Poeti Fan Zhong-jan i tregoi një ditë poetit Li Taibo një vjershë që sapo e kish hartuar, me rastin e vdekjes së një miku. Li Taibo lexoi vargjet: “Malet ngrihen mes resh, valët tunden në largësi, e virtyti yt: durim lumi, lartësi malesh” pushoi së lexuari dhe i tha Fan Zhong-janit: “Janë vargje shumë të bukura. Veç një fjalë e thyen ekuilibrin e bashkësisë, fjala ‘virtyt’. Është fjalë nga ato të rendit të ulët dhe nuk mund ta durojë madhësinë e fjalëve që e rrethojnë”. Fan Zhong-jani u ngrit dhe e pyeti mikun se ç‘fjalë duhej të vinte në vend të saj. Pas një heshtjeje të vogël, ja përgjigja: “Po të vihet fjala ‘frymë’ (fr. ésprit), çdo gjë do të jetë në rregull”. Fan Zhong-jani lexoi edhe një herë me zë të qetësuar: “Malet ngrihen nga retë, valët tunden në largësi, e fryma jote: durim lumi, lartësi malesh”. U kthye nga miku dhe e pa si mjeshtër të një fjale (ji-zi-shi)”.
Tel quel 48/49, Paris 1972, fq 33
Anekdota të tilla ka sa të duash poezia klasike kineze e pasur me margaritarë poetikë. Ç’do të thotë kjo? Një shekull më parë, Victor Hugo thotë: “...se fjala është verb, se Verbi është Zot”1. Vepra letrare, si çdo vepër tjetër artistike, është sistem i mbyllur që komunikon me lexuesit në sajë të rrethanave të caktuara të jashtme. Ashtu siç është piktura e ngritur në bazë të ngjyrave, ashtu siç është për pikturën i rëndësishëm kualiteti i ngjyrave ose për godinën materia e ndërtimit, ashtu është për veprën letrare gjuha. Fundi i fundit, vepra letrare ekziston vetëm nëpërmjet gjuhës, ajo edhe është gjuhë, ligjërim. Në një masë kanë të drejtë edhe ata që veprën letrare e quajnë mit, sepse miti është fjalë. Nëse “zërat e pikturës janë zëra të heshtjes”, siç do të thoshte Maurice Merleau-Ponti, zërat e veprës letrare janë zëra që flasin, sepse gjuha thotë; kuptimi është i përfshirë në ligjërim e ligjërimi është ekzistenca e jashtme e kuptimit. E studiuesi që është i orientuar vetëm e vetëm nga gjinitë dhe përmbajtja, domosdo kalon në mishërimin historik, u kërkon veprave origjinën, i merr si objekte historike e jo si struktura që duan zbuluar. E është e vërtetë se, siç ka vërejtur Mihail Bahtin, gjuha si fenomen poetik duhet studiuar në përqasje me gjininë letrare, por edhe e kundërta2.
Sa është i rëndësishëm studimi i gjuhës së një vepre, shihet edhe nga analiza e një vjershe, qe ajo edhe fare e thjeshtë. Struktura e vjershës ngrihet mbi figura të tilla, si rima, ritmi, vargu etj., që janë ndërtime tipike ligjërimore. Që të studiosh rimën, duhet të njohësh cilësitë e tingujve që rimojnë; që të studiosh ritmin dhe vargun, duhet të njohësh funksionimin e theksit të gjuhës së caktuar, prozodinë e saj.
Në përgjithësi, materia gjuhësore është shumë më pak e dhënë se sa e ndërtuar, gjithmonë e interpretuar, pra e shpërdërruar me një lloj ëndërrimi veprues që njëherësh është veprim i ligjërimit. Vepra letrare është strukturë e mbyllur që ngrihet mbi një strukturë tjetër të mbyllur – strukturë gjuhësore. Prandaj, për të njohur strukturën e veprës letrare, duhet para së gjithash ta njohim strukturën gjuhësore.
Siç dihet, gjuha është institucion shoqërore që shërben si mjet komunikimi midis njerëzve e që ka një strukturë sui generis. Funksioni themelor i gjuhës është ai i komunikimit, por jo edhe i vetmi. Ka madje gjuhëtarë që këtë nuk e pranojnë as si më të rëndësishmin. Sidoqë të jetë, gjuha është bartëse e shumë gjërave në jetën njerëzore, është dritare për në përjashtësi, prandaj edhe meriton të studiohet në radhë të parë si e tillë. Një mesazh, qe ai letrar ose jo, i ndërtuar me fjalë, përmban në vete gjithmonë një informatë të caktuar. Kualiteti i informatës nuk varet nga gjuha, por nga ajo se si është shfrytëzuar gjuha. Të nisur nga kjo, duhet të pranojmë, se kualiteti i veprës letrare varet nga komunikativiteti i saj (po përkujtojmë se komunikim ka edhe në rast rrene), mirëpo kështu vetëm do t’i simplifikonim gjërat, se këtu përzihen edhe shumë elementë të tjerë që tekstin e bëjnë letrar. Gjuha e veprës letrare mund të analizohet nga aspekti informativ, por nuk kemi të drejtë dhe nuk guxojmë që kuptimin e informatës ta rrudhim vetëm në aspektin njohës të gjuhës, i cili është vetëm njëri ndër disa, se çfarëdo lloj teksti nuk mund të jetë letrar; këtu lind edhe çështja e stilit. E të gjitha këto varen nga mjeshtëria gjuhësore e shkrimtarit, i cili ka mundësi të zgjedhë. Pra, stili është zgjedhje. Sepse një gjë e ka thënë fare qartë përvoja njerëzore: poezia është një prirje midis asaj që është e pashpreshhme dhe asaj që është e komunikueshme, ose siç ka thënë R.Jakobson: “Funksioni poetik projekton parimin e ekuivalencës nga boshti i zgjedhjes në boshtin e komunikimit”3.
Vlera e një lementi gjuhësor varet nga shumë rrethana të tjera. Për nga natyra, gjuha është simbolike, ka karakter shenjëzues, prandaj është e pamundur t’ia mohojmë këtë vlerë gjuhës së një vepre letrare, qe ajo edhe më e përditshmja. Një element gjuhësor mund të ketë vlerë të ndryshme në rrethana të ndryshme. Merreni me mend një formulë-klishe të parisë frënge të shek XVII. Po t’ia thoshe atëherë një dame të pispillosur, mund dhe t’ia thyeje mendjen, por po t’ia thuash sot – ta thyen kokën me sharje, sepse edhe vetë e kupton si sharje. Jo vetëm kaq. Vlera e një elementi gjuhësor varet nga vendi që ka në bashkësinë konkrete, nga raportet me elementë të tjerë. Së këndejmi, shumëvlerësia e fjalës është e shumanshme, strukturore, kohore, hapësinore, etj., varësisht nga një damë rrethanash të caktuara jetësore. Pos karakterit simbolik të fjalës, ka edhe burime të tjera të kësaj shumëvlerësie. Informata që do të nxjerrim nga një mesazh varet jo vetëm nga referenca, por edhe nga dekodimi, sepse në gjuhë përvoja jetësore jolineare përfaqësohet në formë lineare. Kur themi ylli i mbrëmjes dhe ylli i mëngjesit, kuptojmë dy gjëra krejt të ndryshme, por referenca është e njëjta. Ose, p.sh., në romanin e Anton Pashkut “OH”, kemi togfjalëshin “pasqyrë me dy faqe”. Veçuar nga konteksti, kjo do të thotë: “Pasqyrë që i ka dy faqe, në të cilën mund të pasqyrohen dy njerëz përnjëherë pa e parë njëri-tjetrin; një copë xham i vizllueshëm” etj. Po ta lexojmë romanin, do të shohim se këto pasqyra me dy faqe u shërbejnë romakëve si mjete për të pushtuar Ilirinë, se të tilla kishte shumë, se dolën nga vetë trolli ilir, etj. Ç’do të thotë kjo? Mkjo do të thotë se referenca është vetë pasqyra, porse dekodimi është diçka krejt tjetër, diçka që gjithashtu e hasim shpesh në jetën tonë të përditshme në forma të ndryshme te njeriu ynë, – tradhtari. Së këndejmi, del edhe ajo vlera e përgjitshhme shenjëzuese e fjalës, por edhe vlera simbolike, e cila është e ndryshueshme dhe jofikse që nga momenti që është simbol4.
Shumëvlerësia e gjuhës varet nga funksionet e saj të shumëfishta: poetik, estetik, komunikativ etj. Shkolla të ndryshme gjuhësore i kanë theksuar këto në përmasa të ndryshme. Për Charles Bally, p.sh., vlera ekspresive e gjuhës është themelore, prandaj dhe ai në bazë të kësaj, ngre një shkollë të tërë në stilistikë. Për gjuhëtarë të ndryshëm amerikanë rëndësi të dorës së parë ka informata. Në një kuptim, edhe mund të kenë të drejtë – merreni me mend një vepër që i shfrytëzon maksimalisht të gjithë elementët gjuhësorë që përmban. P.sh., në dramën “Sinkopa” të A.Pashkut, nuk është zgjedhur rastësisht që dallimi midis dy personazheve të jetë një fonemë Gjegje – Xhexhe. Kjo aq më tepër kur shohim në ç‘alamet rrethi mikroborgjez u shkrua drama. Ose, në dukje të parë, loja tutra-tutla e çoç-çuç në romanin “OH”. Mashtrohen të gjithë ata që mendojn ë se kjo është vënë aty sa për lojë. Pashku ka dashur që aty të na e cekë si një shkak për shumë gjëra në jetë (e, edhe në histori), një si kokëfortësi që e shpreh përmes gojësh të ndryshme.
Shikuar në kuptimin e mësipërm, na duket se kanë të drejtë ata gjuhëtarë-poetistë që thonë se çdo gjë duhet vlerësuar duke u nisur nga ngarkimi funksional-informativ (kjo mund të jetë e shprehur edhe negativisht). Sot ka ikur koha e një shkrimi bakor e të pispillosur, ku gjuha merret si duvaku i bardhë mbi fytyrën e nuses së bukur. Zatën, edhe një shkrim i tillë është shprehje e shpirtit mikorborgjez të shekullit të kaluar.
Logjistika e shekullit tonë ka bërë një dallim që në praktikën shkencore është treguar shumë i dobishëm: dallimin midis gjuhës së zakonshme dhe gjuhës mbi gjuhën – metagjuhës, si it honë ndryshe. Çdo studim i veprës letrare është metagjuhë. Madje, njeriu në jetën e përditshme flet në poezi e prozë, por mund edhe të mos e dijë se ç‘është poezia e proza. Poeti, shkrimtari, në veprën e tij të çdo lloji, përdor në nëj shkallë të gjerë nuanca të ndryshme gjuhësore që mund të jenë objekt studimesh metagjuhësore, edhe pse teoretikisht ai mund të mos dijë t’i shpjegojë. Më në fund, ne çdo ditë i fusim në përdorim fonemat e shqipes edhe pa e ditur fare se ç‘është fonema. Prandaj, strukturat duhen hulumtuar, pa marrë parasysh se në ç‘gjendje është vetëdija shpjeguese e autorit – për të është me rëndësi invencioni krijues.
Kujdesi i posaçëm që i kushtohet në gjuhësinë e sotme dallimit të rrafsheve të studimit, është i domosdoshëm edhe për studimet e veprës letrare nga ky aspekt. Kështu p.sh., ne mund të vendosim të studiojmë gjuhën e një shkrimtari tonë si normë, si mjet funksional, si shprehje artistike, etj. Studimi i normës në vepër letrare ka vetëm arsye praktike, edhe atë shumë të kufizuar*. Të studiosh se ku ka vënë autori ë e ku jo, është sa triviale, aq edhe qesharake. Këtë e bëjnë korrektorët që paguhen për atë punë.
Duhet bërë një dallim: tjetër është gjuha e shkrimeve publicistike-shkencore e tjetër ajo e veprës letrare. Shumëvlerësia e fjalës në kuptimin e mësipërm vlen kryesisht për veprat letrare, për gjuhën, ta quajmë “lirike”. Në gjuhën shkencore, fjalia ka një strukturë krejt tjetër, mënyra e të menduarit është krejt tjetër. Poezia, ligjërimi poetik është mënyra më e lartë e ligjërimit refleksiv, ndërsa shkencat ndërtojnë formën ideale të mendimit logjik. Në gjuhën shkencore, nuk kemi asfarë dysish, ajo rri nën hijen e qartësisë. Prandaj nuk janë të rralla rastet kur kemi nevojë për fjali zero, ose edhe fjali barazime që kanë strukturë të veçantë. Në gjuhën lirike, që është paskajësisht e dysishme, nuk ka fjali zero. Aty nuk ka zero as edhe në rastet e përsëritjes dhe të tuatologjisë. Në gjuhën shkencore, preciziteti është “mekanik”, ndërsa në gjuhën “lirike” vetgëm “simbolik”. E para i shtrohet qartësisë, e dyta sharmit. Edhe vetë finesat gjuhësore, madje edhe ato të artikulimit të dytë, kanë kuptimin e tyre simbolizues, korrespondojnë me elemente të botës së ngritur në vepër. Në gjuhën “lirike” madje edhe mungesa është prani, bile prani e dyfishtë, u muar vesh, si shenjë që funksionon në kuadër të sistemit të përgjitshhëm të veprës.
Nivelet e përimtimit të gjuhës së veprës letrare duhen dalluar në kuptime të ndryshme stilistike e gjuhësore. Në gjuhë analiza shkon gjithnjë nga rrafshi i artikulimit të dytë të gjuhës – rrafshi fonologjik, elementët e të cilit janë joshenjues, por të rëndësishëm për ndërtimin e shenjës, edhepse sot ka mendime se duhet të nisemi së pari nga artikulimi i parë (Çomski e transformacionalistët). Nga një analizë e tillë duhet të dalë në shesh funksioni i tingujve në një tekst të caktuar jo më si elementë të artikulimit të dytë, por si elementë shenjues me vetë praninë e tyre si të tillë. Po rikujtojmë rastin e fjalëve tutra-tutla të romanit “OH”, ose praninë e fonemave dridhëse r e rr në vjershat e rrëmbyeshme të Nolit. Në vjershën e L. Poradecit “Vdekja e nositit”, i gjithë tmerri sugjerohet me praninë e rr-së dridhëse pikërisht me fjalët-çelësa të vjershës: zjarr, varr, marr, etj. Për më tepër, kur kjo vihet në korrelacion me shushuritëse aq të pranishme ose me okluzivet e shurdhëta të ndërprera, me të cilat formon edhe kundërvënie, sikurse na del para tragjika e Lasgushit. Në vjershën e E. Bashës “Shi-shi”, gati gjysma e vargjeve përmban fjalë me fonemë shushuritëse, ndërsa struktura distributive e fonemave në rrokje, shkon zakonisht pas skemës bashkëtingëllore-zanore-(bashkëtingëllore), që të përkujton e të ringjall rënien e shiut. Butësinë e vet lirike, Lasgushi e sugjeron papushueshëm me përdorimin e jashtëzakonshëm të fonemës shushuritëse sh në prapashtesa të ndryshme, qenë ato zvogëluese ose jo, që rri në kundërvënie me fonemën okluzive të shurdhët, të ndërprerë k në sufiksin ak që mbyll papritur jehonën e fjalës së nisur me zanorësi maksimale. Këto janë elemente që të kapin për fyti, që nuk mund t’i kalosh, porse në një analizë sistematike do të duhej nxjerrë në shesh shfrytëzimi strukturor i tipareve dalluese të fonemave, vlera intonacionore, ritmi, etj. Natyrisht, analizat prozodike janë bërë gjithmonë, por ato duhet të futen në kuadër të përgjitshhëm të analizës.
Në plan të artikulimit të parë të gjuhës, në planin shenjues, dalin në pah vlerat e elementeve të ndryshëm gramatikorë në funksion të shenjave të ligjërimit letrar. P.sh., është botërisht e njohur se A. Camus e shkroi romanin e tij të njohur “I huaji” në të kryer, sepse kjo është koha e rrëfimit të zakonshëm në frëngjisht, e po kështu i përkujtonte fëmininë Mersosë, edhepse i gjithë romani frëng i shekullit të kaluar përdor të kryerën e thjeshtë si prosede që është bërë njëfarë sistemi sigurimi në letërsin ëartistike, një lloj kërkese e shpenzuesit. Një përdorim të tillë mund ta gjejmë te Anton Pashku, por të një të kryere të dytë që e gjejmë jo rrallë në përrallat tona. Vlera e saj, si në përralla, edhe te Pashku, qëndron në insistimin për një gjë të mbaruar ka kohë. Sidomos funksionale është kjo në tregimin “Kulla”, ku si në përrallë rrëfehet mbi zhdukjen e fisnikërisë njerëzore nga vetë njeriu, por i automatizuar. Sa jemi këtu po e përkujtojmë edhe një detaj te Kadareja – në romanin “Kështjella”. Është fjala për gjuhën e arqitektit të ushtrisë turke që nuk di t’i lidhë fjalët asnjëherë. Është fare e qartë se kjo nuk është bërë për farë individualizimi a tipizimi, sepse këtë nuk e bën asnjëherë tjetër, por pikërisht për të paraqitur njeriun e shkatërruar nga maqinat e prodhuara nga vetë dora e tij, ndërgjegjen e zbuluesit i cili edhe mund të jetë koshient për dëmet që bën.
Fjalia e A. Podrimjes, p.sh., të imponon seriozitetin e vet pikërisht ashtu e prerë dhe e qëruar velash e inxhish, të sugjeron protestin e paturpshëm dhe të patundshëm. Fjalia e përsëritur papushueshëm, ritmi thuaj i rregullt në romanin “OH” të A. Pashkut të sugjeron vizionin e zhvillimit historik kombëtar, por njëherësh të fut në shpirt edhe ndjenjën e pranisë së ritmeve të tilla në të tashmen. Kjo shërben si lidhje midis rrëfimit që, si i tillë, është e kaluar, edhe të së tashmes. Ndërkaq, përdorimi mjaft i gjerë i paskajores luan rolin e vet të përgjithësimit, në të cilin na e ka dhënë autori edhe në vetë emrat e aktorëve të kësaj skene: ata janë një ai, një ajo, një breuk, një desidat, etj. Nëse në përgjithësi mund të thuhet se poezia lirike e përqendruar kryesisht në vetën e parë është subjektive, ndërsa epikja në vetën e tretë-referenciale, te Pashku, anipse në prozë thelbësisht meditative-sintetizuese, kemi të bëjmë me një mishërim të këtyre dy aspekteve, jashtëm gjuhë referenciale-poetike, por thelbësisht e objektizivuar.
Kur në poezi të ndryshme hiqen përemrat pronorë, ta zëmë, kërkohet një brendësim i botës së jashtme, zhduket dallimi midis poetit dhe botës së jashtme, elementët e së cilës nuk mbeten më objekt i mendimit të tij, por bëhen vetë mindimi. P.sh., derisa një poet kinez këndon:
“me mbetë (unë) në breg të liqenit i vetmuar mal i blertë i rrethuar nga retë”
ai nuk emërtohet, por identifikohet me malin që rrethon liqenin, sepse i lë lamtumirën mikut që niset në udhëtim me barkë. U muar vesh, emërtimi do të bëhej me formën më lidhore – ku dallohen vetat. Poetë të ndryshëm edhe në kualitetin e rimave vënë një funksion të caktuar. Disa, p.sh., i përdorin rimat gramatikore në fjalë të caktuara, duke ua kundërvënë atyre jogramatikoreve për të krijuar kontraste. Këto kontraste shpesh edhe vihen në dukje përmes paralelizmit që jep mundësi për të vënë në dukje dallimet midis të brendshmes dhe të jashtmes etj.
Për gjuhëtarin-poetist janë shumë interesante përdorimet ekskluzive, ose edhe vetëm për qëllime artistike të fjalëve e të elementëve të tjerë gjuhësorë. Në këtë rast, ndihmon mjaft edhe aplikimi i metodave statistikore. P.sh., po të marrim poezinë e L. Poradecit e të hulumtojmë leksikun e saj – natyrisht duke mos i marrë parasysh nyjet, parafjalët, përemrat – do të vërejmë se fjalë të tilla si dashuri, llaftari, liqen, përjetësi, jetë, vdekje, etj., kanë një përdorim të dendur, mund të thuhet madje edhe të stërdendur. Po kështu, po të marrim edhe vjershat e poetëve më të rinj, si I. Kadare, F. Arapi – edhe aty do të na bien në sy fjalë si pushkë, hidrocentral, lopatë, shtylla telefoni etj., që gjithashtu flasin për vetveten. Te poetë edhe më të rinj: te B. Musliu, fjala hi ka një përdorim jas-htëzakonisht të madh, ndërsa te E. Basha mjegulla të rrethon në çdo anë. Siç po shihet, gati te çdo poet i mirfë kemi njëfarë anagramatizimi të përgjithësuar. F. De Saussure në shkrimet e tij postume5 thekson me të madhe vlerën e fjalëve-tema dhe të emrave në poezinë klasike greke, romake, hindase etj. Te ata madje ekziston një tendencë e vazhdueshme për t’i përsëritur tingujt dhe rrokjet e fjalëve të tilla në të gjithë vjershën. Te secili poet (gjithnjë në kuptim të gjerë) ekziston një numër fjalësh që përdoren më së shumti, fjalë-tema. Mirëpo do dalluar tipi i fjalëve që përdoren më së shumti nga ato relativisht më së shumti. Fjalë që në përdorim të zakonshëm janë, ta zëmë, me një frekuencë 2 % në një vepër poetike mund të përdoren ndryshe, ta zëmë 8 %. Fjalë të tilla, fjalët-çelësa, kanë kuptimin e tyre të veçantë në poetikë, prandej edhe rëndësinë të veçantë. P.sh., në vjershat e Asdrenit të “Psallme murgu”, jo rrallë hasim në fjalën korë (ikonë), që në gjuhën e përditshme është mjaft e rrallë, madje për një numër të madh lexuesish gati e panjohur (kur kemi parasysh karakterin e saj dialektor). Por, po ta lidhim atë me kohën kur i shkroi poeti vjershat dhe me atë që na thotë ai në to, ajo merr kuptimin e saj të posaçëm dhe rëndësinë që i takon. Po kështu, fjala mjegull te E. Basha statistikisht ka një përdorim shumë më të gjerë se në ligjërimin e zakonshëm, ndërsa cilësisht sugjeron realizimin midis botës reale dhe botës së ngritur në veprat e tij. Te L. Poradeci ai, edhe monemat leksikore e modalitetet marrin kuptimin e tyre çelës, sepse janë vërtet të stërpranishme e popullojn ënjë fushë kuptimore. Pra, fjalët çelësa mund të jenë udhërrëfyes nëpër vepër të autorit të caktuar. Në baxzë të përdorimit të tyre në kontekste të caktuara, mund të shihen madje edhe tjetërsimet që u bëhen fjalëve e që janë me rëndësi, sepse na i tregojnë rrugët e mundshme të transformimit gjuhësor.
Del se, nëse gjuhëtari merret me studimin e ligjërimit të tij, të funksionit të tij në shoqëri e në jetë, e nëse poetë e shkrimtarë të mëdhenj të të gjithë botës deri sot e kanë nxjerrë në shesh rëndësinë e gjuhës si medium ku realizohet vepra e tyre, e në shoqërinë njerëzore si të tillë edhe njeriu realizohet në këtë mënyrë, nëse gjuha nuk është vetëm mjet për të shprehur imagjinatën, por edhe vepron mbi imagjinatën, kemi parasysh edhe karakterin krijues të sistemit gjuhësor që po e thekson aq shumë sot gjuhësia gjenerativiste, atëherë nuk shohim arsye që pikërisht studiuesit e gjuhës të mos merren me këtë aspekt të transformimit gjuhësor, me këtë formë ligjërimore par exellence ku edhe mund të shishet sistemi i saj në një dinamikë shusmë më përmbledhëse se zakonisht. Kudo në botë sot kjo gjë shikohet si evidente, e prandaj as rezultatet nuk mungojnë, por te ne disi është krijuar një pikë: duke dashur të nxjerrim në shesh vetëm vlera të mira të një lloji, po bëhemi të njëanshëm, rrjedhimisht sipërfaqësorë. Nuk është fjala këtu për të shtruar veç sa për bisedë disa çështje që presin të studiohen, por për një angazhim ndjellamirës që mund dhe të ndihmojë. Fundi i fundit, sot është edhe koha e bashkëveprimit ndërdisiplinar, pa të cilin as edhe nuk mund të kërkohen rezultate që mund të na kënaqin, u muar vesh në rrafsh të përgjithësimit shkencor.
Ky ishte vetëm një fluturim i shpejtë mbi disa pika të gjithë atij terreni që pret të lavrohet në shkencën tonë, për të cekur rëndësinë që ka, sepse në një formë të tillë as edhe nuk mund të studiohen problemet.
Te ne është bërë zakon t’u vihen njerëzve etiketa, pikërisht si në çdo vend tjetër mitraizimi dhe primitivizmi. Nëse dikush mundohet t’i shohë më përafër raportet midis strukturave të caktuara gjuhësore ose letrare, nëse kërkon atë që është thelbore, për çka edhe janë të tilla, me një fjalë, nëse zhytet më thellë në problemet që i shtron një strukturë e caktuar, ata që nuk e ndjekin një procedurë të tillë i shpallin formalistë. E ai që është formalist te ne është me njëqindmijë të zeza prapa. Kjo është logjika e përgjitshhme e etiketimit.
Sot më të pakët janë ata njerëz që s’e kanë kuptuar se raportet midis formës dge përmbajtjes janë dialektike, se nuk ka formë pa përmbajtje dhe e kundërta etj. etj. ka të atillë që e kuptojnë këtë si ligj të përgjitshhëm në universum, por jo edhe si dogmë, e ka të tjerë që e bëjnë dogmë për të fshehur prapa saj çdo gjë që s’guxon të dalë në shesh. Për ne, formalistë do të duheshin quajtur këta të dytët që nga një mesazh nxjerrin veç atë kuptimin e parë të fjalës, shpesh edhe të shkëputur nga konteksti; formalistë në thelb janë ata që janë të njëanshëm dhe jo ata që mundohen të sqarojnë formën e një përmbajtjeje të caktuar për ta kuptuar më mirë ose edhe për ta nxjerrë sa më të kulluar e të plotë atë përmbajtje.
Shënime:
-
V. Hugo, “Les contemplations”, Paris 1865, V 9-10.
-
M. Bakhetine, “L’enoncë dans le roman”, Langages 12/1968, Paris, 126; Voprosi Literaturi, 8/1958.
-
R. Jakobson, “Essais de linguistique générale”, Ed. De minuit, Paris 1963, 220
-
J. Starobinski, “Les mots sous les mots”, Paris 196, 15.
-
J. Starobinski, “Les anagrammes de F. De Saussure”, Mercure de France, 2/1964, 243-262
Mjerisht, në shkrimet tona të derisotme ky ka qenë aspekti i vetëm i studimit të gjuhës së një vepre. Këtu përzihet edhe koncepti që kanë disa mbi gjuhën letrare, i cili, në të vërtetë, të shpeshtën as nuk është koncept. Gjuha letrare është formë mbidialektore e gjuhës në përgjithësi, e cila ka për bazë realizimin dialektor, por formon një sistem më vete, më të pasur dhe më të nuancuar. Në momente të caktuara historike, ajo edhe mund të realizohet në variante të ndryshme, varësisht nga shkalla e dallimit midis dialekteve dhe nga tradita. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me shqipen në kohën tonë, por kjo gjë nuk do të thotë në asnjë mënyrë se veprat e shkruara në ndonjërin nga variantet janë më të dobëta në këtë aspekt ose edhe të shkruara në gjuhë joletrare. Po të shihen realisht, variantet (e veriut dhe të jugut) e gjuhës letrare shqipe të pasluftës kanë vetëm pak dallime qenësore. Në rrafshin fonologjik dallimi është minimal dhe ndoshta i parëndësishëm për aspektin që po cekim (pos korrelacionit të hundorësisë), porse në rrafshin sintaktik e sidomos stilistik, ka dallime të rëndësishme. Po përmendim vetëm çështjen e paskajores, e cila funksionalisht jo gjithmonë mund të zëvendësohet, meqë është mënyrë jovetore e të shprehurit. Në planin letrar, është gati e parëndësishme nëse shkruan zuna a zura, por kjo nuk ndodh me rastin tjetër: me punue dhe të punoj. U muar vesh se jo të gjithë shkrimtarët dinë të fusin në përdorim nuanca të tilla, por ne po bëjmë fjalë për shkrimtarë të mirë.*
By Rexhep ISMAJLI