Kërkohet nga institucionet e Universitetit të Prishtinës, përkatësisht nga fakultetet dhe nga shkollat e larta, që të mos njohin e as pranojnë asnjë vendim të Rektoratit të UP, pasi ai mbeti praktikisht etnikisht i pastër
Kuvendi i Sindikatës së pavarur të punonjësve të Universitetit të Prishtinës dhe të instituteve shkencore të Kosovës, dje ua dërgoi një kërkesë subjekteve dhe institucioneve të UP dhe opinionit, në të cilën kërkohet: T’i garantohet Universitetit të Prishtinës autonomia e plotë për të vendosur pavarësisht për të gjitha çështjet në kuadër të tij; të hiqen masat e dhunshme nga të gjitha institucionet e Universitetit të Prishtinës dhe nga institutet shkencore të Kosovës; t’u sigurohet financimi të gjitha institucioneve, të cilave u është ndërprerë, kërkohet që të kthehen në punë të gjithë ata që janë larguar me dhunë.
Kuvendi i Sindikatës, kërkon nga delegatët e Kuvendit të Universitetit të Prishtinës, të cilët siç thuhet në këtë moment kanë përgjegjësi historike, të tubohen dhe të zgjedhin rektorin dhe prorektorin-student të Universitetit si dhe ta shpallin konkursin për regjistrimin e studentëve të rinj së paku në nivelin e planit të vitit të kaluar. Njëherësh kërkojnë nga ky Kuvend që në mbledhjen e parë, që duhet ta mbajë, të kërkojë përgjegjësi nga prorektori Misha Deshliq nga prorektori Stanoje Doganxhiq dhe nga sekretari i dhunshëm i UP për paligjësitë gjatë punës së tyre.
Nga fakultetet dhe nga shkollat e larta kërkohet që në rast se nuk shpallet konkursi i përbashkët, t’i shpallin individualisht konkurset e tyre për regjistrimin e studentëve të rinj për vitin shkollor 1991/92.
Nga arsimtarët e Fakultetit të Mjekësisë kërkohet të gjejnë mundësi t’i organizojnë provimet me studentët e tyre.
Kuvendi konsideron se shkollat e larta të Kosovës janë në kuadër të Universitetit të Prishtinës, prandaj e konsideron të papranueshëm, arbitrar dhe jokomopetent largimin e prorektorit të UP, Dali Edmërllahut, si përfaqësues i shkollave të larta në Rektoratin e Universitetit thuhet më kërkesë.
Pasi që organi kolegjial punëdrejtues i Universitetit të Prishtinës praktikisht mbeti etnikisht i pastër, vetëm me serbë, Kuvendi i Sindikatës i porosit institucionet e Universitetit të Prishtinës që të mos njohin e as pranojnë asnjë vendim të atij Rektorati, njëkohësisht kërkon që të mos pranohet projekt-statuti i Universitetit të Prishtinës, i ofruar nga organi jolegal.
Kuvendi proteston ashpër ndaj idesë për ndërtimin e kishës ortodokse serbe në kompleksin e Universitetit të Prishtinës dhe kërkon në mënyrë të vendosur të mos cenohet tërësia urbanistike e Universitetit të Prishtinës, theksohet në kërkesën e Kuvendit të sindikatave të pavarura të punonjësve universitarë dhe të institucioneve shkencore të Kosovës. Njëkohësisht ky Kuvend me një peticion do t’u drejtohet edhe organeve me të larta të Jugosllavisë për kthimin e gjendjes kushtetuese në Universitetin e Prishtinës.
Y(mer) AVDIU
(Gazeta "Bujku", 21 maj 1991)
By Albaniana
