaqësie, ai hipi në makinë, u kthye me rrëmbim dhe i dha gaz sa i hante këmba.

  • Hë, – mezi arrita të pyes.

  • Nuk kishte asnjë vend, – u përgjigj ai me një zë që i kishte humbur tingulli i zakonshëm.

Unë nuk fola. Ndjeva një shtrëngim aq të fortë në fyt, sa u gëlltita për të mbajtur lotët, por ndërkohë sytë nuk mundën ta përballonin atë masë të madhe ujore që vërshoi faqeve, të ndezura flakë nganjë ngarkesë emocionale negative.

  • Ou, ç’shi i fortë që filloi, – tha dhe mbylli plotësisht xhamin nga ana e tij. Unë ktheva kokën nga dritarja në anën time për të fshehur lotët, por ai nuk kuptoi që rrebeshi më i fortë i shiut ishte brenda makinës së tij, fare pranë tij: me sa dukej, tek ai mungonin reflekset e nevojshme për të kapur sinjalet e një shpirti kaq delikat.

O ç’rrebesh, ç’rrebesh, përsëriste ai me kënaqësinë e atij njeriu që i ka ardhur shiu në kohën e duhur për të mbjellat e veta.

Ishte pothuaj ora tre pas mesit të natës kur u gjendëm në hollin e një hoteli pranë bregdetit të qytetit L. Prenotoi një dhomë që me sa dukej, çmimi duhej ta kishte të arsyeshëm, pasi hoteli ishte nga ata me dy yje.

U ngjitëm në dhomë. Isha krejt e dërrmuar, jo nga pagjumësia, as nga udhëtimi i gjatë, po nga një gjykim i ri, krejt i ftohtë, që filloi të më zotërojë atë çast, gjë që nuk e kisha provuar kurrë më parë kur isha pranë tij. U ula në njërin krevat dhe fillova të nxjerr nga çanta sendet që më duheshin natën.

Dhoma ishte krejt e thjeshtë, dy krevate të vjetër, të bashkuar, secili me nga një komodinë ngjitur te kryet, një tavolinë më dy karrige dhe një kanë uji me dy gota pranë.

  • Sa të merresh me rregullimet e tua, unë po futem të bëj një dush, – tha ai dhe filloi të zhvishej.

  • Po, po, – u përgjigja unë pa kthyer kokën në drejtimin e tij, siç e kisha zakon të bëja kur ai zhvishej.

Nuk e di sa kishte vajtur ora, kur fillova të bëja dush. Vura kapuçin që të mos më lageshin flokët e gjatë, pasi donin kohë të thaheshin. Vesha këmishën e natës dhe bëra tualetin e darkës. Dola nga dushi paksa e lehtësuar, por një ndjenjë kthjelltësie e fortë, që nuk e doja ato pak orë të asaj nate, më bënë krejt të përmbajtur e të arsyeshme si asnjëherë tjetër. Qëndrova disa minuta në këmbë, në fund të krevateve. Ai ishte futur në njërin prej tyre ashtu me kokë të qullur. Nuk reagoi. Si duket, nuk më ndjeu, mendova dhe iu afrova krevatit të tij. Atë e kishte zënë gjumi. U mata të futesha ngadalë në shtratin e tij pranë asaj ngrohtësie trupore që aq shumë e kisha dëshiruar. U shtanga. As vetë s’po kuptoja ç’po ndodhte me mua, veçse ndjeja që ishte diçka e rëndësishme. E vështrova tek flinte dhe nuk e di pse më erdhi keq ta zgjoja. Ishte i lodhur dhe ndoshta i pagjumë. Njëkohësisht me fyerjen e madhe që ndjeva pata një lloj lehtësimi, që fillimisht m’u duk absurd. U tërhoqa ngadalë dhe u ula tek krevati tjetër. Në fakt arsyeja e vërtetë e atij lloj lehtësimi dhe vetëpërmbajtjeje vinte nga brenda, nga pjesa më e ndërgjegjshme e qenies sime. Ky konstatim më tronditi. Më shkuan mornica në trup. U futa në krevatin bosh pa shkaktuar asnjë zhurmë. Nuk doja që ai të zgjohej. Kisha patur shumë gjëra për t’i thënë. O Zot, pambarim, ndërsa në ato çaste më dukej se më ishte sosur çdo gjë. Ai bëri një lëvizje të vogël nëpër shtrat, unë ngriva. Vetëm kur vura re se ai vazhdonte të flinte, u qetësova si ai njeriu depresiv që i kanë bërë qetësues mbi dozën e zakonshme për ta mbajtur në fre. Nëpërmjet lotëve që nuk më rreshtnin, si shiu jashtë xhamave (ku prisja të shfaqej ndonjë rreze drite), mundohesha të sillja nëpër mend çaste të bukura apo copëza lumturie kur kishim qenë bashkë. Ishin të pakta. Megjithatë, i kërkoja ndihmë kujtesës sime, shpirtit tim, për të justifikuar praninë time në atë ambjent fyes dhe mjeran, që ishte jashtë çdo logjike normale. Po ndjehesha e fyer nga vetvetja. Nuk po e duroja dot më atë gjendje makthi. U ngrita duke mbajtur frymën dhe u vesha në qetësinë më të madhe. Iu afrova krevatit të tij për ta parë edhe një herë disa çaste ashtu në gjumë. Flinte si engjëll. “Të gjithë në gjumë si engjëj duken, gjumi është pjesë e pafajësisë. Edhe djalli kur fle si engjëll duket, por është djall”, mbaja mend që përsëriste gjyshja ime kur ishte gjallë. Atëherë isha e vogël dhe më nguliteshin në kujtesë disa thënie të çuditshme, si fjalë të bukura (natryrisht nuk kisha si të bëja analiza). Por nuk e di ç’demon vepronte në ato çaste brenda meje që më shtynte t’i lidhja fjalët e gjyshes me kujtimet e hidhura të shkaktuara prej tij. Më erdhi në mend “humori” që kishte bërë ai para disa kohësh, kur iu afrua si zakonisht shtëpisë sime dhe unë duhej të zbrisja nga makina.

Fatmira Aliaj është shkrimtare, dramaturge shqiptare. Lindi në Tiranë. Studimet e larta i ka kryer në fakultetin Histori-Filologji. Krijimet e para të saj janë disa vjersha dhe tregime të shkurtra. Më pas ajo iu kushtua gjinisë së dramës dhe letërsisë për fëmijë. Ka botuar dramat "E fejuara ime", "Kthesa", "Ankthi" dhe "Faji". Më pas botoi vëllimin "Betiana" ku përfshihen tre drama: "Primavera e Beethovenit", "Një vit i vështirë", "Betiana". Ka botuar novelat "Stina e humbur" dhe "Rekuiem për ty". Për fëmijë ka botuar: "Enoja dhe Pisokja", "Diana e vogël", pjesën teatrale "Një natë e gjatë" dhe novelën "Albani dhe qenushi Xhud". Së fundmi romanin për të rritur: "Shpirti i humbur".

By Fatmira ALIJAJ