"Më nesëret duke ngdhirë Mbreti la jetën' e shkretë! Shpirt'i math e shum' i mirë Vate te zot'i vërtetë! Me gjëmim, me vetëtimë Reja poshtë shin' e shtije, Pa lumi me ngashërimë Prapë në det vet'e bije, Dhe sërish ngrihet përpjetë E lëçin ndë hapësirë, Prap' atje e hedhin retë, Se ajy ësht' i pavdirë. Kur deshi Zot'i vërtetë, Që ka kryer gjithësinë, Të delte faqeza vetë, Tfaqi në jetë njerinë, Neve Atë burim kemi, Detnë pa funt e pa anë, Andej vim' e atje vemi, Ajy është gjithë ç'janë. Trup'i mbretit ishte shuar! Mjekr' e bardhë si dëborë Ish hapur mbi krahëruar! Popo, njeriu i gjorë! Gjashtëdhet' edhe tri herë E kish parë Skënderbenë Në jet' e bukura verë, Që vjen e zbukuron dhenë. Dolli Lekë Dukagjini Më derët, q'ishte rrëmeti, Tha: "Shqipëtarë, ku jini! Se na la të shkretë mbreti!" Kur dëgjuan këtë fjalë Të idhurë shqipëtarët, Thanë: "Mbret, të qofshim falë!" Dhe gjithë i mori të qarët! Mbretëresha edhe gratë, Burratë dhe djal'i mbretit Me lot qanë dit' e natë, Se më s'dukej mëng' e detit! Me nder të math njerëzija Në Lesh Skënderben' e vunë, Shpirti shkoj te Perëndija, Se këtu më s'i mbet punë. U vesh gjithë Shqipërija Në të zi e zuri zinë, Parësi e vegjëlija, Q'e donin si Perëndinë. Qaje, moj Shqipëri, qaje Atë njerin' e vërtetë! E zinë për jetë mbaje, Se shok më s'i vjen në jetë."
(Nga vepra «Istori' e Skënderbeut», Bukuresht, 1898.)
By Naim Frashëri
