Varri i Skënderbeut i rezistoi urrejtjes së turqve ashtu siç i kishte rezistuar edhe vetë Heroi furisë osmane. Vendvarrimi i tij zuri gjatë shekujve vendin e një monumenti përkushtimi dhe të një objekti pelegrinazhi patriotik. Megjithatë për shkak të persekutimit që pësoi nga administrata turke, varri i Skënderbeut pati një histori shekullore të trazuar, gjatë së cilës pati momente kur u zhdukën gjurmët e Katedrales ose, siç e quan M. Barleti, të “kishës më të madhe” të Shën Kollit dhe të vetë varrit të Skënderbeut. Si rrjedhim para historianëve të kohëve moderne lindi pyetja: në cilën pjesë të Lezhës ndodhej Katedralja e Shën Kollit?
Kur vdiq Skënderbeu, Lezha, qendra e banuar në krahun e majtë të lumit Drin ndahej në tri gjymtyrë: në kalanë mesjetare, e cila ngrihej në majën e kodrës (në burimet italishte: la fortezza, pra kala dhe jo siç e quajnë gabimisht kështjellë); në qytetin e rrethuar gjithashtu me mure (në burimet italishte: la citta) dhe në Varoshin (në burimet italishte: il borgho), pra në lagjet jashtë mureve të qytetit. Në krahun e djathtë të Drinit (pra në Tejdrin) ndodhej kuvendi i fretërve françeskanë, pikërisht aty ku ndodhet edhe sot. Njoftimin më të hershëm se ku ndodhej Katedralja e Shën Kollit e kemi nga një akt i kardinalit Alciati i datës 26 tetor 1575, botuar nga D. Farlati, ku thuhet se “kisha Katedrale me pajtor Shën Kollin ndodhej në qytet dhe se në vitet e kaluara ishte djegur dhe i kishte mbetur vetëm sakristia ku celebrohej mesha”. Sipas aktit të kardinalit, Katedralja e Shën Kollit deri në vitin 1575 ende nuk ishte kthyer në xhami, përderisa në sakristinë e saj vazhdohej të celebrohej mesha kishtare. Po ashtu peshkopi i mëvonshëm i Lezhës, B. Orsini raportonte, më 1629 se: “40 vjet më parë, pra në fund të viteve 80 të shek. XVI, turqit vunë dorë mbi Katedralen e Shën Kollit duke e kthyer në xhami, por që shpejt e braktisën për shkak të supersticionit se kishin vënë dorë në një vend të shenjtë”. Një shqyrtim i kujdesshëm i dy njoftimeve të lartpërmendura na çon në një përfundim të ndryshëm nga ai që ka nxjerrë Fr. Prendi. Është e vërtetë se në Lezhë ka patur një xhami me emrin Selimie, por kjo nuk ka lidhje me Katedralen e Shën Kollit. Në fakt pllaka prej mermeri me mbishkrimin turqisht që ndodhej në portën lindore të kalasë, për të cilën kishte dëgjuar të tlitej Th. Ippen-i në vitin 1907 dhe të cilën e zbuloi Fr. Prendi, më 1967, flet për ripërtëritjen e mureve të kalasë dhe jo për rindërtimin e xhamisë.[3] Xhamia Selimie mund të jetë ngritur në kohën e Selimit I (1512-1520), por jo mbi themelet e Katedrales së Shën Kollit, e cila vazhdoi të funksiononte edhe pas vdekjes së tij, sipas relacioneve të Alciatit dhe të B. Orsinit, si faltore e krishterë. Edhe nëse xhamia do të jetë mëkëmbur nga Seiimit II (1566-1574) për të njejtën arsye nuk mund të jetë ngritur mbi themelet e Katedrales së Shën Kollit, e cila funksiononte ndonëse pjesërisht e shembur, ende si kishë edhe një vit pas vdekjes së Selimit II. Sipas relacionit të B. Orsinit, Katedralja është shndërruar në xhami në vitet 80 të shek. XVI, pra në kohën e sulltan Muratit III (1574-1595), megjithatë ajo, siç u tha, u braktis si xhami shumë shpejt nga vetë turqit. Si rrjedhim Katedralja e Shën Kollit me varrin e Skënderbeut nuk është nën themelet e Xhamisë Selimie, por të një xhamie tjetër, kurse Xhamia Selimie duhet të jetë ngritur mbi themelet e një kishe tjetër- ndoshta mbi themelet e kishës së Shën Gjergjit ose të Shën Sebastianit, mbasi dy kishat e tjera ndodheshin jashtë qytetit (Shën Mëria e Borës në Varosh dhe Shën Mëria Nunciatë në Tejdrin). Pra, materiali historik na detyron të pohojmë se varri i Skënderbeut nuk duhej të kërkohej në Xhaminë Selimie, siç veproi Fr. Prendi[4], ku në të vërtetë nuk u gjend asnjë shenjë varri, por në një vend tjetër, për të cilën do të flasim më tej.
Çuditërisht në relacionin e Marin Bizzi-t të vitit 1610, thuhet se varri i Skënderbeut ndodhej në Tejdrin, pranë kuvendit të fretërve observantë, në Kishën e Katedrales së Shën Mërisë Nunciatë, e cila kishte zëvendësuar Katedralen e Shën Kollit të rrënuar, pastaj të kthyer në xhami, gjithashtu të braktisur. Në relacion thuhet:
“Në kishën e lartpërmendur thonë se ka qënë varrosur i famshmi Aleksandër Kastrioti (Gjergj Kastrioti - K.F.) i quajtur me emër tjetër Skënderbe, i cili u dallua në shumë luftime me vlerë kundër turqve, të cilat të thurura në vargje këndohen në atë gjuhë (në gjuhën shqipe - K.F.) nga të gjithë shqiptarët edhe në praninë e turqve”.
Kemi të bëjmë pra, me një zhvendosje ideore të varrit të Skënderbeut nga Qyteti në Tejdrin. Arsyeja: fretërit françeskanë duke parë se varri i Skënderbeut ishte nën gërmadhat e një xhamie pra, në pamundësi për pelegrinazhin tradicional, shpallën se varri i Heroit ishte zhvendosur së bashku me titullin e Katedrales nga Qyteti në Tejdrin, në Katedralen e Shën Mërisë Nunciatë, e cila kishte zëvendësuar Katedralen e Shën Kollit, ku pelegrinazhi ndaj Heroit aty kryhej pa pengesa. Në fakt pengesat nuk u menjanuan, qoftë sepse kujtesa popullore nuk e kishte harruar varrin e vërtetë të Heroit, qoftë se tani shqiptarët myslimanë e kishin të vështirë ta kryenin pelegrinazhin në një faltore të krishterë, aq më tepër që aty nuk ndodhej varri i vërtetë i Skënderbeut. Për këtë arsye kujtesa popullore vazhdoi ta përkujtonte me veneracion vendvarrimin e Skënderbeut në gërmadhat e Katedrales, mbi të cilën peshonin edhe rrënojat e xhamisë, pra për shqiptarët e krishterë varri i Heroit nuk ishte shkëputur nga faltorja e krishterë, kurse për shqiptarët myslimanë Heroi prehej nën hijen e faltores islamike.
Vijmë te pyetja e vështirë: në cilën pjesë të Lezhës (në Qytet apo në kala) ndodhej Katedralja e Shën Kollit me varrin e Heroit?
Udhëtari i kulturuar freng Hatry, i cili vizitoi Lezhën në vitin 1808, shkruan se varri i Skënderbeut ndodhej brenda kalasë të ngritur mbi kodrën e qytetit.
“Lezha - shkruan ai - ëshlë ndërtuar në trajtë amfiteatri mbi një kodrinë që dominohet nga një kala e vjetër, në të cilën është varrosur Skënderbeu ... Shqiptarët e krishterë flasin për Skënderbeun vetëm me veneracion, ata këndojnë ende për nder të tij një baladë të lashtë, e cila nuk është pa bukuri” (Alessio... est batie en amphitheatre sur une colline qui domine un vieux chateau ou est enterre Scanderbeg ... Les Albanais chretiens ne parlent pas de Scanderbeg sans veneration, ils chantent encore en son honneur une vielle romance qui n ’est pas depourvue de beaute).
Ushtaraku freng J. J. Fromelin, i cili kaloi nëpër Lezhë, në dhjetor të vitit 1808, pohon të njejtën gjë se varri i Skënderbeut ndodhej brenda mureve të kalasë. Ai shkruan: “brenda mureve rrethues është një kishë e shndërruar në xhami që mban brenda saj eshtrat e Skënderbeut, i cili qe për një kohë të gjatë tmerri i Gjysmëhënës” (On voit dans son enceinte une ëglise changëe en mosquëe qui referme les restes de Scanderbeg qui fut longtemps la terreurdu Croissant). Edhe konsulli i njohur freng F. Pouqueville shkruan në punimin e vet katër vëllimësh “Udhëtim nëpër Greqi” se varri i Skënderbeut ndodhej në Lezhë brenda mureve rrethuese, në një kishë tani e shndërruar në xhami (C’est dans son enceinte que se trouve une ëglise maintenant changëe en mosquëe oufurent autrefois dëposës les restes mortels de Scanderbeg).1 Më qartë shkruan udhëtari anglez Ed Lear, i cili e vizitoi Lezhën në mes të shek. XIX, kur thotë se varri i Skënderbeut ndodhej brenda kalasë në kodër. “Në majën e kodrës shkëmbore ndodhet një xhami dhe pikërisht për këtë vend tradita thotë se eshtrat e Skënderbeut prehen poshtë rrënojave të një kishe kristiane” (On the summit of the rock is a mosque, and here tradition says that the remains of Scanderbeg repose beneath the ruins of a christian church).
Nga gjysma e dytë e shek.XIX, kemi për varrin e Skënderbeut dëshmi të tjera interesante. Madje njëri prej tyre na vjen nga konsulli freng në Shkodër, H. Hecquard, i cili ka jetuar për vite të tëra në Shqipërinë e Veriut. Në lidhje me Lezhën dhe varrin e Skënderbeut, ai shkruan:
“Lezha kishte dikur pesë kisha: Katedralen nga e cila ka mbetur gërmadha pa trajtën e saj, kushtuar Shën Kollit dhe sipas asaj që thonë aty u varros kufoma e Skënderbeut... Më parë Katedralja e shndërruar në xhami, më vonë u braktis nga osmanët” (Alessio possedait autrefois cinq ëglises: la cathëdrale, dont il ne reste que des ruines informes, ëtait dëdiëe a Saint Nicolais et reçu, dit-on, les depouilles mortelles de Scanderbeg ... Transformëe d’abord en mosquëe, la cathëdralefut, peu de temps aprës, abandonnëepar les ottomans).
Një dëshmi tjetër interesante mbi varrin e Skënderbeut, por të një natyre tjetër, e kemi nga udhëtari amerikan A. Mayhev, i cili vizitoi Shqipërinë, pra dhe Lezhën në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1880), i shoqëruar nga piktori amerikan R. C. Woodville. Në përshkrimin e udhëtimit të tij me titull “Në Shqipëri me gegët”, botuar në një revistë amerikane, ai shkruante shkurt se varri i Skënderbeut ndodhej në Lezhë, pa na dhënë hollësira të tjera. Por bashkëudhëtari i tij, R. C. Woodville ka botuar një vizatim me shënimin: “Varri i Skënderbeut në Lezhë” (Tomb of Scanderbeg at Alessio). Vizatimi tregon një ndërtesë të stilit oriental me varrin e Skënderbeut brenda saj, pra një mauzole me dy burra përpara hyrjes, nga të cilët njëri i veshur me fustanellë, tjetri me çakshirë (tirq). Sipas traditës popullore këtë mauzole e kishin marrë në mbrojtje dervishët bektashinj.
Mauzoleu mbi varrin e Skënderbeut nuk ekzistonte njëçerek shekulli më parë në kohën e konsullit Hecquard. Duket se ai u ndërtua në vitet 60 ose 70, në ndikimin e lëvizjes kombëtare rilindëse, lëvizje, e cila e ngriti në shkallën më të lartë adhurimin e shqiptarëve për Heroin e tyre kombëtar. Kujdesi që treguan për Skënderbeun bektashinjtë shqiptarë është i lidhur me përkushtimin e tyre ndaj lëvizjes kombëtare rilindëse.
Por ndryshe nga shqiptarët, administrata perandorake osmane shqetësohej për herë e më tepër nga ndikimi i veprës heroike të Skënderbeut në lëvizjen çlirimtare antiosmane. Pra, për Portën e Lartë, Skënderbeu ishte armik i Perandorisë Osmane dhe si rrjedhim ajo u përpoq ta fshinte emrin e Heroit dhe bashkë me të varrin e tij. Rasti erdhi në vitin 1892, kur Lezha u trondit nga një termet i fuqishëm së bashku me shumë ndërtesa u shemb dhe mauzoleu i Skënderbeut. Pas termetit, administrata osmane nuk lejoi rindërtimin e tij duke vënë në qarkullim një tezë të shpifur, sipas të cilës Skënderbeu nuk kishte vdekur në Lezhë, por në një ishull të Dalmacisë. Në Salnamen (Vjetarin) zyrtare të vilajetit të Shkodrës për vitin 1313 (1897) lexohen këto pak fjalë: “Në një vend më të lartë ndodhen rrënimet e një kalaje ... Ka një version që Skënderbeu është i varrosur në këtë kala; por si thuhet në pjesën historike për Krujën, Skënderbeu ka vdekur në ishullin Lissa të Dalmacisë”.12 Pavarësisht nga pretendimi pa bazë i vdekjes së Skënderbeut në Dalmaci nga pohimi i Salnames turke të tërheq vëmendjen njoftimi se varri i Skënderbeut dikur ndodhej në kala.
Në fund të shek.XIX, çështja e vendvarrimit të Skënderbeut u ndërlikua përsëri. Shkak u bë zbulimi pranë Xhamisë Selimie (e quajtur ndryshe Xhamia e Pazarit) e një pllake mermeri me një mbishkrim turqisht ku thuhej se: “Këtu gjenden eshtrat e shqiptarëve të vdekur përpara prijësit t’Albanezve”. Zbulimi për të cilin foli dhe shtypi shqiptar i kohës (Shqipëria, Bukuresht, 1 maj 1898; La Nazione Albanese 3/ 15 shkurt 1898. Pallagorios-Catanzaro)13 çeli diskutimin mbi vendvarrimin e Skënderbeut nëse ndodhej në kala ose në qytet. A. Degrand, i cili në vitin 1898 shërbente si konsull freng i Shkodrës nuk mbajti qëndrim. Pa na thënë se ku ndodhej, ai pohon vetëm se në kohën e tij kisha e Shën Kollit ku ishte varrosur Skënderbeu ishte zhdukur (tout a disparu). Por disa vite më vonë hulumtuesi i shquar austriak i monumenteve mesjetare shqiptare Theodor Ippen-i argumentoi me një arsyetim objektiv se gërmadhat e Katedrales së Shën Kollit me varrin e Heroit duheshin kërkuar brenda mureve të kalasë së Lezhës. Më 1907, ai shkruante se:
“Ne dimë prej historisë së Barletit se Skënderbeu u varros në kishën e Shën Kollit, por aty nuk shpjegohet më imtësisht se ku gjendej kjo faltore në qytet apo në kala ... Një personalitet i madh, siç ishte Skënderbeu, duhet të ketë qënë varrosur në vendin më të shquar të qytetit, d.m.th. në kalanë e tij. Gjithashtu duke u nisur nga fakti se kjo kala duhet të ketë pasur në atë kohë patjetër një faltore nuk do të ishte gabim po të mendojmë se kisha e Shën Kollit, dhe kështu vendvarrimi i Skënderbeut të jetë në kalanë e Lezhës dhe pikërisht te rrënojat e xhamisë së saj, e cila ka mundësi të ketë qënë ngritur mbi konstruksionin e ndonjë kishe paraturke.
Një ulje e vogël e tokës përpara mihrabit të kësaj xhamie, e vënë re në këto vitet e fundit, u kuptua bile nga disa si një zbrazëti varri që mund të ishte pikërisht ai i Skënderbeut.
Në përforcim të këtij mendimi është marrë edhe pozita e mbrojtur mirë e këshljellës, e cila mund ta siguronte trupin e Heroit nga ndonjë dhunim i mundshëm prej turqve. Këtë shërbim, sipas tyre, nuk mund ta kryente qyteti i Lezhës, gjoja i hapët, i shek.XV”.
Gjurmuesi italian i monumenteve mesjetare shqiptare, E. Baglioni, në vitin 1940 pasi përmend njoftimin e udhëtarit arkeolog italian të shek. XV, Ciriaco di Ancona (1418), i cili thotë se Lezha dominohej në atë kohë nga një kala - kështjellë (impo- nente castello), jep njoftime më të hollësishme mbi vendin e Katedrales së Shën Kollit dhe të varrit të Skënderbeut.
“Nga Pazari merr rrugën drejt Lindjes, e cila ngjitet në Varosh (sipas tij, Varoshi është mbi një kodër 190 m lartësi dhe 1 500 m larg nga Pazari - K.F.), por para se të arrihet aty merr krahun e djathtë në gërmadhat e kalasë, të cilat përfshijnë muret rrethuese dhe kështjellën. Muret (të ruajtura më mirë në anën veriore dhe jugore) janë ndërtuar nga venedikasit mbi themele antike. Përmes varreve të familjes së bejlerëve të Lezhës dhe të një shenjtori mysliman të panjohur, hyhet nga ana lindore nëpërmjet një harku me një mbishkrim mbi të, i cili përmend restaurimet e bëra nga Selimi I (1512-1520). Brenda saj shihen gërmadhat e një xhamie, ngritur sipas gjasës në vendin e kishës së Shën Kollit, ku më 1 mars 1444, Skënderbeu, në një kuvend të madh me krerët shqiptarë ... u betua se do ta çlironte Shqipërinë nga turqit. Në po këtë kishë, ai u varros në vitin 1468, por kur kështjella ra në duart e turqve, ata e dhunuan varrin duke shpërndarë eshtrat e Heroit si hajmali”.
Sipas E. Baglioni-t, në xhaminë e ndërtuar mbi Katedralen e Shën Kollit, hyhet nga ana lindore e kalasë, kurse Pazari ndodhet në anën perëndimore të mureve të saj. Por Fr. Prendi, i cili u ngarkua në vitin 1967 (në pragun e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut) të hetonte vendin ku ndodhej varri tij, për të ngritur në atë vend një memorial kushtuar Heroit, nuk i mori në konsideratë dëshmitë e shumta historike të udhëtarëve të përmendur dhe në mënyrë të veçantë gjykimin objektiv të Th. Ippen-it. Duket se ai nuk kishte dijeni as për njoftimet e dhëna nga E. Baglioni. Sipas Fr. Prendit, Katedralja e Shën Kollit nuk mund të ketë qënë brenda mureve të kalasë për dy arsye. E para, se xhamia sipër në kala nuk ka shënja që është ndërtuar mbi themelet e një kishe, veç kësaj ka përmasa të vogla që nuk pajtohen me atë të një kishe Katedrale dhe, e dyta: “është e vështirë - shkruan ai - që Katedralja e Shën Kollit si kisha më e respektueshme dhe e frekuentueshme e qytetarëve lezhjanë, të ketë qënë ndërtuar në kalanë e ngritur mbi supet e qytetit mjaft larg qendrës së tij dhe, për më tepër, në një rajon ushtarak”. Por të dyja arsyet nuk qëndrojnë. E para, se mbi gërmadhat e xhamisë nuk u bënë hulumtime arkeologjike për të ditur nëse ekzistojnë apo jo gjurmë të Katedrales së Shën Kollit. E dyta, zakonisht katedralet në Mesjetë kanë qënë të ndërtuara brenda mureve të kalave, për arsyen më të thjeshtë se me objektet e vyera prej ari dhe arti që ato kishin, ruheshin më mirë brenda se jashtë kalasë.
(...)
Rezervat që u shfaqën në atë kohë për ta kërkuar gjetkë varrin e Heroit, nuk u morën parasysh, ndoshta ngaqë afrimi i jubileut të vdekjes së Heroit nuk lejonte hapësirë kohore për gërmime në pika të tjera. Për këtë arsye komisioni vendosi se tashmë ishte zbuluar varri i Skënderbeut dhe me vendimin e tij aty u ngrit Memoriali, i cili jo pa qëllim u quajt Memoriali i Vendvarrimit (dhe jo i Varrit te Skënderbeut).
Ngritja e një Memoriali jo në vendin e saktë nuk e dëmton homazhin e një kombi ndaj Heroit të vet, veçse është mirë të dihet se varri i vërtetë i Heroit është diku aty pranë.
By Kristo Frashëri
