albaniana

Krijimtari

Disá vjerrsha të Salvatore Quasimodo-s

përkëthye nga ERNEST KOLIQI

ChatGPT Image Jun 1, 2026, 05_51_32 PM

Salvatore Quasimodo në Itali 1953

Në gjymsën e dytë të qershorit 1968 vdiq n’Amalfi, ku ndodhej si mis i njâj komisjoni për të shênjue nji çmim poezije, Poeti zâmadh, Çmim Nobel, Salvalure Quasimodo. I lindun në Sirakusa në 1901 nga nji familje e vobekët, kreu studimet me shum vishtirsí, tue qindrue si nëpunës në nji zyre të vogël shtetnore. Kaloi prej Sicilís mâ parë në Romë e në Firenze e mâ vonë zûni vend në Milan, ku trupí i tij u suell për vorrim.

Të parat përpjekje poetike i paraqiti në 1930 në vëllimin me titull: Ujna e dhéna. Mandej botoi njânin mbas tjetrit edhe vëllime tjera vjerrshash, qi i a bânë të njoftun emnin n’atdhe e jashta atdheut. Me 1940 duelne përkthimet e tija nga klasikët grekë e rromakë, të cilat u priten me miratim të madh nga kritikët letrarë. Ngjitas me Ungaretti-n e me Montale-n, Quasimodo njehet si shprehës i shquem i frymës së kohnave të reja. Poezija e tij ndoq në fillim rrymbën e ermetizmit, por erdhi shkallë-shkallë tue u bâ mâ korale. Nuk e harroi kurr vendlindjen: Sicilija, zêmër e Mesdheut, trevë ku lulzuen në rrjedhje të moteve qytetnime të ndryshme, i dhuroi frymzimet mâ të lume. N’at ujdhesë shkelqei qytetnimi helenik e në gjak të Quasimodo-s lëvilte gjillesa e tij kështu qi edhe pelhura ligjiruese e vjershave mâ të mira përsritte thjeshtësín e njiherit fuqín skalitëse të lyrikve grekë të lashtësís.

Salvatore Quasimodo shkroi mirsisht në të përkohëshmën Ore Nr. 25 - Nuova Serie - 5 Seltembre 1963 - pag. 28) mbi përkthimet italisht të lyrikve shqiptarë botue nga Ernest Koliqi në vëllimin Antologia della lirica albanese(Milano 1963) tue u shtrî n’at reçensim edhe mbi fazat e ndryshme të zhvillimit historik të poezís shqiptare. Këtu po paraqesim të përkthyeme shqip disa ndër lyrika mâ të njoftuna të Quasimodo-s.

[Kjo hymje, pa emën autori, duhet të jetë shkru nga Martin Camaj, që ishte kryeredaktor i «Shêjzave» në këtë kohë.]

Dhe arrîn mejhera mbrâmja

Çdokushi rri vetëm mbi zêmër të tokës

shporue prej nji rrezjeje dielli

e arrîn mejhera mbrâmja.

Erë në Tindari

Tindari, t’njof të butë

n'rreth kodrash t'gjâna i mvarun përmbi ujnat

të t'âmblave ujdhesa të hyut,

sot më sulmon

dhe priresh mbi zêmër.

Ngjitem kreshtave humbnerave ajrore,

mendueshëm n’erën e hàlave,

e tuba e shokve kamb-leht’ qi më përsjell,

largohet n’ajr të shpatitt

val' tingujsh e dashnije,

e ti prej t'cilit

vishtirshëm unë u ndáva

m'rrëmben me tut' hijesh dhe heshtjesh

dikúr streha âmbëlsísh bukur të shpeshta

dhe vdekje shpirti.

T'âsht e panjoftun toka

ku përditë un' humbas

e rrokje të mshefta ushqej:

tjetër drit’ përmbi xhama t’i shkoq’ fletët

n’veshën e natës,

e haré qi nuk âsht e imja

t’pushon n'prêhen.

Mërgim’ â' i ashpër,

kërkesa e harmonís qi ndryjshem n'tý

n'rrebullí shëndrrohet sot

të nji vdekjeje së parakohëshme;

e çdo dashní mbulojë âsht e disprimit,

hap i hesht'shëm n'errsí

ku më caktove vendin

nji buk’ të thart' me thye.

Tindari, kthe i qetë;

m'zgjon nji mik i njerzishëm

e m’fton t’sodis nga nji shkamb qiellin

dh'un’ frigacak i shtîhem kúj nuk din

se ç’erë e thell’ desht t’m’përpinte.

Tash qi drita po zbardhë

Àsht nata n’e sosun dhe hâna

po shkrîhet dal-dal' n’qiell të qetë,

prendon n'vija t'újit.

E kështu kaloj shtatorin në kët dhé

fushash, e t’blerta jan’ livadhet

sikur ndër lugina të jugut kah prendvera.

Unë i u shtëmanga shokvet,

edhe e mshefa zêmrën mbrenda mureve t’vjetra

për me ndejun vetëm me t’kujtue.

Sa larg jé, shum mâ larg se hâna

e qiellit tash qi drita po zhardhë

e mbi gur t’udhës kërset thundra e kvalve.

Engjulli

Po flên engjulli

mbi drandofille ajri,

i bardhë,

e n'prehen t’kryqzueme

mban të bukurat duer.

Zâni i em i a nxjerr gjumin

e m’buzqeshë,

resh' me ènd lulesh

mollzèn e faqes së njomë.

Këndo; m'lén n'zêmër

nji mall qielli agimuer.

I êm âsht èngjulli:

unë e zotnoj: t'àkullt.

Njerí i kohës s'ime

Endé ké mbetun ai i gurit dhe i hobés,

njerí i kohës s’ime. N’avjon ti ishe,

me flatra dâmtore, me vegla qi mbjellin vdekjen,

— t’kam pá — mbrenda qerres së zjarrmit, ti ké drengat,

ké rrotat e mundimit. T’kam pá: ishe ti

me dijen t’ande t’përpikun lakmues sodûmjesh,

pa dashuní, pa Krisht. E prap e prap ké vrá

si gjithmonë, ashtu si vráne etnit, si vráne

shtâzët kur të páne për herë të parë.

E ky gjak érson edhe sot si në ditën

kur vëllau i u suell vëllaut edhe i tha:

«Eja t'dalim te arat». E ajo jehonë e ftoftë,

e pashueshme erdhi deri te ti, mbrenda ditës s’ate.

Harroni, o bij, rét me gjak të mbárrsuna,

ngjitnju sipër tokës, harroni etënt t’uej,

vorret e tyne po mbyten në pluhun

dhe zogj t’zez, rriba e erës, po ia mbulojnë zêmrën.

[Përgatiti publikimin A.M.]

By Ernest Koliqi